Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Disiplina​—Dëshmi e dashurisë së Perëndisë

Disiplina​—Dëshmi e dashurisë së Perëndisë

«Jehovai disiplinon atë që e do.»​—HEBR. 12:6.

KËNGËT: 123, 86

1. Si e paraqet shpesh Bibla disiplinën?

ÇFARË të vjen ndër mend kur dëgjon fjalën «disiplinë»? Mbase të shkon mendja menjëherë te ndëshkimi. Por disiplina përfshin shumë më tepër. Bibla shpesh e paraqet disiplinën në dritë pozitive, hera-herës përkrah njohurisë, mençurisë, dashurisë dhe jetës. (Prov. 1:2-7; 4:11-13) Kjo sepse disiplina e Perëndisë është një shprehje e dashurisë së tij për ne dhe e dëshirës që të fitojmë jetën e përhershme. (Hebr. 12:6) Ndonëse disiplina e tij mund të përfshijë ndëshkimin, ajo nuk është kurrë abuzuese ose mizore. Në fakt, kuptimi i fjalës «disiplinë» lidhet kryesisht me edukimin, si në rastin kur rrit një fëmijë të shtrenjtë.

2, 3. Si mund të përfshijë disiplina edhe mësim, edhe ndëshkim? (Shih figurën hapëse.)

2 Të marrim një shembull: një djalë i vogël që quhet Redi luan me top nëpër shtëpi. Mami i thotë: «Redi, ti e di se s’duhet të luash me top brenda shtëpisë! Mund të thyesh ndonjë gjë.» Por ai s’ia vë veshin udhëzimit të mamit dhe vazhdon të luajë me top derisa thyen pa dashje një vazo. Si do ta disiplinojë e ëma? Disiplina e saj mund të përfshijë edhe mësim, edhe njëfarë ndëshkimi. Ndërsa e mëson, mund t’i kujtojë pse ishte e gabuar sjellja e tij. Do që ai të kuptojë sa e mençur është t’u bindet prindërve, prandaj i shpjegon se rregullat e tyre janë të nevojshme e të arsyeshme. Pastaj, për t’i përforcuar fjalët e saj, mund t’i japë ndonjë ndëshkim të përshtatshëm. Për shembull, mund t’ia ndalojë të luajë me top për një periudhë të caktuar. Kjo mund t’i ngulitë djalit se mosbindja ka pasoja.

3 Si pjesëtarë të kongregacionit të krishterë, ne jemi pjesë e shtëpisë së Perëndisë. (1 Tim. 3:15) Prandaj e respektojmë të drejtën e Jehovait qoftë për të vënë standarde, qoftë për të dhënë disiplinë të dashur kur i shkelim ato. Gjithashtu, nëse veprimet tona kanë shkaktuar pasoja të pakëndshme, disiplina e tij do të na kujtojë sa rëndësi ka t’ia vëmë veshin Atit tonë qiellor. (Gal. 6:7) Perëndia merakoset thellë për ne dhe dëshiron të na i kursejë dhembjet.​—1 Pjet. 5:6, 7.

4. (a) Cilën lloj stërvitjeje bekon Jehovai? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Kur japim disiplinë të bazuar te Shkrimet, mund ta ndihmojmë fëmijën ose një student të Biblës të arrijë synimin që të bëhet dishepull i Krishtit. Fjala e Perëndisë, mjeti ynë kryesor për të stërvitur, na ndihmon ‘të disiplinojmë në drejtësi’. Kështu, fëmija ynë ose studenti i Biblës mund të arrijë të kuptojë dhe ‘të zbatojë të gjitha gjërat që na urdhëroi Jezui’. (2 Tim. 3:16; Mat. 28:19, 20) Jehovai e bekon këtë lloj stërvitjeje, që i kualifikon studentët të bëjnë edhe ata dishepuj të Krishtit. (Lexo Titit 2:11-14.) Le të shohim tani përgjigjet e tri pyetjeve të rëndësishme: (1) Si e pasqyron disiplina e Perëndisë dashurinë e tij për ne? (2) Ç’mund të mësojmë nga ata që disiplinoi Perëndia në të kaluarën? (3) Si mund të imitojmë Jehovain dhe Birin e tij kur japim disiplinë?

PERËNDIA DISIPLINON NGA DASHURIA

5. Në cilat mënyra e pasqyron disiplina e Jehovait dashurinë e tij për ne?

5 I motivuar nga dashuria, Jehovai na ndreq, na mëson dhe na stërvit, me qëllim që të qëndrojmë në dashurinë e tij dhe në shtegun e jetës. (1 Gjon. 4:16) Ai kurrë nuk na poshtëron ose fyen duke na bërë të dyshojmë se mos jemi të pavlerë. (Prov. 12:18) Përkundrazi, Jehovai na jep dinjitet, duke i bërë thirrje të mirës brenda zemrës sonë dhe duke respektuar vullnetin tonë të lirë. A e sheh nga ky këndvështrim disiplinën e Perëndisë, sido që të vijë ajo​—nëpërmjet Fjalës së tij, botimeve të bazuara në Bibël, prindërve të krishterë a pleqve të kongregacionit? Në fakt, pleqtë që përpiqen të na ndreqin me butësi e dashuri kur hedhim «ndonjë hap të gabuar», ndoshta para se të jemi të vetëdijshëm për të, pasqyrojnë dashurinë e Jehovait për ne.​—Gal. 6:1.

6. Kur disiplina përfshin kufizime, si e pasqyron kjo dashurinë e Perëndisë?

6 Mirëpo, ndonjëherë disiplina mund të përfshijë më shumë se këshilla ose fjalë qortuese. Nëse janë kryer mëkate më serioze, ajo mund të përfshijë humbje të privilegjeve në kongregacion. Po edhe kur ndodh kështu, kjo disiplinë pasqyron dashurinë e Perëndisë për ne. Për shembull, humbja e privilegjeve mund ta ndihmojë dikë të kuptojë sa rëndësi ka të përqendrohet më shumë te studimi personal i Biblës, meditimi dhe lutjet. Kështu mund të forcojë marrëdhënien me Jehovain. (Psal. 19:7) Me kalimin e kohës, atij mund t’i jepen prapë privilegjet e shërbimit. Madje edhe përjashtimi pasqyron dashurinë e Jehovait, sepse mbron kongregacionin nga ndikimet e këqija. (1 Kor. 5:6, 7, 11) E meqë Perëndia disiplinon në masën e duhur, përjashtimi mund t’i ngulitë fajtorit sa serioz është mëkati i tij dhe mund ta nxitë të pendohet.​—Vep. 3:19.

AI NXORI DOBI NGA DISIPLINA E JEHOVAIT

7. Kush ishte Shebna, dhe çfarë cilësie të keqe nisi të zhvillonte?

7 Për të nxjerrë në pah vlerën e disiplinës, le të ndalemi te dy individë që Jehovai i disiplinoi: Shebna, që jetoi në kohën e mbretit Hezekia, dhe Grahami, një vëlla në ditët tona. Si «kujdestari i shtëpisë»​—me sa duket i shtëpisë së Hezekisë—​Shebna kishte goxha autoritet. (Isa. 22:15) Por, mjerisht, u bë krenar dhe nisi të kërkonte lavdinë personale. Madje bëri për vete një varr pompoz dhe ngiste ‘karrocat e lavdisë së vet’!​—Isa. 22:16-18.

Ndreqja me përulësi e qëndrimit tonë sjell bekime nga Perëndia (Shih paragrafët 8-10.)

8. Si e disiplinoi Jehovai Shebnën, dhe cili ishte rezultati?

8 Ngaqë Shebna rendi pas lavdisë personale, Perëndia ‘e hoqi nga pozita’ dhe e zëvendësoi me Eliakimin. (Isa. 22:19-21) Ky ndryshim ndodhi kur mbreti i Asirisë, Senakeribi, po planifikonte të sulmonte Jerusalemin. Pas njëfarë kohe, ai mbret dërgoi në Jerusalem funksionarë të lartë, bashkë me një ushtri të madhe, për të demoralizuar judenjtë e për t’i kallur frikën Hezekisë që të dorëzohej. (2 Mbret. 18:17-25) Eliakimin e dërguan të fliste me funksionarët, por nuk ishte vetëm. E shoqëronin dy veta, një prej të cilëve ishte Shebna, që tani shërbente si sekretar. Mos ndoshta kjo tregon se Shebna nuk lejoi të mbushej me vrer e mllef, por i pranoi me përulësi përgjegjësitë më të ulëta? Nëse ishte kështu, çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga ky tregim? Le të shohim tri prej tyre.

9-11. (a) Çfarë mësimesh të rëndësishme mund të nxjerrim nga përvoja e Shebnës? (b) Pse të jep zemër mënyra si e trajtoi Jehovai Shebnën?

9 Së pari, Shebna humbi postin. Përvoja e tij i bën jehonë paralajmërimit: «Krenaria vjen para rrëzimit dhe fryma e fodullëkut para pengimit.» (Prov. 16:18) Nëse ke privilegje në kongregacion, e ndoshta je deri diku i mirënjohur, a do të bësh çmos të mbash një pikëpamje të përulur për veten? A do t’ia japësh meritën Jehovait për çdo dhunti që ke ose për gjërat që ke arritur? (1 Kor. 4:7) Apostulli Pavël shkroi: «I them gjithsecilit mes jush të mos mendojë për veten më shumë nga sa duhet të mendojë, por të mendojë në atë mënyrë që të ketë një mendje të shëndoshë.»​—Rom. 12:3.

10 Së dyti, me qortimin e fortë që i dha Shebnës, Jehovai mund të ketë treguar se nuk mendonte që Shebna s’kishte shpresë të ndreqej. (Prov. 3:11, 12) Çfarë mësimi i shkëlqyer për ata që humbin privilegje shërbimi në kongregacionin e Perëndisë sot! Në vend që të jenë të inatosur e plot mllef, vazhdofshin të bëjnë maksimumin për t’i shërbyer Perëndisë në situatën e tyre të re, duke e parë disiplinën si dëshmi të dashurisë së Jehovait. Të mos harrojmë: Ati ynë nuk do të na shohë si të pashpresë nëse përulemi para tij. (Lexo 1 Pjetrit 5:6, 7.) Disiplina e dashur mund të jetë mënyra si na modelon Perëndia, ndaj le të mbetemi argjilë e butë në duart e tij.

11 Së treti, mënyra si e trajtoi Jehovai Shebnën përmban një mësim me vlerë për ata që janë të autorizuar të japin disiplinë, si prindërit dhe mbikëqyrësit e krishterë. Çfarë mësimi? Ndërkohë që disiplina e Jehovait mund të pasqyrojë urrejtjen e tij për mëkatin, ajo mund të tregojë edhe merakun e tij për atë që ka mëkatuar. Nëse si prind ose si mbikëqyrës duhet të japësh disiplinë, a do të imitosh Jehovain, duke urryer sjelljen e gabuar ndërkohë që kërkon të mirën te fëmija a te bashkëbesimtari yt?​—Jud. 22, 23.

12-14. (a) Në cilat mënyra reagojnë disa ndaj disiplinës së Perëndisë? (b) Si e ndihmoi Fjala e Perëndisë një vëlla të ndreqte qëndrimin, dhe cilat ishin rezultatet?

12 Mjerisht, pasi marrin disiplinë, disa nuk arrijnë të shohin përtej dhembjes që ndiejnë, e madje largohen nga Perëndia dhe nga populli i tij. (Hebr. 3:12, 13) Por, a do të thotë kjo se për ta s’ka më shpresë? Të marrim rastin e Grahamit, që u përjashtua, më vonë u rivendos, e pastaj u bë joaktiv. Vite më vonë, ai i kërkoi një plaku kongregacioni që kishte zënë miqësi me të që të studionin Biblën bashkë.

13 Plaku kujton: «Problemi i Grahamit ishte krenaria. Ai ishte kritik ndaj pleqve që ishin përfshirë në përjashtimin e tij. Prandaj, disa herë rresht gjatë studimit, shqyrtuam shkrime rreth krenarisë dhe ndikimeve të saj. Grahami filloi ta shihte qartë veten në pasqyrën e Fjalës së Perëndisë, dhe ajo që pa nuk i pëlqeu! Ndikimi ishte mbresëlënës. Pasi e pranoi se sytë i ishin verbuar nga ‘trau’ i krenarisë dhe se qëndrimi kritik ishte problemi i tij, nisi të ndryshonte me shpejtësi për mirë. Filloi të ndiqte mbledhjet rregullisht, të studionte seriozisht Fjalën e Perëndisë dhe e bëri zakon të lutej çdo ditë. Gjithashtu, pranoi përgjegjësitë që kishte në adhurim si kreu i familjes, çka i bëri me krahë gruan dhe fëmijët e tij.»​—Luka 6:41, 42; Jak. 1:23-25.

14 Plaku shton: «Një ditë Grahami më tha diçka që më preku: ‘E njoh të vërtetën prej vitesh, e madje kam shërbyer si pionier. Por vetëm tani mund të them me çiltërsi se e dua Jehovain.’ S’kaloi shumë dhe i kërkuan të shërbente si mikrofonist në Sallën e Mbretërisë​—një privilegj që e vlerësoi jashtëzakonisht. Shembulli i tij më mësoi se kur një njeri përulet para Perëndisë duke pranuar disiplinën, bekimet derdhen lumë!»

IMITO PERËNDINË DHE KRISHTIN KUR JEP DISIPLINË

15. Çfarë duhet të bëjmë, nëse duam që disiplina të prekë zemrat?

15 Që të jemi mësues të mirë, së pari duhet të jemi studentë të mirë. (1 Tim. 4:15, 16) Po njësoj, ata që janë të autorizuar nga Perëndia që të japin disiplinë duhet të vazhdojnë t’i nënshtrohen edhe vetë me gatishmëri drejtimit të Jehovait. Me këtë nënshtrim plot përulësi fitojnë respektin e të tjerëve dhe kanë liri fjale kur stërvitin a ndreqin dikë. Le të shqyrtojmë shembullin e Jezuit.

16. Cilat janë disa mësime që mund të marrim nga Jezui për disiplinën e përshtatshme dhe mësimdhënien e efektshme?

16 Jezui ia vinte veshin e i bindej gjithmonë Atit të tij, madje edhe kur ishte shumë e vështirë ta bënte këtë. (Mat. 26:39) Gjithashtu, ia jepte meritën Atit të tij për mësimet dhe mençurinë e vet. (Gjoni 5:19, 30) Përulësia dhe bindja e Jezuit tërhiqnin drejt tij njerëzit me zemër të sinqertë, si edhe e ndihmuan Jezuin të bëhej një mësues i dhembshur që fliste plot hir. (Lexo Mateun 11:29.) Fjalët e tij të buta u ngrohnin zemrën atyre që, në kuptimin e figurshëm, ishin si një kallam i thyer ose si një fitil kandili që gati po fikej. (Mat. 12:20) Madje edhe kur i sprovohej durimi, Jezui ishte zemërmirë dhe i dashur. Kjo dukej qartë kur qortonte apostujt ngaqë tregonin një frymë egoiste dhe ambicioze.​—Mar. 9:33-37; Luka 22:24-27.

17. Cilat cilësi të shkëlqyera do t’i ndihmojnë pleqtë të jenë barinj të efektshëm të kopesë së Perëndisë?

17 Të gjithë ata që janë të autorizuar të japin disiplinë të bazuar në Shkrime tregohen të mençur kur imitojnë shembullin e Krishtit. Kështu pasqyrojnë dëshirën që të modelohen nga Perëndia dhe nga Biri i tij. Apostulli Pjetër shkroi: «Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj, jo me detyrim, por vullnetarisht, as për fitim të pandershëm, por me gatishmëri, as duke u sjellë si zotër me ata që janë trashëgimia e Perëndisë, por duke u bërë shembuj për kopenë.» (1 Pjet. 5:2-4) S’ka dyshim se mbikëqyrësit që i nënshtrohen me gëzim Perëndisë dhe Krishtit, kreut të kongregacionit, i sjellin dobi edhe vetes, edhe atyre që kanë nën kujdes.​—Isa. 32:1, 2, 17, 18.

18. (a) Çfarë kërkon Jehovai nga prindërit? (b) Si i ndihmon Perëndia prindërit të përmbushin përgjegjësitë e tyre?

18 Të njëjtat parime bazë zbatohen në familje. Perëndia u thotë kryefamiljarëve: «Mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait.» (Efes. 6:4) Sa serioze është kjo çështje? Proverbat 19:18 tregon se Jehovai i konsideron përgjegjës prindërit për disiplinimin e fëmijëve. Ai u kërkon llogari prindërve të krishterë nëse nuk u japin fëmijëve disiplinën e nevojshme! (1 Sam. 3:12-14) Megjithatë, kur prindërit i përgjërohen me përulësi në lutje dhe mbështeten te Fjala e tij dhe fryma e shenjtë që t’i udhëheqë, Jehovai u jep mençurinë dhe forcën që u nevojitet.​—Lexo Jakovin 1:5.

MËSOJMË SI TË JETOJMË PËRJETË NË PAQE

19, 20. (a) Çfarë bekimesh vijnë kur pranojmë disiplinën e Perëndisë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

19 Është e vështirë t’i numërojmë gjithë bekimet që vijnë kur pranojmë disiplinën hyjnore dhe kur imitojmë Jehovain e Jezuin ndërsa disiplinojmë të tjerët. Më e pakta është që familjet dhe kongregacionet bëhen limane paqeje. Gjithashtu, individët ndiejnë vërtet se të tjerët i duan e i vlerësojnë dhe kanë një ndjenjë sigurie, pra shijojnë në një masë të vogël bekimet e ardhshme. (Psal. 72:7) Nuk e ekzagjerojmë po të themi se disiplina e Jehovait na mëson të jetojmë përgjithmonë së bashku në paqe e harmoni si një familje nën kujdesin e tij atëror. (Lexo Isainë 11:9.) Kur e shohim nga ky këndvështrim disiplinën hyjnore, ka më shumë gjasa ta vlerësojmë ashtu siç është vërtet​—një dëshmi e bukur e dashurisë së pakrahasueshme të Perëndisë për ne.

20 Në artikullin tjetër, do të shtjellojmë më tej disa aspekte të disiplinës në familje e në kongregacion. Veç kësaj, do të shqyrtojmë vetëdisiplinën, si edhe diçka që mund të jetë akoma më e keqe se çdo dhimbje e përkohshme që shkakton disiplina.