Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Udha e këndshme e mikpritjes​—Kaq e nevojshme!

Udha e këndshme e mikpritjes​—Kaq e nevojshme!

«Jini mikpritës me njëri-tjetrin, pa u qarë.»​—1 PJET. 4:9.

KËNGËT: 100, 87

1. Me çfarë u përballën të krishterët e shekullit të parë?

DIKU mes viteve 62 dhe 64 të e.s., apostulli Pjetër u shkroi «banorëve të përkohshëm të shpërndarë nëpër Pont, Galati, Kapadoki, Azi dhe Bitini». (1 Pjet. 1:1) Ato kongregacione në Azinë e Vogël, që ishin të larmishme nga ana kulturore, kishin nevojë për inkurajim dhe drejtim. Ata të krishterë hasnin kundërshtime dhe ishin objekt sharjesh. Vuanin nga ‘sprova që digjnin si zjarr’. Gjithashtu, jetonin në një kohë kritike. Pjetri shkroi: «Fundi i të gjitha gjërave është afruar.» Në fakt, në më pak se një dekadë, sistemi judaik do të pësonte një fund të dhunshëm. Çfarë mund t’i ndihmonte të krishterët kudo që ndodheshin, të përballonin ato kohë stresuese?​—1 Pjet. 4:4, 7, 12.

2, 3. Pse Pjetri i nxiti vëllezërit të tregonin mikpritje? (Shih figurën hapëse.)

2 Ndër të tjera, Pjetri i nxiti vëllezërit: «Jini mikpritës me njëri-tjetrin.» (1 Pjet. 4:9) Në greqisht fjala «mikpritje» në kuptimin e mirëfilltë do të thotë «përzemërsi ose dashamirësi ndaj të panjohurve». Por, vërejmë se Pjetri i nxiti vëllezërit e motrat të ishin mikpritës «me njëri-tjetrin», pra me ata që tashmë i njihnin dhe shoqëroheshin. Si do t’i ndihmonte mikpritja?

3 Do t’i afronte me njëri-tjetrin. Mendo për atë që ke provuar ti vetë. A ke pasur kënaqësinë të kesh qenë i ftuar në shtëpinë e dikujt? A nuk ke kujtime të ngrohta nga ai rast? Kur mikprite disa nga kongregacioni yt, a nuk u thellua miqësia mes jush? Duke treguar mikpritje, i njohim vëllezërit dhe motrat në një mënyrë më personale nga ç’mund t’i njohim në ambiente të tjera. Të krishterët në ditët e Pjetrit kishin nevojë të afroheshin gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin ndërsa kushtet keqësoheshin. E njëjta gjë është e vërtetë për të krishterët në këto ‘ditë të fundit’.​—2 Tim. 3:1.

4. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Çfarë mundësish kemi për t’i treguar mikpritje ‘njëri-tjetrit’? Si mund t’i kapërcejmë pengesat që ndoshta na frenojnë të jemi mikpritës? Çfarë mund të na ndihmojë të jemi mysafirë të mirë?

MUNDËSI PËR TË TREGUAR MIKPRITJE

5. Si mund të jemi mikpritës në mbledhjet tona?

5 Në mbledhje: Ne i mirëpresim të gjithë ata që ndjekin mbledhjet si bashkëmysafirë në një gosti me ushqim nga Bibla. Jehovai dhe organizata e tij janë mikpritësit tanë. (Rom. 15:7) Kur vijnë vizitorë të rinj ne, si të thuash, bëhemi bashkëmikpritës. Pse të mos marrësh iniciativën t’i mirëpresësh, pavarësisht nga paraqitja ose veshja e tyre? (Jak. 2:1-4) Nëse për një vizitor nuk po kujdeset dikush tjetër, a mund ta ftosh të ulet afër teje? Ai mund ta çmojë ndihmën që i jep për të ndjekur programin e ndoshta për të gjetur shkrimet që lexohen. Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për ‘të ndjekur udhën e mikpritjes’.​—Rom. 12:13.

6. Cilët duhet të jenë mes mysafirëve kryesorë në shtëpinë tonë?

6 Për diçka të lehtë a për një vakt: Në kohët biblike, mikpritja zakonisht përfshinte të ftoje dikë në shtëpi për një vakt. (Zan. 18:1-8; Gjyk. 13:15; Luka 24:28-30) Një ftesë për të ngrënë së bashku ishte një ftesë për miqësi e paqe. Cilët duhet të jenë mes mysafirëve tanë kryesorë? Ata që janë rregullisht pjesë e jetës sonë, vëllezërit e motrat në kongregacionin tonë. Kur të vijnë kohë të vështira, a nuk do të varemi nga njëri-tjetri? Na nevojiten miqësi besnike dhe paqe me të gjithë vëllezërit tanë. Është interesante që në vitin 2011, Trupi Udhëheqës e ndryshoi orarin e Studimit të Kullës së Rojës për familjen Bethel të Shteteve të Bashkuara nga ora 6.45 në orën 6.15 të pasdites. Pse? Në njoftim thuhej se, kur mbledhja të mbaronte më herët, kishte të ngjarë që më shumë veta të donin të tregonin mikpritje ose të pranonin mikpritjen e bethelitëve të tjerë. Degë të tjera vepruan njësoj. Kjo masë i ka lidhur më shumë se kurrë familjet Bethel.

7, 8. Si mund t’u tregojmë mikpritje përfaqësuesve të organizatës së Jehovait që na vizitojnë?

7 Vizitat e oratorëve nga kongregacione të tjera, vizitat e mbikëqyrësve qarkorë dhe, hera-herës, të përfaqësuesve nga zyra e degës na japin mundësi të tregojmë mikpritje. (Lexo 3 Gjonit 5-8.) Një mënyrë e shkëlqyer për ta bërë këtë është t’i ftojmë për diçka të lehtë ose për një vakt. A mund të ndihmosh edhe ti?

8 Një motër në Shtetet e Bashkuara kujton: «Ndër vite, unë dhe im shoq kemi pasur mundësi të mikpresim në shtëpinë tonë shumë oratorë dhe gratë e tyre. Secili rast ka qenë një kënaqësi​—jemi zbavitur dhe, mbi të gjitha, na është forcuar besimi. Kurrë s’jemi bërë pishman.»

9, 10. (a) Cilët mund të kenë nevojë t’i mikpresim më gjatë në shtëpinë tonë? (b) A mund të ndihmojnë edhe ata që kanë shtëpi modeste? Ilustrojeni.

9 Mysafirë që rrinë më gjatë: Në kohët e lashta, mikpritja shpesh përfshinte të strehoje vizitorë të besueshëm. (Jobi 31:32; Fil. 22) Kjo nevojë lind edhe në ditët tona. Mbikëqyrësit qarkorë shpesh kanë nevojë për një vend ku të strehohen kur vizitojnë kongregacionet. Studentëve të shkollave teokratike mund t’u nevojitet një vend ku të rrinë, e po ashtu edhe vullnetarëve të ndërtimit. Si pasojë e katastrofave natyrore, disa familje mund të mbeten pa shtëpi dhe mund të kenë nevojë për një vend ku të jetojnë derisa vëllezërit t’u rindërtojnë shtëpitë. Të mos mendojmë se vetëm ata që kanë shtëpi shumë të rehatshme janë në gjendje të ndihmojnë; ata mund ta kenë bërë tashmë këtë shumë herë. A mund të ofrosh edhe ti strehim, edhe nëse ke një shtëpi modeste?

10 Një vëlla në Korenë e Jugut kujton me nostalgji kohën kur strehonin studentë që ndiqnin shkolla teokratike. Ai shkruan: «Në fillim ngurroja ngaqë ishim të sapomartuar dhe jetonim në një shtëpi të vogël. Por ishte vërtet një përvojë e gëzueshme të kishim studentë që rrinin te ne. Si të sapomartuar, kishim mundësi të shihnim sa i lumtur mund të jetë një çift kur i shërbejnë Jehovait dhe ndjekin së bashku synime në shërbimin e tij.»

11. Pse ata që janë të rinj në kongregacionin tonë mund të kenë nevojë t’i mikpresim?

11 Ata që janë të rinj në kongregacionin tonë: Në zonën ku jeton ti mund të transferohen disa individë dhe familje. Ndoshta disa vijnë për të shërbyer ku ka më shumë nevojë. Ose mund të jenë pionierë që dërgohen për të ndihmuar në kongregacionin tuaj. Në fillim, të gjithë ata janë deri diku jashtë ambientit të tyre​—një komunitet i ri, një kongregacion i ri e ndoshta edhe një gjuhë ose kulturë e re. Duke i ftuar për diçka të lehtë, për një vakt ose për të dalë së bashku, do t’i ndihmosh të zënë miq të rinj dhe të përshtaten me rrethanat e reja.

12. Cila përvojë tregon se mikpritja nuk ka pse të jetë e stërholluar?

12 Mikpritja s’ka pse të jetë e stërholluar. (Lexo Lukën 10:41, 42.) Duke treguar për fillimet e shërbimit të tij si misionar, një vëlla thotë: «Ishim të rinj, pa përvojë dhe të përmalluar për shtëpinë. Një mbrëmje, gruan time e kishte mbytur malli për shtëpinë, dhe përpjekjet e mia për ta ndihmuar s’po bënin punë. Pastaj, nga ora 7.30, dëgjuam një trokitje në derë. Ishte një studente e Biblës që na kishte sjellë tri portokalle. Ajo kishte ardhur t’u jepte mirëseardhjen misionarëve të rinj. E ftuam brenda dhe i dhamë një gotë ujë. Pastaj bëmë çaj dhe kakao. Ne nuk e dinim akoma gjuhën suahili, dhe ajo nuk dinte anglisht. Por, me atë ngjarje zuri fill lidhja e miqësive me vëllezërit vendës, që ishte burim i madh kënaqësie për ne.»

KAPËRCIMI I PENGESAVE PËR TË TREGUAR MIKPRITJE

13. Çfarë dobish vijnë kur jemi mikpritës?

13 A ke ngurruar ndonjëherë të tregosh mikpritje? Nëse po, ka të ngjarë të kesh humbur mundësi për të qenë në shoqëri të këndshme dhe për të krijuar miqësi jetëgjata. Mikpritja është një nga ilaçet më të mira kundër vetmisë. Por ndoshta pyet veten: «Pse mund të ngurrojë dikush?» Mund të jenë një sërë arsyesh.

14. Ç’mund të bëjmë nëse koha dhe energjitë e pakta na kufizojnë që të pranojmë ose të tregojmë mikpritje?

14 Koha dhe energjitë: Shërbëtorët e Jehovait janë goxha të zënë dhe shpesh kanë shumë angazhime njëherësh. Disa mund të mendojnë se thjesht nuk kanë kohë dhe energji për të treguar mikpritje. Nëse ndihesh kështu, ndoshta ke nevojë të shqyrtosh programin tënd. A mund të bësh disa rregullime, në mënyrë që të kesh kohë dhe energji të pranosh mikpritjen e të tjerëve ose të tregosh mikpritje? Shkrimet i nxitin të krishterët të tregojnë mikpritje. (Hebr. 13:2) Nuk është e gabuar të gjesh kohë për këtë; në fakt, është gjëja e duhur. Sigurisht, për këtë mund të të duhet të jesh i gatshëm që të kufizosh disa aktivitete jo fort të rëndësishme.

15. Pse mund të jenë në ankth disa kur është fjala për të treguar mikpritje?

15 Ndjenjat për veten: A ke dashur ndonjëherë të tregosh mikpritje por nuk ndiheshe në lartësinë e duhur? Disa janë të ndrojtur dhe kanë frikë që biseda do të mbahet gjallë me zor ose që mysafirët nuk do të kënaqen. Të tjerë kanë të ardhura të kufizuara dhe mendojnë se nuk mund të ofrojnë kurrë atë që mund të ofrojnë pjesëtarë të tjerë të kongregacionit. Mirëpo të mbajmë parasysh se ajo që ka rëndësi kryesore nuk është që shtëpia të ketë salltanete, por që të jetë e rregullt, e pastër dhe një ambient i lezetshëm.

16, 17. Çfarë mund ta lehtësojë ankthin për të pritur mysafirë?

16 Nëse ndihesh në ankth të presësh mysafirë, nuk je i vetmi. Një plak kongregacioni në Britani pranon: «Kur përgatitesh për mysafirë, mund të ndiesh njëfarë tensioni. Por, si me gjithçka tjetër që lidhet me shërbimin e Jehovait, dobitë dhe kënaqësia janë shumë më të mëdha se çfarëdo ankthi. Jam kënaqur edhe thjesht duke ndenjur me mysafirët për të pirë një kafe e për të bërë muhabet.» Të mos harrojmë se është gjithmonë dobiprurëse të tregojmë interes personal për mysafirët. (Filip. 2:4) Thuajse çdo njeri ka qejf të tregojë përvoja nga jeta e vet. Aktivitetet shoqërore mund të jenë të vetmet raste kur të tjerët kërkojnë të dëgjojnë përvojat tona. Një plak tjetër shkruan: «Kur mikpres në shtëpi miq nga kongregacioni, kam kohë t’i kuptoj më mirë dhe t’i njoh, sidomos të mësoj si e përqafuan të vërtetën.» Interesimi i dashur mund të bëjë që çdo rast të jetë një kënaqësi.

17 Një pioniere e cila mikpriste studentë që ndiqnin shkolla të ndryshme teokratike, pranonte: «Në fillim kisha merak, sepse shtëpia ime është shumë modeste dhe kam mobilie të përdorura. Gruaja e një prej instruktorëve më qetësoi vërtet. Ajo tha se kur shërbejnë në veprën udhëtuese, javët më të bukura për të dhe të shoqin janë ato që kalojnë në shtëpinë e dikujt që ka marrëdhënie të mirë me Jehovain. Mund të jetë dikush që s’ka shumë nga ana materiale, ama është i përqendruar te të njëjtat gjëra si ata​—t’i shërbejë Jehovait dhe ta mbajë jetën të thjeshtë. Kjo më solli ndër mend atë që na thoshte mamaja kur ishim fëmijë: ‘Më mirë një pjatë me perime aty ku ka dashuri.’» (Prov. 15:17) Lejo që mikpritja jote të motivohet nga dashuria, dhe atëherë s’ka pse të merakosesh.

18, 19. Si mund të na ndihmojë mikpritja të mposhtim ndjenjat negative për të tjerët?

18 Ndjenjat për të tjerët: A ke në kongregacionin tënd ndonjë që të acaron? Ndjenjat që ke në fillim për të mund të jenë negative dhe mund të mbeten për një kohë të gjatë nëse nuk bën asgjë për t’i përmirësuar. Ndryshimet në personalitet mund të paralizojnë qëllimet e tua të mira për të treguar mikpritje. Ose ndoshta dikush të ka lënduar në të kaluarën, dhe e ke të vështirë të harrosh.

19 Për të përmirësuar marrëdhëniet, madje edhe me armiqtë, Bibla rekomandon mikpritjen. (Lexo Proverbat 25:21, 22.) Kur tregon mikpritje ndaj dikujt, mund të pakësohen fërkimet dhe të zbuten ndjenjat e mërisë. Mund të dalin në dritë aspekte tërheqëse të personalitetit të mysafirit tënd, aspekte që Jehovai i pa kur e tërhoqi drejt së vërtetës. (Gjoni 6:44) Një ftesë e papritur, nëse bëhet nga dashuria, mund të jetë fillimi i një marrëdhënieje krejtësisht të ndryshuar. Si mund të sigurohesh që dashuria të jetë sinqerisht motivi yt? Një mënyrë është duke vepruar sipas nxitjes që jepet te Filipianëve 2:3: ‘Me përulësi mendjeje, shihini të tjerët si më të lartë se veten.’ Kur gjejmë mënyra në të cilat motrat ose vëllezërit tanë janë më të lartë se ne​—qoftë ky besimi i tyre, qëndrueshmëria, guximi a ndonjë cilësi tjetër e krishterë—​do të na thellohet dashuria për ta dhe do t’i çelet rruga një mikpritjeje nga zemra që shëron.

TË JEMI MYSAFIRË TË MIRË

Mikpritësit zakonisht përgatiten mirë për mysafirët e tyre (Shih paragrafin 20.)

20. Pse dhe si duhet ta respektojmë një ftesë që e kemi pranuar?

20 Psalmisti David pyeti: «O Jehova, kush do të jetë mysafir në tendën tënde?» (Psal. 15:1) Pas kësaj pyetjeje, ai foli për cilësitë që kërkon Perëndia te mysafirët e tij. Një cilësi është të mbajnë fjalën e dhënë, siç thotë psalmi: «Edhe sikur të jetë betuar për të keqen e vetes, ai nuk del nga fjala.» (Psal. 15:4) Nëse pranojmë një ftesë, nuk duhet ta anulojmë pa e vrarë shumë mendjen. Mikpritësi ynë ka shumë të ngjarë të ketë bërë përgatitje, dhe gjithë përpjekjet e tij mund të shkojnë dëm nëse ne e anulojmë. (Mat. 5:37) Nganjëherë disa kanë anuluar një ftesë të mëparshme për të pranuar një tjetër që dukej më e mirë. A do të tregonte dashuri dhe respekt kjo? Në vend të kësaj, duhet ta pranojmë mikpritjen me çmueshmëri të sinqertë për çfarëdo që kanë për të na ofruar mikpritësit tanë. (Luka 10:7) E nëse ka rrethana vërtet të pashmangshme që na detyrojnë ta anulojmë, do të tregonim dashuri dhe konsideratë duke i njoftuar mikpritësit tanë sa më shpejt të jetë e mundur.

21. Si mund të na ndihmojë respektimi i zakoneve të vendit të jemi mysafirë të mirë?

21 Është e rëndësishme edhe të respektohen zakonet e vendit. Në disa kultura, mysafirët që vijnë papritur janë të mirëpritur; në të tjera, preferohet të organizohen gjërat kohë më parë. Në disa vende, mikpritësit i nderojnë mysafirët me më të mirat që kanë, kurse familja vjen në vend të dytë; në vende të tjera, të gjithë trajtohen njësoj. Në disa zona, mysafirët zakonisht sjellin diçka për të kontribuar; në zona të tjera, mikpritësit janë më të kënaqur kur mysafirët e tyre nuk e ndiejnë këtë detyrim. Gjithashtu, në disa kultura, pritet që mysafirët ta refuzojnë me mirësjellje ftesën e parë ose të dytën; në të tjera, ta refuzosh ftesën shihet si mungesë vlerësimi. Le të bëjmë çmos që mikpritësit tanë të jenë të kënaqur që na ftuan.

22. Pse është kaq e rëndësishme ‘të jemi mikpritës me njëri-tjetrin’?

22 Në një kuptim më të gjerë se kurrë, «fundi i të gjitha gjërave është afruar». (1 Pjet. 4:7) Para nesh kemi shtrëngimin më të madh që do të përjetojë ndonjëherë bota. Ndërsa presionet shtohen, do të nevojitet dashuria më e thellë mes nesh dhe motrave e vëllezërve tanë. Sot vlen më shumë se asnjëherë këshilla që u dha Pjetri të krishterëve: «Jini mikpritës me njëri-tjetrin»​—një udhë e këndshme dhe e nevojshme kjo, që s’do të ketë fund kurrë.​—1 Pjet. 4:9.