Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Dëgjoni disiplinën dhe bëhuni të mençur»

«Dëgjoni disiplinën dhe bëhuni të mençur»

«O bij, . . . dëgjoni disiplinën dhe bëhuni të mençur.»​—PROV. 8:32, 33.

KËNGËT: 56, 89

1. Si fitojmë mençuri, dhe si na sjell dobi kjo?

JEHOVAI është Burimi i mençurisë dhe u jep bujarisht të tjerëve nga mençuria e tij. Te Jakovi 1:5 thuhet: «Nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri, le të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i qortuar.» Një mënyrë si marrim mençuri nga Perëndia është duke pranuar disiplinën e tij. Dhe kjo mençuri mund të na mbrojë të mos bëjmë asgjë që dëmton moralin tonë e miqësinë me Jehovain. (Prov. 2:10-12) Si rezultat, ‘ruajmë veten në dashurinë e Perëndisë . . . me sytë nga jeta e përhershme’.​—Jud. 21.

2. Si mund të zhvillojmë çmueshmëri për disiplinën e Perëndisë?

2 Mirëpo prirjet tona mëkatare, mënyra si jemi rritur dhe faktorë të tjerë na e bëjnë të vështirë ta pranojmë disiplinën ose ta shohim nga këndvështrimi i duhur. Por kur shijojmë dobitë e disiplinës, që provojnë sa shumë na do Perëndia, zhvillojmë çmueshmëri për disiplinën. Te Proverbat 3:11, 12 thuhet: «Disiplinën e Jehovait mos e hidh poshtë, o biri im, . . . sepse Jehovai qorton atë që do.» Po, le të mos harrojmë kurrë se Jehovai do me gjithë zemër të mirën tonë. (Lexo Hebrenjve 12:5-11.) Ngaqë Perëndia na njeh plotësisht, disiplina e tij është gjithmonë e përshtatshme dhe tamam në masën e duhur për ne. Le të shqyrtojmë tani katër aspekte të disiplinës: (1) vetëdisiplina, (2) disiplina prindërore, (3) disiplina brenda kongregacionit dhe (4) diçka që është më e keqe se dhimbja e përkohshme e disiplinës.

VETËDISIPLINA TREGON MENÇURI

3. Si zhvillon vetëdisiplinë një fëmijë? Ilustrojeni.

3 Vetëdisiplina përfshin të ushtrojmë kontroll mbi veten, me qëllim që të përmirësojmë sjelljen tonë dhe mënyrën si mendojmë. Ne nuk lindim me prirje drejt vetëdisiplinës. Na duhet ta mësojmë. Të bëjmë një ilustrim: kur një fëmijë po mëson të ngasë biçikletën, prindi zakonisht e mban biçikletën që të mos lëkundet. Por teksa fëmija fillon të gjejë ekuilibrin, prindi me kujdes e lëshon herë pas here për pak çaste. Pastaj, kur fëmija mund ta mbajë ekuilibrin, e lëshon fare. Në mënyrë të ngjashme, kur prindërit i stërvitin pareshtur e me durim të vegjlit e tyre «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait», po i ndihmojnë edhe të zhvillojnë vetëdisiplinë e mençuri.​—Efes. 6:4.

4, 5. (a) Pse vetëdisiplina është pjesë e rëndësishme e ‘personalitetit të ri’? (b) Pse nuk duhet të dorëzohemi edhe nëse, si të thuash, ‘biem shtatë herë’?

4 Të njëjtat parime zbatohen për ata që e njohin Jehovain kur janë të rritur. Vërtet, ata mund të kenë zhvilluar tashmë deri në njëfarë mase vetëdisiplinë. Mirëpo, kur është fjala për adhurimin e Perëndisë, një dishepull i ri në fillim është i papjekur. Por, teksa mëson të veshë «personalitetin e ri» si ai i Krishtit, mund të rritet gjithnjë e më shumë drejt pjekurisë. (Efes. 4:23, 24) Vetëdisiplina është një pjesë e rëndësishme e kësaj rritjeje. Si rrjedhojë, mësojmë «të hedhim poshtë paperëndishmërinë dhe dëshirat e botës e të jetojmë me mendje të shëndoshë, drejtësi dhe përkushtim hyjnor mes kësaj bote».​—Titit 2:12.

5 Sidoqoftë, të gjithë ne jemi të prirur drejt mëkatit. (Ekl. 7:20) Ama një rënie s’ka pse të nënkuptojë dështim të plotë ose mungesë të rëndë vetëdisipline. Siç thotë Proverbat 24:16, «i drejti mund të bjerë edhe shtatë herë dhe ka për t’u ngritur». Çfarë do ta ndihmojë t’ia dalë mbanë? Jo thjesht vullneti i fortë, por fryma e Perëndisë. (Lexo Filipianëve 4:13.) Fryti i kësaj fryme përfshin vetëkontrollin, që lidhet ngushtë me vetëdisiplinën.

6. Si mund të bëhemi studiues më të mirë të Fjalës së Perëndisë? (Shih figurën hapëse.)

6 Të rëndësishme për të kultivuar vetëdisiplinën janë edhe lutjet me gjithë shpirt, studimi i Biblës dhe meditimi. Por, si i bëhet nëse të duket e vështirë të studiosh Fjalën e Perëndisë? Ndoshta nuk e konsideron veten tip studioz. Megjithatë, mbaj ndër mend se Jehovai do të të ndihmojë nëse e lejon. Ai mund të të ndihmojë ‘të ushqesh një dëshirë të zjarrtë’ për Fjalën e tij. (1 Pjet. 2:2) Së pari, lutju Jehovait për vetëdisiplinën e nevojshme që të studiosh Fjalën e tij. Pastaj, bëj përpjekje në harmoni me lutjet e tua, mbase duke e bërë studimin pak a shumë të shkurtër. Me kalimin e kohës, studimi do të jetë më i lehtë e më i këndshëm. Ato periudha të qeta kur zhytesh në mendimet e vyera të Jehovait do të bëhen të shtrenjta për ty.​—1 Tim. 4:15.

7. Si mund të na ndihmojë vetëdisiplina që të arrijmë një synim në shërbim të Jehovait?

7 Vetëdisiplina na ndihmon të arrijmë synime në shërbim të Jehovait. Të marrim shembullin e një kryefamiljari që ndjeu se po i zbehej disi zelli. I merakosur, ai vuri synimin të bëhej pionier i rregullt dhe lexoi artikuj për këtë në revistat tona. Kjo, bashkë me lutjet, i forcoi marrëdhënien me Jehovain. Gjithashtu, ai i rregulloi gjërat që të shërbente si pionier ndihmës sa herë mundej. Rezultati? Pavarësisht nga pengesat, i mbajti sytë te synimi që të bëhej pionier i rregullt, e si përfundim e arriti synimin.

RRITINI FËMIJËT NË DISIPLINËN E JEHOVAIT

Kur lindin, fëmijët nuk e dallojnë të drejtën nga e gabuara; duhen stërvitur (Shih paragrafin 8.)

8-10. Çfarë mund t’i ndihmojë prindërit e krishterë t’ia dalin mbanë t’i rritin fëmijët që t’i shërbejnë Jehovait? Ilustrojeni.

8 Prindërit e krishterë kanë një privilegj të çmuar​—t’i rritin fëmijët «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait». (Efes. 6:4) Kjo është një punë kolosale, sidomos në botën e sotme. (2 Tim. 3:1-5) Sigurisht, kur lindin, fëmijët nuk e dallojnë të drejtën nga e gabuara. Vërtet, ata lindin me një ndërgjegje, por ajo duhet stërvitur, ose disiplinuar. (Rom. 2:14, 15) Në një vepër biblike referimi hidhet ideja se fjala greke që përkthehet «disiplinë» mund të ketë edhe kuptimin «zhvillim i fëmijës».

9 Fëmijët që disiplinohen me dashuri, zakonisht ndihen të sigurt. Ata mësojnë se liria ka kufij dhe se vendimet e sjellja kanë pasoja, të mira a të këqija qofshin. Sa e rëndësishme është, pra, që prindërit e krishterë të mbështeten te Jehovai për udhëheqje! Të mos harrojmë se idetë dhe metodat ndryshojnë nga një kulturë në tjetrën dhe nga një brez në tjetrin. Kur prindërit ia vënë veshin Perëndisë, rritja e suksesshme e fëmijëve nuk është punë hamendjesh se si të veprojnë; as nuk varet nga përvoja ose mendimet njerëzore.

10 Për ta ilustruar, të marrim shembullin e Noesë. Kur Jehovai i tha të ndërtonte arkën, Noeja s’kishte si të mbështetej te përvoja e vet. Ai nuk kishte ndërtuar kurrë më parë një arkë. Prandaj duhej të mbështetej te Jehovai, duke bërë «pikërisht ashtu», domethënë pikërisht siç e udhëzoi Jehovai. (Zan. 6:22) Rezultati? Noeja ia doli me sukses në një punë që e bënte për herë të parë. E në fakt, nuk ekzistonte rrugë tjetër! Noeja pati sukses edhe si kryefamiljar, dhe arsyeja në thelb ishte e njëjta: u mbështet te mençuria e Perëndisë. Kështu i stërviti mirë fëmijët dhe u la një shembull të shkëlqyer, çka ishte një sfidë e madhe në ato kohë të liga para Përmbytjes.​—Zan. 6:5.

11. Sa rëndësi ka shembulli i prindërve në stërvitjen e fëmijëve?

11 Si prindër, në ç’mënyrë mund të bëni «pikërisht ashtu» në sytë e Perëndisë? Vërjani veshin Jehovait. Lejojeni t’ju udhëzojë në rritjen e fëmijëve me anë të Fjalës së tij dhe të udhëheqjes që marrim përmes organizatës së tij. Me kohë, ka shumë të ngjarë që fëmijët t’ju falënderojnë që vepruat kështu. Një vëlla shkroi: «Jam plot me mirënjohje për mënyrën si më rritën prindërit. U përpoqën me mish e me shpirt që të më preknin në zemër. Një pjesë e madhe e meritës për përparimin tim në të vërtetën u takon atyre.» Mirëpo, pavarësisht nga përpjekjet me gjithë shpirt të prindërve, disa fëmijë e braktisin Jehovain. Gjithsesi, prindërit që janë përpjekur me të gjitha forcat t’ia rrënjosin në zemër të vërtetën fëmijës, kanë ndërgjegje të pastër. Gjithashtu, mund të shpresojnë se një ditë fëmija që ka marrë udhë rebele do të kthehet «në shtëpi» te Jehovai.

12, 13. (a) Si tregojnë prindërit e krishterë se i binden Perëndisë nëse përjashtohet fëmija i tyre? (b) Si nxori dobi një familje ngaqë prindërit iu bindën Jehovait?

12 Një nga sprovat më të mëdha të bindjes që përballojnë disa prindër përfshin marrëdhënien me një fëmijë të përjashtuar. Të marrim shembullin e një nëne, vajza e përjashtuar e së cilës iku nga shtëpia. Mamaja pranon: «Kërkoja ndonjë kleçkë në botimet tona për të gjetur justifikime që të kaloja kohë me vajzën e me mbesën time.» Pastaj shton: «Mirëpo im shoq më ndihmoi me dashamirësi që të kuptoja se fëmijën tonë nuk e kishim më në dorë ne dhe se nuk duhej të ndërhynim.»

13 Disa vite më vonë, vajza u rivendos. Mamaja tregon: «Tani ajo më telefonon ose më shkruan mesazhe thuajse çdo ditë! Dhe ka respekt të thellë për mua e për burrin tim, sepse e di që iu bindëm Perëndisë. Gëzojmë një marrëdhënie të mrekullueshme.» Nëse ke një fëmijë të përjashtuar, a ‘do të besosh te Jehovai me gjithë zemër dhe të mos mbështetesh në kuptueshmërinë tënde’? (Prov. 3:5, 6) Mbaj parasysh se disiplina e Jehovait pasqyron mençurinë dhe dashurinë e tij të pashoqe. Kurrë mos harro se ai e dha Birin e tij për të gjithë, përfshirë edhe fëmijën tënd. Perëndia dëshiron të mos shkatërrohet asnjë. (Lexo 2 Pjetrit 3:9.) Ndaj ki besim te disiplina dhe drejtimi i Jehovait. Bëje këtë edhe kur si prind të dhemb të veprosh siç thotë Jehovai. Po, mos e saboto disiplinën e Perëndisë, por bashkëpuno me të!

NË KONGREGACION

14. Si nxjerrim dobi nga mësimi që na jep Jehovai nëpërmjet ‘kujdestarit të besueshëm’?

14 Jehovai ka premtuar të kujdeset për kongregacionin, ta mbrojë e ta mësojë. Ai e bën këtë në një sërë mënyrash. Për shembull, ka caktuar Birin e tij që të kujdeset për kongregacionin, dhe Jezui ka emëruar një ‘kujdestar të besueshëm’ për të siguruar ushqim në kohën e duhur. (Luka 12:42) Ky ushqim, që serviret në shumë mënyra, na jep mësim, ose disiplinë, me vlerë. Pyet veten: «Sa shpesh më ka nxitur një fjalim ose një artikull në revistat tona të bëj ndryshime në mënyrën si mendoj a në sjelljen time?» Nëse ke reaguar pozitivisht, mund të jesh i gëzuar, sepse kjo do thotë që po e lejon Jehovain të të modelojë, ose të të disiplinojë, për dobinë tënde.​—Prov. 2:1-5.

15, 16. (a) Si mund të nxjerrim dobi nga ‘dhuratat në njerëz’ në kongregacion? (b) Si mund t’ua bëjmë më të këndshme pleqve punën e tyre?

15 Krishti i dha kongregacionit edhe «dhurata në njerëz»​—pleq që të kullotin kopenë e Perëndisë. (Efes. 4:8, 11-13) Si mund të nxjerrim dobi nga këto dhurata të çmuara? Një mënyrë është duke imituar besimin e pleqve dhe shembullin e tyre të shkëlqyer. Një mënyrë tjetër është duke ua vënë veshin këshillave të tyre të bazuara në Shkrime. (Lexo Hebrenjve 13:7, 17.) Të mos harrojmë: pleqtë na duan dhe dëshirojnë që ne të forcojmë miqësinë me Jehovain. Për shembull, nëse vërejnë se po humbim disa mbledhje a se po na ftohet zelli, pa dyshim që do të na vijnë me të shpejtë në ndihmë. Do të na dëgjojnë me vëmendje dhe pastaj do të përpiqen të na forcojnë me inkurajime të ngrohta e me këshilla të përshtatshme nga Shkrimet. A e sheh këtë ndihmë si një shprehje të dashurisë së Jehovait për ty?

16 Mbaj parasysh se pleqtë mund të mos e kenë të lehtë që të vijnë të na japin këshillat e nevojshme. Imagjino, për shembull, sa të vështirë duhet ta ketë pasur profeti Natan të fliste me mbretin David pasi mbreti u orvat ta mbulonte mëkatin e tij të rëndë! (2 Sam. 12:1-14) Po ashtu, apostullit Pavël pa dyshim që iu desh të merrte guxim për të ndrequr Pjetrin, një nga 12 apostujt, kur mbajti me hatër vëllezërit judenj. (Gal. 2:11-14) Atëherë, si mund t’ua lehtësosh ngarkesën pleqve në kongregacionin tënd? Ji i përulur, mirënjohës dhe bëjua të lehtë të flasin me ty. Shikoje ndihmën e tyre si një shprehje të dashurisë së Perëndisë për ty. Kjo jo vetëm do të sjellë dobi ty, por edhe do t’ua shtojë shumë gëzimin pleqve në punën e tyre.

17. Si nxori dobi një motër nga ndihma e dashur e pleqve të kongregacionit?

17 Për shkak të së kaluarës, një motre i dukej e vështirë ta donte Jehovain. Ajo tregon: «Kur e kaluara ime dhe probleme të tjera më dërrmonin nga ana emocionale, e dija se duhej të flitja me pleqtë. Ata nuk më kritikonin ose s’më flitnin ashpër, por më jepnin zemër e më forconin. Pas çdo mbledhje kongregacioni, sado të zënë të ishin, të paktën një prej tyre më pyeste si isha. Për shkak të së kaluarës sime, e kisha të vështirë të ndihesha e denjë për dashurinë e Perëndisë. Mirëpo Jehovai ka përdorur kushedi sa herë kongregacionin dhe pleqtë për të vërtetuar se më do. Lutem që kurrë të mos e humb këtë lidhje të ngushtë.»

ÇFARË ËSHTË MË E KEQE SE ÇDO DHIMBJE E DISIPLINËS?

18, 19. Çfarë është më e keqe se çdo dhimbje që mund të sjellë disiplina? Ilustrojeni.

18 Ndonëse disiplina mund të jetë e dhimbshme, ka diçka që është akoma më e dhimbshme​—dëmi që mund të vijë nëse e hedhim poshtë disiplinën. (Hebr. 12:11) Të mendojmë për dy shembuj—​Kaini dhe mbreti Zedekia. Kur Kaini zhvilloi një urrejtje vrastare ndaj Abelit, Perëndia e këshilloi: «Pse nxehesh dhe pse ngrysesh? Nëse kthen rrugë dhe vepron mirë, a nuk do të kesh pëlqimin tim? Por nëse jo, mëkati po të përgjon te porta dhe digjet nga dëshira për ty. Por ti, a do ta mposhtësh?» (Zan. 4:6, 7) Kaini nuk e dëgjoi Jehovain. Atëherë mëkati e vuri poshtë. Sa dhimbje e vuajtje të kota i shkaktoi vetes! (Zan. 4:11, 12) Dhimbja e qortimit të Jehovait do të kishte qenë e lehtë krahasuar me këtë.

19 Zedekia, një sundimtar i lig dhe njeri i dobët, mbretëroi në një periudhë shumë të errët për Jerusalemin. Profeti Jeremia i bëri thirrje sa e sa herë Zedekisë që t’i linte udhët e tij të këqija, por mbreti nuk pranoi të disiplinohej. Edhe këtë herë, pasojat ishin tragjike. (Jer. 52:8-11) Sa shumë dëshiron Jehovai të na kursejë nga vuajtje të tilla të kota!​—Lexo Isainë 48:17, 18.

20. Çfarë i pret në të ardhmen ata që e pranojnë disiplinën e Perëndisë dhe ata që nuk duan ta pranojnë?

20 Në botë, disiplina, ku përfshihet edhe vetëdisiplina, shpesh shihet me përbuzje. Ama ky qëndrim i pamend shpejt do t’u sjellë gjëmën të ligjve. (Prov. 1:24-31) Prandaj, le ‘ta dëgjojmë disiplinën dhe të bëhemi të mençur’! Siç thotë Proverbat 4:13, «rroke disiplinën, mos e lër të ikë. Ruaje, sepse ajo është jeta jote.»