Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e çmon thellësisht Librin e Jehovait?

A e çmon thellësisht Librin e Jehovait?

«Kur e dëgjuat fjalën e Perëndisë . . . e pranuat . . . siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë.»​—1 SEL. 2:13.

KËNGËT: 114, 113

1-3. Si mund të kenë lindur mosmarrëveshjet mes Evodisë dhe Sintikisë, dhe si mund të shmangen probleme të tilla? (Shih figurën hapëse.)

SHËRBËTORËT e Jehovait e çmojnë thellësisht Librin e shenjtë të Perëndisë, Biblën. Ngaqë jemi të papërsosur, herë pas here të gjithë marrim këshilla nga Shkrimet. Si do të reagojmë ndaj tyre? Të mendojmë për rastin e Evodisë dhe Sintikisë, dy të krishtere në shekullin e parë. Mes këtyre grave të mirosura lindën probleme serioze. Ç’lloj problemesh? Bibla nuk e thotë. Por, sa për ta ilustruar, të imagjinojmë sikur të ketë ndodhur si vijon.

2 Ta zëmë se Evodia ftoi disa vëllezër e motra në shtëpinë e saj për të ngrënë e për t’u kënaqur në shoqërinë e njëri-tjetrit. Sintikia nuk ishte e ftuar, ama mori vesh për kohën e bukur që kaluan të gjithë. Sintikia mund të ketë thënë: «S’më besohet që Evodia nuk më ftoi! Kujtoja se ishim shoqe të ngushta.» E zhgënjyer, Sintikia fillon ta shohë Evodinë me dyshim, e madje me mosbesim. Kështu, Sintikia organizon vetë diçka dhe fton të njëjtët vëllezër e motra, përveç Evodisë. Problemi mes Evodisë dhe Sintikisë mund të ketë prishur paqen e gjithë kongregacionit. Bibla nuk na thotë si përfundoi kjo situatë, por këto motra mund të kenë reaguar mirë ndaj këshillës së dashur të apostullit Pavël.​—Filip. 4:2, 3.

3 Ndonjëherë situata të ngjashme mund të shkaktojnë probleme në kongregacionet e popullit të Jehovait sot. Megjithatë, ato mund të zgjidhen a madje të shmangen fare nëse zbatojmë këshillat që gjenden në Fjalën e Perëndisë, Biblën. E nëse e çmojmë thellësisht Librin e Jehovait, do të jetojmë sipas mësimeve të tij.​—Psal. 27:11.

LIBRI I PERËNDISË DHE NDJENJAT NJERËZORE

4, 5. Çfarë këshillash na jep Fjala e Perëndisë për të mbajtur nën kontroll ndjenjat?

4 Nuk është e lehtë të mbajmë nën kontroll ndjenjat kur mendojmë se na kanë fyer ose na kanë trajtuar padrejtësisht. Mund të jetë e dhimbshme kur na keqtrajtojnë për shkak të prejardhjes etnike, ngjyrës së lëkurës ose për ndonjë ndryshim tjetër fizik. Dhimbja është edhe më e fortë nëse këtë ta bën një bashkëbesimtar. A ka këshilla në Fjalën e Perëndisë që na ndihmojnë nëse përballemi me këtë aspekt të shëmtuar të sjelljes së papërsosur njerëzore?

5 Jehovai i ka vëzhguar marrëdhëniet mes njerëzve që kur janë krijuar. Ai u kushton vëmendje ndjenjave dhe veprimeve tona. Mendimet, përfshirë ato që na ngjallin ndjenja të forta, mund të na bëjnë të flasim a të veprojmë në një mënyrë që mund të pendohemi më vonë. Sa e mençur është të zbatojmë këshillat e Biblës për të kontrolluar temperamentin dhe për të mos u fyer shpejt! (Lexo Proverbat 16:32; Eklisiastiun 7:9.) Pa dyshim, të gjithë ne duhet të përpiqemi të jemi më pak të ndjeshëm dhe më të gatshëm për të falur. Jehovai dhe Jezui e marrin shumë seriozisht çështjen e faljes. (Mat. 6:14, 15) Mos ke nevojë të jesh më i gatshëm të falësh ose të bësh më shumë kujdes që t’i mbash nën kontroll ndjenjat?

6. Pse duhet të ruhemi që të mos bëhemi të hidhur e të mbushemi me mllef?

6 Njerëzit që nuk i mbajnë nën kontroll ndjenjat shpesh bëhen të hidhur e mbushen me mllef. Si pasojë, të tjerët mund të mos duan të rrinë me ta. Një njeri i mbushur me hidhësi mund të ndikojë keq në kongregacion. Mbase përpiqet ta maskojë mllefin a madje edhe urrejtjen që ndien, por mendimet negative të strukura në zemrën e tij ‘do të zbulohen në kongregacion’. (Prov. 26:24-26) Pleqtë mund ta ndihmojnë këtë person të kuptojë se mllefi, urrejtja dhe mbajtja e mërisë janë tipare për të cilat nuk ka vend në organizatën e Perëndisë. Vetë Libri i çmuar i Jehovait flet shumë qartë për këtë. (Lev. 19:17, 18; Rom. 3:11-18) A je dakord me të?

MOS HARRO NGA NA VJEN DREJTIMI

7, 8. (a) Si e drejton Jehovai pjesën tokësore të organizatës së tij? (b) Cilat janë disa udhëzime që gjejmë në Fjalën e Perëndisë, dhe pse duhet t’u bindemi?

7 Jehovai i drejton dhe i ushqen anëtarët e pjesës tokësore të organizatës së tij me anë të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’ nën udhëheqjen e Krishtit, ‘kreut të kongregacionit’. (Mat. 24:45-47; Efes. 5:23) Ashtu si trupi udhëheqës i shekullit të parë, ky skllav e pranon fjalën, ose mesazhin e frymëzuar të Perëndisë, dhe e çmon thellësisht. (Lexo 1 Selanikasve 2:13.) Cilat janë disa udhëzime ose mësime që jep Bibla për të mirën tonë?

8 Bibla na udhëzon t’i ndjekim mbledhjet rregullisht. (Hebr. 10:24, 25) Ajo na nxit të jemi të bashkuar për sa i përket mësimeve biblike. (1 Kor. 1:10) Fjala e Perëndisë na thotë ta kemi Mbretërinë në vend të parë në jetën tonë. (Mat. 6:33) Shkrimet e vënë theksin edhe te përgjegjësia dhe privilegji ynë për të predikuar shtëpi më shtëpi, në vende publike dhe në mënyrë joformale. (Mat. 28:19, 20; Vep. 5:42; 17:17; 20:20) Libri i Perëndisë i udhëzon pleqtë e krishterë ta mbajnë të pastër organizatën e tij. (1 Kor. 5:1-5, 13; 1 Tim. 5:19-21) Veç kësaj, Jehovai urdhëron që të gjithë në organizatën e tij duhet të jenë të pastër fizikisht dhe frymësisht.​—2 Kor. 7:1.

9. Cili është i vetmi kanal që po përdoret sot për të na ndihmuar të kuptojmë Fjalën e Perëndisë?

9 Disa mbase mendojnë se mund ta interpretojnë vetë Biblën. Mirëpo, Jezui ka caktuar ‘skllavin e besueshëm’ si të vetmin kanal për të dhënë ushqim frymor. Që nga 1919-a, Jezu Krishti i lartësuar në qiell ka përdorur këtë skllav për t’i ndihmuar dishepujt e tij të kuptojnë Librin e Perëndisë dhe t’ua vënë veshin udhëzimeve që jep. Kur u bindemi mësimeve të Biblës, nxitim pastërtinë, paqen dhe unitetin në kongregacion. Secili prej nesh bën mirë të pyesë veten: «A jam besnik ndaj kanalit që po përdor Jezui sot?»

KARROCA E JEHOVAIT ËSHTË NË LËVIZJE!

10. Si përshkruhet në librin e Ezekielit pjesa qiellore e organizatës së Jehovait?

10 Fjala e shkruar e Jehovait na ndihmon të njohim pjesën qiellore të organizatës së tij. Për shembull, profeti Ezekiel pa në një vegim pjesën qiellore të organizatës së Perëndisë që paraqitej nga një karrocë qiellore. (Ezek. 1:4-28) Këtë karrocë e drejton Jehovai dhe ajo shkon ku e shtyn fryma. Nga ana tjetër, pjesa qiellore e organizatës së tij ndikon në pjesën tokësore. Pa dyshim, karroca ka qenë gjithmonë në lëvizje. Mendo për ndryshimet e shumta organizative që janë bërë dekadën e fundit, e mos harro se burimi i këtyre zhvillimeve është Jehovai. Pas pak Krishti dhe engjëjt e shenjtë do të shkatërrojnë këtë botë të ligë, dhe karroca e Jehovait po lëviz me shpejtësi drejt shfajësimit të sovranitetit të tij dhe shenjtërimit të emrit të tij të shenjtë.

Sa mirënjohës jemi për vullnetarët e shumtë të ndërtimit që punojnë pa u lodhur në projekte të ndryshme! (Shih paragrafin 11.)

11, 12. Cilat janë disa arritje të organizatës së Jehovait?

11 Medito për atë që ka arritur pjesa tokësore e organizatës së Perëndisë në këto ditë të fundit. Ndërtimi. Qindra veta kanë punuar shumë për të ndërtuar selinë e re botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Uoruik, Nju-Jork, SHBA. Nën drejtimin e Repartit Botëror të Projektim-Ndërtimit, mijëra vullnetarë në mbarë botën po punojnë fort për të ndërtuar Salla të reja Mbretërie dhe për të zgjeruar ndërtesa degësh. Sa mirënjohës jemi për vullnetarët e shumtë që me gatishmëri punojnë pa u lodhur në këto projekte! Të mos harrojmë se Jehovai po bekon lajmëtarët e Mbretërisë kudo në botë që me përulësi dhe besnikëri kontribuojnë me gjithë sa kanë mundësi për të financuar projekte të tilla.​—Luka 21:1-4.

12 Arsimimi. Mendo për shkollat e ndryshme me anë të të cilave Jehovai na arsimon. (Isa. 2:2, 3) Kemi Shkollën e Shërbimit për Pionierë, Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë, Shkollën e Galaadit, Shkollën për të Sapoardhurit në Bethel, Shkollën për Mbikëqyrësit Qarkorë dhe Gratë e tyre, Shkollën për Pleqtë e Kongregacionit, Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë dhe Shkollën për Anëtarët e Komiteteve të Degëve dhe Gratë e tyre. Sa shumë i pëlqen Jehovait ta arsimojë popullin e tij! Arsimimi biblik na sigurohet edhe nëpërmjet sitit tonë jw.org, ku gjejmë literaturë në qindra gjuhë. Siti ka pjesë të veçanta për fëmijët e për familjet, si edhe një pjesë me lajme. A e ke përdorur sitin jw.org në shërbim dhe në adhurimin familjar?

TREGO BESNIKËRI NDAJ JEHOVAIT DHE MBËSHTET ORGANIZATËN E TIJ

13. Ç’përgjegjësi kemi si adhurues besnikë të Jehovait?

13 Sa privilegj i madh është të jemi pjesë e organizatës së Jehovait! Por, bashkë me njohurinë për kërkesat dhe për normat e Perëndisë vjen edhe përgjegjësia që të bëjmë çfarë është e drejtë dhe të mbështetim sovranitetin e tij. Ndërsa kjo botë zhytet gjithnjë e më shumë në shfrenim, duhet ‘ta urrejmë të keqen’, ashtu siç e urren Jehovai. (Psal. 97:10) Nuk pranojmë të bashkohemi me të paperëndishmit dhe të themi: «E mira është e keqe dhe e keqja është e mirë.» (Isa. 5:20) Ngaqë duam t’i pëlqejmë Perëndisë, përpiqemi fort të qëndrojmë të pastër fizikisht, moralisht dhe frymësisht. (1 Kor. 6:9-11) E duam Jehovain dhe kemi besim tek ai; zgjedhim ta tregojmë besnikërinë tonë ndaj tij duke jetuar në përputhje me normat që jepen qartë në Librin e tij të çmuar. Bëjmë çmos të zbatojmë këto norma në shtëpi, në kongregacion, në punë, në shkollë, pra kudo. (Prov. 15:3) Le të shohim disa mënyra të tjera si mund ta tregojmë besnikërinë tonë ndaj Perëndisë.

14. Si mund të tregojnë besnikëri ndaj Perëndisë prindërit e krishterë?

14 Rritja e fëmijëve. Prindërit e krishterë shfaqin besnikëri ndaj Jehovait duke i stërvitur fëmijët sipas Fjalës së tij. Prindërit që duan t’i pëlqejnë Perëndisë nuk ndikohen në mënyrë të papërshtatshme nga kultura e vendit të tyre për rritjen e fëmijëve. Fryma e botës nuk tolerohet në një shtëpi të krishterë. (Efes. 2:2) Një baba i pagëzuar nuk do të mendojë: «Epo, në vendin tonë me mësimin e fëmijëve merren gratë.» Bibla shprehet qartë për këtë temë kur thotë: «Etër . . . vazhdoni t’i rritni [fëmijët] në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait», pra në mësimin a drejtimin e Tij. (Efes. 6:4) Prindërit me frikë Perëndie dëshirojnë që fëmijët e tyre të jenë si Samueli, pasi Jehovai ishte me të ndërsa rritej.​—1 Sam. 3:19.

15. Si e tregojmë besnikërinë ndaj Jehovait kur marrim vendime të rëndësishme?

15 Marrja e vendimeve. Një mënyrë si tregojmë besnikëri ndaj Perëndisë kur marrim vendime të rëndësishme në jetë është duke kërkuar ndihmë nga Bibla dhe nga organizata e tij. Për ta ilustruar sa e rëndësishme është të veprojmë kështu, të mendojmë për një temë delikate që ndikon te shumë prindër. Disa emigrantë e kanë zakon t’ua dërgojnë të afërmve foshnjat e sapolindura që të kujdesen për to, e kështu prindërit mund të vazhdojnë të punojnë e të bëjnë pará në vendin e ri. Vërtet, ky është një vendim personal, por të mos harrojmë se Perëndia na quan përgjegjës për vendimet që marrim. (Lexo Romakëve 14:12.) A është e mençur të marrim vendime të rëndësishme për familjen dhe për punën pa u këshilluar më parë me Biblën? Absolutisht jo! Kemi nevojë për ndihmën e Atit tonë qiellor, sepse nuk jemi të aftë të drejtojmë hapat tanë.​—Jer. 10:23.

16. Për çfarë duhej të vendoste një nënë pasi i lindi djali, dhe çfarë e ndihmoi të bënte zgjedhjen e duhur?

16 Një grua që lindi një djalë ndërsa jetonte jashtë shtetit, do ta dërgonte foshnjën në vendlindjen e saj që ta rritnin gjyshërit. Në atë kohë, një Dëshmitare e Jehovait nisi të studionte Biblën me të. Gruaja bëri goxha përparim dhe kuptoi se Perëndia ia kishte caktuar asaj detyrën për ta rritur fëmijën e për ta mësuar të adhuronte Jehovain. (Psal. 127:3; Prov. 22:6) Ajo ia zbrazi zemrën Jehovait, tamam siç na udhëzojnë Shkrimet. (Psal. 62:7, 8) Gjithashtu, ia hapi zemrën mësueses së saj të Biblës dhe foli me të tjerë në kongregacion. Me gjithë presionin nga të afërmit dhe miqtë për ta dërguar djalin te gjyshërit, ajo nxori përfundimin se nuk ishte e drejtë ta bënte këtë. Të shoqit i bëri kaq shumë përshtypje mënyra si u bë kongregacioni strehë për gruan dhe fëmijën e tij sa pranoi një studim biblik dhe nisi të ndiqte mbledhjet bashkë me gruan e djalin. Si mendon, a e kuptoi kjo grua se Jehovai iu përgjigj lutjes së saj me gjithë zemër? Patjetër që po.

17. Cilin drejtim kemi marrë lidhur me studentët e Biblës?

17 Ndjekja e drejtimit. Një mënyrë e rëndësishme si tregojmë besnikëri ndaj Perëndisë është duke ndjekur drejtimin që marrim nga organizata e tij. Për shembull, të mendojmë për sugjerimet që kemi marrë lidhur me studentët tanë të Biblës. Jemi udhëzuar që pak pasi të kemi filluar një studim biblik me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? të lëmë pak minuta pas çdo studimi për t’ia drejtuar vëmendjen studentit tek organizata. Për këtë mund të përdorim videon Çfarë ndodh në një Sallë Mbretërie? dhe broshurën Cilët po bëjnë vullnetin e Jehovait sot? Është sugjeruar që, kur mbarojmë librin Çfarë mëson vërtet Bibla? me një student që ka përparuar, të studiojmë me të librin Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’, edhe nëse tashmë studenti është pagëzuar. Organizata na e ka dhënë këtë drejtim që dishepujt e rinj të bëhen «të qëndrueshëm në besim». (Kolos. 2:7) A po i zbaton këto sugjerime nga organizata e Jehovait?

18, 19. Cilat janë disa arsye pse duhet t’i jemi mirënjohës Jehovait?

18 Kemi shumë arsye për t’i qenë mirënjohës Jehovait. I detyrojmë vetë jetën tonë, sepse pa Perëndinë as nuk do të lëviznim a ekzistonim. (Vep. 17:27, 28) Na ka dhënë një dhuratë tepër të çmuar​—librin e tij, Biblën. E pranojmë me mirënjohje atë si mesazhin e Perëndisë, ashtu siç e dëgjuan dhe e pranuan fjalën e Perëndisë të krishterët në Selanik.​—1 Sel. 2:13.

19 Me Fjalën e shkruar të Perëndisë në dispozicion, i jemi afruar Jehovait dhe ai na është afruar. (Jak. 4:8) Ati ynë qiellor na ka dhënë privilegjin e pashoq për të qenë pjesë e organizatës së tij. Sa i vlerësojmë këto bekime! Psalmisti u shpreh bukur kur këndoi: «Falënderoni Jehovain, sepse është i mirë, sepse dashamirësia e tij zgjat përjetë.» (Psal. 136:1) Në Psalmin 136 e gjejmë 26 herë refrenin «dashamirësia e tij zgjat përjetë». Duke treguar besnikëri ndaj Jehovait dhe organizatës së tij, do të përjetojmë sa të vërteta janë këto fjalë inkurajuese, sepse do të jetojmë përgjithmonë.