Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 11

Si të marrësh forcë nga Shkrimet

Si të marrësh forcë nga Shkrimet

«Perëndia . . . jep qëndrueshmëri.»—ROM. 15:5.

KËNGA 94 Thellësisht mirënjohës për Fjalën tënde

PËRMBLEDHJE *

1. Cilat sprova mund të hasin shërbëtorët e Jehovait?

A PO vuan për shkak të një sprove të rëndë? Ndoshta të ka lënduar dikush në kongregacion. (Jak. 3:2) A mbase shokët e punës ose të shkollës të tallin ngaqë i shërben Jehovait. (1 Pjet. 4:3, 4) Ose ndoshta familjarët përpiqen të të pengojnë që të mos shkosh në mbledhje ose të mos u flasësh të tjerëve për besimin tënd. (Mat. 10:35, 36) Nëse një sprovë është tepër e dhimbshme, mbase të vjen të dorëzohesh fare. Por të jesh i sigurt se në çfarëdo sprove, Jehovai do të të japë mençurinë që ta përballosh dhe forcën që të tregosh qëndrueshmëri.

2. Sipas Romakëve 15:4, si mund të ndikojë Fjala e Perëndisë te ne?

2 Në Fjalën e tij, Jehovai ka ruajtur shembuj që tregojnë si kanë përballuar situata të vështira mjaft njerëz të papërsosur. Pse? Që të mësojmë prej tyre. Prandaj Jehovai e nxiti apostullin Pavël të shkruante atë që lexojmë te Romakëve 15:4. (Lexoje.) Këto tregime mund të jenë burim ngushëllimi dhe shprese. Megjithatë, që të nxjerrim dobi, nuk mjafton thjesht ta lexojmë Biblën. Duhet të lejojmë që Shkrimet të na modelojnë mënyrën si mendojmë dhe të depërtojnë në zemër. Çfarë mund të bëjmë nëse na nevojitet drejtim për të përballuar një problem që po kalojmë? Mund të ndjekim këta katër hapa ndërsa studiojmë Biblën: (1) të lutemi, (2) të imagjinojmë, (3) të meditojmë dhe (4) të zbatojmë. Le të shqyrtojmë çfarë përfshin secili hap. * Më pas do të përdorim këtë metodë studimi për të nxjerrë mësime prej ngjarjeve nga jeta e mbretit David dhe apostullit Pavël.

1. LUTU

Para se të lexosh Biblën, kërkoji ndihmë Jehovait që të kuptosh si mund të nxjerrësh dobi (Shih paragrafin 3)

3. Çfarë duhet të bësh para se të lexosh Biblën, dhe pse?

3 (1) Lutu. Para se të lexosh Biblën, lutju Jehovait për ndihmë që të kuptosh si të nxjerrësh dobi nga ajo që lexon. Për shembull, nëse të nevojiten këshilla si ta përballosh një problem, kërkoji Jehovait të të ndihmojë të gjesh në Bibël parime që mund të të drejtojnë.—Filip. 4:6, 7; Jak. 1:5.

2. IMAGJINO

Përpiqu të përfytyrosh sikur je ti personazhi kryesor i një ngjarjeje (Shih paragrafin 4)

4. Çfarë mund të të ndihmojë ta kesh të gjallë në mendje një ngjarje nga Bibla?

4 (2) Imagjino. Jehovai na ka dhënë aftësinë e mrekullueshme të imagjinatës. Që ta kesh të gjallë në mendje një ngjarje nga Bibla, përpiqu ta imagjinosh situatën dhe të përfytyrosh sikur je ti personazhi kryesor. Përpiqu të shohësh gjërat që pa ai personazh dhe të përjetosh të njëjtat emocione që mund të ketë ndier.

3. MEDITO

Bluaje mirë në mendje atë që lexove dhe si ta zbatosh në jetën tënde (Shih paragrafin 5)

5. Çfarë është meditimi, dhe si mund të meditosh?

5 (3) Medito. Të meditosh do të thotë ta bluash mirë në mendje atë që po lexon dhe si ta zbatosh në jetën tënde. Kjo të ndihmon të shohësh tablonë e plotë dhe ta kuptosh më thellë një argument. Leximi i Biblës pa meditim është si të rrish duke parë pjesët e një mozaiku e të mos i bashkosh. Meditimi është si t’i lidhësh me njëra-tjetrën këto pjesë për të parë figurën e plotë. Për të medituar, mund të të ndihmojnë pyetje të tilla, si: «Çfarë bëri personazhi kryesor për ta kapërcyer problemin? Si e ndihmoi Jehovai? Si mund t’i përdor mësimet që kam nxjerrë për t’u bërë ballë sprovave?»

4. ZBATO

Vëre në jetë atë që mëson, që të marrësh vendime më të mençura, të kesh më shumë paqe dhe të forcosh besimin (Shih paragrafin 6)

6. Pse duhet ta zbatojmë atë që mësojmë?

6 (4) Zbato. Jezui tha se po të mos e zbatojmë atë që mësojmë, do të ishim si një njeri që e ndërton shtëpinë në rërë. Ai punon fort, por i shkojnë dëm përpjekjet. Pse? Sepse kur godet një stuhi ose përmbytje, shtëpia e tij shkatërrohet. (Mat. 7:24-27) Po njësoj, nëse lutemi, imagjinojmë dhe meditojmë, por nuk e zbatojmë atë që mësojmë, do të na shkojnë dëm përpjekjet. Kur të hasim sprova ose përndjekje, besimi ynë nuk do të jetë mjaft i fortë. Nga ana tjetër, kur e studiojmë dhe e zbatojmë atë që mësojmë, marrim vendime më të mençura, kemi më shumë paqe dhe e forcojmë besimin. (Isa. 48:17, 18) Duke përdorur këtë metodë me katër hapa, le të shohim çfarë mund të mësojmë nga një ngjarje në jetën e mbretit David.

ÇFARË MUND TË MËSOSH NGA MBRETI DAVID?

7. Cilën ngjarje nga Bibla do të shqyrtojmë?

7 A të ka lënduar ose zhgënjyer ndonjë mik a pjesëtar i familjes? Nëse po, do të nxjerrësh dobi duke shqyrtuar se çfarë bëri mbreti David kur i biri, Absalomi, e tradhtoi dhe u përpoq t’i rrëmbente fronin.—2 Sam. 15:5-14, 31; 18:6-14.

8. Çfarë mund të bësh që të marrësh ndihmën e Jehovait?

8 (1) Lutu. Duke pasur parasysh këtë ngjarje, tregoji Jehovait si ndihesh për mënyrën si të kanë trajtuar. (Psal. 6:6-9) Ji specifik kur i hapesh për ndjenjat e tua. Pastaj kërkoji ndihmë për të dalluar parimet që mund të të drejtojnë ndërsa përballon këtë situatë të vështirë.

9. Si do ta përmblidhje atë që ndodhi mes Davidit dhe Absalomit?

9 (2) Imagjino. Mendo për gjithë sa ndodhi në atë situatë dhe imagjino si duhet të jetë ndier mbreti David. Për vite me radhë, i biri, Absalomi, u përpoq t’i vidhte zemrën popullit. (2 Sam. 15:7) Kur mendoi se erdhi çasti i volitshëm, Absalomi dërgoi spiunë në mbarë Izraelin për ta manipuluar popullin që ta pranonte si mbret. Madje i prishi mendjen edhe Ahithofelit, njërit nga këshilltarët dhe miqtë më të ngushtë të Davidit, që të rebelohej edhe ai. Absalomi e shpalli veten mbret dhe më pas u përpoq të kapte e të vriste Davidin, që në atë kohë mund të ishte i sëmurë rëndë. (Psal. 41:1-9) Davidi e mori vesh komplotin e Absalomit dhe u largua nga Jerusalemi. Në fund, ushtria e Absalomit u përlesh me ushtarët besnikë të Davidit. Ushtria rebele humbi, dhe djali i Davidit, Absalomi, u vra.

10. Si mund të kishte vepruar mbreti David?

10 Pastaj, imagjino si duhet të jetë ndier Davidi ndërsa kalonte gjithë ato peripeci. Ai e donte Absalomin dhe kishte besim te Ahithofeli. Por që të dy e tradhtuan. Ata i copëtuan zemrën Davidit, e madje u përpoqën ta vritnin. Davidi mund ta kishte humbur besimin te miqtë e tjerë nga dyshimi se mos edhe ata kishin marrë anën e Absalomit. Ai mund të kishte menduar vetëm për veten dhe mund të ishte larguar pa marrë me vete askënd. Ose mund ta mbyste dëshpërimi e të dorëzohej. Por Davidi nuk bëri asnjë nga këto. Përkundrazi, i bëri ballë asaj sprove të rëndë. Çfarë e ndihmoi?

11. Çfarë bëri Davidi në atë situatë të vështirë që po kalonte?

11 (3) Medito. Cilat parime mund të dallosh te ky tregim? Mendo për këtë pyetje: «Çfarë bëri Davidi për ta përballuar atë sprovë?» Davidin nuk e mbërtheu paniku dhe nuk i mori vendimet me ngut e pa i peshuar mirë. As nuk i zvarriti, i paralizuar nga frika. Përkundrazi, iu lut Jehovait për ndihmë. U kërkoi ndihmë edhe miqve të tij. Dhe veproi pa vonesë sipas vendimeve që mori. Edhe pse e kishte zemrën copë, Davidi nuk i shihte me dyshim të tjerët e nuk u mbush me mllef. Ai vazhdoi të kishte besim te Jehovai dhe t’u zinte besë miqve të tij.

12. Si e ndihmoi Jehovai Davidin?

12 Si e ndihmoi Jehovai Davidin? Nëse bën ca kërkime, do të mësosh se Jehovai i dha Davidit forcën që i duhej për ta përballuar sprovën. (Psal. 3:1-8; mbishkrimi) Jehovai i bekoi vendimet që mori Davidi. Gjithashtu i mbështeti miqtë besnikë të Davidit ndërsa luftonin për të mbrojtur mbretin e tyre.

13. Si mund ta imitosh Davidin nëse dikush të ka lënduar thellë? (Mateu 18:15-17)

13 (4) Zbato. Pyet veten: «Si mund ta imitoj Davidin?» Duhet të veprosh menjëherë për ta zgjidhur problemin. Në varësi të rrethanave, mund të zbatosh këshillën e Jezuit te kapitulli 18 i Mateut ose parimin që përmban ajo. (Lexo Mateun 18:15-17.) Por nuk duhet të marrësh vendime të nxituara i shtyrë nga inati a mërzia. Duhet t’i lutesh Jehovait të të japë një zemër të qetë dhe mençurinë e nevojshme që ta përballosh situatën. Mos e humb besimin te miqtë e tu. Përkundrazi, ji i gatshëm të pranosh ndihmën e tyre. (Prov. 17:17) E mbi të gjitha, ndiq këshillat që të jep Jehovai në Fjalën e tij.—Prov. 3:5, 6.

ÇFARË MUND TË MËSOSH NGA PAVLI?

14. Në cilat situata mund të të japin zemër 2 Timoteut 1:12-16 dhe 4:6-11, 17-22?

14 A po të kundërvihen pjesëtarët e familjes ngaqë i shërben Jehovait? A mos ndoshta jeton në një vend ku vepra është e kufizuar ose e ndaluar? Po të jetë kështu, mund të marrësh zemër duke lexuar 2 Timoteut 1:12-16 dhe 4:6-11, 17-22. * Pavli i shkroi këto vargje kur ishte i burgosur.

15. Çfarë mund t’i kërkosh Jehovait në lutje?

15 (1) Lutu. Para se t’i lexosh këto vargje, thuaja Jehovait problemin që ke dhe si të bën të ndihesh. Ji specifik. Pastaj kërkoji ndihmë që të dallosh te tregimet për sprovat e Pavlit parime që do të të drejtojnë se si të veprosh në situatën e vështirë ku gjendesh.

16. Si do ta përmblidhje situatën ku ndodhej Pavli?

16 (2) Imagjino. Përfytyro sikur je në vend të Pavlit. Ai është i lidhur me zinxhirë në një burg të Romës. Ka qenë edhe më parë në burg, por kësaj here është i sigurt se do ta ekzekutojnë. Disa nga shokët e shërbimit i kanë kthyer shpinën, dhe është i sfilitur fizikisht.—2 Tim. 1:15.

17. Çfarë mund të kishte bërë Pavli?

17 Pavli mund të përqendrohej tek e kaluara e të mendonte se po të kishte bërë zgjedhje të tjera në jetë, ndoshta nuk do të kishte përfunduar në burg. Ai mund të ishte mbushur me mllef ndaj të krishterëve në krahinën e Azisë që e kishin braktisur dhe mund t’i shihte me dyshim edhe miqtë e tjerë. Por nuk bëri asnjërën nga këto. Çfarë e ndihmoi Pavlin të kishte besim se miqtë do t’i qëndronin besnikë dhe se Jehovai do ta shpërblente?

18. Si e përballoi Pavli sprovën që hasi?

18 (3) Medito. Mendo për pyetjen: «Çfarë bëri Pavli për të përballuar atë sprovë?» Edhe pse e dinte se po i kanosej vdekja, Pavli nuk harroi cila ishte gjëja më e rëndësishme—t’i jepte lavdi Jehovait. Gjithashtu vazhdonte të mendonte si t’u jepte zemër të tjerëve. Mbështetej te Jehovai duke iu lutur pareshtur. (2 Tim. 1:3) Pavli nuk e mbajti mendjen tek ata që e kishin braktisur. Përkundrazi, shprehu mirënjohje nga zemra për miqtë që e mbështetën me dashuri dhe e ndihmuan me besnikëri në mënyra praktike. Veç kësaj, Pavli nuk e la pas dore studimin e Fjalës së Perëndisë. (2 Tim. 3:16, 17; 4:13) E mbi të gjitha, ishte plotësisht i sigurt se Jehovai dhe Jezui e donin. Ata nuk e kishin braktisur, dhe Pavli ishte i bindur se do ta shpërblenin për shërbimin e tij besnik.

19. Si e ndihmoi Jehovai Pavlin?

19 Jehovai e kishte paralajmëruar Pavlin se do t’i duhej të duronte përndjekje ngaqë ishte i krishterë. (Vep. 21:11-13) Po si e ndihmoi Jehovai? Ai iu përgjigj lutjeve të Pavlit e i dha forcë gjatë gjithë vështirësive. (2 Tim. 4:17) Jehovai e siguroi Pavlin se do ta merrte shpërblimin për të cilin kishte punuar pa u lodhur. Gjithashtu i nxiti miqtë besnikë të Pavlit t’i jepnin ndihmë praktike.

20. Si mund ta imitosh Pavlin, duke mbajtur parasysh Romakëve 8:38, 39?

20 (4) Zbato. Pyet veten: «Si mund ta imitoj Pavlin?» Njësoj si Pavli, duhet të presim përndjekje për shkak të besimit. (Mar. 10:29, 30) Për të mbajtur integritetin në sprova, duhet të mbështetemi te Jehovai me anë të lutjeve dhe të mbajmë një program të mirë studimi. E të mos harrojmë kurrë se gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë, është t’i japim lavdi Jehovait. Mund të jemi të sigurt se Jehovai nuk do të na braktisë kurrsesi dhe se asgjë në botë nuk e shuan dot dashurinë e tij për ne.—Lexo Romakëve 8:38, 39; Hebr. 13:5, 6.

MËSO NGA PERSONAZHET E TJERA TË BIBLËS

21. Çfarë i ndihmoi Ajën dhe Hektorin të kapërcenin vështirësitë?

21 Shembujt nga Bibla mund të na japin forcë të përballojmë çfarëdo situate. Për shembull, Aja, një pioniere në Japoni, thotë se tregimi për Jonain e ndihmoi të mposhtte frikën që të merrte pjesë në dëshminë publike. Hektorin, një të ri në Indonezi që nuk i ka prindërit Dëshmitarë, e frymëzon shembulli i Ruthës që të vazhdojë të mësojë për Jehovain e t’i shërbejë.

22. Si mund të nxjerrësh sa më shumë dobi prej leximeve nga Bibla në formë drame ose prej serisë «Imitoni besimin e tyre»?

22 Ku mund t’i gjesh shembujt e këtyre besnikëve që të japin forcë? Videot tona, leximet nga Bibla në formë drame dhe seria «Imitoni besimin e tyre» do të të ndihmojnë t’i kesh të gjalla në mendje ngjarjet nga Bibla. * Para se t’i shohësh, t’i dëgjosh ose t’i lexosh këto pjesë për të cilat janë bërë kërkime të kujdesshme, kërkoji Jehovait të të ndihmojë të gjesh pika specifike që mund t’i zbatosh. Imagjino sikur je ti personazhi kryesor. Medito për atë që bënë këta shërbëtorë besnikë dhe si i ndihmoi Jehovai t’i kapërcenin vështirësitë. Pastaj zbatoji në situatën tënde mësimet që nxore. Falënderoje Jehovain për ndihmën që po të jep. Dhe tregoje mirënjohjen për ndihmën e tij duke kërkuar mënyra si të inkurajosh e të mbështetësh të tjerët.

23. Çfarë ka premtuar se do të bëjë për ne Jehovai sipas Isaisë 41:10, 13?

23 Jeta në këtë botë të sunduar nga Satanai mund të jetë e vështirë, madje mbytëse hera-herës. (2 Tim. 3:1) Por nuk ka pse të na pushtojë ankthi ose frika. Jehovai e di mirë çfarë po kalojmë. Nëse biem, ai premton se do të na mbajë fort me të djathtën e tij të fuqishme. (Lexo Isainë 41:10, 13.) Me besim absolut te mbështetja e Jehovait, mund të marrim forcë nga Shkrimet e të përballojmë çdo sprovë.

KËNGA 96 Libri i Perëndisë: Një thesar

^ par. 5 Shumë ngjarje nga Bibla tregojnë se Jehovai i do shërbëtorët e tij dhe i ndihmon përmes çdo sprove. Në këtë artikull do të shohim si ta bësh studimin personal të Biblës në një mënyrë që do të të ndihmojë të nxjerrësh më shumë dobi nga ajo që lexon.

^ par. 2 Metoda e studimit që sugjerohet këtu është thjesht një mënyrë si ta bësh studimin. Mund të gjesh sugjerime të tjera si ta studiosh Biblën edhe te Mjeti i kërkimeve për Dëshmitarët e Jehovait, te tema «Bibla» dhe nëntema «Të lexojmë dhe të kuptojmë Biblën».

^ par. 14 Mos i lexo këto vargje gjatë Studimit të Kullës së Rojës në kongregacion.

^ par. 22 Shih në jw.org «Imitoni besimin e tyre—Burra e gra që përmenden në Bibël». (Shko te MËSIME NGA BIBLA > BESIMI TE PERËNDIA.)