Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një fjalë që të ngrohte zemrën

Një fjalë që të ngrohte zemrën

«GRUA.» Kështu u drejtohej ndonjëherë Jezui individëve të seksit tjetër. Për shembull, kur shëroi një invalide që kishte qenë krejt e kërrusur për 18 vjet, i tha: «Grua, je liruar nga sëmundja jote.» (Luka 13:10-13) Madje edhe kur foli me të ëmën, Jezui iu drejtua me këtë fjalë që përdorej dendur dhe që në kohët biblike konsiderohej si një mënyrë e sjellshme për t’iu drejtuar dikujt. (Gjoni 19:26; 20:13) Por kishte një fjalë tjetër akoma më të sjellshme.

Kur flet për disa gra, Bibla përdor një fjalë veçanërisht të përzemërt dhe të butë. Jezui e përdori kur foli me një grua që kishte vuajtur për 12 vjet nga një rrjedhje gjaku. Mënyra si iu afrua ajo Jezuit nuk ishte pikë për pikë sipas Ligjit të Perëndisë, që thoshte se një njeri në gjendjen e saj ishte i papastër. Mund të arsyetohej se, përderisa ishte në atë gjendje, ajo duhej të kishte qëndruar larg të tjerëve. (Lev. 15:19-27) Por ajo grua ishte në pikë të hallit. Në fakt, «kishte vuajtur së tepërmi nga shumë mjekë dhe kishte harxhuar gjithë pasurinë e saj, por nuk kishte parë asnjë dobi, përkundrazi, ishte bërë më keq.»​—Mar. 5:25, 26.

Gruaja çau përmes turmës pa u ndier, iu afrua Jezuit nga pas dhe i preku thekun e rrobës. Kur ja, rrjedhja e gjakut u ndal në çast! Ajo shpresonte të shpëtonte pa e vënë re kush, por Jezui pyeti: «Kush më preku?» (Luka 8:45-47) Atëherë, e trembur dhe duke u dridhur, gruaja ra përmbys para Jezuit dhe «i tregoi gjithë të vërtetën».​—Mar. 5:33.

Për ta qetësuar, Jezui i tha me përzemërsi: «Merr zemër, bijë.» (Mat. 9:22) Sipas studiuesve të Biblës, fjalët hebraike dhe greke që përkthehen «bijë» mund të përdoren si metaforë për të shprehur «përzemërsi e butësi». Pastaj, Jezui i dha akoma më shumë siguri me fjalët: «Besimi yt të shëroi. Shko në paqe dhe qofsh shëndoshë, sepse sëmundja jote e rëndë kaloi!»​—Mar. 5:34.

«Bijë.» Kështu e quajti izraeliti i pasur Boaz moabiten Ruthë. Edhe ajo kishte arsye të ndihej e pasigurt sepse po mblidhte kallinj elbi në arën e një të panjohuri. Boazi i tha: «Dëgjo, bija ime!» Pastaj e nxiti Ruthën të vazhdonte të mblidhte kallinj në arat e tij. Rutha ra përmbys para Boazit dhe e pyeti pse po i tregonte aq dashamirësi asaj që ishte e huaj. Boazi i ktheu këtë përgjigje që i dha akoma më shumë siguri: «Më kanë treguar gjerë e gjatë gjithçka që ke bërë për vjehrrën [vejushën Naomi] . . . Jehovai të shpërbleftë për këtë që bëre!»​—Rutha 2:8-12.

Çfarë shembujsh të shkëlqyer janë Jezui dhe Boazi për pleqtë e krishterë! Herë pas here mund të ndodhë që dy pleq të takohen me një grua të krishterë që ka nevojë për ndihmë dhe inkurajim nga Shkrimet. Pasi kërkojnë drejtimin e Jehovait në lutje dhe e dëgjojnë me vëmendje motrën, pleqtë mund të jenë në gjendje t’i japin siguri dhe ngushëllim nga Fjala e Perëndisë.​—Rom. 15:4.