Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai e vlerëson «aminin» tënd

Jehovai e vlerëson «aminin» tënd

JEHOVAI e vlerëson adhurimin tonë. Ai ‘u kushton vëmendje dhe i dëgjon’ shërbëtorët e tij, e nuk i shpëton asgjë që bëjnë për ta lëvduar, sado e vogël. (Mal. 3:16) Për shembull, të marrim një fjalë që mund ta kemi thënë me qindra herë: fjalën «amin». A e vlerëson Jehovai edhe këtë fjalë të thjeshtë? Po, pa diskutim! Për të kuptuar pse, le të shqyrtojmë ç’kuptim ka kjo fjalë dhe si përdoret në Bibël.

«TËRË POPULLI DO TË THOTË: ‘AMIN!’»

Fjala «amin» do të thotë «ashtu qoftë» ose «me siguri». Ajo vjen nga një term hebraik që ka kuptimin «të jesh i besueshëm», «të jesh i denjë për besim». Hera-herës përdorej në raste ligjore. Pasi bënte një betim, një person thoshte «amin» për të konfirmuar se ajo që kishte thënë ishte e saktë dhe se merrte përsipër pasojat e fjalëve të tij. (Num. 5:22) Kur thoshte «amin» në sy të të gjithëve, ndihej akoma më i motivuar ta mbante fjalën.—Neh. 5:13.

Një shembull mbresëlënës i përdorimit të fjalës «amin» gjendet në kapitullin 27 të Ligjit të përtërirë. Pasi hynë në Tokën e Premtuar, izraelitët duhej të mblidheshin mes malit Ebal dhe malit Gerizim për të dëgjuar ndërsa lexohej me zë të lartë Ligji. Duhej jo vetëm ta dëgjonin, por edhe të deklaronin se e pranonin Ligjin. Këtë e bënin duke u përgjigjur «amin!» kur lexoheshin pasojat e mosbindjes. (Ligj. 27:15-26) Imagjino si oshtinte zëri i mijëra e mijëra burrave, grave e fëmijëve që përgjigjeshin me zë të lartë! (Jos. 8:30-35) Pa dyshim, ata izraelitë nuk i harruan kurrë fjalët që thanë atë ditë. Dhe e mbajtën fjalën, pasi Bibla thotë: «Izraeli i shërbeu Jehovait gjatë gjithë kohës që ishte gjallë Josiu dhe pleqtë që jetuan pas Josiut, të cilët dinin tërë ato që bëri Jehovai për Izraelin.»—Jos. 24:31.

Edhe Jezui e përdorte fjalën «amin» për të konfirmuar se diçka që thoshte ishte e vërtetë. Por këtë e bënte në një mënyrë unike. Jezui nuk e përdorte fjalën «amin» (që në shqip përkthehet «vërtet») si përgjigje ndaj fjalëve të dikujt, por për t’i paraprirë një pohimi të vërtetë. Ndonjëherë e përsëriste këtë fjalë dhe thoshte «amin amin». (Mat. 5:18; Gjoni 1:51) Kështu i siguronte dëgjuesit se fjalët e tij ishin një e vërtetë absolute. Jezui mund të fliste me kaq siguri ngaqë ishte personi i autorizuar për të bërë realitet gjithë premtimet e Perëndisë.—2 Kor. 1:20; Zbul. 3:14.

«POPULLI THA: ‘AMIN!’ DHE LËVDOI JEHOVAIN»

Izraelitët e përdornin fjalën «amin» edhe kur lëvdonin dhe i luteshin Jehovait. (Neh. 8:6; Psal. 41:13) Kur thoshin «amin» pas një lutjeje, dëgjuesit tregonin se e konsideronin atë si lutjen e tyre. Në këtë mënyrë, gjithë të pranishmit merrnin pjesë, e kjo ua shtonte gëzimin në adhurimin e Jehovait. Kështu ndodhi kur mbreti David çoi në Jerusalem arkën e Jehovait. Gjatë festës që pasoi, ai bëri një lutje të ndier në formën e një kënge, e cila gjendet te 1 Kronikave 16:8-36. Të pranishmit u prekën aq shumë nga fjalët e tij, sa «mbarë populli tha: ‘Amin!’ dhe lëvdoi Jehovain». Përgjigjja e tyre njëzëri e bëri më të hareshme atë ditë.

Edhe të krishterët e shekullit të parë e përdornin fjalën «amin» kur i thurnin lavde Jehovait. Shkrimtarët e Biblës e përfshinin shpesh këtë fjalë në letrat e tyre. (Rom. 1:25; 16:27; 1 Pjet. 4:11) Në librin e Zbulesës madje paraqiten krijesa qiellore tek i japin lavdi Jehovait me fjalët: «Amin! Lëvdoni Jah!» (Zbul. 19:1, 4) Të krishterët e hershëm e kishin zakon të thoshin «amin» edhe pas lutjeve që bëheshin në mbledhjet e tyre. (1 Kor. 14:16) Ama, kjo nuk ishte një fjalë që duhej ta përsëritnin mekanikisht.

PSE «AMINI» YT KA RËNDËSI

Pasi jemi njohur me përdorimin dhe historinë e saj, mund ta kuptojmë pse fjala «amin» është një mënyrë kaq domethënëse për të mbyllur një lutje. Kur e themi në fund të lutjes sonë, tregojmë se e kemi me tërë mend atë që themi. Dhe kur themi nga zemra «amin» pas një lutjeje publike, qoftë edhe në heshtje, tregojmë se bashkohemi me ndjenjat e shprehura. Ja disa arsye të tjera pse «amini» ynë ka rëndësi:

Tregon se jemi aktivë dhe të vëmendshëm në adhurimin tonë. Ne adhurojmë Jehovain jo vetëm me atë që themi në fund të lutjes, por edhe me mënyrën si sillemi gjatë lutjes. Dëshira që «amini» ynë të ketë vlerë mund të na ndihmojë të ruajmë qëndrimin e duhur dhe ta mbajmë mendjen te lutja.

Jemi të bashkuar si adhurues të Perëndisë. Gjatë lutjeve publike, gjithë pjesëtarët e kongregacionit janë të bashkuar ndërsa dëgjojnë të njëjtin mesazh. (Vep. 1:14; 12:5) Kur përgjigjemi njëzëri me vëllezërit e motrat, kjo na bashkon akoma më shumë. Pavarësisht nëse e themi me zë apo në zemër, «amini» ynë i jep më shumë arsye Jehovait që të veprojë sipas kërkesës sonë të përbashkët.

Kur themi «amin» lëvdojmë Jehovain tok me të tjerët

Lëvdojmë Jehovain. Jehovai vëren çdo gjë të vogël që bëjmë për ta adhuruar. (Luka 21:2, 3) Ai sheh çfarë na motivon dhe çfarë kemi në zemër. Edhe kur na duhet ta ndjekim mbledhjen me telefon, mund të jemi të sigurt se «amini» ynë i thjeshtë nuk kalon pa u vënë re nga Jehovai. Ai bëhet pjesë e lëvdimit të përbashkët që i jepet Perëndisë.

«Amini» ynë mund të duket me pak vlerë, por nuk është kurrsesi i parëndësishëm. Siç thotë një enciklopedi biblike, «me këtë fjalë të vetme» shërbëtorët e Perëndisë mund të shprehin «sigurinë, miratimin me gjithë shpirt dhe shpresën e sinqertë që kanë në zemër». Qoftë i këndshëm për Jehovain çdo «amin» që themi!—Psal. 19:14.