Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinj​—A jeni gati për pagëzimin?

Të rinj​—A jeni gati për pagëzimin?

«Kush nga ju, kur dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë që të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta përfunduar atë?»​—LUKA 14:28.

KËNGËT: 120, 64

Dy artikujt vijues u drejtohen të rinjve që po mendojnë të pagëzohen

1, 2. (a) Cila është një gjë që ia mbush zemrën me gëzim popullit të Perëndisë sot? (b) Si mund t’i ndihmojnë prindërit dhe pleqtë e kongregacionit të rinjtë që të kuptojnë domethënien e pagëzimit?

«TË NJOH që kur ke lindur dhe më bëhet zemra mal që dëshiron të pagëzohesh,​—i tha Kristoforit 12-vjeçar një plak kongregacioni.—​Dua të të pyes: pse do që ta bësh këtë hap?» Pyetja e atij plaku ishte me vend. Pa dyshim, të gjithëve na gufon zemra kur shohim çdo vit mijëra fëmijë e të rinj përreth botës që pagëzohen. (Ekl. 12:1) Në të njëjtën kohë, prindërit dhe pleqtë e kongregacionit duan të sigurohen se këta të rinj po marrin një vendim që jo vetëm vjen nga zemra, por edhe ka baza të forta.

2 Fjala e Perëndisë tregon se hapat e kushtimit dhe të pagëzimit janë fillimi i një jete gjatë së cilës përjetojmë bekime nga Jehovai, po edhe kundërshtime nga Satanai. (Prov. 10:22; 1 Pjet. 5:8) Prandaj, prindërit e krishterë lënë kohë që t’u mësojnë fëmijëve se çfarë përfshin të jesh dishepull i Krishtit. Në rastin e të rinjve që s’i kanë prindërit në të vërtetën, pleqtë e kongregacionit i ndihmojnë me dashuri që të llogaritin cili është çmimi për të qenë dishepull. (Lexo Lukën 14:27-30.) Ashtu si një projekt ndërtimi do planifikim që të përfundojë me sukses, edhe për t’i shërbyer me besnikëri Jehovait «deri në fund» duhen përgatitje. (Mat. 24:13) Por ç’mund të bëjnë vetë të rinjtë që të jenë të vendosur t’i shërbejnë Jehovait gjatë gjithë jetës? Le ta shohim.

3. (a) Ç’na mësojnë për rëndësinë e pagëzimit fjalët e Jezuit dhe të Pjetrit? (Mat. 28:19, 20; 1 Pjet. 3:21) (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë, dhe pse?

3 A je një i ri që po mendon të pagëzohesh? Nëse po, të lumtë! Është privilegj i madh të pagëzohesh si Dëshmitar i Jehovait. Për më tepër, pagëzimi është një kërkesë për të krishterët dhe një hap jetësor drejt shpëtimit. (Mat. 28:19, 20; 1 Pjet. 3:21) Ti dëshiron të jesh i përgatitur për këtë hap të rëndësishëm, sepse do me gjithë zemër ta mbash premtimin që do t’i bësh Jehovait. Prandaj, bën mirë të shqyrtosh tri pyetjet e mëposhtme për të kuptuar nëse je gati për pagëzimin: (1) A jam mjaft i pjekur për të marrë këtë vendim? (2) A është dëshira e zemrës sime ta bëj këtë? (3) A e kuptoj ç’do të thotë t’i kushtohesh Jehovait? Le t’i shqyrtojmë këto pyetje.

KUR JE MJAFT I PJEKUR?

4, 5. (a) Pse pagëzimi nuk është vetëm për ata që janë më të rritur? (b) Ç’do të thotë për një të krishterë të jetë i pjekur?

4 Bibla nuk tregon se pagëzimi është një hap që duhet ta hedhin vetëm ata që janë më të rritur ose të paktën në moshën kur u jepen disa të drejta ligjore. Te Proverbat 20:11 thuhet se edhe një fëmijë ‘njihet nga veprimet e tij: nëse veprat e tij janë të kulluara dhe të drejta’. Pra, edhe dikush që është disi më i vogël në moshë mund ta kuptojë se ç’do të thotë të bëjë atë që është e drejtë dhe t’i kushtohet Krijuesit. Kështu, pagëzimi është një hap i rëndësishëm dhe me vend për një të ri që ka shfaqur mjaft pjekuri dhe i është kushtuar Jehovait.—Prov. 20:7.

5 Ç’do të thotë të jesh i pjekur? Pjekuria s’ka të bëjë thjesht me rritjen fizike. Bibla thotë se njerëzit e pjekur «i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». (Hebr. 5:14) Pra, ata e dinë çfarë është e drejtë në sytë e Jehovait dhe janë të vendosur në zemër ta zbatojnë. Si rrjedhojë, nuk lëkunden kollaj nga presioni për të bërë diçka të gabuar; as nuk ka nevojë t’i nxitësh orë e çast për të bërë atë që është e drejtë. Vërtet, është më se e arsyeshme të presësh që një i ri që pagëzohet t’u përmbahet normave të Perëndisë edhe kur të mos ketë pranë prindërit a të rritur të tjerë.​—Krahaso Filipianëve 2:12.

6, 7. (a) Përshkruani sfidat që hasi Danieli kur ishte në Babiloni. (b) Si tregoi Danieli se ishte i pjekur?

6 A mund të shfaqin vërtet të rinjtë një pjekuri të tillë? Po mirë, mendo pak për një personazh të Biblës, për Danielin. Ai mund të ketë qenë në fillim të adoleshencës kur e rrëmbyen nga prindërit dhe e çuan në mërgim në Babiloni. Befas Danieli po jetonte mes një populli që kishte një koncept krejt ndryshe për të drejtën dhe të gabuarën. Kësaj iu shtua edhe një sfidë tjetër: në Babiloni, Danielin e trajtonin si një të ri të veçantë. Në fakt, ai ishte pjesë e një grupi të rinjsh që u zgjodhën me kujdes për të hyrë në shërbim të mbretit. (Dan. 1:3-5, 13) Siç duket, në Babiloni, Danieli pati mundësi që në Izrael ndoshta s’do t’i kishte pasur kurrë.

7 Si reagoi Danieli i ri para gjithë kësaj? A ia mori mendjen lavdia dhe vezullimi joshës i Babilonisë? A lejoi që ambienti i ri t’i ndryshonte identitetin ose t’i minonte besimin? Aspak! Bibla thotë se në Babiloni Danieli «ishte i vendosur në zemër të mos ndotej» me asgjë që lidhej me adhurimin e rremë. (Dan. 1:8) Ai tregoi një pjekuri të jashtëzakonshme.

Një i ri i pjekur nuk sillet si mik i Perëndisë në Sallën e Mbretërisë, e pastaj si mik i botës në shkollë (Shih paragrafin 8.)

8. Ç’mund të mësosh nga shembulli i Danielit?

8 Ç’mësim mund të nxjerrësh nga Danieli? Po ja për shembull, që një i ri i pjekur nuk luan nga bindjet e tij. Nuk është si një kameleon që ndryshon ngjyrë për t’u përshtatur me ambientin. Ai nuk sillet si mik i Perëndisë në Sallën e Mbretërisë, e pastaj si mik i botës në shkollë. Në vend që të lëkundet andej-këtej, ai qëndron i patundur edhe gjatë sprovave të besimit.​—Lexo Efesianëve 4:14, 15.

9, 10. (a) Pse mund t’i bëjë mirë një të riu të meditojë për mënyrën si ka reaguar kohët e fundit gjatë sprovave të besimit? (b) Cila është domethënia e pagëzimit?

9 Natyrisht, nuk ka njeri të përsosur; herë pas here si të rinjtë, edhe të rriturit bëjnë gabime. (Ekl. 7:20) Sidoqoftë, ndërkohë që po mendon të pagëzohesh, do të ishte e mençur të analizoje deri në ç’masë je i vendosur në zemër që të mos i shkelësh kurrë normat e Jehovait. Po si ta matësh sa e fortë është vendosmëria jote? Pyet veten: «Kur ka qenë puna për t’iu përmbajtur normave të Perëndisë, si kam vepruar?» Medito për mënyrën si ke reaguar kohët e fundit gjatë sprovave të besimit. A ke treguar se ke aftësinë e nevojshme për të dalluar të drejtën nga e gabuara? Po në rast se dikush në botën e Satanait të trajton si një të ri të veçantë, ashtu siç ndodhi me Danielin? Po kur vullneti i Jehovait bie ndesh me atë që tundohesh të bësh, a ‘vazhdon të dallosh se cili është vullneti i Tij’?​—Efes. 5:17.

10 Pse i bëjmë këto pyetje kaq të hapura? Synimi i tyre është të të ndihmojnë të kuptosh cila është domethënia e pagëzimit. Siç u përmend më sipër, pagëzimi është simbol i një premtimi solemn që i bën vetë Jehovait. Ti i premton se do ta duash dhe do t’i shërbesh përjetësisht me gjithë zemër. (Mar. 12:30) Kushdo që pagëzohet, duhet të jetë i vendosur ta mbajë këtë premtim.​—Lexo Eklisiastiun 5:4, 5.

A ËSHTË DËSHIRA JOTE?

11, 12. (a) Për çfarë duhet të jetë i sigurt dikush që mendon të pagëzohet? (b) Ç’do të të ndihmojë të kesh të njëjtën pikëpamje si Jehovai për pagëzimin?

11 Bibla thotë se populli i Jehovait, ku përfshihen edhe të rinjtë, «do të paraqitet vullnetarisht» për t’i shërbyer. (Psal. 110:3) Ndaj, nëse po mendon të pagëzohesh, duhet të jesh i sigurt se kjo është dëshira që ke ti vetë në zemër. Për këtë mund të të duhet një vetëshqyrtim. Pse? Sepse rrethanat e tua mund të jenë disi të veçanta, sidomos nëse je rritur në të vërtetën.

12 Me kalimin e viteve ka të ngjarë të kesh parë plot veta të pagëzohen, e mes tyre disa bashkëmoshatarë ose edhe motrën a vëllanë tënd. Nëse je në këtë situatë, për çfarë duhet të bësh kujdes? Ki mendjen që të mos fillosh ta shohësh pagëzimin thjesht si një traditë që herët a vonë e ndjekin gjithë të rinjtë që arrijnë një moshë të caktuar. Ç’mund të bësh që të sigurohesh se ke të njëjtën pikëpamje si Jehovai për pagëzimin? Lër kohë shpesh që të ndalesh e të mendosh për arsyet pse është kaq e rëndësishme të pagëzohesh. Në këtë artikull dhe në tjetrin jepen disa arsye të forta.

13. Si mund ta dallosh nëse vendimi për t’u pagëzuar të vjen nga zemra?

13 Ka disa mënyra si ta dallosh nëse vendimi yt për t’u pagëzuar vjen nga zemra. Për shembull, dëshira e zjarrtë për t’i shërbyer Jehovait do të pasqyrohet te lutjet e tua. Mendo sa shpesh lutesh dhe sa specifike janë lutjet që bën. Kjo mund të tregojë sa e ngushtë është lidhja jote me Jehovain. (Psal. 25:4) Një mënyrë e rëndësishme si u përgjigjet Jehovai lutjeve tona është duke na e drejtuar vëmendjen te Fjala e tij. Prandaj, përpjekjet që bëjmë për të studiuar Biblën janë një tregues tjetër nëse duam vërtet t’i afrohemi Jehovait dhe t’i shërbejmë me gjithë zemër. (Jos. 1:8) Pra, pyet veten: «Sa specifike janë lutjet e mia? Sa i rregullt është studimi im personal i Biblës?» E nëse familja jote zhvillon Adhurimin Familjar, pyet veten: «A marr pjesë me gatishmëri në këtë aktivitet?» Përgjigjet që jep, do të të ndihmojnë të kuptosh nëse vendimi për t’u pagëzuar të vjen nga zemra.

DOMETHËNIA E KUSHTIMIT

14. Përshkruani ndryshimin mes kushtimit dhe pagëzimit.

14 Disa ndoshta nuk e kanë të qartë ndryshimin mes kushtimit dhe pagëzimit. Për shembull, disa të rinj thonë se i janë kushtuar Jehovait por nuk janë gati të pagëzohen. A ka kuptim kjo? Të kushtohesh, do të thotë t’i premtosh Jehovait se do t’i shërbesh përgjithmonë. E kur dikush pagëzohet, tregon para të tjerëve se është kushtuar. Pra, me pagëzimin ti tregon publikisht kushtimin personal që i ke bërë tashmë Jehovait me një lutje. Para se të pagëzohesh, duhet të sigurohesh se e kupton cila është domethënia e kushtimit.

15. Cila është domethënia e kushtimit?

15 Me dy fjalë, kur ia kushton jetën Jehovait, pranon se tani nuk je më ti pronari i vetes sate. I premton Jehovait se do ta vësh vullnetin e tij mbi çdo gjë tjetër në jetë. (Lexo Mateun 16:24.) Natyrisht, çdo premtim duhet marrë seriozisht, e aq më tepër një premtim që i bën Perëndisë Jehova. (Mat. 5:33) Por, si mund ta tregosh se e ke mohuar vërtet veten dhe se tani i përket Jehovait?​—Rom. 14:8.

16, 17. (a) Ilustroni ç’do të thotë të mohosh veten. (b) Kur dikush i kushtohet Jehovait, çfarë i thotë në thelb?

16 Për ta ilustruar, përfytyro sikur një shok të bën dhuratë një makinë. Të jep dokumentet e pronësisë dhe thotë: «Makina është e jotja.» Por ta zëmë se pastaj shton: «Çelësat do t’i mbaj unë. Dhe makinën do ta ngas unë, jo ti.» Si do të të dukej ajo «dhuratë»? Si do të të dukej ai që të bën dhuratën?

17 Mendo tani për atë që pret me të drejtë Jehovai nga dikush që i kushtohet, që i thotë: «Po ta jap ty jetën time. Unë të përkas ty.» Po sikur ky njeri të fillonte të bënte jetë të dyfishtë, mbase duke u njohur fshehtas me një jobesimtar? Po sikur të pranonte një punë që e pengon të marrë pjesë me gjithë shpirt në shërbim ose të ndjekë rregullisht mbledhjet? A s’do të ishte si t’i mbante për vete çelësat e makinës? Kur dikush i kushtohet Jehovait, është sikur i thotë: «Jeta ime të përket ty, jo mua. Nëse ndonjëherë ajo që do ti bie ndesh me atë që dua unë, do të fitojë ajo që do ti​—në çdo rast.» Kjo do të pasqyronte mënyrën si mendon Jezui, i cili kur ishte në tokë tha: «Nuk zbrita nga qielli për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.»​—Gjoni 6:38.

18, 19. (a) Si tregojnë fjalët e Rozës dhe të Kristoforit se pagëzimi është një privilegj që sjell bekime? (b) Si ndihesh për privilegjin e pagëzimit?

18 Është e qartë se pagëzimi është një hap serioz që as ti, as ndonjë tjetër nuk duhet ta marrë lehtë. Në të njëjtën kohë, është privilegj i madh të kushtohesh e të pagëzohesh. Të rinjtë që e duan Jehovain dhe që e kuptojnë cila është domethënia e kushtimit nuk ngurrojnë të pagëzohen. E asnjëherë nuk bëhen pishman për vendimin e tyre. Një adoleshente e pagëzuar që quhet Roza thotë: «E dua Jehovain, dhe asgjë nuk do të më bënte më të lumtur se t’i shërbej atij. Kurrë nuk kam qenë më e sigurt për diçka në jetë sesa atëherë kur mora vendimin të pagëzohesha.»

19 Po Kristofori që u përmend në fillim të këtij artikulli? A kishte baza të forta vendimi i tij që të pagëzohej kur ishte 12 vjeç? Kristofori i kujton me kënaqësi e nostalgji kushtimin dhe pagëzimin. Kur ishte 17 vjeç, filloi shërbimin si pionier i rregullt dhe në moshën 18-vjeçare u emërua shërbëtor ndihmës. Sot shërben në Bethel. Ai thotë: «Vendimi për t’u pagëzuar ishte vendimi i duhur. Jeta ime është plot punë që më sjellin kënaqësi dhe që i bëj për Jehovain e për organizatën e tij.» Nëse po mendon të pagëzohesh, si mund të përgatitesh për këtë hap? Artikulli tjetër do t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje.