Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinj—Si mund të përgatiteni për pagëzimin?

Të rinj—Si mund të përgatiteni për pagëzimin?

«O Perëndia im, unë kënaqem kur bëj vullnetin tënd.»​—PSAL. 40:8.

KËNGËT: 51, 58

1, 2. (a) Shpjegoni pse pagëzimi është një hap serioz. (b) Për çfarë duhet të jetë i sigurt dikush para se të pagëzohet, dhe pse?

A JE një i ri që po mendon të pagëzohesh? Nëse po, të pret para privilegji më i madh që mund të ketë njeriu. Megjithatë, siç u tregua në artikullin e kaluar, pagëzimi është një hap serioz. Ai simbolizon kushtimin tënd​—premtimin solemn që i bën Jehovait se do t’i shërbesh përgjithmonë duke e vënë vullnetin e tij mbi çdo gjë tjetër në jetë. Kuptohet që duhet të pagëzohesh vetëm nëse je mjaft i pjekur ta marrësh këtë vendim, nëse dëshiron nga zemra ta bësh këtë dhe nëse e kupton cila është domethënia e kushtimit.

2 Po sikur të mos jesh i sigurt nëse je gati të pagëzohesh? Apo ç’të themi nëse ti dëshiron të pagëzohesh, por prindërit mendojnë se duhet të presësh, ndoshta derisa të fitosh më shumë përvojë në jetën e krishterë? Në cilindo rast, mos u shkurajo. Në vend të kësaj, shfrytëzoje këtë mundësi që të bësh përparim, në mënyrë që së shpejti të jesh i kualifikuar të pagëzohesh. Me këtë ndër mend, shqyrto si të vësh synime në lidhje me (1) bindjet e tua, (2) veprimet e tua dhe (3) mirënjohjen ndaj Jehovait.

BINDJET E TUA

3, 4. Ç’mësim mund të nxjerrin të rinjtë nga shembulli i Timoteut?

3 Mendo si do t’u përgjigjeshe këtyre pyetjeve: pse besoj se Perëndia ekziston? Çfarë më bind se Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë? Pse mendoj se është më mirë të jetoj sipas normave morale të Perëndisë sesa të përvetësoj mënyrën e jetesës së botës? Këto pyetje s’kanë për qëllim të të ngjallin dyshime. Përkundrazi, ato mund të të ndihmojnë t’i vësh veshin këshillës së apostullit Pavël: «Vërtetoni se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.» (Rom. 12:2) Po pse të krishterët në Romë kishin nevojë t’i vërtetonin vetes diçka që e kishin pranuar tashmë?

4 Të shohim një shembull nga Bibla. Timoteu i njihte për bukuri Shkrimet. E ëma dhe gjyshja e kishin mësuar «që nga foshnjëria». Prapëseprapë, Pavli e nxiti Timoteun: «Vazhdo në gjërat që mësove dhe u binde të besoje.» (2 Tim. 3:14, 15) Sipas një vepre referimi, fjala e përkthyer «u binde», në gjuhën origjinale ka kuptimin «të të mbushet mendja dhe të jesh i sigurt se diçka është e vërtetë». Timoteu e kishte përvetësuar me gjithë zemër të vërtetën. Nuk e pranoi thjesht ngaqë ashtu i thanë e ëma dhe gjyshja, por ngaqë arsyetoi vetë rreth saj dhe u bind.​—Lexo Romakëve 12:1.

5, 6. Pse është e rëndësishme që të mësosh ta përdorësh ‘fuqinë për të arsyetuar’ që në moshë të njomë?

5 Po ti? Mos ndoshta i njeh prej kohësh të vërtetat biblike? Atëherë, pse të mos vësh si synim të shqyrtosh më thellë arsyet pse e beson diçka? Kjo do të t’i forcojë bindjet dhe do të të ndihmojë që të mos drejtohesh nga presioni i shoqërisë, nga propaganda e botës a madje edhe nga ndjenjat e tua.

6 Po të mësosh ta përdorësh ‘fuqinë për të arsyetuar’ që në moshë të njomë, do të jesh i përgatitur t’u japësh përgjigje logjike moshatarëve kur bëjnë pyetje të tilla, si: «Pse je i sigurt se ka Perëndi? Pse e lejon ligësinë një Perëndi i dashur? Si është e mundur që Perëndia të ketë ekzistuar gjithmonë?» Kur je i përgatitur, pyetje të tilla nuk do ta dobësojnë besimin tënd, por do të të nxitin të studiosh më shumë.

7-9. Trego si mund të të ndihmojë t’i forcosh bindjet seria online me udhëzues për studim «Çfarë mëson vërtet Bibla?»

7 Studimi i thellë personal mund të të ndihmojë t’u përgjigjesh pyetjeve, të heqësh dyshimet dhe të forcosh bindjet e tua. (Vep. 17:11) Ke në dorë një sërë mjetesh që mund të të hyjnë në punë. Shumë veta i ka ndihmuar shqyrtimi i broshurës Origjina e jetës: Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh dhe i librit A ka një Krijues që interesohet për ju? Veç kësaj, mjaft të rinj janë kënaqur dhe kanë nxjerrë dobi nga seria online «Çfarë mëson vërtet Bibla?» Kjo seri me udhëzues për studim gjendet në sitin jw.org, te MËSIME BIBLIKE > ADOLESHENTËT. Çdo udhëzues për studim në këtë seri është bërë posaçërisht që të të ndihmojë të forcosh bindjet e tua për një argument biblik.

8 Tashmë ti e njeh mirë Biblën, prandaj mund t’u përgjigjesh tak-fak disa pyetjeve që gjenden në këta udhëzues për studim. Por, pse je i sigurt për përgjigjet që jep? Udhëzuesit për studim të ftojnë të arsyetosh për mjaft shkrime e pastaj të shkruash se çfarë mendon për to. Kjo mund të të ndihmojë të planifikosh se si t’ua shpjegosh të tjerëve bindjet e tua të bazuara në Bibël. Seria online «Çfarë mëson vërtet Bibla?» po ndihmon plot të rinj të forcojnë bindjet e tyre. Nëse e ke në dispozicion këtë seri, pse të mos e përfshish në programin e studimit personal?

9 Teksa forcon bindjet e tua, hedh një hap të rëndësishëm drejt pagëzimit. Një motër adoleshente tha: «Para se të vendosja të pagëzohesha, studiova Biblën dhe kuptova se kjo është feja e vërtetë. E kjo bindje më forcohet çdo ditë të jetës.»

VEPRIMET E TUA

10. Pse pritet me të drejtë që veprat e një të krishteri të pagëzuar të jenë në harmoni me besimin e tij?

10 Bibla thotë: «Besimi, nëse nuk ka vepra, është i vdekur.» (Jak. 2:17) Nëse bindjet e tua janë të forta, pritet me të drejtë që ta tregosh këtë me veprime. Ç’lloj veprimesh? Bibla flet për «vepra të shenjta sjelljeje» dhe «veprime të përkushtimit hyjnor».​—Lexo 2 Pjetrit 3:11.

11. Shpjegoni ç’do të thotë shprehja «vepra të shenjta sjelljeje».

11 Për të bërë «vepra të shenjta sjelljeje», duhet të jesh i pastër nga ana morale. Si po ecën në këtë drejtim? Për shembull, mendo për gjashtë muajt e fundit. Si ke treguar se ‘aftësitë e tua perceptuese’ janë të stërvitura për të dalluar të drejtën nga e gabuara? (Hebr. 5:14) A mund të kujtosh raste specifike kur i bëre ballë tundimit ose presionit nga moshatarët? A flet mirë për besimin tënd sjellja që ke në shkollë? Në vend që të përpiqesh të dukesh si shokët e klasës vetëm për të shmangur talljet, a e mbron besimin tënd? (1 Pjet. 4:3, 4) Dihet, askush nuk është i përsosur. Edhe ata që i shërbejnë Jehovait prej kohësh, hera-herës mund të druhen ta mbrojnë besimin e tyre para të tjerëve. Sidoqoftë, ai që i është kushtuar Jehovait ndihet me të drejtë krenar që mban emrin e Perëndisë dhe e tregon këtë me sjelljen e vet.

12. Cilat janë disa «veprime të përkushtimit hyjnor», dhe si duhet t’i shohësh ato?

12 Po ‘veprimet e përkushtimit hyjnor’ çfarë janë? Ato përfshijnë aktivitetet në kongregacion, si për shembull të ndjekësh mbledhjet dhe të marrësh pjesë në shërbim. Përfshijnë edhe aktivitete që të tjerët nuk i shohin, si lutjet dhe studimi yt personal. Ai që ia ka kushtuar jetën Jehovait, nuk i sheh këto si punë angari. Përkundrazi, pasqyron qëndrimin e mbretit David, që tha: «O Perëndia im, unë kënaqem kur bëj vullnetin tënd, dhe ligji yt është thellë brenda meje.»​—Psal. 40:8.

13, 14. Cili mjet mund të të ndihmojë të kryesh «veprime të përkushtimit hyjnor»? Si kanë nxjerrë dobi disa të rinj nga ky mjet?

13 Si ndihmë për të vënë synime, mund të gjesh një fletë pune në faqet 308 dhe 309 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2. Kjo fletë pune të fton të shkruash përgjigjet e pyetjeve të tilla, si: «Sa specifike janë lutjet e tua dhe çfarë tregojnë për dashurinë tënde për Jehovain?» «Çfarë përfshin në studimin personal?» «A del në shërbim edhe kur nuk janë prindërit?» Në fletën e punës ke hapësirë edhe për të shkruar synimet që dëshiron të vësh në lidhje me lutjet, studimin personal dhe shërbimin.

14 Kjo fletë pune ka qenë një mjet i dobishëm për shumë të rinj që mendonin të pagëzoheshin. Një motër e re që quhet Tilda thotë: «E përdora fletën e punës për të vënë synime. I arrita një nga një këto synime dhe rreth një vit më vonë isha gati të pagëzohesha.» Një vëlla i ri që quhet Patrik nxori dobi në mënyrë të ngjashme. Ai u shpreh: «Tashmë i dija synimet e mia. Por kur i shkrova, kjo më nxiti të punoja më fort për t’i arritur.»

A do të vazhdosh t’i shërbesh Jehovait, edhe nëse prindërit nuk i shërbejnë? (Shih paragrafin 15.)

15. Shpjegoni pse kushtimi duhet të jetë një vendim personal.

15 Një nga pyetjet që të vë më tepër në mendime te kjo fletë pune është: «A do t’i shërbeje Jehovait edhe nëse prindërit dhe miqtë do ta braktisnin?» Mos harro se, si i krishterë i kushtuar dhe i pagëzuar, do të qëndrosh personalisht para Jehovait. Shërbimi që i bën atij nuk duhet të varet nga të tjerët, madje as nga prindërit e tu. Veprat e shenjta të sjelljes dhe veprimet e përkushtimit hyjnor dëshmojnë se e ke përvetësuar me gjithë zemër të vërtetën dhe se po përparon drejt pagëzimit.

MIRËNJOHJA NDAJ JEHOVAIT

16, 17. (a) Nga se duhet të motivohet dikush për t’u bërë i krishterë? (b) Si mund të ilustrohet mirënjohja për shpërblesën?

16 Një burrë që e njihte mirë Ligjin e Moisiut e pyeti Jezuin: «Cili është urdhërimi më i madh i Ligjit?» Ai iu përgjigj: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mat. 22:35-37) Kështu Jezui tregoi cili duhet të jetë motivi që na shtyn në gjithçka që bëjmë si të krishterë, përfshirë edhe pagëzimin. Duhet të jetë dashuria me gjithë zemër për Jehovain. Një nga mënyrat më të mira si ta thellosh këtë dashuri është të meditosh për dhuratën më të madhe që na ka bërë Jehovai​—flijimin shpërblyes të Birit të tij. (Lexo 2 Korintasve 5:14, 15; 1 Gjonit 4:9, 19.) Ndërsa mediton për shpërblesën dhe se çfarë nënkupton ajo për ty, mirënjohja do të të nxitë të veprosh.

17 Reagimi yt ndaj shpërblesës mund të ilustrohet me këtë shembull: imagjino sikur po mbytesh dhe dikush të shpëton. Ç’do të bëje? Thjesht do të shkoje në shtëpi, do të thaheshe dhe do ta harroje ç’bëri tjetri për ty? S’do mend që jo! Patjetër që do të ndiheshe borxhli ndaj atij që të shpëtoi. Në fund të fundit, i ke borxh jetën. Perëndisë Jehova dhe Jezu Krishtit i kemi borxh shumë më tepër. Pa shpërblesën, secili nga ne, si të thuash, do të mbytej nga mëkati dhe vdekja. Por, falë këtij akti madhështor dashurie, tani kemi shpresën e pashoqe që të jetojmë përgjithmonë në tokën parajsore.

18, 19. (a) Pse s’duhet të kesh frikë t’i përkasësh Jehovait? (b) Si ta bën më të bukur jetën shërbimi i Jehovait?

18 A e çmon atë që ka bërë Jehovai për ty? Atëherë është me vend t’ia kushtosh jetën atij dhe të pagëzohesh. Mos harro që kushtimi përfshin një premtim solemn ndaj Jehovait se do të bësh vullnetin e tij përgjithmonë, çfarëdo që të ndodhë. A duhet të kesh frikë ta marrësh këtë angazhim? Aspak! Mbaj në mend se Jehovai do me gjithë zemër të mirën tënde dhe është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Hebr. 11:6) Kushtimi ndaj Jehovait dhe pagëzimi nuk ta bëjnë jetën më të rëndë. Përkundrazi, ndërsa i shërben Jehovait, jeta jote do të bëhet më e bukur. Një vëlla 24-vjeçar, që u pagëzua para se të bëhej adoleshent, thotë: «Po të kisha qenë më i rritur, mbase do t’i kuptoja gjërat më thellë. Por vendimi që t’i kushtohesha Jehovait më mbrojti nga synimet e botës.»

19 Sa shumë ndryshon Jehovai nga Satanai, i cili interesohet për ty vetëm nga egoizmi! Satanai nuk u ofron asnjë shpërblim të përhershëm atyre që marrin anën e tij. E fundja, si mund ta bëjë këtë? Ai nuk ka asnjë lajm të mirë për vete, asnjë shpresë të ndritur në horizont. Si mund të të japë ty diçka që vetë s’e ka?! E vetmja gjë që mund të të ofrojë Satanai është një e ardhme e zezë, si e ardhmja që e pret atë.​—Zbul. 20:10.

20. Ç’mund të bëjë një i ri që të përparojë drejt kushtimit dhe pagëzimit? (Shih edhe kutinë « Ndihmë që të përparosh».)

20 Është e qartë se t’ia kushtosh jetën Jehovait është gjëja e duhur. A je gati ta bësh këtë hap? Nëse po, mos ngurro. Nga ana tjetër, nëse të duhet më shumë kohë, përdori sugjerimet e këtij artikulli që të vazhdosh të ecësh para. Pavli u shkroi filipianëve: «Që këtu ku kemi përparuar, le të vazhdojmë të ecim me rregull, duke ndjekur të njëjtën vazhdë.» (Filip. 3:16) Po të ndjekësh këtë këshillë, së shpejti do të kesh dëshirë t’ia kushtosh jetën Jehovait dhe të pagëzohesh.