Shërbeji Jehovait me gjithë zemër!
«O Jehova, kujto, të lutem, se si të kam shërbyer me besnikëri dhe i kushtuar me gjithë zemër.»—2 MBRET. 20:3.
1-3. Çfarë përfshin t’i shërbesh Jehovait «me gjithë zemër»? Ilustrojeni.
SI TË papërsosur, ne kemi prirjen të gabojmë. Por shyqyr që Jehovai nuk na trajton «sipas mëkateve tona» në rast se pendohemi dhe plot besim i afrohemi me përulësi në bazë të flijimit shpërblyes të Jezuit. (Psal. 103:10) Megjithatë, siç i tha Davidi Solomonit, që Jehovai ta pranojë adhurimin që i bëjmë dita-ditës, duhet ‘t’i shërbejmë me gjithë zemër’. (1 Kron. 28:9) Si mund ta bëjmë këtë si njerëz të papërsosur?
2 Një gjë që mund të na ndihmojë është të krahasojmë jetën e mbretit Asa me atë të mbretit Amaziah. Që të dy këta mbretër të Judës bënë atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait, veçse Asa e bëri këtë me gjithë zemër. (2 Kron. 15:16, 17; 25:1, 2; Prov. 17:3) Që të dy mbretërit ishin të papërsosur dhe bënë gabime. Por në tërësi, Asa nuk devijoi nga udhët e Perëndisë, sepse zemra e tij ishte «plotësisht e përkushtuar» ndaj Perëndisë. (1 Kron. 28:9, shën., NWT, botimi 2013) Amaziahu, nga ana tjetër, nuk ishte krejtësisht i përkushtuar ndaj Jehovait. Pasi korri fitore mbi armiqtë e Perëndisë, ai mori me vete perënditë e tyre dhe filloi t’i adhuronte.—2 Kron. 25:11-16.
3 T’i shërbesh Perëndisë «me gjithë zemër» përfshin një përkushtim të plotë që s’merr fund kurrë. Në Bibël, fjala «zemër» zakonisht nënkupton krejt botën e brendshme të njeriut. Ajo përfshin dëshirat e tij, mendimet, prirjet, qëndrimet, aftësitë, motivet dhe synimet. Pra, kush i shërben Jehovait me gjithë zemër nuk bën një shërbim hipokrit. Nuk e adhuron Jehovain mekanikisht, thjesht për inerci. Ç’të themi për ne vetë? Edhe pse jemi njerëz të papërsosur, në qoftë se vazhdojmë të jemi plotësisht të përkushtuar ndaj Perëndisë pa hipokrizi, mund të themi se po i shërbejmë atij me gjithë zemër.—2 Kron. 19:9.
4. Çfarë do të shqyrtojmë tani?
4 Për ta kuptuar mirë se ç’do të thotë t’i shërbesh Perëndisë me gjithë zemër, le të shqyrtojmë jetën e Asës dhe të disa mbretërve të tjerë të Judës—Jehozafatit, Hezekisë dhe Josisë—që i shërbyen Perëndisë me përkushtim nga zemra. Që të katër ata bënë gabime, por prapë fituan miratimin e Jehovait. Në sytë e Tij, ata i shërbyen me gjithë zemër. Përse i pa me atë sy Perëndia, dhe si mund t’i imitojmë?
ASA I ISHTE PËRKUSHTUAR «ME GJITHË ZEMËR JEHOVAIT»
5. Cilat veprime të vendosura ndërmori Asa?
5 Asa ishte mbreti i tretë i Judës pasi mbretëria veriore dhjetëfisëshe e Izraelit u nda më vete. Ai e spastroi mbretërinë e tij nga idhujtaria dhe dëboi prostitutat-meshkuj të tempullit. Madje edhe gjyshen e vet, Makahën, e hoqi nga pozita si «nëna mbretëreshë, sepse kishte bërë një idhull të llahtarshëm». (1 Mbret. 15:11-13) Veç kësaj, Asa e nxiti popullin e tij «të kërkonte Jehovain . . . dhe të zbatonte ligjin dhe urdhërimet». Po, ai përkrahu adhurimin e vërtetë.—2 Kron. 14:4.
6. Si reagoi Asa kur vendin e sulmuan etiopasit?
6 Gjatë dhjetë viteve të para të mbretërimit të Asës, Jehovai e bekoi Judën me paqe. Më vonë, etiopasi Zerah doli kundër Judës me 1.000.000 burra dhe 300 karroca. (2 Kron. 14:1, 6, 9, 10) Si reagoi Asa në atë situatë kritike? Ai shprehu besim të plotë te Jehovai. (Lexo 2 Kronikave 14:11.) Në përgjigje të lutjes me gjithë shpirt që bëri Asa, Perëndia i dha një fitore të bujshme duke shfarosur ushtrinë etiopase. (2 Kron. 14:12, 13) Për hir të emrit të vet, Jehovai mund t’u jepte fitore mbi armikun edhe disa mbretërve që nuk ishin besnikë ndaj tij. (1 Mbret. 20:13, 26-30) Por Asa u mbështet te Jehovai, dhe Ai veproi në përgjigje të lutjes së tij. Vërtet, në raste të tjera më vonë, Asa veproi si i pamend. Për shembull, ai i kërkoi ndihmë mbretit të Sirisë e jo Jehovait. (1 Mbret. 15:16-22) Sidoqoftë, në tërësi, vlerësimi i Perëndisë për Asën ishte ky: ai i ishte përkushtuar «me gjithë zemër Jehovait gjatë gjithë jetës». Si mund ta imitojmë Asën duke bërë atë që është e mirë?—1 Mbret. 15:14.
7, 8. Si mund ta imitosh Asën ndërsa i shërben Jehovait?
7 Secili nga ne mund të shqyrtojë zemrën e vet për të parë nëse është plotësisht e përkushtuar ndaj Perëndisë. Pyet veten: «A jam i vendosur t’i pëlqej Jehovait, të mbroj adhurimin e vërtetë dhe ta ruaj popullin e tij nga çdo ndikim korruptues?» Imagjino sa kurajë do t’i jetë dashur Asës për t’iu kundërvënë Makahës, që ishte «nëna mbretëreshë» në atë vend! Ndoshta ti nuk njeh ndonjë që vepron tamam si ajo, por mund të ketë situata ku mund ta imitosh zellin e Asës.
Për shembull, ç’të themi nëse një pjesëtar i familjes ose një shok i ngushtë mëkaton, nuk pendohet dhe duhet përjashtuar? A do të veprosh me vendosmëri duke e prerë shoqërinë me të? Çfarë do të të shtyjë të bësh zemra jote?8 Ashtu si Asa, edhe ti mund të tregosh se i je përkushtuar me gjithë zemër Perëndisë duke u mbështetur plotësisht tek Ai kur has kundërshtime, madje edhe kundërshtime që mund të duken të papërballueshme. Mbase në shkollë të ngacmojnë ose të vënë në lojë ngaqë mban qëndrim të vendosur si Dëshmitar i Jehovait. A ndoshta kolegët e punës të tallin ngaqë merr ditë pushimi për aktivitete teokratike ose ngaqë nuk punon shpesh jashtë orarit për të fituar më shumë. Në situata të tilla, lutju Perëndisë, ashtu siç bëri Asa. Me kurajë, mbështetu te Jehovai, duke qëndruar i palëkundur për atë që ti e di se është e drejtë dhe e mençur. Sill ndër mend se Perëndia i dha forcë Asës dhe e ndihmoi; Ai do të të japë forcë edhe ty.
9. Si mund të tregojmë se jemi të përkushtuar me gjithë zemër kur predikojmë?
9 Shërbëtorët e Perëndisë nuk mendojnë thjesht për veten e tyre. Asa përkrahu adhurimin e vërtetë. Po njësoj, ne i ndihmojmë të tjerët ‘të kërkojnë Jehovain’. Sa i kënaqur duhet të ndihet Jehovai kur sheh se u flasim të tjerëve rreth tij, të shtyrë nga dashuria e sinqertë për të dhe nga interesi i sinqertë për të mirën e përhershme të njerëzve!
JEHOZAFATI KËRKOI JEHOVAIN
10, 11. Si mund të ndjekësh shembullin e Jehozafatit?
10 Jehozafati, biri i Asës, «eci në udhën e të atit, Asës». (2 Kron. 20:31, 32) Në ç’mënyrë? Ashtu si i ati, Jehozafati e inkurajoi popullin të kërkonte Jehovain. Këtë e bëri duke organizuar një fushatë arsimimi ku u përdor ‘libri i ligjit të Jehovait’. (2 Kron. 17:7-10) Madje ai shkoi në territorin e mbretërisë veriore të Izraelit, në rajonin malor të Efraimit, «që t’i kthente te Jehovai». (2 Kron. 19:4) Jehozafati ishte një mbret «që e kërkoi Jehovain me gjithë zemër».—2 Kron. 22:9.
11 Sot të gjithë ne mund të marrim pjesë në fushatën madhështore të arsimimit që po kryhet falë Jehovait. A ke si synim që çdo muaj t’u mësosh të tjerëve Fjalën e Perëndisë, duke u përpjekur t’u ngjallësh në zemër dëshirën që t’i shërbejnë Perëndisë? Me përpjekjet e tua të pakursyera dhe me bekimin e Perëndisë, mund të arrish të fillosh një studim biblik. A është ky një synim për të cilin lutesh? A je i gatshëm ta pranosh këtë sfidë, qoftë edhe duke hequr dorë nga një pjesë e kohës tënde të lirë? Veç kësaj, ashtu si Jehozafati që vajti në territorin e Efraimit për ta ndihmuar popullin të kthehej në adhurimin e vërtetë, ne mund t’u vemi në ndihmë atyre që janë bërë joaktivë. Gjithashtu, pleqtë e kongregacionit marrin masa të vizitojnë dhe t’u ofrojnë ndihmë atyre të përjashtuarve në territorin e kongregacionit që mund të kenë hequr dorë nga mëkati që praktikonin më parë.
12, 13. (a) Si reagoi Jehozafati përballë një situate të frikshme? (b) Pse duhet ta imitojmë Jehozafatin duke i pranuar dobësitë tona?
12 Ashtu si i ati, Asa, edhe Jehozafati mbeti i përkushtuar ndaj Perëndisë, madje edhe kur e kërcënoi një ushtri armike e panumërt. (Lexo 2 Kronikave 20:2-4.) Vërtet, Jehozafati u frikësua. Gjithsesi, ai «vendosi të kërkonte Jehovain». Në lutje, pranoi me përulësi se populli i tij ishte ‘i pafuqishëm para asaj turme të madhe’. Pranoi edhe se ai dhe populli nuk dinin ç’të bënin. Jehozafati u mbështet plotësisht te Jehovai, dhe i tha: «Sytë i kemi drejtuar nga ti.»—2 Kron. 20:12.
13 Ka raste që, ashtu si Jehozafati, mund të mos dimë ç’të bëjmë, e madje mund të na mbërthejë frika. (2 Kor. 4:8, 9) Por të sjellim ndër mend se Jehozafati e pranoi në një lutje publike se sa të dobët ndiheshin ai dhe populli i tij. (2 Kron. 20:5) Ata që marrin drejtimin frymor në familje mund të imitojnë Jehozafatin duke i kërkuar Jehovait drejtim dhe forcë për të përballuar problemet. Mos ki turp t’i bësh këto lutje përgjëruese në sy të familjes. Ata do ta ndiejnë besimin e plotë që ke te Jehovai. Perëndia e ndihmoi Jehozafatin, e do të të ndihmojë edhe ty.
HEZEKIA VAZHDOI TË BËNTE ATË QË ISHTE E DREJTË
14, 15. Si tregoi Hezekia se mbështetej plotësisht te Perëndia?
14 Që të njihej si një mbret që «qëndroi i lidhur ngushtë me Jehovain», Hezekia, ndryshe nga Jehozafati, duhej të mposhtte ndikimin e keq të babait të tij idhujtar. Hezekia «hoqi vendet e larta, copëtoi kolonat e shenjta dhe preu shtyllën e shenjtë. Ai bëri copë-copë edhe gjarprin prej bakri që kishte bërë Moisiu», të cilin e kishin keqpërdorur deri atëherë për qëllime idhujtare. Ai ishte plotësisht i përkushtuar ndaj Jehovait, pasi «e ndoqi gjithmonë dhe mbajti urdhërimet që i kishte dhënë Jehovai Moisiut».—2 Mbret. 18:1-6.
15 Madje edhe kur Asiria, fuqia botërore e asaj kohe, pushtoi Judën dhe kërcënoi ta fshinte Jerusalemin nga faqja e dheut, Hezekia u mbështet me gjithë zemër te Jehovai. Mbreti i Asirisë, Senakeribi, sfidoi Jehovain dhe u përpoq t’i fuste frikën Hezekisë që të dorëzohej. Megjithatë, në lutje Hezekia shprehu besim absolut te fuqia e Jehovait për t’i shpëtuar. (Lexo Isainë 37:15-20.) Perëndia iu përgjigj lutjes së tij duke dërguar një engjëll që të godiste në vend 185.000 asirianë.—Isa. 37:36, 37.
16, 17. Si mund ta imitosh Hezekinë ndërsa i shërben Perëndisë?
16 Më vonë, Hezekia u sëmur dhe ishte buzë vdekjes. Ai iu përgjërua Jehovait që të kujtonte se si i kishte shërbyer. (Lexo 2 Mbretërve 20:1-3.) Nga Shkrimet e dimë se sot nuk jetojmë në një kohë kur mund të presim që Perëndia të bëjë mrekulli për të na shëruar ose për të na zgjatur jetën. Sidoqoftë, ashtu si Hezekia, secili nga ne mund t’i thotë Jehovait në lutje: «Të kam shërbyer me besnikëri dhe i kushtuar me gjithë zemër.» A e beson se Jehovai ka aftësinë dhe dëshirën të të mbështetë, edhe kur lëngon në shtrat i sëmurë?—Psal. 41:3.
17 Tek meditojmë për shembullin e Hezekisë, mbase dallojmë se kemi nevojë të heqim diçka që po pengon marrëdhënien tonë me Perëndinë ose që po na e shpërqendron vëmendjen nga adhurimi i vërtetë. Pa diskutim, nuk duam të imitojmë ata individë në botë që, kur përdorin rrjetet sociale, i trajtojnë njerëzit si të ishin idhuj. Natyrisht, disa të krishterë mund të kënaqen duke komunikuar me familjen ose miqtë e afërt nëpërmjet këtyre mjeteve. Megjithatë, shumë veta në botë i përdorin pa hesap rrjetet sociale, duke ndjekur burra ose gra që as i njohin fare. Ose harxhojnë tepër kohë duke parë fotografitë e këtyre individëve a duke lexuar për ta. Kështu, ekziston rreziku të jepemi pas gjërave që janë thjesht çikërrima. Madje një i krishterë mund të krekoset për numrin e madh të atyre që Vep. 18:4, 5, 26) Mund të pyesim veten: «A bëj kujdes që të mos i shoh si idhuj njerëzit ose që të mos harxhoj tepër kohë të çmuar për gjëra pa rëndësi?»—Lexo Efesianëve 5:15, 16.
i pëlqejnë postimet e tij, ose edhe të fyhet nëse të tjerët nuk e ndjekin më. A e imagjinon dot që apostulli Pavël ose Akuila dhe Prishila të ishin të zënë çdo ditë duke postuar fotografi ose duke ndjekur dikë që s’ishte pjesë e vëllazërisë? Në Shkrime lexojmë se Pavli ishte «tërësisht i zënë me predikimin e fjalës». Po ashtu Prishila dhe Akuila e përdornin kohën për t’u shpjeguar «më saktë udhën e Perëndisë» të tjerëve. (JOSIA ZBATONTE URDHËRIMET E JEHOVAIT
18, 19. Në cilat mënyra dëshiron të jesh si Josia?
18 Edhe mbreti Josia, stërnipi i Hezekisë, plot vendosmëri i zbatonte urdhërimet e Jehovait «me gjithë zemër». (2 Kron. 34:31) Kur ishte akoma adoleshent, ai «filloi të kërkonte Perëndinë e Davidit», dhe kur ishte 20 vjeç filloi ta pastronte Judën nga idhujtaria. (Lexo 2 Kronikave 34:1-3.) Josia ishte i zellshëm për të bërë atë që i pëlqente Perëndisë, shumë më tepër se mjaft mbretër të Judës. Prapëseprapë, kur u gjet libri i Ligjit të Moisiut, që ka të ngjarë të ishin shkrimet origjinale, dhe sekretari ia lexoi, Josia e kuptoi se kishte nevojë ta bënte më plotësisht vullnetin e Perëndisë. Ai i nxiti të tjerët t’i shërbenin Jehovait. Si rezultat, gjatë gjithë jetës së Josisë, populli ‘ndoqi Jehovain dhe nuk u largua prej tij’.—2 Kron. 34:27, 33.
19 Ashtu si Josia, fëmijët e të rinjtë duhet të fillojnë ta kërkojnë Jehovain që në moshë të njomë. Ndoshta mbreti i penduar Manase i mësoi Josisë për mëshirën e Perëndisë. Fëmijë e të rinj, afrohuni me të moshuarit besnikë në familje e në kongregacion dhe mësoni se sa i mirë ka qenë Jehovai me ta. Gjithashtu, kujtoni se leximi i Shkrimeve e preku në zemër Josinë dhe e motivoi të vepronte. Leximi i Fjalës së Perëndisë mund të të motivojë të veprosh në një mënyrë që do të të bëjë më të lumtur e do ta forcojë miqësinë tënde me Perëndinë; gjithashtu, do të të nxitë të ndihmosh të tjerët të kërkojnë Perëndinë. (Lexo 2 Kronikave 34:18, 19.) Nga studimi i Biblës ndoshta do të dallosh edhe mënyra se si mund të përmirësohesh në shërbim të Perëndisë. Nëse po, bëj çmos t’i bësh këto përmirësime, ashtu si Josia.
SHËRBEJI JEHOVAIT ME GJITHË ZEMËR!
20, 21. (a) Çfarë kanë të përbashkët katër mbretërit që shqyrtuam? (b) Për çfarë do të flasim në artikullin tjetër?
20 A e dallon sa e dobishme ishte të shqyrtonim si i shërbyen Jehovait me gjithë zemër këta katër mbretër të Judës? Ata kishin zell për të bërë vullnetin e Perëndisë dhe ishin plotësisht të përkushtuar që të vepronin sipas tij. Vazhduan të bënin vullnetin e Perëndisë, madje edhe kur u përballën me armiq të frikshëm. Ç’është më e rëndësishmja, motivi që i shtynte t’i shërbenin Jehovait ishte i pastër.
21 Siç do ta shohim në artikullin tjetër, katër mbretërit që kemi shqyrtuar bënë që të gjithë gabime. Sidoqoftë, kur Ai që shqyrton zemrën i hetoi me imtësi, pa se i shërbenin me gjithë zemër. Edhe ne jemi të papërsosur. Po ndërsa Jehovai na shqyrton, a nxjerr përfundimin se po i shërbejmë me gjithë zemër? Te kjo do të ndalemi në artikullin tjetër.