Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të organizuar sipas Librit të Perëndisë

Të organizuar sipas Librit të Perëndisë

«Jehovai e themeloi tokën me mençuri. Me aftësi dalluese ai i nguliti fort qiejt.»​—PROV. 3:19.

KËNGËT: 105, 107

1, 2. (a) Si reagojnë disa ndaj mendimit se Perëndia ka një organizatë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

A KA Perëndia një organizatë? Disa mund të thonë: «Nuk ke nevojë për një organizatë që të të drejtojë. Mjafton të kesh një marrëdhënie personale me Perëndinë.» A qëndron kjo pikëpamje? Çfarë tregojnë faktet?

2 Në këtë artikull, do të shqyrtojmë prova që tregojnë se Jehovai, Perëndia i rregullit, është Organizuesi i pashoq. Gjithashtu, do të shohim si duhet të reagojmë ndaj drejtimit që marrim nga organizata e Jehovait. (1 Kor. 14:33, 40) Në shekullin e parë të e.s. dhe në ditët tona, Shkrimet e kanë ndihmuar pjesën tokësore të organizatës së Jehovait të kryejë veprën e predikimit të lajmit të mirë deri në skajet e tokës. Ngaqë i përmbahemi Biblës dhe ndjekim udhëzimet organizative, nxitim pastërtinë, paqen dhe unitetin në mbarë kongregacionin.

JEHOVAI, ORGANIZUESI I PASHOQ

3. Çfarë të bind ty se Jehovai është Organizuesi i pashoq?

3 Krijimi vërteton se Perëndia është Organizuesi i pashoq. Bibla thotë: «Jehovai e themeloi tokën me mençuri. Me aftësi dalluese ai i nguliti fort qiejt.» (Prov. 3:19) Ne njohim vetëm «thekët e udhëve të [Perëndisë]» dhe «dëgjojmë veç pëshpërimën e zërit të tij». (Jobi 26:14) E megjithatë, ajo pak që dimë për planetët, yjet dhe galaktikat na shtyn të pranojmë se këta trupa qiellorë janë të organizuar në mënyrë të shkëlqyer. (Psal. 8:3, 4) Galaktikat përbëhen nga miliona yje që lëvizin të gjitha me rregull në hapësirë. Imagjino, planetët në sistemin tonë diellor lëvizin në orbita përreth diellit sikur t’i bindeshin me përulësi ligjeve të trafikut! Patjetër, rregulli mbresëlënës që shihet qartë në univers na ndihmon të kuptojmë se Jehovai, ai ‘që bëri me kuptueshmëri qiejt’ dhe tokën, meriton lëvdimin, besnikërinë dhe adhurimin tonë.​—Psal. 136:1, 5-9.

4. Pse shkenca nuk u ka dhënë dot përgjigje shumë pyetjeve?

4 Shkenca ka bërë shumë zbulime për universin e tokën, shtëpinë tonë, dhe na ka sjellë dobi në aspekte të ndryshme të jetës. Ama, nuk u ka dhënë dot përgjigje shumë pyetjeve. Për shembull, astronomët nuk na e thonë dot saktësisht si erdhi në ekzistencë universi ose pse jemi në planetin Tokë ku gëlon jeta. Veç kësaj, njerëzit në përgjithësi nuk arrijnë ta shpjegojnë pse njeriu ka një dëshirë të zjarrtë të jetojë përgjithmonë. (Ekl. 3:11.) Pse ka kaq shumë pyetje të rëndësishme pa përgjigje? Pjesërisht ngaqë shumë shkencëtarë dhe të tjerë kanë prirjen të nxitin idenë se s’ka Zot dhe të përkrahin teorinë e evolucionit. Por në Librin e tij, Jehovai u përgjigjet pyetjeve që mundojnë zemrat e njerëzve kudo në botë.

5. Në cilat mënyra varemi nga ligjet e natyrës?

5 Ne varemi nga ligjet e pandryshueshme dhe të besueshme të natyrës që ka vendosur Jehovai. Elektricistët, hidraulikët, inxhinierët, pilotët e kirurgët varen që të gjithë nga këto ligje për të kryer punën e tyre. Për shembull, kirurgët veprojnë të sigurt falë faktit që anatomia e njeriut në thelb nuk ndryshon. Kështu, një kirurg nuk ka nevojë të kërkojë ku është zemra e pacientit. Veç kësaj, të gjithë ne respektojmë ligjet e natyrës. Po të përpiqemi të shpërfillim ligjin e gravitetit, mund të humbasim jetën.

TË ORGANIZUAR NGA PERËNDIA

6. Pse duhet të presim që adhuruesit e Jehovait të jenë të organizuar?

6 Jehovai e ka organizuar universin në një mënyrë vërtet të mrekullueshme. Ndaj, patjetër duhet të presim që Jehovai të dojë që adhuruesit e tij të jenë të organizuar mirë. Në fakt, Perëndia ka siguruar Biblën që të na udhëheqë. Po të jetonim pa ndihmën e organizatës së Perëndisë dhe të normave të tij do të ishim të mjerë e aspak të lumtur.

7. Ç’gjë tregon se Bibla është një libër i organizuar mirë?

7 Bibla nuk është thjesht një koleksion me literaturë të krishterë e judaike që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën. Përkundrazi, është një libër i organizuar mirë​—një kryevepër e frymëzuar nga Perëndia. Secili libër i Biblës lidhet me të tjerët. Nga Zanafilla deri te Zbulesa gërshetohet tema kryesore e Biblës​—shfajësimi i sovranitetit të Jehovait dhe plotësimi i qëllimit të tij për tokën me anë të Mbretërisë së tij nën qeverisjen e Krishtit, «farës» së premtuar.​—Lexo Zanafillën 3:15; Mateun 6:10; Zbulesën 11:15.

8. Pse mund të themi se izraelitët ishin të organizuar mirë?

8 Populli i Izraelit të lashtë ishte model lidhur me organizimin. Për shembull, nën Ligjin e Moisiut kishte ‘gra që shërbenin në mënyrë të organizuar në hyrje të tendës së takimit’. (Dal. 38:8) Lëvizja e kampit të Izraelit dhe e tabernakullit bëhej në mënyrë të rregullt. Më vonë, mbreti David i organizoi levitët dhe priftërinjtë në ndarje që funksiononin mirë. (1 Kron. 23:1-6; 24:1-3) Kur i bindeshin Jehovait, izraelitët bekoheshin me rregull, paqe dhe unitet.​—Ligj. 11:26, 27; 28:1-14.

9. Nga duket se kongregacioni i krishterë i shekullit të parë ishte i organizuar?

9 Kongregacioni i krishterë i shekullit të parë ishte i organizuar dhe nxirrte dobi nga drejtimi i trupit udhëheqës, që fillimisht përbëhej nga apostujt. (Vep. 6:1-6) Më vonë, këtij trupi udhëheqës iu shtuan edhe vëllezër të tjerë. (Vep. 15:6) Këshillat e udhëzimet siguroheshin edhe nëpërmjet letrave të frymëzuara që i shkruanin anëtarë të trupit udhëheqës të shekullit të parë ose burra që shoqëroheshin ngushtësisht me ta. (1 Tim. 3:1-13; Titit 1:5-9) Si nxirrte dobi kongregacioni kur ndiqte drejtimin e trupit udhëheqës?

10. Cili ishte rezultati kur kongregacionet e hershme zbatonin dekretet e vendosura nga trupi udhëheqës? (Shih figurën hapëse.)

10 Lexo Veprat 16:4, 5. Disa vëllezër vizitonin kongregacionet si përfaqësues të trupit udhëheqës dhe njoftonin «dekretet e vendosura nga apostujt dhe pleqtë në Jerusalem». Ndërsa zbatonin ato dekrete, kongregacionet «bëheshin të patundura në besim dhe rriteshin ditë për ditë». A gjejmë te ky tregim biblik ndonjë mësim që është e mençur ta zbatojmë brenda organizatës së Perëndisë sot?

A E NDJEK DREJTIMIN?

11. Si duhet t’i përgjigjen burrat e emëruar drejtimit që marrin nga organizata e Perëndisë?

11 Çfarë duhet të bëjnë anëtarët e Komiteteve të Degëve ose të Komiteteve të Vendeve, mbikëqyrësit qarkorë dhe pleqtë e kongregacionit kur marrin drejtim nga organizata e Perëndisë sot? Vetë Libri i Jehovait na udhëzon të gjithëve të jemi të bindur e të nënshtruar. (Ligj. 30:16; Hebr. 13:7, 17) Një frymë kritike dhe rebele nuk ka vend në organizatën e Perëndisë, sepse një qëndrim i tillë mund të prishë dashurinë, paqen dhe unitetin që karakterizon kongregacionet tona. Sigurisht, asnjë i krishterë besnik nuk do të donte të shfaqte një frymë pa respekt dhe jobesnike si ajo e Diotrefit. (Lexo 3 Gjonit 9, 10.) Bëjmë mirë të pyesim veten: «A ndihmoj që të tjerët të kenë marrëdhënie të fortë me Jehovain? A i pranoj dhe i mbështet menjëherë udhëzimet që japin vëllezërit që drejtojnë?»

12. Cili ndryshim është bërë në mënyrën si emërohen pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës?

12 Mendoni për një vendim që ka marrë Trupi Udhëheqës kohët e fundit. Artikulli «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 nëntorit 2014, tregonte një ndryshim në mënyrën si emërohen pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës. Artikulli shpjegonte se trupi udhëheqës i shekullit të parë autorizoi mbikëqyrësit udhëtues t’i bënin këto emërime. Në përputhje me këtë model, që nga 1 shtatori 2014, mbikëqyrësit qarkorë kanë emëruar pleq dhe shërbëtorë ndihmës. Mbikëqyrësi qarkor përpiqet t’i njohë vëllezërit e rekomanduar dhe të punojë me ta në shërbim po të jetë e mundur. Gjithashtu, ai vëzhgon familjen e vëllait që po shqyrtohet. (1 Tim. 3:4, 5) Trupi i pleqve dhe mbikëqyrësi qarkor i analizojnë me kujdes kualifikimet biblike për shërbëtorët ndihmës dhe pleqtë.​—1 Tim. 3:1-10, 12, 13; 1 Pjet. 5:1-3.

13. Si mund të tregojmë se e mbështetim drejtimin që marrim nga pleqtë?

13 Kemi nevojë të zbatojmë drejtimin e bazuar në Bibël që marrim nga pleqtë. Këta barinj besnikë në organizatën e Perëndisë udhëhiqen nga fjalët «e shëndosha» ose «të dobishme» që gjenden në Librin e Perëndisë. (1 Tim. 6:3; shën., NWT, botimi 2013) Të sjellim ndër mend këshillën që dha Pavli lidhur me të çrregulltit në kongregacion. Disa individë ‘nuk punonin fare e përziheshin në gjëra që nuk u takonin’. Siç duket, kishin marrë këshilla nga pleqtë, por vazhdonin t’i shpërfillnin. Si duhej të vepronte kongregacioni me një njeri të tillë? Pavli dha këtë drejtim: «Mbajeni të shënuar, mos u shoqëroni më me të.» Ai e ekuilibroi atë këshillë me paralajmërimin që të mos e trajtonin këtë njeri si armik. (2 Sel. 3:11-15) Sot, pleqtë mund të mbajnë një fjalim paralajmërues për dikë që këmbëngul në një sjellje që prish emrin e kongregacionit, për shembull duke u njohur me një jobesimtar. (1 Kor. 7:39) Si reagon ti kur pleqtë e shohin të domosdoshme të mbajnë një fjalim të tillë? Nëse je në dijeni të situatës që përshkruhet në fjalim, a do të bësh kujdes që të shmangësh shoqërimin me këtë person? Meraku i dashur dhe qëndrimi yt i patundur mund ta shtyjë të lërë sjelljen e çrregullt. [1]

TË RUAJMË PASTËRTINË, PAQEN DHE UNITETIN

14. Si mund t’i kontribuojmë pastërtisë së kongregacionit?

14 Mund t’i kontribuojmë pastërtisë frymore të kongregacionit duke ndjekur drejtimin që gjendet në Fjalën e Perëndisë. Mendoni për këtë situatë në Korintin e lashtë. Pavli predikoi pa u kursyer në atë qytet dhe i donte ‘të shenjtët’ e tjerë atje. (1 Kor. 1:1, 2) Por, sa të vështirë duhet ta ketë pasur kur iu desh të merrej me çështjen e imoralitetit seksual që tolerohej në atë kongregacion! Pavli i udhëzoi pleqtë që t’ia dorëzonin Satanait atë burrë imoral​—me fjalë të tjera, ta përjashtonin. Që të ruanin pastërtinë e kongregacionit, pleqtë duhej të hiqnin «majanë». (1 Kor. 5:1, 5-7, 12) Kur përkrahim vendimin e pleqve për të përjashtuar një keqbërës të papenduar, ndihmojmë që të ruhet pastërtia e kongregacionit dhe ndoshta e nxitim personin të pendohet e t’i kërkojë falje Jehovait.

15. Si mund të ruajmë paqen në kongregacion?

15 Në Korint duhej zgjidhur edhe një problem tjetër. Disa vëllezër po hidhnin në gjyq bashkëbesimtarët e tyre. Pavli u bëri këtë pyetje që të vë në mendime: «Përse nuk lejoni më mirë që t’ju bëhet një padrejtësi?» (1 Kor. 6:1-8) Situata të ngjashme kanë lindur edhe sot. Ndonjëherë, paqja mes vëllezërve në besim është prishur ngaqë falimentimi i një sipërmarrjeje tregtare ka çuar në humbje parash e ndoshta në akuza për mashtrim. Madje disa i kanë hedhur në gjyq vëllezërit e tyre, por Libri i Perëndisë na ndihmon të kuptojmë se është më mirë të pësojmë humbje sesa të hedhim baltë mbi emrin e Perëndisë a të prishim paqen e kongregacionit. [2] Për të zgjidhur probleme ose mosmarrëveshje serioze, duhet të zbatojmë patjetër këshillën e Jezuit. (Lexo Mateun 5:23, 24; 18:15-17.) Kur veprojmë kështu, nxitim unitetin në familjen e adhuruesve të Jehovait.

16. Pse duhet të presim që populli i Perëndisë të jetë në unitet?

16 Vetë Libri i Jehovait tregon pse duhet të presim që populli i tij të jetë në unitet. Psalmisti këndoi: «Ja, sa mirë dhe sa bukur është që vëllezërit të banojnë së bashku në unitet!» (Psal. 133:1) Kur i bindeshin Jehovait, izraelitët ishin të organizuar dhe në unitet. Duke parathënë gjendjen e popullit të tij në të ardhmen, Perëndia pohoi: «Do t’i mbledh në unitet, si një kope në vathë.» (Mik. 2:12) Gjithashtu, me anë të profetit Sofonia, Jehovai paratha: «Do t’ua ndryshoj popujve gjuhën në një gjuhë të kulluar [të së vërtetës biblike], që të gjithë të thërrasin emrin e Jehovait e t’i shërbejnë atij sup më sup [ta adhurojnë në unitet, shën., NWT, botimi 2013].» (Sof. 3:9) Sa mirënjohës jemi që kemi privilegjin ta adhurojmë Jehovain në unitet!

Pleqtë përpiqen t’i japin ndihmë frymore dikujt që ka hedhur një hap të gabuar (Shih paragrafin 17.)

17. Si duhet t’i trajtojnë pleqtë rastet e keqbërjeve, që të ruajnë unitetin dhe pastërtinë në kongregacion?

17 Që të ruhet uniteti dhe pastërtia në një kongregacion, pleqtë duhet të kujdesen për çështjet gjyqësore menjëherë dhe me dashuri. Pavli e dinte se dashuria e Perëndisë nuk udhëhiqet nga sentimentalizmi dhe se Ai nuk i mbyll sytë para keqbërjeve. (Prov. 15:3) Ja pse Pavli nuk ngurroi të shkruante Letrën e Parë drejtuar Korintasve, një letër e fortë, e megjithatë e dashur. Letra e Dytë drejtuar Korintasve, që u shkrua disa muaj më vonë, tregon se gjërat ishin përmirësuar ngaqë pleqtë kishin ndjekur drejtimin e apostullit. Nëse një i krishterë hedh një hap të gabuar para se të jetë i vetëdijshëm për të, burrat e kualifikuar duhet të përpiqen ta ndreqin me një frymë butësie.​—Gal. 6:1.

18. (a) Në cilat mënyra i ndihmuan këshillat e Fjalës së Perëndisë kongregacionet e shekullit të parë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

18 Është e qartë se këshillat e frymëzuara në Librin e Perëndisë i ndihmuan të krishterët e shekullit të parë në Korint dhe kudo tjetër që të ruanin pastërtinë, paqen dhe unitetin në kongregacionet e tyre. (1 Kor. 1:10; Efes. 4:11-13; 1 Pjet. 3:8) Si rezultat, vëllezërit dhe motrat e asaj kohe arritën të bënin shumë në shërbim. Në fakt, Pavli mund të thoshte me plot gojën se lajmi i mirë «iu predikua të gjitha krijesave nën qiell». (Kolos. 1:23) Sot, njohuria për qëllimet e mrekullueshme të Perëndisë po përhapet në mbarë tokën si rezultat i përpjekjeve të atyre që janë pjesë e një organizate të bashkuar që predikon. Në artikullin tjetër do të shohim edhe prova të tjera që tregojnë se ata e çmojnë thellësisht Biblën dhe se janë të vendosur të nderojnë Zotërinë Sovran Jehova.​—Psal. 71:15, 16.

^ [1] (paragrafi 13) Shih librin Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait, f. 134-136.

^ [2] (paragrafi 15) Për situatat ku një i krishterë mund të vendosë të ndërmarrë veprime ligjore kundër një të krishteri tjetër, shih ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’, f. 223, shën.