Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po i bën të tuat mendimet e Jehovait?

A po i bën të tuat mendimet e Jehovait?

«Shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj.»​—ROM. 12:2.

KËNGËT: 56, 123

1, 2. Teksa afrohemi gjithnjë e më shumë me Jehovain, çfarë mësojmë të bëjmë? Ilustrojeni.

NJË fëmijë i vogël merr një dhuratë. Prindërit e nxitin: «Thuaj faleminderit.» Fëmija bindet, edhe pse disi mekanikisht. Teksa rritet, e kupton më mirë mënyrën si mendojnë prindërit dhe e vlerëson më shumë dashamirësinë e të tjerëve. Tani nuk ngurron t’i falënderojë të tjerët, i vjen nga zemra. Pse? Sepse mirënjohja është bërë pjesë e mënyrës si mendon.

2 Po kështu, në fillim kur njohëm të vërtetën, mësuam sa rëndësi ka t’u bindemi kërkesave bazë të Jehovait. Por ndërsa vazhdojmë të afrohemi me Jehovain, mësojmë më shumë për mënyrën si mendon Ai​—çfarë i pëlqen, çfarë nuk i pëlqen dhe këndvështrimin e tij për çështje të ndryshme. Kur mësojmë të arsyetojmë si Jehovai dhe kur lejojmë që mënyra si mendon Ai të ndikojë te veprimet dhe te vendimet personale, tregojmë se po i bëjmë tonat mendimet e Jehovait.

3. Pse mund të jetë një sfidë t’i bëjmë tonat mendimet e Jehovait?

3 Është kënaqësi të mësojmë të mendojmë si Jehovai, por njëkohësisht mund të jetë edhe një sfidë. Ndonjëherë arsyetimi ynë si njerëz të papërsosur mund të bëhet pengesë. Për shembull, mund ta kemi të vështirë të kuptojmë pikëpamjen e Jehovait për pastërtinë morale, materializmin, veprën e predikimit, keqpërdorimin e gjakut a diçka tjetër. Ç’mund të bëjmë? Si mund t’i përvetësojmë gjithnjë e më shumë mendimet e Perëndisë? Dhe si duhet të ndikojë kjo te veprimet tona sot e në të ardhmen?

SI I BËJMË TONAT MENDIMET E PERËNDISË

4. Çfarë duhet të bëjmë që të ndjekim këshillën e Pavlit: ‘përtërini mendjen tuaj’?

4 Lexo Romakëve 12:2. Te ky varg, apostulli Pavël shpjegon çfarë kërkohet që të mësojmë të mendojmë si Jehovai. Ai tha: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote.» Artikulli i kaluar na ndihmoi të kuptonim se për ta bërë këtë s’duhet të ushqehemi kurrsesi me pikëpamjet dhe qëndrimet e botës. Mirëpo Pavli përmendi edhe se kemi nevojë ‘të përtërijmë mendjen’. Kjo përfshin të studiojmë Fjalën e Perëndisë me synimin që të kuptojmë mendimet e tij, të meditojmë për to dhe të përputhim mendimet tona me ato të Perëndisë.

5. Shpjegoni ndryshimin mes leximit të përciptë dhe studimit.

5 Studimi nuk është thjesht një lexim i përciptë dhe përfshin shumë më tepër se të nënvizojmë përgjigjet e pyetjeve. Kur studiojmë, shqyrtojmë se çfarë na tregon materiali për Jehovain, për udhët e tij dhe për mënyrën si mendon ai. Përpiqemi të kuptojmë pse Perëndia na urdhëron të bëjmë diçka dhe dënon diçka tjetër. Veç kësaj, bluajmë në mendje çfarë ndryshimesh duhet të bëjmë në jetë dhe në mënyrën si mendojmë. Ndoshta jo të gjitha këto aspekte mund të shqyrtohen sa herë që studiojmë. Ama nxjerrim dobi kur kalojmë kohë​—mbase gjysmën e kohës së studimit—​për të medituar me çmueshmëri rreth asaj që lexojmë.​—Psal. 119:97; 1 Tim. 4:15.

6. Çfarë ndodh kur meditojmë për mendimet e Jehovait?

6 Kur meditojmë rregullisht për Fjalën e Perëndisë, ndodh diçka e jashtëzakonshme. ‘I vërtetojmë’ vetes, ose bindim veten, se mënyra si arsyeton Jehovai është e përsosur. Fillojmë t’i shohim gjërat nga pikëpamja e tij dhe dalëngadalë biem dakord me atë pikëpamje. Mendja jonë ‘përtërihet’ dhe zhvillojmë një mënyrë të re të menduari. Gradualisht i bëjmë tonat mendimet e Jehovait.

MENDIMET NDIKOJNË TE VEPRIMET TONA

7, 8. (a) Cila është pikëpamja e Jehovait për të mirat materiale? (Shih figurat hapëse.) (b) Cilës gjë do t’i japim gjithnjë përparësi nëse përvetësojmë pikëpamjen e Jehovait?

7 Të mos nxjerrim përfundimin se të mendosh nënkupton thjesht të ushtrosh mendjen. Mendimet shkojnë krah për krah me veprimet. (Mar. 7:21-23; Jak. 2:17) Le të shqyrtojmë disa shembuj për ta kuptuar më mirë këtë. Ungjijtë, për shembull, na japin prova të qarta të pikëpamjes së Jehovait për gjërat materiale. Perëndia i zgjodhi vetë prindërit njerëzorë që do të rritnin Birin e tij—një çift me të ardhura modeste. (Lev. 12:8; Luka 2:24) Kur lindi Jezui, Maria «e vuri në një grazhd, sepse në bujtinë nuk kishte vend për ta». (Luka 2:7) Po të donte, Jehovai mund të kishte siguruar në lloj-lloj mënyrash një ambient më të mirë ku të lindte i Biri. Mirëpo, gjëja më e rëndësishme për Të, ishte që Jezui të rritej në një ambient ku vihej në radhë të parë adhurimi i Perëndisë.

8 Nga ky tregim biblik për lindjen e Jezuit, mund të kuptojmë pikëpamjen e Jehovait për gjërat materiale. Disa prindër duan me çdo kusht që fëmijët e tyre të kenë gjërat më të mira nga ana materiale, madje edhe nëse kjo vë në rrezik marrëdhënien e fëmijëve me Jehovain. Por është e qartë se për Jehovain gjëja më e rëndësishme është marrëdhënia jonë me të. A e ke përvetësuar pikëpamjen e Tij? Çfarë tregojnë veprimet e tua?​—Lexo Hebrenjve 13:5.

9, 10. Si mund ta tregojmë se kemi pikëpamjen e Jehovait për dikë që pengon të tjerët?

9 Një shembull i dytë është pikëpamja e Perëndisë për dikë që pengon të tjerët. Jezui tha: «Për këdo që pengon një nga këta të vegjël që besojnë, do të ishte shumë më mirë të vinte rreth qafës një gur mulliri, si ai që rrotullohet nga një gomar, e të hidhej në det.» (Mar. 9:42) Çfarë ndjenjash të forta përcjellin këto fjalë! E meqë Jezui pasqyroi në mënyrë të përsosur personalitetin e Atit të tij, mund të jemi të sigurt se edhe Jehovai ndihet njësoj; ai është tepër i pakënaqur kur dikush nuk do t’ia dijë nëse me veprimet e tij pengon një nga dishepujt e Jezuit.​—Gjoni 14:9.

10 A kemi edhe ne pikëpamjen e Jehovait dhe të Jezuit? A e kemi bërë tonën këtë pikëpamje? Çfarë tregojnë veprimet tona? Për shembull, ta zëmë se na pëlqen një stil i caktuar për veshjen a paraqitjen që ka shumë mundësi t’i bezdisë disa në kongregacion ose që fare kollaj mund të ndezë pasione në mendjen e të tjerëve. A do të fitojë meraku ynë i dashur për bashkëbesimtarët mbi preferencat personale për veshjen a paraqitjen?​—1 Tim. 2:9, 10.

11, 12. Kur përvetësojmë pikëpamjen e Perëndisë për të keqen dhe kultivojmë vetëkontroll, si na mbron kjo që të mos bëjmë diçka të gabuar?

11 Të marrim një shembull të tretë: Jehovai e urren padrejtësinë. (Isa. 61:8) Edhe pse e di se kemi disa prirje të gabuara për shkak të papërsosmërisë së trashëguar, Jehovai na nxit të zhvillojmë atë urrejtje që ka Ai për padrejtësinë. (Lexo Psalmin 97:10.) Meditimi për arsyet pse Jehovai ndien neveri për të keqen, do të na ndihmojë ta bëjmë tonën pikëpamjen e tij, e kështu do të kemi më shumë forcë për të rezistuar që të mos bëjmë të keqen.

12 Po të përvetësojmë pikëpamjen e Jehovait për padrejtësinë, kjo do të na ndihmojë edhe të dallojmë që disa praktika janë të gabuara, ndonëse nuk përmenden specifikisht në Fjalën e Perëndisë. Për shembull, kërcimi në prehër, ose lap dancing, është një lloj sjelljeje e fëlliqur që po përhapet gjithnjë e më shumë në botë. Disa mund ta justifikojnë këtë sjellje duke arsyetuar se nuk është njësoj si të kryesh marrëdhënie të mirëfillta seksuale. * Por, a pasqyrojnë veprime të tilla mënyrën si mendon Perëndia, i cili e urren thellësisht çdo lloj sjelljeje të keqe? Le të qëndrojmë larg sjelljes së gabuar duke kultivuar vetëkontroll dhe urrejtje të thellë për gjërat që Jehovai i urren.​—Rom. 12:9.

MENDO SOT PËR VENDIMET E SË ARDHMES

13. Pse duhet të mendojmë që tani se si mund të ndikojnë pikëpamjet e Jehovait te vendimet e së ardhmes?

13 Kur studiojmë, bëjmë mirë të shqyrtojmë se si mund të ndikojnë mendimet e Jehovait te situatat që ndoshta do të hasim në të ardhmen. Kështu, nëse përballemi me një situatë ku duhet të marrim një vendim të menjëhershëm, nuk do të zihemi krejt në befasi. (Prov. 22:3) Të mendojmë për disa shembuj nga Bibla.

14. Çfarë mësojmë nga fakti që Jozefi e refuzoi gruan e Potifarit?

14 Kur Jozefi i hodhi poshtë menjëherë përpjekjet e gruas së Potifarit për ta joshur, tregoi se e kishte bluar në mendje pikëpamjen e Jehovait për besnikërinë bashkëshortore. (Lexo Zanafillën 39:8, 9.) Gjithashtu, përgjigjja që i dha gruas së Potifarit: «Si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të mëkatoj kundër Perëndisë?» tregon se e kishte bërë të vetën pikëpamjen e Perëndisë. Ç’të themi për ne? Ta zëmë se një shok a shoqe pune fillon të flirtojë me ty. Ose, mendo sikur në celular të vjen një mesazh a pamje me përmbajtje të hapur seksuale. * Do ta kemi shumë më kollaj të qëndrojmë besnikë, nëse tashmë jemi përpjekur të dimë pikëpamjen e Jehovait për çështje të tilla, e kemi përvetësuar dhe kemi vendosur që më përpara çfarë do të bëjmë.

15. Si mund t’i rezistojmë presionit për të bërë kompromis me besnikërinë ndaj Jehovait, njësoj si tre hebrenjtë?

15 Të mendojmë tani për shembullin e tre të rinjve hebrenj të njohur si Shadrak, Meshak dhe Abednego. Refuzimi i tyre i prerë për të mos adhuruar shëmbëlltyrën prej ari që ngriti mbreti Nabukodonosor dhe përgjigjja e qartë që i dhanë mbretit, tregon se ata e kishin bluar në mendje se çfarë përfshinte t’i qëndronin besnikë Jehovait. (Dal. 20:4, 5; Dan. 3:4-6, 12, 16-18) Ta zëmë se punëdhënësi të kërkon të dhurosh pará për një festë që lidhet me fenë e rreme. Çfarë do të bësh? Në vend që të presësh derisa të lindin situata të tilla, pse të mos bluash në mendje që tani se çfarë mendon Jehovai për këto çështje? Pastaj, nëse përballesh me ndonjë situatë të tillë, do ta kesh më të lehtë të bësh dhe të thuash gjënë e duhur, ashtu si tre hebrenjtë.

A ke bërë kërkime, a ke plotësuar një dokument mjekësor ligjor dhe a ke folur me mjekun tënd? (Shih paragrafin 16.)

16. Si mund të jemi të përgatitur për një urgjencë mjekësore kur e kuptojmë qartë mënyrën si mendon Jehovai?

16 Kur mendojmë që më përpara për nevojën që të qëndrojmë besnikë, mund ta kemi më të lehtë edhe nëse ndodh një urgjencë mjekësore. Ne jemi plotësisht të vendosur të mos pranojmë transfuzionin e gjakut komplet ose të një prej katër përbërësve kryesorë të tij. Mirëpo, për disa procedura që lidhen me gjakun, na duhet të marrim vendime personale duke u bazuar në parime biblike që tregojnë mënyrën si mendon Jehovai. (Vep. 15:28, 29) Sigurisht, momenti më i mirë për t’i peshuar çështje të tilla nuk është kur jemi në spital dhe ndoshta kemi dhimbje e jemi nën presion për të marrë një vendim aty për aty. Tani është koha të bëjmë kërkime, të plotësojmë një dokument mjekësor ligjor ku tregojmë çfarë duam dhe të flasim me mjekun tonë. *

17-19. Pse është e rëndësishme të mësojmë që tani si mendon Jehovai për çështje të ndryshme? Jepni një shembull të një situate për të cilën duhet të jemi të përgatitur.

17 Së fundi, mendo pak për përgjigjen që i ktheu në çast Jezui këshillës së gabuar të Pjetrit: «Ji i mirë me veten, Zotëri.» Me sa duket, Jezui kishte menduar gjatë që më parë rreth vullnetit të Perëndisë për të dhe rreth shkrimeve që zbatoheshin për jetën dhe vdekjen e tij në tokë. Kjo njohuri ia forcoi vendosmërinë që të vazhdonte në udhën e tij besnike e vetësakrifikuese pa u lëkundur.​—Lexo Mateun 16:21-23.

18 Sot, vullneti i Perëndisë për shërbëtorët e tij është që të zhvillojnë miqësinë me të dhe të marrin pjesë sa më plotësisht në veprën e tij. (Mat. 6:33; 28:19, 20; Jak. 4:8) Ashtu si në rastin e Jezuit, disa të nisur nga e mira mund të përpiqen të na devijojnë nga kjo udhë. Për shembull, ç’të themi nëse punëdhënësi të ofron ngritje në detyrë me një rrogë goxha më të madhe, por që do të të pengonte për aktivitetet teokratike? Ose nëse je në shkollë, mendo sikur të ofrojnë mundësinë të transferohesh larg shtëpisë për të marrë arsimim të mëtejshëm. Në atë moment, mos ndoshta do të kesh nevojë të lutesh, të bësh kërkime, të këshillohesh me familjen e mbase me pleqtë, dhe pastaj të marrësh vendimin? Pse të mos e mësosh që tani se çfarë mendon Jehovai për çështje të tilla dhe të përpiqesh t’i bësh të tuat mendimet e tij? Pastaj, nëse të vjen ndonjëherë një ofertë e tillë, zor se do të jetë tunduese për ty. Synimet teokratike i ke të qarta, zemra jote është e vendosur dhe mbetet vetëm ta zbatosh vendimin që ke marrë tashmë.

19 Mbase të shkon mendja edhe te situata të tjera që mund të lindin krejt papritur. Sigurisht, s’mund të përgatitemi për çdo situatë të mundshme. Por nëse meditojmë rreth mendimeve të Jehovait gjatë studimit personal, ka më shumë të ngjarë t’i kujtojmë ato që kemi studiuar dhe të jemi në gjendje t’i zbatojmë për situatën konkrete ku ndodhemi. Ndaj, le të mbajmë parasysh se kemi nevojë t’u kushtojmë vëmendje mendimeve të Jehovait, t’i bëjmë tonat dhe të shqyrtojmë si do të ndikojë pikëpamja e Tij te veprimet tona sot e në të ardhmen.

MENDIMET E JEHOVAIT DHE E ARDHMJA JOTE

20, 21. (a) Pse do të gëzojmë liri relative në botën e re? (b) Si mund ta provojmë një pjesë të atij gëzimi që tani?

20 E dëshirojmë me zjarr botën e re. Shumica prej nesh mezi e presin jetën pa fund në parajsën në tokë. Nën Mbretërinë e Perëndisë, njerëzimi do të çlirohet nga vuajtjet kaq të zakonshme në këtë sistem. Patjetër, edhe në atë kohë njerëzit do të vazhdojnë të ushtrojnë vullnetin e lirë. Çdo njeri do të bëjë zgjedhje sipas preferencave dhe dëshirave të veta.

21 Natyrisht, kjo liri nuk do të jetë absolute. Në çështje që kanë të bëjnë me të drejtën dhe të gabuarën, zemërbutët do të drejtohen nga ligjet dhe nga mendimet e Jehovait. Kjo do të jetë një kënaqësi dhe do të sjellë gëzim të papërshkrueshëm e paqe të pafund. (Psal. 37:11) Ndërkohë, mund të provojmë një pjesë të atij gëzimi që sot ndërsa i bëjmë tonat mendimet e Jehovait.

^ par. 12 Kërcimi në prehër përkufizohet si «një aktivitet ku një performues a performuese zakonisht gjysmë e zhveshur, ulet dhe përdridhet mbi prehrin e klientit». Në varësi të fakteve të një situate konkrete, kjo mund të përbëjë imoralitet seksual që kërkon një veprim gjyqësor. Një i krishterë që ka marrë pjesë në një aktivitet të tillë duhet të kërkojë ndihmën e pleqve.​—Jak. 5:14, 15.

^ par. 14 Të dërgosh me celular mesazhe, fotografi ose video me përmbajtje të hapur seksuale quhet sexting. Në varësi të fakteve, kjo mund përligjë një veprim gjyqësor. Në disa raste, të miturit që janë përfshirë në sexting janë ndjekur penalisht si kriminelë seksualë. Për më tepër informacion, shko te siti jw.org dhe lexo artikullin «Të rinjtë pyesin​—Çfarë duhet të di për sexting?» (Shih te MËSIME BIBLIKE > ADOLESHENTËT.) Ose lexo artikullin «Si të flasësh me adoleshentin për sexting?» në revistën Zgjohuni! të nëntorit 2013, f. 4-5.

^ par. 16 Në botimet tona janë trajtuar parime biblike që lidhen me këtë. Shih, për shembull, librin Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’, f. 215-218.