Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ngrije zërin plot gëzim!

Ngrije zërin plot gëzim!

«Është mirë . . . të këndosh për Perëndinë tonë.»​—PSAL. 147:1.

KËNGËT: 10, 2

1. Çfarë mund të bëjmë nëpërmjet këndimit?

NJË shkrues tekstesh i famshëm tha një herë: «Fjalët bëjnë të lindin mendime. Muzika bën të lindin ndjenja. Por kënga të bën ta ndjesh një mendim.» E ku ka mendime më të bukura sesa ato që ‘ndiejmë’ kur thurim lavde dhe shprehim dashurinë për Atin tonë qiellor, Jehovain?! S’është çudi që këndimi është një aspekt kryesor i adhurimit të pastër, qoftë kur këndojmë vetëm apo tok me kongregacionin e shërbëtorëve të Perëndisë.

2, 3. (a) Si mund të ndihen disa për këndimin me zë të lartë në kongregacion? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

2 Por, si ndihesh për këndimin me zë të lartë në kongregacion? A je në siklet? Në disa kultura, burrat ndoshta nuk ndihen rehat të këndojnë në publik. Kjo pikëpamje mund të ndikojë te gjithë kongregacioni, sidomos nëse ata që marrin drejtimin gjejnë arsye për të frenuar veten ose për t’u marrë me diçka tjetër ndërsa kongregacioni këndon.​—Psal. 30:12.

3 Nëse e shohim këndimin siç është vërtet—pjesë e adhurimit tonë, patjetër që nuk do të duam të largohemi ose të mungojmë gjatë kësaj pjese të programit të mbledhjeve. Prandaj, secili nga ne duhet të pyesë veten: «Si e shoh këndimin në mbledhjet ku adhurojmë Jehovain? Si mund ta mposht druajtjen që më frenon të këndoj me gëzim? Dhe ç’mund të bëj për t’i shprehur plotësisht ndjenjat e këngëve që këndojmë?»

KËNDIMI​—PJESË THELBËSORE E ADHURIMIT TË VËRTETË

4, 5. Çfarë masash u morën në Izraelin e lashtë për këndimin në adhurimin e Jehovait?

4 Adhuruesit besnikë të Jehovait e kanë përdorur prej shekujsh muzikën si një mënyrë për të lëvduar Jehovain. Është domethënëse që kur izraelitët e lashtë i shërbenin me besnikëri Jehovait, këndimi zinte vend të rëndësishëm në adhurimin e tyre. Për shembull, gjatë përgatitjeve për shërbimin në tempull, mbreti David organizoi 4.000 levitë për të thurur lavde me muzikë. Mes tyre ishin 288 veta «të stërvitur për t’i kënduar Jehovait, të gjithë mjeshtër».​—1 Kron. 23:5; 25:7.

5 Në përurimin e tempullit, muzika dhe këndimi luajtën rol të rëndësishëm. Shkrimet thonë: «Sapo trumbetarët dhe këngëtarët si një trup i vetëm nisën të lëvdonin dhe të falënderonin Jehovain njëzëri, e të lëshonin tingujt me trumbeta, me cimbale, me vegla muzikore dhe t’i jepnin lavdi Jehovait, . . . shtëpinë e Perëndisë së vërtetë e mbushi lavdia e Jehovait.» Sa shumë duhet t’ua ketë forcuar besimin ajo ngjarje të pranishmëve!​—2 Kron. 5:13, 14; 7:6.

6. Përshkruani programin special muzikor gjatë qeverisjes së Nehemisë si guvernator në Jerusalem.

6 Në kohën kur drejtonte izraelitët besnikë në rindërtimin e mureve të Jerusalemit, edhe Nehemia i organizoi këngëtarët levitë si pjesë e një orkestre të fuqishme. Kur u kushtuan muret e rindërtuara, programi special muzikor e bëri atë rast shumë më të hareshëm. Kësaj here kishte ‘dy kore të mëdha falënderimi’. Koret ecën në drejtime të kundërta dhe u takuan mbi mur afër zonës së tempullit, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohej deri larg. (Neh. 12:27, 28, 31, 38, 40, 43) Pa dyshim që Jehovai kënaqej tek dëgjonte adhuruesit e vet ta lëvdonin plot entuziazëm me këngë.

7. Si e theksoi Jezui se këndimi është pjesë thelbësore e adhurimit të krishterë?

7 Kur u formua kongregacioni i krishterë, muzika vazhdoi të ishte një aspekt kryesor i adhurimit të vërtetë. Natën më të rëndësishme të historisë së njerëzimit, pasi kishte themeluar Darkën e Zotërisë, Jezui përfshiu edhe këndimin e këngëve.​—Lexo Mateun 26:30.

8. Si lanë të krishterët e shekullit të parë një model se si ta adhurojmë Perëndinë me këngë?

8 Të krishterët e shekullit të parë na lanë një model se si ta lëvdojmë Perëndinë së bashku me këngë. Ndonëse ata mblidheshin shpesh në shtëpi private, ambienti modest ku adhuronin nuk ua zbehte zellin që të këndonin për Jehovain. Nën frymëzim, apostulli Pavël i udhëzoi vëllezërit e tij: «Vazhdoni të mësoni e të këshilloni njëri-tjetrin me psalme, lavde dhe këngë frymore me hir, dhe këndoni për Jehovain në zemrat tuaja.» (Kolos. 3:16) Këngët e librit tonë të këngëve janë vërtet «këngë frymore» që duhen kënduar «me hir», ose «me mirënjohje» për Jehovain. Ato janë pjesë e ushqimit që siguron «skllavi i besueshëm dhe i matur».​—Mat. 24:45.

SI TA MPOSHTËSH DRUAJTJEN PËR TË KËNDUAR

9. (a) Çfarë mund t’i pengojë disa që të këndojnë me gëzim në mbledhje e asamble? (b) Në ç’mënyrë duhet t’i këndojmë lavde Jehovait, dhe cilët duhet të marrin drejtimin? (Shih figurën hapëse.)

9 Po ç’të themi nëse në familjen, kulturën ose ambientin ku je rritur njerëzit s’e kanë zakon të këndojnë? Ose, falë përhapjes së teknologjisë moderne, ti mbase kënaqesh duke dëgjuar këngëtarë profesionistë. Por, kur e krahason zërin tënd me produksionet e industrisë së zbavitjes, ndoshta ndihesh në siklet ose i zhgënjyer. Gjithsesi, kjo nuk duhet të të pengojë të plotësosh përgjegjësinë për t’i kënduar lavde Jehovait. Prandaj, mbaje lart librin e këngëve, ngrije kokën dhe këndo me gjithë zemër! (Ezd. 3:11; lexo Psalmin 147:1.) Sot në shumë Salla Mbretërie, fjalët e këngëve shfaqen në ekrane, e kjo na ndihmon të këndojmë me zë të lartë. Është interesante edhe që këndimi i këngëve të Mbretërisë është futur në programin e Shkollës së Shërbimit të Mbretërisë që ndjekin pleqtë. Kjo thekson sa e nevojshme është që pleqtë të marrin drejtimin gjatë këndimit në mbledhjet e kongregacionit.

10. Ç’duhet të mbajmë në mend nëse frika na pengon ta ngremë zërin kur këndojmë?

10 Një faktor që i step shumë veta për ta nxjerrë plotësisht zërin kur këndojnë është frika. Mund të jetë frika se mos bien në sy a se mos tingëllojnë jo këndshëm për veshin e të tjerëve. Megjithatë, të mbajmë ndër mend se kur flasim, «të gjithë ne pengohemi shumë herë». (Jak. 3:2) Ama kjo nuk na pengon të flasim. Atëherë, pse të lejojmë që zëri ynë i papërsosur kur këndojmë, të na pengojë të lëvdojmë Jehovain me këngë?

11, 12. Cilat janë disa sugjerime se si ta përmirësojmë këndimin?

11 Ndoshta druhemi të këndojmë se nuk jemi të sigurt si të këndojmë. Por mund ta përmirësojmë këndimin tonë duke ndjekur disa sugjerime bazë. *

12 Mund të mësosh të këndosh me zë të fuqishëm e me volum duke marrë frymë siç duhet. Ashtu si rryma elektrike bën të ndriçojë një llambë, edhe frymëmarrja i jep energji zërit tënd kur flet ose këndon. Duhet të këndosh me atë volum zëri që flet ose edhe me volum më të lartë. (Shih sugjerimet që jepen në faqet 181-184 të librit Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik, poshtë nëntitullit «Kontrollo siç duhet frymëmarrjen».) Në fakt, kur flasin për këndimin e lavdeve, Shkrimet disa herë i udhëzojnë adhuruesit e Jehovait ‘të lëshojnë britma gëzimi’.​—Psal. 33:1-3.

13. Shpjegoni si mund të këndojmë me më shumë siguri.

13 Gjatë adhurimit familjar ose edhe kur je vetëm, provo këto sugjerime: zgjidh një nga këngët e tua të preferuara në librin e këngëve. Lexoje tekstin me një zë të fortë e të sigurt. Pas kësaj, duke mbajtur të njëjtin volum, thuaji të gjitha fjalët e një fraze të këngës me një frymëmarrje të vetme. Pastaj këndoje atë frazë, duke përdorur të njëjtin zë të gjallë. (Isa. 24:14) Kështu do ta nxjerrësh më plotësisht zërin kur këndon, e kjo është gjë e mirë. Mos lejo që kjo të të trembë ose të të vërë në siklet!

14. (a) Nëse e hapim gojën më shumë, si mund të na ndihmojë kjo gjatë këndimit? (Shih kutinë « Si ta përmirësosh këndimin».) (b) Cilat sugjerime për kapërcimin e problemeve me zërin të duken praktike?

14 Është e pamundur ta nxjerrësh plotësisht zërin gjatë këndimit nëse nuk krijon hapësirë brenda gojës. Prandaj, një sugjerim tjetër është ta hapësh gojën më shumë nga ç’e hap normalisht kur flet. Ç’duhet të bësh nëse mendon se ke zë të dobët ose ndoshta një zë me tonalitet tepër të lartë? Mund të gjesh sugjerime praktike për këto probleme në faqen 184 të librit Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik, në kutinë «Kapërcimi i problemeve specifike».

KËNDO LAVDE NGA ZEMRA

15. (a) Çfarë njoftimi u bë në mbledhjen vjetore të vitit 2016? (b) Cilat janë disa qëllime të librit të ri të këngëve?

15 Të pranishmit në mbledhjen vjetore 2016 të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania u emocionuan kur vëlla Stivën Leti nga Trupi Udhëheqës njoftoi se së shpejti do të dilte e do të përdorej në mbledhje një libër i ri këngësh me titull ‘T’i këndojmë me gëzim’ Jehovait! Vëlla Leti shpjegoi se një qëllim i atij rishikimi ishte që këngët të harmonizoheshin me botimin e rishikuar të Shkrimeve të Shenjta​—Përkthimi Bota e Re. Kjo kërkonte të hiqeshin ose të rishikoheshin tekstet ku përdoreshin shprehje që nuk gjenden më në Përkthimin Bota e Re pas rishikimit të vitit 2013. Gjithashtu, u përfshinë këngë të reja për veprën tonë të predikimit dhe këngë ku shprehim mirënjohjen për shpërblesën. Veç kësaj, meqë këndimi është pjesë thelbësore e adhurimit tonë, Trupi Udhëheqës donte të botohej një libër me cilësi të lartë, me të njëjtin kapak si Përkthimi Bota e Re i rishikuar.

16, 17. Çfarë përmirësimesh u bënë në librin e ri të këngëve?

16 Që libri ‘T’i këndojmë me gëzim’ Jehovait! të përdoret sa më lehtë, këngët janë renditur sipas temave. Për shembull, 12 këngët e para lidhen me Jehovain, 8 këngët vijuese janë për Jezuin e për shpërblesën, e kështu me radhë. Treguesi i temave mund të hyjë në punë, për shembull, kur zgjidhet një këngë për një fjalim publik.

17 Për të ndihmuar që çdokush të këndojë nga zemra, disa tekste janë rishikuar për ta përcjellë më qartë idenë ose për të hequr fjalët që nuk përdoren më në jetën e përditshme. Për shembull, titulli «Shpirtgjerësia» është bërë «Tregoni durim», dhe teksti është përshtatur në përputhje me këtë. Titulli «Ruaj zemrën» është bërë «E ruaj zemrën», një ndryshim vërtet me vend. Pse? Sepse mes auditorit në mbledhjet, asambletë, e kongreset tona ka shumë të rinj në të vërtetën, të interesuar, të rinj në moshë dhe motra që duke kënduar ato fjalë, mund të viheshin në siklet, sikur po u jepnin këshilla të tjerëve. Prandaj, titulli dhe teksti i këngës u ndryshuan.

Praktikojini këngët gjatë adhurimit familjar (Shih paragrafin 18.)

18. Pse duhet të familjarizohemi me këngët e librit të ri të këngëve? (Shih shënimin.)

18 Shumë këngë në librin ‘T’i këndojmë me gëzim’ Jehovait! janë në formën e një lutjeje. Me këto këngë mund t’i shprehësh Jehovait ndjenjat që ke në shpirt. Këngë të tjera na ndihmojnë «të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera». (Hebr. 10:24) Pa diskutim që duam të familjarizohemi me melodinë, ritmin dhe tekstin e këngëve tona. Mund ta bësh këtë duke dëgjuar interpretimet vokale në jw.org. Duke i praktikuar këngët në shtëpi, mund të mësosh të këndosh plot siguri dhe me gjithë shpirt. *

19. Si mund të bëjë pjesën e vet gjithkush në kongregacion për të adhuruar Jehovain?

19 Të mbajmë në mend se këndimi është aspekt i rëndësishëm i adhurimit tonë. Është një mënyrë e fuqishme për të shprehur dashurinë dhe çmueshmërinë për Jehovain. (Lexo Isainë 12:5.) Ndërsa këndon me gëzim, do t’u japësh zemër edhe të tjerëve që të këndojnë plot siguri. Në fakt, gjithkush në kongregacion​—i ri, i moshuar dhe i interesuar—​mund të bëjë pjesën e vet për ta adhuruar Jehovain në këtë mënyrë. Ndaj mos e freno veten ndërsa shpreh ndjenjat në këngë. Përkundrazi, ndiq këtë udhëzim të qartë që dha psalmisti i frymëzuar: «Këndojini Jehovait!» Po, ngrije zërin plot gëzim!​—Psal. 96:1.

^ par. 11 Për më shumë udhëzime se si ta përmirësosh zërin kur këndon, shih fjalimin «Përgatituni për të kënduar këngët e reja» në JW Broadcasting (te NGA STUDIOJA JONË > FJALIME).

^ par. 18 Që të futemi në frymën e të kënduarit, çdo sesion asambleje dhe kongresi hapet me një program muzikor prej dhjetë minutash. Këto orkestrime muzikore janë kompozuar në mënyrë të atillë që të na përgatitin zemrën dhe mendjen për programin që do të vijojë. Prandaj, nxitemi të ulemi në vendet tona që nga fillimi e t’i dëgjojmë me vëmendje këto programe muzikore.