Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 12

Trego merak për ndjenjat e të tjerëve

Trego merak për ndjenjat e të tjerëve

«Të gjithë . . . tregoni ndjenja të përbashkëta.»—1 PJET. 3:8.

KËNGA 90 Inkurajoni njëri-tjetrin

PËRMBLEDHJE *

1. Sipas 1 Pjetrit 3:8, pse kënaqemi kur kemi pranë njerëz që interesohen për ndjenjat dhe mirëqenien tonë?

KËNAQEMI kur kemi pranë njerëz që interesohen për ndjenjat dhe mirëqenien tonë. Ata përpiqen ta vënë veten në vendin tonë, të dallojnë çfarë mendojmë dhe si ndihemi. Vërejnë çfarë na nevojitet dhe na ofrojnë ndihmë, madje ndonjëherë para se ta kërkojmë. I çmojmë njerëzit që tregojnë «ndjenja të përbashkëta» * ndaj nesh.—Lexo 1 Pjetrit 3:8.

2. Pse mund të na duhet të punojmë që të tregojmë empati?

2 Si të krishterë, të gjithë ne duam të tregojmë empati, ose ndjenja të përbashkëta. Mirëpo, për të qenë realistë, mund të na duhet të punojmë në këtë aspekt. Pse? Një arsye është se jemi të papërsosur. (Rom. 3:23) Ndaj duhet ta luftojmë prirjen e natyrshme që të mendojmë në radhë të parë për veten. Veç kësaj, disa nga ne mund ta kenë të vështirë të tregojnë empati për shkak të mënyrës si janë rritur ose të kaluarës. E së fundi, mund të infektohemi nga qëndrimi i njerëzve përreth. Në këto ditë të fundit, shumë s’duan t’ia dinë për ndjenjat e të tjerëve. Ata janë «të dashuruar me veten». (2 Tim. 3:1, 2) Çfarë mund të na ndihmojë të kapërcejmë këto vështirësi që na pengojnë të tregojmë merak për ndjenjat e të tjerëve?

3. (a) Si mund të tregojmë më shumë ndjenja të përbashkëta? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Mësojmë të tregojmë më shumë ndjenja të përbashkëta duke imituar Perëndinë Jehova dhe Birin e tij, Jezu Krishtin. Jehovai është Perëndi i dashurisë dhe lë shembullin më të shkëlqyer në shfaqjen e merakut për të tjerët. (1 Gjon. 4:8) Jezui e imitoi përsosmërisht personalitetin e Atit të tij. (Gjoni 14:9) Kur ishte në tokë, tregoi si mund të shfaqë dhembshuri një njeri. Në këtë artikull, do të shqyrtojmë në fillim si kanë treguar merak për ndjenjat e të tjerëve Jehovai dhe Jezui. Pastaj do të shohim si mund të imitojmë shembullin e tyre.

SI KA TREGUAR JEHOVAI MERAK PËR TË TJERËT

4. Si e tregon Isaia 63:7-9 se Jehovai merakoset për ndjenjat e shërbëtorëve të tij?

4 Bibla na mëson se Jehovai merakoset për ndjenjat e shërbëtorëve të tij. Për shembull, mendo si ndihej Jehovai kur izraelitët e lashtë hiqnin sprova. «Ai vuajti për të gjitha vuajtjet e tyre»,—thotë Fjala e Perëndisë. (Lexo Isainë 63:7-9.) Më vonë, nëpërmjet profetit Zakaria, Jehovai tregoi se kur keqtrajtojnë shërbëtorët e tij Ai ndihet sikur keqtrajtojnë atë vetë. Jehovai u tha shërbëtorëve të tij: «Kush ju prek ju, prek bebëzën e syrit tim.» (Zak. 2:8) Çfarë ilustrimi i fuqishëm për të treguar merakun e Jehovait për shërbëtorët e tij!

Me dhembshuri Jehovai i çliroi izraelitët nga skllavëria në Egjipt (Shih paragrafin 5)

5. Jepni një shembull se si ka vepruar Jehovai për të ndihmuar shërbëtorët e tij që vuajnë.

5 Jehovai jo thjesht ndien dhembshuri për shërbëtorët e tij që vuajnë. Ai vepron për t’i ndihmuar. Për shembull, kur izraelitët vuanin si skllevër në Egjipt, Jehovai kuptonte dhembjen e tyre dhe kjo e nxiti t’i lehtësonte. Jehovai i tha Moisiut: «Pa dyshim e kam parë mundimin e popullit tim . . . dhe kam dëgjuar si klithin . . . i di dhembjet që heqin. Prandaj, po gatitem të zbres që t’i çliroj nga dora e egjiptianëve.» (Dal. 3:7, 8) Ngaqë i dhimbsej populli i tij, Jehovai i çliroi nga skllavëria. Shekuj më vonë, në Tokën e Premtuar, izraelitët u përballën me sulmet e armiqve. Si reagonte Jehovai? Atij «i vinte keq tek dëgjonte rënkimin e tyre, të shkaktuar nga shtypësit dhe nga ata që i shkelnin me këmbë». Përsëri, empatia e shtynte Jehovain ta ndihmonte popullin e tij. Ai dërgonte gjykatës që t’i shpëtonte izraelitët nga armiqtë.—Gjyk. 2:16, 18.

6. Jepni një shembull si tregoi konsideratë Jehovai për ndjenjat e dikujt që mendonte gabim.

6 Jehovai tregon konsideratë për ndjenjat e shërbëtorëve të tij—madje edhe kur mendojnë gabim. Të marrim rastin e Jonait. Perëndia e dërgoi profetin e tij të shpallte një mesazh gjykimi kundër ninevitëve. Kur ata u penduan, Perëndia vendosi të mos i shkatërronte. Mirëpo, Jonain nuk e kënaqi aspak ky vendim. Ai «u nxeh» ngaqë profecia e tij e ndëshkimit nuk u plotësua. Megjithatë, Jehovai tregoi durim me Jonain dhe e ndihmoi të ndreqte mënyrën si mendonte. (Jon. 3:10–4:11) Me kohë, Jonai e kuptoi mësimin, e madje Jehovai e përdori që ta shkruante atë ngjarje për dobinë tonë.—Rom. 15:4. *

7. Për çfarë na siguron mënyra si ka vepruar Jehovai me shërbëtorët e tij?

7 Mënyra si ka vepruar Jehovai me shërbëtorët e tij na siguron se ai ndien empati për ne. Ai i di mirë dhembjet dhe vuajtjet që përjeton secili prej nesh. Jehovai «e njeh mirë zemrën e bijve të njerëzve». (2 Kron. 6:30) Ai i kupton mendimet e ndjenjat tona më të thella dhe kufizimet që kemi. Dhe ‘nuk do të lejojë që të tundohemi përtej asaj që mund të mbajmë’. (1 Kor. 10:13) Sa na ngroh zemrën ky premtim!

SI KA TREGUAR JEZUI MERAK PËR TË TJERËT

8-10. Cilët faktorë duhet ta kenë ndihmuar Jezuin të merakosej për të tjerët?

8 Kur ishte në tokë si njeri, Jezui merakosej thellë për të tjerët. Ka të paktën tre faktorë që duhet ta kenë ndihmuar. Së pari, siç përmendëm më sipër, Jezui pasqyroi përsosmërisht personalitetin e Atit të tij qiellor. Ashtu si Ati i tij, ai i donte njerëzit. Jezui gëzonte për gjithçka që e kishte ndihmuar Jehovain të bënte, por ‘kishte [veçanërisht] për zemër bijtë e njerëzve’. (Prov. 8:31) Dashuria e shtynte Jezuin të merakosej për ndjenjat e të tjerëve.

9 Së dyti, ashtu si Jehovai, Jezui mund të lexonte zemrat. Mund të njihte motivet dhe ndjenjat e të tjerëve. (Mat. 9:4; Gjoni 13:10, 11) Prandaj, kur dallonte se njerëzit ishin zemërvrarë, meraku e shtynte Jezuin t’i ngushëllonte.—Isa. 61:1, 2; Luka 4:17-21.

10 Së treti, Jezui i përjetoi vetë disa nga vështirësitë që hasnin njerëzit. Për shembull, me sa duket Jezui u rrit në një familje të varfër. Duke punuar me babanë e tij birësues, Jozefin, mësoi të bënte punë krahu të rëndë. (Mat. 13:55; Mar. 6:3) Duket se Jozefi vdiq para se Jezui të përfundonte shërbimin e tij. Kështu, ka shumë të ngjarë që ta ketë provuar dhembjen që shkakton vdekja e një njeriu të dashur. Gjithashtu, Jezui e dinte ç’do të thoshte të ishe në një familje me pikëpamje të ndryshme fetare. (Gjoni 7:5) Këto dhe rrethana të tjera do ta kenë ndihmuar të kuptonte vështirësitë dhe ndjenjat e njerëzve të thjeshtë.

Larg turmës, Jezui shëron me dhembshuri një njeri të shurdhër (Shih paragrafin 11)

11. Veçanërisht kur dilte në pah meraku i Jezuit? Shpjegoni. (Shih figurën e kopertinës.)

11 Meraku i Jezuit dilte në pah sidomos kur kryente mrekulli. Ai nuk bënte mrekulli thjesht nga ndjenja e detyrës. Jezui ‘shtyhej nga keqardhja’ për ata që vuanin. (Mat. 20:29-34; Mar. 1:40-42) Për shembull, përfytyro ndjenjat e tij kur mori veçmas turmës një burrë që s’dëgjonte dhe e shëroi; ose kur ringjalli djalin e vetëm të një vejushe. (Mar. 7:32-35; Luka 7:12-15) Jezuit i vinte keq për ata njerëz dhe donte t’i ndihmonte.

12. Si dalin në pah te Gjoni 11:32-35 ndjenjat e përbashkëta të Jezuit ndaj Martës dhe Marisë?

12 Jezui tregoi ndjenja të përbashkëta ndaj Martës dhe Marisë. Kur pa sa të pikëlluara ishin për vdekjen e të vëllait, Lazarit, «Jezui nuk i mbajti dot lotët». (Lexo Gjonin 11:32-35.) Ai nuk qau vetëm ngaqë kishte humbur shoqërinë e një miku të ngushtë. Në fund të fundit, e dinte se do ta ringjallte Lazarin. Ai qau sepse e kuptonte dhembjen e mikeve të tij të dashura dhe u prek.

13. Pse na jep zemër fakti që Jezui ka empati për njerëzit?

13 Nxjerrim shumë dobi kur mësojmë për empatinë e Jezuit. Patjetër, nuk jemi të përsosur si ai. Megjithatë, e duam Jezuin për mënyrën si i trajtonte të tjerët. (1 Pjet. 1:8) Marrim zemër nga fakti që tani ai po qeveris si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. Së shpejti, do të eliminojë gjithë vuajtjet. Ai është personi më i përshtatshëm për të ndihmuar njerëzimin të marrë veten nga plagët që sjell sundimi i Satanait, sepse edhe Jezui ishte njeri dikur. Po, jemi të bekuar që kemi një Mbret i cili mund ‘të bashkohet me ndjenjat tona në dobësitë që kemi’.—Hebr. 2:17, 18; 4:15, 16.

IMITO SHEMBULLIN E JEHOVAIT DHE TË JEZUIT

14. Duke pasur parasysh Efesianëve 5:1, 2, çfarë ndihemi të nxitur të bëjmë?

14 Kur shqyrtojmë shembullin e Jehovait dhe të Jezuit, ndihemi të nxitur të përpiqemi të tregojmë më shumë ndjenja të përbashkëta. (Lexo Efesianëve 5:1, 2.) Vërtet, nuk i lexojmë dot zemrat si ata. Ama, mund të përpiqemi të kuptojmë ndjenjat dhe nevojat e të tjerëve. (2 Kor. 11:29) Ndryshe nga bota egoiste që na rrethon, bëjmë çmos ‘të shohim me interes jo vetëm çështjet tona, por edhe ato të të tjerëve’.—Filip. 2:4.

(Shih paragrafët 15-19) *

15. Cilët në veçanti duhet të tregojnë ndjenja të përbashkëta?

15 Pleqtë e kongregacionit në veçanti duhet të tregojnë ndjenja të përbashkëta. Ata e dinë se do të japin llogari për mënyrën si kujdesen për delet që u janë besuar. (Hebr. 13:17) Që t’i ndihmojnë bashkëbesimtarët, pleqtë duhet të jenë mirëkuptues. Si mund të tregojnë ndjenja të përbashkëta pleqtë?

16. Çfarë bën një plak i dhembshur, dhe pse është e rëndësishme kjo?

16 Një plak i dhembshur kalon kohë me vëllezërit e motrat. I pyet dhe pastaj i dëgjon me vëmendje e durim. Kjo është e rëndësishme sidomos nëse një nga këto dele të dashura dëshiron t’i zbrazë zemrën, por e ka të vështirë të gjejë fjalët e duhura. (Prov. 20:5) Kur jep me kënaqësi nga koha e vet, një plak krijon lidhje të forta besimi, miqësie dhe dashurie me vëllezërit e tij.—Vep. 20:37.

17. Çfarë vlerësojnë më tepër shumë vëllezër e motra te pleqtë? Jepni një shembull.

17 Shumë vëllezër e motra thonë se cilësia që vlerësojnë më tepër te pleqtë e kongregacionit, është meraku për ndjenjat e të tjerëve. Pse? «Ngaqë e di se do të të kuptojnë, e ke më të lehtë të flasësh me ta»,—thotë Adelajda. Pastaj shton: «Mund ta dallosh se provojnë ndjenja të përbashkëta nga mënyra si reagojnë kur flet me ta.» Ja çfarë kujton plot mirënjohje një vëlla: «Pashë që një plaku iu mbushën sytë me lot teksa përfytyronte situatën time. Ajo pamje s’do të më shqitet kurrë nga mendja.»—Rom. 12:15.

18. Si mund të zhvillojmë ndjenja të përbashkëta ndaj të tjerëve?

18 Sigurisht, pleqtë nuk janë të vetmit që duhet të tregojnë ndjenja të përbashkëta. Të gjithë ne mund ta zhvillojmë këtë cilësi. Si? Mundohu të kuptosh çfarë po kalojnë familjarët dhe bashkëbesimtarët. Interesohu për adoleshentët në kongregacion, si edhe për të sëmurët, të moshuarit dhe për ata që u ka vdekur një njeri i dashur. Pyeti si po ia kalojnë. Dëgjoji me vëmendje teksa hapen me ty. Ndihmoji ta ndiejnë se ti e kupton vërtet çfarë po përballojnë. Ofroju ndihmë në çfarëdo mënyre të kesh mundësi. Kur veprojmë kështu, tregojmë dashuri të vërtetë me vepra.—1 Gjon. 3:18.

19. Pse duhet të jemi elastikë kur përpiqemi të ndihmojmë të tjerët?

19 Duhet të jemi elastikë ndërsa përpiqemi të ndihmojmë të tjerët. Përse? Sepse njerëzit reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj vështirësive. Disa mezi presin të flasin, kurse të tjerë janë më të rezervuar. Ndaj duam t’i ndihmojmë, ama duhet t’i shmangim pyetjet tepër personale. (1 Sel. 4:11) Edhe kur të tjerët na tregojnë si ndihen, ndoshta jo gjithmonë pajtohemi me pikëpamjen e tyre. Prapëseprapë, duhet ta kuptojmë se kështu ndihen ata. Duam të jemi të shpejtë në të dëgjuar dhe të mos nxitohemi në të folur.—Mat. 7:1; Jak. 1:19.

20. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

20 Duam të tregojmë ndjenja të përbashkëta jo vetëm në kongregacion, por edhe në shërbim. Si mund ta shfaqim këtë cilësi të bukur kur bëjmë dishepuj? Këtë do ta shqyrtojmë në artikullin vijues.

KËNGA 130 Ji falës

^ par. 5 Jehovai dhe Jezui merakosen për ndjenjat e të tjerëve. Në këtë artikull do të shqyrtojmë ç’mund të mësojmë nga shembulli i tyre. Do të shohim edhe pse duhet të tregojmë ndjenja të përbashkëta dhe si mund ta bëjmë këtë.

^ par. 1 SHPJEGIMI I FJALËVE: Të tregojmë «ndjenja të përbashkëta» do të thotë të përpiqemi të kuptojmë çfarë ndiejnë të tjerët dhe të ndihemi njësoj si ata. (Rom. 12:15) Në këtë artikull, «ndjenja të përbashkëta» dhe «merak» kanë të njëjtin kuptim.

^ par. 6 Jehovai reagoi me dhembshuri edhe ndaj ndjenjave të forta negative të disa besnikëve të tjerë. Shqyrto historinë e Hanës (1 Sam. 1:10-20), të Elijas (1 Mbret. 19:1-18) dhe të Ebed-Melekut (Jer. 38:7-13; 39:15-18).

^ par. 65 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Mbledhjet në Sallën e Mbretërisë ofrojnë shumë mundësi për shoqëri inkurajuese. Shohim (1) një plak që i flet me dashamirësi një lajmëtari të vogël dhe mamasë së tij, (2) një baba me të bijën që shoqërojnë një motër të moshuar për te makina dhe (3) dy pleq që dëgjojnë me vëmendje një motër që kërkon drejtim.