Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

U thirrën nga errësira në dritë

U thirrën nga errësira në dritë

«[Jehovai] ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme.»​—1 PJET. 2:9.

KËNGËT: 116, 102

1. Përshkruani ngjarjet që ndodhën kur u shkatërrua Jerusalemi.

NË VITIN 607 p.e.s., një ushtri tejet e madhe babilonase nën komandën e mbretit Nabukodonosor II pushtoi qytetin e Jerusalemit. Bibla e përshkruan kështu masakrën që pasoi: «[Nabukodonosori] vrau me shpatë të rinjtë në shtëpinë e shenjtërores së tyre dhe nuk iu dhimbs as i riu, as virgjëresha, as i moshuari, as i ligështuari. . . . Ai dogji shtëpinë e Perëndisë së vërtetë, rrëzoi murin e Jerusalemit. Tërë kullat e tij të banimit dhe tërë sendet e tij të dëshirueshme u dogjën me zjarr, derisa u rrënua gjithçka.»​—2 Kron. 36:17, 19.

2. Çfarë paralajmërimi dha Jehovai për shkatërrimin që e priste Jerusalemin, dhe çfarë do t’u ndodhte judenjve?

2 Shkatërrimi i Jerusalemit s’kishte pse t’i habiste banorët e tij. Për vite me radhë, profetët e Perëndisë i kishin paralajmëruar judenjtë që nëse vazhdonin ta shpërfillnin Ligjin e Tij, Ai do t’i dorëzonte në duart e babilonasve. Shumë judenj do të vdisnin nga tehu i shpatës; kush i shpëtonte vdekjes kishte shumë mundësi ta kalonte gjithë jetën në mërgim në Babiloni. (Jer. 15:2) Si ishte jeta për të mërguarit atje? A ka ndonjë paralele të robërisë babilonase në kohët e krishterimit? Nëse po, kur?

JETA NË MËRGIM

3. Si ndryshonte mërgimi në Babiloni nga skllavëria që kishin përjetuar izraelitët në Egjipt?

3 Ajo që kishin parathënë profetët, ndodhi. Me anë të Jeremisë, Jehovai i këshilloi mërgimtarët e ardhshëm të pranonin situatën e tyre të re e të jetonin sa më mirë të mundeshin në ato rrethana. Ai tha: «Ndërtoni shtëpi [në Babiloni] e banoni në to dhe mbillni kopshte e hani frytin e tyre. Gjithashtu kërkoni paqen e qytetit ku ju kam çuar në mërgim dhe lutjuni Jehovait për të, pasi po të ketë paqe në të, do të keni paqe edhe ju.» (Jer. 29:5, 7) Ata që iu nënshtruan vullnetit të Perëndisë bënë një jetë relativisht normale në Babiloni. Pushtuesit i lejonin t’i administronin deri në njëfarë mase çështjet e tyre. Madje të mërguarit ishin të lirë të lëviznin brenda shtetit. Babilonia ishte një qendër tregtie në botën e lashtë dhe dokumentet e zbuluara tregojnë se atje shumë judenj mësuan artin e shitblerjes, kurse të tjerë u bënë artizanë të zotë. Madje disa judenj u bënë të pasur. Mërgimi në Babiloni as krahasohej me skllavërinë që kishin përjetuar izraelitët shekuj më parë në Egjipt.​—Lexo Daljen 2:23-25.

4. Përveç izraelitëve rebelë, cilët vuajtën robërinë në Babiloni? Cilat kufizime i pengonin ta adhuronin Perëndinë në mënyrë të pranueshme?

4 Nevojat materiale të judenjve të mërguar po plotësoheshin, por ç’të themi për nevojat e tyre frymore? Tempulli i Jehovait me altarin e tij ishte shkatërruar dhe priftëria nuk funksiononte më në mënyrë të organizuar. Mes të mërguarve kishte edhe shërbëtorë besnikë të Perëndisë që edhe pse nuk kishin bërë asgjë që meritonte ndëshkim, iu desh të vuanin bashkë me pjesën tjetër të kombit. Prapëseprapë, ata bënë gjithë sa mundën për të zbatuar Ligjin e Perëndisë. Për shembull, në Babiloni, Danieli dhe tre shokë të tij​—Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja—​nuk pranuan të hanin ushqime që ishin të ndaluara për judenjtë. Po ashtu, e dimë se Danieli komunikonte rregullisht me Perëndinë nëpërmjet lutjes. (Dan. 1:8; 6:10) Gjithsesi, nën një qeverisje pagane ishte e pamundur që një jude me frikë Perëndie të bënte gjithçka që kërkonte Ligji.

5. Çfarë shprese i dha Jehovai popullit të tij, dhe pse ishte i jashtëzakonshëm ky premtim?

5 A do të kishin ndonjëherë mundësi izraelitët ta adhuronin prapë Perëndinë në mënyrë plotësisht të pranueshme? Në atë kohë, kjo dukej gati e pamundur, sepse babilonasit nuk i lironin kurrë robërit. Mirëpo, kjo politikë nuk merrte parasysh Perëndinë Jehova. Ai kishte premtuar që populli i tij do të lirohej, dhe kështu ndodhi. Premtimet e Perëndisë nuk mbeten kurrë pa u plotësuar.​—Isa. 55:11.

A KA NJË PARALELE NË DITËT TONA?

6, 7. Pse është e përshtatshme ta qartësojmë kuptueshmërinë për robërinë babilonase në ditët tona?

6 A kanë përjetuar ndonjëherë të krishterët diçka të ngjashme me robërinë babilonase? Për vite me radhë, kjo revistë ka thënë se shërbëtorët e Perëndisë në ditët tona ranë në robërinë babilonase më 1918 dhe se u liruan nga ajo më 1919. Megjithatë, për arsye që do t’i tregojmë në këtë artikull dhe në atë vijues, ishte e nevojshme të rishqyrtohej kjo temë.

7 Mendo pak: Babilonia e Madhe është perandoria botërore e fesë së rreme. Pra, që populli i Perëndisë të ishte nën robërinë e Babilonisë më 1918, do të duhej që të ishte në ndonjë mënyrë skllav i fesë së rreme në atë kohë. Por, faktet tregojnë se gjatë dhjetëvjeçarëve para Luftës I Botërore, shërbëtorët e mirosur të Perëndisë në të vërtetë po çliroheshin nga Babilonia e Madhe, nuk po bëheshin skllevër të saj. Ndonëse është e vërtetë që të mirosurit u përndoqën gjatë luftës së parë botërore, sprova që kaluan vinte kryesisht nga autoritetet qeveritare, jo nga Babilonia e Madhe. Pra, siç shihet, populli i Jehovait nuk ra nën robërinë e Babilonisë së Madhe më 1918.

ROBËRIA BABILONASE​—KUR?

8. Shpjegoni si u ndot dalëngadalë krishterimi i vërtetë. (Shih figurën hapëse.)

8 Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., mijëra judenj dhe prozelitë u mirosën me frymë të shenjtë. Këta të krishterë të rinj u bënë «racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë». (Lexo 1 Pjetrit 2:9, 10.) Apostujt vigjilonin mbi kongregacionet e popullit të Perëndisë për sa kohë ishin gjallë. Por, sidomos pas vdekjes së tyre, u ngritën njerëz që thoshin «gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt». (Vep. 20:30; 2 Sel. 2:6-8) Shumë nga këta burra kishin pozita me përgjegjësi në kongregacione pasi shërbenin si mbikëqyrës, e më vonë si «peshkopë». Pra, po formohej një klasë klerikësh, edhe pse Jezui u kishte thënë dishepujve të tij: «Ju të gjithë jeni vëllezër.» (Mat. 23:8) Burra të shquar, të magjepsur pas filozofive të Aristotelit dhe Platonit, futën ide të rreme fetare duke zëvendësuar kështu gradualisht mësimet e kulluara të Fjalës së Perëndisë.

9. Përshkruani se si krishterimi apostat mori mbështetje nga shteti romak dhe çfarë solli si pasojë kjo.

9 Më 313 të e.s., perandori pagan romak, Kostandini, e njohu ligjërisht këtë formë apostate të krishterimit. Që nga ajo kohë, Kisha dhe shteti nisën të punonin krah për krah. Për shembull, pas Këshillit të Nicesë, Kostandini, që ishte i pranishëm në këshill, dënoi me internim Ariusin, një prift disident, ngaqë nuk pajtohej me idenë se Jezui është Perëndia. Më vonë, nën sundimin e perandorit Teodosi I (379-395 të e.s.), Kisha Katolike, siç u quajt kjo formë e ndotur e krishterimit, u bë feja zyrtare e Perandorisë Romake. Sipas historianëve Roma pagane u bë «e krishterë» në shekullin e katërt. Por ç’është e vërteta, tashmë një formë apostate e krishterimit ishte bashkuar me organizatat fetare pagane të Perandorisë Romake si pjesë e Babilonisë së Madhe. Prapëseprapë, një pakicë të krishterësh të mirosur që krahasohen me grurin po bënin çmos për të adhuruar Perëndinë, por zëri i tyre po mbytej nga zëra të tjerë. (Lexo Mateun 13:24, 25, 37-39.) Ishin vërtet nën robërinë babilonase.

10. Mbi ç’bazë mund t’i vinin në pikëpyetje njerëzit e sinqertë mësimet e kishës gjatë shekujve të parë të erës sonë?

10 Megjithatë, në shekujt e parë të erës sonë, shumë veta mund ta lexonin Biblën në greqisht ose në latinisht. Prandaj, ishin në gjendje të krahasonin mësimet e Fjalës së Perëndisë me dogmat e kishës. Në bazë të asaj që lexonin në Bibël, disa prej tyre i hodhën poshtë kredot jobiblike të kishës. Ama, t’i shprehje hapur këto pikëpamje ishte e rrezikshme, madje fatale.

11. Si u vu Bibla nën kontrollin e klerit?

11 Me kohë, gjuhët në të cilat ishte shkruar Bibla nuk përdoreshin më nga masat e gjera, dhe kisha iu kundërvu përpjekjeve për ta përkthyer Fjalën e Perëndisë në gjuhët e njerëzve të thjeshtë. Si pasojë, vetëm kleri dhe disa njerëz të arsimuar kishin mundësi ta lexonin Biblën, edhe pse jo të gjithë klerikët mund të lexonin e të shkruanin mirë. Çdo njeri që kundërshtonte atë që mësonte kisha ndëshkohej rëndë. Shërbëtorët e mirosur besnikë të Perëndisë duhej të mblidheshin në grupe të vogla që s’binin në sy ose edhe nuk mblidheshin dot fare. Siç ndodhi gjatë mërgimit të mëparshëm në Babiloni, ‘priftëria mbretërore’ e të mirosurve s’mund të funksiononte në mënyrë të organizuar. Babilonia e Madhe i mbante njerëzit nën darën e saj.

SHNDRITIN RREZET E PARA

12, 13. Cilët ishin dy faktorët që ndihmuan të lirohej paksa dara e pushtetit që ushtronte Babilonia e Madhe mbi njerëzit? Shpjegoni.

12 A do të ishin ndonjëherë të lirë të krishterët e vërtetë për ta adhuruar Perëndinë hapur dhe në mënyrë të pranueshme? Po! Rrezet e dritës frymore nisën të depërtonin mes errësirës falë dy faktorëve të rëndësishëm. I pari ishte shpikja e shtypshkronjës me germa të lëvizshme në mes të shekullit të 15-të. Para se shtypja të futej në botën perëndimore, Biblën e kopjonin me dorë dhe kjo kërkonte shumë përpjekje. Kopjet e Biblës ishin të rralla dhe kushtonin goxha. Thuhet se një kopisti të aftë i duheshin dhjetë muaj për të shkruar me dorë vetëm një kopje të Biblës. Veç kësaj, materialet mbi të cilat shkruanin (velini ose pergamena) ishin të shtrenjta. Kurse me shtypshkronjë dhe letër, që ishte alternativë më praktike, një punëtor i zotë mund të shtypte 1.300 faqe në ditë.

Falë shpikjeve në tipografi dhe përkthyesve të guximshëm të Biblës u lirua dara e Babilonisë (Shih paragrafët 12, 13.)

13 Faktori i dytë i rëndësishëm ishte vendimi që morën disa burra të guximshëm në agimin e shekullit të 16-të për ta përkthyer Fjalën e Perëndisë në gjuhët që flisnin njerëzit e thjeshtë. Shumë përkthyes i hynë kësaj pune duke vënë jetën e tyre në rrezik. Kisha u alarmua. Një Bibël në dorë të një burri a gruaje me frikë Perëndie mund të ishte armë e rrezikshme, ose të paktën kësaj i trembeshin krerët e kishës. E dora-dorës që Bibla vihej në dispozicion, njerëzit e lexonin. Ndërsa lexonin, u lindnin pyetje të tilla si: ku përmendet në Fjalën e Perëndisë purgatori? Po pagesa e meshës për të vdekurit? Po papët dhe kardinalët? Nga pikëpamja e kishës, ky ishte sakrilegj i rëndë. Si guxonin turmat të vinin në dyshim krerët e kishës?! Kisha u kundërpërgjigj. Dënoi burra e gra për herezi ngaqë i hodhën poshtë mësimet e saj, disa prej të cilave bazoheshin në filozofitë pagane të Aristotelit dhe Platonit që jetuan para se të lindte Jezu Krishti. Kisha jepte dënimin me vdekje; shteti e ekzekutonte. Synimi ishte t’i shkurajonin njerëzit që të mos e lexonin Biblën e të mos vinin në pikëpyetje kishën. Në shumicën e rasteve kjo strategji funksionoi. Prapëseprapë, disa njerëz sypatrembur nuk lejuan që Babilonia e Madhe t’i frikësonte. Tani kishin shijuar një pjesë të Fjalës së Perëndisë dhe donin më shumë. Po piqeshin kushtet për t’u çliruar nga feja e rreme.

14. (a) Cilat kushte ndihmuan që të kuptohej më mirë e vërteta e Biblës nga fundi i viteve 1800? (b) Përshkruani si e kërkoi të vërtetën vëlla Rasëlli.

14 Shumë veta të etur për të vërtetën e Biblës ikën në shtete të tjera ku ndikimi i kishës nuk ishte aq i përhapur. Dëshironin të lexonin, të studionin e të bisedonin me të tjerë pa i diktuar kush si të mendonin. Pikërisht në një vend të tillë, në Shtetet e Bashkuara, Çarls Tejz Rasëlli dhe disa shokë të tij nisën ta studionin sistematikisht Biblën nga fundi i viteve 1800. Në fillim, synimi i vëlla Rasëllit ishte të përcaktonte cila nga fetë kryesore po mësonte të vërtetën. I kishte krahasuar me kujdes mësimet e shumë feve, edhe të atyre jo të krishtere, me atë që thotë Bibla. Shpejt e kuptoi se as edhe një nga ato fe nuk i përmbahej plotësisht Fjalës së Perëndisë. Në një rast, u takua me disa klerikë vendës me shpresën se ata burra do të pranonin të vërtetat që kishin zbuluar nga Bibla Rasëlli dhe shokët e tij dhe se do t’ua mësonin pjesëtarëve të kongregacioneve të tyre. Por klerikët ishin indiferentë. Studentëve të Biblës u duhej të pranonin faktet: nuk mund të kishin asnjë lidhje me ata që ishin të vendosur të mos hiqnin dorë nga feja e rreme.​—Lexo 2 Korintasve 6:14.

15. (a) Kur u vunë të krishterët nën zgjedhën e Babilonisë së Madhe? (b) Cilat pyetje do të marrin përgjigje në artikullin tjetër?

15 Deri tani kemi parë se të krishterët e vërtetë ranë nën robërinë babilonase pak pasi vdiq apostulli i fundit. Gjithsesi, lindin disa pyetje: ç’prova të tjera kemi se në dekadat para 1914-s të mirosurit po çliroheshin vërtet nga Babilonia e Madhe dhe po shpëtonin nga skllavëria e saj? A është e vërtetë që Jehovai ishte i pakënaqur me shërbëtorët e tij ngaqë kishin ulur ritmin në veprën e predikimit gjatë Luftës I Botërore? A bënë kompromis me asnjanësinë e krishterë disa vëllezër gjatë asaj periudhe, duke i shkaktuar kështu pakënaqësi Jehovait? Dhe së fundi, nëse të krishterët ishin nën kthetrat e fesë së rreme nga shekulli i dytë i e.s. e më tej, kur u çliruan prej saj? Këto janë pyetje me vend që do të marrin përgjigje në artikullin tjetër.