Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Hidhe poshtë mentalitetin e botës

Hidhe poshtë mentalitetin e botës

«Ruhuni që të mos ju bëjë ndokush prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe . . . të botës.»​—KOLOS. 2:8.

KËNGËT: 38, 31

1. Cilën këshillë u dha apostulli Pavël bashkëbesimtarëve? (Shih figurën hapëse.)

APOSTULLI Pavël e shkroi letrën drejtuar të krishterëve në Kolose në fund të burgimit të tij të parë në Romë, rreth viteve 60-61 të e.s. Ai u tha bashkëbesimtarëve sa e rëndësishme ishte të fitonin «kuptueshmëri frymore». (Kolos. 1:9) Pastaj Pavli shtoi: «Këtë po e them që askush të mos ju çoroditë me argumente mbushamendëse. Ruhuni që të mos ju bëjë ndokush prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve, sipas gjërave elementare të botës, e jo në përputhje me mësimet e Krishtit.» (Kolos. 2:4, 8) Më tej ai shpjegoi pse disa ide të përhapura ishin të gabuara dhe pse mentaliteti i botës mund të jetë tërheqës për njerëzit e papërsosur. Për shembull, mund të bëjë që dikujt t’i duket vetja i mençur dhe sikur qëndron më lart se të tjerët. Letra kishte për qëllim t’i ndihmonte vëllezërit të hidhnin poshtë mentalitetin e botës dhe praktikat e gabuara.​—Kolos. 2:16, 17, 23.

2. Pse do të shqyrtojmë disa shembuj të mentalitetit të botës?

2 Mentaliteti i botës shpërfill ose nënvlerëson udhëzimet e Jehovait, dhe ndikimi i tij mund të na e dobësojë dalëngadalë besimin. Të gjithë ne sot jemi të ekspozuar ndaj mentalitetit të botës. Ai reklamohet në televizor, në internet, në punë a në shkollë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë se çfarë të bëjmë për të mos e lejuar këtë mentalitet të na korruptojë mendjen. Do të shohim pesë shembuj të mentalitetit të botës dhe do të shqyrtojmë si mund t’i hedhim poshtë këto ide.

A KEMI NEVOJË TË BESOJMË TE PERËNDIA?

3. Cila ide është tërheqëse për shumë njerëz, dhe pse?

3 «Mund të jem njeri i mirë edhe pa besuar te Zoti.» Në shumë vende, ndodh rëndom të dëgjojmë njerëz që thonë se nuk besojnë te Zoti dhe e quajnë veten jofetarë. Mbase nuk e kanë shqyrtuar me kujdes çështjen e ekzistencës së Perëndisë, por i tërheq ideja që të jenë të lirë për të bërë siç u do qejfi. (Lexo Psalmin 10:4.) Disa të tjerëve mund t’u duket vetja inteligjentë kur thonë: «Unë mund të kem parime të larta edhe pa besuar te Zoti.»

4. Si mund të arsyetojmë me dikë që pohon se nuk ka Krijues?

4 A bazohet në arsyetime logjike pohimi se nuk ka Krijues? Kur dikush i drejtohet shkencës për të përcaktuar nëse jeta u krijua, fare kollaj mund të humbasë në një mjegull informacionesh. Por në të vërtetë përgjigjja është e thjeshtë. Nëse një ndërtesë ka nevojë ta ndërtojë dikush, sa më shumë ka nevojë për këtë një gjallesë! Në fakt, edhe qeliza më e thjeshtë në tokë është shumë më komplekse se çdo shtëpi, sepse mund të bëjë atë që s’e bën dot asnjë shtëpi​—të riprodhohet. Pra këto qeliza arrijnë të ruajnë e të kopjojnë informacionin që u duhet për t’u shumëfishuar. Nga erdhi projekti për qelizat e gjalla? Bibla përgjigjet: «Çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia.»​—Hebr. 3:4.

5. Ç’mund të themi për konceptin se njeriu mund të përcaktojë çfarë është e mirë edhe pa besuar te Zoti?

5 Si mund të arsyetojmë rreth konceptit se njeriu mund të përcaktojë çfarë është e mirë edhe pa besuar te Zoti? Fjala e Perëndisë e pranon se jobesimtarët mund të kenë disa parime të lavdërueshme. (Rom. 2:14, 15) Për shembull, mund t’i respektojnë e t’i duan prindërit. Por, sa të forta janë themelet e normave morale të dikujt që nuk dëshiron të pranojë se Ai që vendos standardet e së drejtës e të gabuarës është Krijuesi ynë i dashur? (Isa. 33:22) Shumë njerëz të arsyeshëm sot e pranojnë se kushtet e vajtueshme në tokë vërtetojnë se njeriu ka nevojë për ndihmën e Perëndisë. (Lexo Jereminë 10:23.) Prandaj nuk ka pse të tundohemi të mendojmë se njeriu mund të përcaktojë plotësisht se çfarë është e mirë pa besuar te Perëndia dhe pa iu përmbajtur normave të tij.​—Psal. 146:3.

A KEMI NEVOJË PËR FENË?

6. Çfarë pikëpamje kanë shumë njerëz për fenë?

6 «Mund të jesh i lumtur edhe pa ndjekur një fe.» Ky mentalitet i botës bën për vete shumë njerëz, sepse për ta feja është e mërzitshme dhe e pavlerë. Veç kësaj, shumë fe i largojnë njerëzit nga Perëndia ngaqë mësojnë për ferrin e zjarrtë, mbledhin të dhjetat ose predikojnë për politikë. S’habitemi që gjithnjë e më shumë veta mendojnë se mund të jenë të lumtur edhe pa ndjekur një fe. Ata mund të thonë: «Për mua ka rëndësi besimi te Zoti, ama nuk përzihem me fenë e organizuar.»

7. Si ndihmon feja e vërtetë që familjet të jenë të lumtura?

7 A mund të jemi vërtet të lumtur pa fenë? Patjetër që njeriu mund të jetë i lumtur pa fenë e rreme, por nuk mund të jetë vërtet i lumtur pa pasur një marrëdhënie me Jehovain, me atë që quhet ‘Perëndia i lumtur’. (1 Tim. 1:11) Gjithçka që bën Perëndia u sjell dobi të tjerëve. Shërbëtorët e tij janë të lumtur, sepse përqendrohen si të ndihmojnë të tjerët. (Vep. 20:35) Mendo, për shembull, si ndihmon adhurimi i vërtetë që familjet të jenë të lumtura. Adhurimi i vërtetë na mëson të nderojmë dhe të respektojmë bashkëshortin, ta konsiderojmë të shenjtë betimin martesor, të mos kryejmë kurorëshkelje, të rritim fëmijë të respektueshëm dhe të tregojmë vazhdimisht dashuri të vërtetë. Si rezultat, ky adhurim i bashkon njerëzit në kongregacione të lumtura dhe në një vëllazëri mbarëbotërore të lumtur.​—Lexo Isainë 65:13, 14.

8. Si mund ta përdorim Mateun 5:3 për të arsyetuar rreth pyetjes «çfarë i bën të lumtur njerëzit»?

8 Si mund të arsyetojmë rreth idesë së botës se njeriu mund të jetë i lumtur edhe pa i shërbyer Zotit? Mendo për këtë pyetje: çfarë i bën të lumtur njerëzit? Disave u sjell kënaqësi karriera, një sport ose një hobi. Të tjerë gjejnë kënaqësi kur kujdesen për familjen ose miqtë. Të gjitha këto gjëra mund të jenë burim gëzimi, mirëpo jeta jonë ka një qëllim më të lartë që sjell lumturi të përhershme. Ndryshe nga kafshët, ne mund ta njohim Krijuesin tonë e t’i shërbejmë me besnikëri. Jemi krijuar në mënyrë të atillë që të gjejmë lumturi nga kjo. (Lexo Mateun 5:3.) Për shembull, adhuruesit e vërtetë provojnë kënaqësi dhe marrin shumë zemër kur mblidhen së bashku për të adhuruar Jehovain. (Psal. 133:1) Gjithashtu kanë një vëllazëri të bashkuar, një jetë të shëndetshme dhe një shpresë të lumtur.

A KEMI NEVOJË PËR NORMA MORALE?

9. (a) Cila ide për seksin është e përhapur në këtë botë? (b) Pse e ndalon seksin jashtë martese Fjala e Perëndisë?

9 «Pse u dashka dënuar seksi jashtë martese?» Njerëzit mund të na thonë: «Jeta duhet shijuar. Pse u dashka dënuar seksi jashtë martese?» Sugjerimi se një shërbëtor i Perëndisë duhet ta tolerojë imoralitetin seksual është i gabuar. Pse? Sepse Fjala e Perëndisë e ndalon imoralitetin seksual. * (Lexo 1 Selanikasve 4:3-8.) Jehovai ka të drejtën të vendosë ligje për ne, sepse ai na krijoi. Ligji i Perëndisë që i lejon marrëdhëniet seksuale vetëm mes një burri e gruaje që janë të martuar me njëri-tjetrin, është një ndër karakteristikat që e dallojnë martesën nga marrëdhëniet e tjera. Perëndia na jep ligje sepse na do. Ato janë për të mirën tonë. Në familjet që u binden këtyre ligjeve ka dashuri, respekt dhe siguri. Perëndia nuk e toleron mosbindjen me dashje ndaj ligjit të tij.​—Hebr. 13:4.

10. Si mund të qëndrojë larg imoralitetit seksual një shërbëtor i Perëndisë?

10 Fjala e Perëndisë na mëson si të qëndrojmë larg imoralitetit seksual. Një mënyrë e rëndësishme është duke mbajtur nën kontroll se çfarë shohim. Jezui tha: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet. Nëse syri yt i djathtë po të bëhet pengesë, hiqe dhe flake tej.» (Mat. 5:28, 29) Prandaj, një shërbëtor i Perëndisë bën të pamundurën që të mos shohë pornografi e të mos dëgjojë muzikë me tekst imoral. Apostulli Pavël u shkroi bashkëbesimtarëve: «Bëni . . . të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj në tokë në lidhje me kurvërinë [imoralitetin seksual].» (Kolos. 3:5) Veç kësaj, duhet të mbajmë nën kontroll gjërat për të cilat mendojmë e flasim.​—Efes. 5:3-5.

A DUHET TË NDJEKIM NJË KARRIERË NË BOTË?

11. Pse mund të duket tërheqëse ideja për të rendur pas një karriere në botë?

11 «Të rendësh pas një karriere është çelësi drejt lumturisë.» Shumë njerëz na nxitin të ndjekim si synim në jetë një karrierë në botë. Një karrierë e tillë mund të premtojë pozitë, autoritet dhe pasuri. Meqë për shumë njerëz synimi kryesor në jetë është të rendin pas një karriere, një shërbëtor i Perëndisë mund të përvetësojë të njëjtin mentalitet.

12. A është suksesi në karrierë çelësi drejt lumturisë?

12 A është e vërtetë se suksesi në një karrierë që ofron pushtet e prestigj të sjell lumturi të përhershme? Jo. Mos harro se pikërisht etja për t’i pasur të tjerët nën kontroll dhe dëshira e fortë për admirim e joshën Satanain, por ai është i zemëruar, jo i lumtur. (Mat. 4:8, 9; Zbul. 12:12) Krahasuar me gëzimin e përhershëm që vjen kur ndihmojmë të tjerët të nxjerrin dobi nga mençuria e Perëndisë që të fitojnë jetën e përhershme, një karrierë në botë të sjell vetëm kënaqësi të kufizuar. Gjithashtu, fryma e kësaj bote është tmerrësisht konkurruese. Ajo i shtyn njerëzit të luftojnë kush e kush të dalë i pari, ngjall xhelozi dhe në fund del se ishte thjesht «rropatje pas erës».​—Ekl. 4:4.

13. (a) Si duhet ta shohim punën në botë? (b) Çfarë i jepte gëzim të thellë Pavlit, sipas letrës që u shkroi selanikasve?

13 Është e vërtetë se na duhet të sigurojmë jetesën dhe nuk ka asgjë të keqe të zgjedhim një punë që na pëlqen. Por puna në botë s’duhet të jetë gjëja kryesore në jetën tonë. Jezui tha: «Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve: ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të ngjitet pas njërit e do të përbuzë tjetrin. Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.» (Mat. 6:24) Kur mbi të gjitha përqendrohemi që t’i shërbejmë Jehovait dhe t’u mësojmë të tjerëve Fjalën e tij, provojmë një gëzim që s’ka të krahasuar. Një nga ata që e provuan këtë ishte apostulli Pavël. Më përpara ai kishte rendur pas një karriere premtuese në judaizëm, por gjeti lumturi të vërtetë kur u bë bërës dishepujsh dhe pa me sytë e tij si reagonin njerëzit ndaj mesazhit të Perëndisë dhe si ua ndryshonte jetën ajo. (Lexo 1 Selanikasve 2:13, 19, 20.) Asnjë karrierë tjetër nuk ta ofron këtë kënaqësi.

Gëzimi i përhershëm vjen kur i ndihmojmë njerëzit të nxjerrin dobi nga mençuria e Perëndisë (Shih paragrafët 12, 13.)

A MUND T’I ZGJIDHIM PROBLEMET E NJERËZIMIT?

14. Pse mund të duket tërheqëse ideja se njeriu mund t’i zgjidhë vetë problemet?

14 «Njerëzit mund t’i zgjidhin vetë problemet e tyre.» Kjo ide e botës mund t’u duket tërheqëse shumë vetave. Pse? Sepse po të ishte e vërtetë, kjo do të nënkuptonte se njeriu s’ka nevojë për udhëheqjen e Perëndisë dhe se mund të bëjë si t’i dojë qejfi. Veç kësaj, ideja se njeriu mund t’i zgjidhë vetë problemet e tij mbase duket bindëse ngaqë​—sipas disa studimeve—​lufta, krimi, sëmundjet dhe varfëria po pakësohen. Një raport thotë: «Arsyeja pse njerëzimi po përmirësohet është sepse njerëzit kanë vendosur ta bëjnë botën një vend më të mirë.» A tregon një koment i tillë se njeriu po u gjen zgjidhje problemeve që e kanë munduar kaq gjatë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le t’i shohim më nga afër këto probleme.

15. Cilat fakte theksojnë sa të rënda janë problemet e njerëzimit?

15 Luftërat: Dy luftërat botërore u kanë marrë jetën mbi 60 milionë vetave. S’ka dyshim se që nga fundi i Luftës II Botërore, njerëzimi nuk ka mësuar t’i shmangë luftërat. Deri në 2015-n, numri i njerëzve që ishin shpërngulur nga shtëpitë e tyre për shkak të luftërave ose përndjekjes kishte arritur në rreth 65 milionë. Vetëm në 2015-n, u shpërngulën rreth 12,4 milionë veta. Krimet: Edhe pse në ca vende janë pakësuar disa lloje krimesh, lloje të tjera si krimi kibernetik, dhuna në familje dhe terrorizmi po rriten me ritëm alarmant. Gjithashtu, shumë njerëz besojnë se korrupsioni në mbarë botën është përkeqësuar. Njerëzimi nuk është në gjendje t’i eliminojë krimet. Sëmundjet: Disa sëmundje janë mbajtur nën kontroll. Por, një raport i publikuar në vitin 2013 vërente se çdo vit një shifër marramendëse prej nëntë milionë njerëzish nën moshën 60-vjeçare, vdesin nga sëmundjet e zemrës, iktusi, kanceri, sëmundjet e frymëmarrjes dhe diabeti. Varfëria: Sipas Bankës Botërore, vetëm në Afrikë numri i atyre që vuajnë nga varfëria ekstreme është rritur nga 280 milionë veta në 1990-n, në 330 milionë në 2012-n.

16. (a) Pse Mbretëria e Perëndisë është e vetmja që mund t’i zgjidhë problemet e njerëzimit? (b) Cilat bekime të Mbretërisë parathanë Isaia dhe një psalmist?

16 Sistemet e sotme ekonomike dhe politike i drejtojnë forca egoiste. Është e qartë se forca të tilla nuk i eliminojnë dot luftërat, krimet, sëmundjet dhe varfërinë​—vetëm Mbretëria e Perëndisë mund ta arrijë këtë. Mendo se çfarë do të bëjë Jehovai për njerëzimin. Luftërat: Mbretëria e Perëndisë do të eliminojë shkaqet e thella të luftës të tilla, si egoizmi, korrupsioni, patriotizmi, feja e rreme dhe vetë Satanai. (Psal. 46:8, 9) Krimet: Tashmë Mbretëria e Perëndisë po mëson miliona veta të duan e t’i besojnë njëri-tjetrit. Asnjë qeveri tjetër s’e bën dot këtë. (Isa. 11:9) Sëmundjet: Jehovai do ta bekojë popullin e tij me shëndet të përsosur. (Isa. 35:5, 6) Varfëria: Jehovai do ta çrrënjosë varfërinë dhe do t’u sigurojë shërbëtorëve të vet një miqësi të ngushtë me të dhe jetë të begatë e të lumtur. Kjo jetë është ku e ku më e çmuar se pasuritë materiale.​—Psal. 72:12, 13.

‘TË DINI SE SI TË PËRGJIGJENI’

17. Si mund ta hedhësh poshtë mentalitetin e botës?

17 Nëse dëgjon një ide të botës që duket se sfidon besimin tënd, bëj kërkime për të parë çfarë thotë Fjala e Perëndisë për atë temë dhe diskutoje me një bashkëbesimtar që ka përvojë. Mendo pse mund të duket tërheqëse kjo ide, pse është i gabuar ky mentalitet dhe si mund ta hedhësh poshtë. Po, të gjithë ne mund të mbrohemi nga mentaliteti i botës duke i vënë veshin këshillës që i dha Pavli kongregacionit në Kolose: «Vazhdoni të veproni me mençuri ndaj atyre që janë jashtë. . . . Të dini se si t’i përgjigjeni gjithsecilit.»​—Kolos. 4:5, 6.

^ par. 9 Shumë njerëz nuk e dinë se fragmenti që gjendet në disa Bibla te Gjoni 7:53–8:11 është një shtesë që nuk gjendet në shkrimet origjinale të frymëzuara. Duke u bazuar në këtë fragment, disa kanë thënë se vetëm një njeri pa mëkat mund ta konsideronte dikë fajtor për kurorëshkelje. Mirëpo ligji që i dha Perëndia kombit të Izraelit thoshte: «Nëse një burrë gjendet në shtrat me gruan e një burri tjetër, që të dy do të vdesin së bashku.»​—Ligj. 22:22.