Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Bli të vërtetën dhe mos e shit»

«Bli të vërtetën dhe mos e shit»

«Bli të vërtetën dhe mos e shit, po, mençurinë, disiplinën dhe kuptueshmërinë.»​—PROV. 23:23.

KËNGËT: 94, 96

1, 2. (a) Cila është gjëja më e çmuar në jetë për ne? (b) Cilat të vërteta çmojmë si thesar, dhe pse? (Shih figurat hapëse.)

CILA është gjëja më e çmuar në jetë për ty? A do të ishe i gatshëm ta këmbeje me diçka që ka më pak vlerë? Për adhuruesit e kushtuar të Jehovait, përgjigjet e këtyre pyetjeve janë fare të thjeshta. Gjëja më e çmuar që kemi në jetë është marrëdhënia me Jehovain, dhe nuk do ta shkëmbenim atë me asnjë gjë. Gjithashtu, e kemi të vyer të vërtetën e Biblës, e cila bëri të mundur të zhvillojmë këtë lidhje me Atin tonë qiellor.​—Kolos. 1:9, 10.

2 Imagjino sa shumë të vërteta na mëson në Fjalën e tij, Biblën, Mësuesi ynë i Madh! Ai na zbulon të vërtetën për emrin e tij plot domethënie, si edhe cilësitë e tij që të bëjnë për vete. Na tregon për masën e jashtëzakonshme të shpërblesës, që e siguroi me dashuri për ne me anë të Birit të tij, Jezuit. Jehovai na flet edhe për Mbretërinë mesianike, dhe u jep të mirosurve shpresën qiellore kurse ‘deleve të tjera’ shpresën e Parajsës në tokë. (Gjoni 10:16) Ai na mëson si duhet të sillemi. I çmojmë si thesar këto të vërteta, sepse falë tyre afrohemi me Krijuesin tonë. Ato i japin kuptim jetës sonë.

3. Çfarë nuk kërkohet për të blerë të vërtetën?

3 Jehovai është Perëndi bujar. Ai nuk ua kursen të mirat atyre që kërkojnë të vërtetën. Jehovai madje dha si dhuratë falas jetën e Birit të tij të shtrenjtë. Perëndia s’do të na kërkonte kurrsesi të paguanim pará për të vërtetën. Në fakt, kur një burrë që quhej Simon i ofroi para apostullit Pjetër në këmbim të autoritetit për t’u dhënë të tjerëve frymën e shenjtë, Pjetri e qortoi me fjalët: «Argjendi yt marrtë fund bashkë me ty, se mendove ta shtiesh në dorë me para dhuratën falas të Perëndisë.» (Vep. 8:18-20) Atëherë, ç’kuptim ka ky urdhër i frymëzuar nga Perëndia: «Bli të vërtetën»?

Ç’DO TË THOTË ‘TË BLESH’ TË VËRTETËN?

4. Çfarë do të mësojmë për të vërtetën në këtë artikull?

4 Lexo Proverbat 23:23. Të vërtetën e Fjalës së Perëndisë nuk e gjejmë dot pa bërë përpjekje. Duhet të jemi të gatshëm të bëjmë çfarëdo sakrificash të nevojiten për ta marrë. Siç thotë shkrimtari i mençur i Proverbave, pasi ‘e blejmë’, ose e fitojmë, «të vërtetën» duhet të bëjmë kujdes të mos ‘e shesim’, ose të mos e humbim. Le të shqyrtojmë ç’do të thotë ‘të blesh’ të vërtetën dhe çfarë çmimi mund të na duhet të paguajmë për të. Kështu mund ta thellojmë çmueshmërinë për të vërtetën dhe të forcojmë vendosmërinë që të mos ‘e shesim’ kurrë. Siç do ta shohim, ia vlen çfarëdo çmimi për të blerë të vërtetën.

5, 6. (a) Si mund ta blejmë të vërtetën pa para? Ilustrojeni. (b) Cilat dobi na sjell e vërteta?

5 Edhe diçka që është falas mund të ketë një kosto. Fjala hebraike e përkthyer «bli» te Proverbat 23:23, mund të ketë edhe kuptimin «fito». Të dyja fjalët nënkuptojnë të bësh përpjekje ose të japësh diçka si këmbim për një gjë me vlerë. Idenë e blerjes të së vërtetës mund ta ilustrojmë kështu: ta zëmë se në një treg nxirret njoftimi «banane falas». A mos do të shfaqen vetvetiu mbi tavolinën tonë ato banane? Jo. Duhet të bëjmë përpjekje duke shkuar në treg për t’i marrë. A janë falas bananet? Po, ama duhet të bëjmë përpjekje dhe të harxhojmë kohë për të shkuar në treg. Po njësoj, për të blerë të vërtetën s’kemi nevojë për para. Gjithsesi, duhet të bëjmë përpjekje që ta marrim.

6 Lexo Isainë 55:1-3. Fjalët e Jehovait të shkruara nga Isaia hedhin më shumë dritë se ç’do të thotë të blesh të vërtetën. Në këtë fragment të Biblës, Jehovai e krahason fjalën e tij me ujin, me qumështin dhe me verën. Ashtu si uji i freskët e i pastër, fjalët e së vërtetës nga Perëndia na përtërijnë. Veç kësaj, ashtu si qumështi na forcon dhe i ndihmon fëmijët të rriten, fjalët ushqyese të Jehovait na forcojnë dhe na ndihmojnë të rritim miqësinë me Të. Pastaj fjalët e Jehovait janë edhe si vera. Në ç’kuptim? Në Bibël, vera lidhet me gëzimin. (Psal. 104:15) Pra, kur na thotë ‘të marrim [të blejmë] verë’, Jehovai na siguron se po të jetojmë sipas fjalëve të tij do të jemi të gëzuar. (Psal. 19:8) Sa ilustrim i bukur për dobitë që sjell mësimi dhe zbatimi i fjalëve të së vërtetës nga Perëndia! Përpjekjet tona mund të krahasohen me çmimin që paguajmë. Le të shqyrtojmë, pra, pesë gjëra që mund të na duhet të paguajmë për të blerë të vërtetën.

ÇFARË ÇMIMI KE PAGUAR PËR TË BLERË TË VËRTETËN?

7, 8. (a) Pse duhet të shpenzojmë kohë për të blerë të vërtetën? (b) Çfarë çmimi ishte e gatshme të paguante një studente e re, dhe cili ishte rezultati?

7 Koha. Ky është një çmim që duhet ta paguajë gjithkush që blen të vërtetën. Nevojitet kohë që të dëgjosh mesazhin për Mbretërinë, të lexosh Biblën dhe literaturën biblike, të bësh një studim personal të Biblës dhe të përgatitesh e të ndjekësh mbledhjet e kongregacionit. Duhet ‘ta blejmë’, ose ta marrim, këtë kohë nga ndonjë aktivitet tjetër më pak i rëndësishëm. (Lexo Efesianëve 5:15, 16.) Sa kohë duhet që të fitojmë njohuri të saktë për mësimet bazë të Biblës? Kjo varet nga rrethanat. Gjërat që mund të mësojmë për mençurinë, udhët dhe veprat e Jehovait s’njohin kufi. (Rom. 11:33) Numri i parë i Kullës së Rojës e krahasonte të vërtetën me «një lule të vogël të thjeshtë» dhe thoshte: «Mos u kënaq me një lule të vetme të së vërtetës. Sikur të mjaftonte një, Perëndia s’do të na kish dhënë kaq shumë. Mblidh ngaherë, kërko të tjera.» Mund të pyesim veten: «Sa e madhe është buqeta ime e së vërtetës?» Edhe kur para nesh të shtrihet përjetësia, gjithmonë mund të mësojmë më shumë për Jehovain. Ajo që ka rëndësi sot është ta shfrytëzojmë me mençuri kohën, që të blejmë sa më shumë të vërteta të na lejojnë rrethanat. Të shohim shembullin e një vajze që ishte e etur për të vërtetën.

8 Mariko, * një e re japoneze, shkoi në qytetin e Nju-Jorkut, SHBA, për të ndjekur shkollën. Në atë kohë, ajo bënte pjesë në një lëvizje fetare që kishte filluar në Japoni nga fundi i viteve 50. Një pioniere e takoi Marikon gjatë shërbimit shtëpi më shtëpi. Kur nisi të mësonte të vërtetën e Biblës, ajo ndjeu aq shumë gëzim, sa i kërkoi pionieres të studionte Biblën me të dy herë në javë. Ndonëse kishte program të ngjeshur në shkollë dhe bënte një punë me orar të reduktuar, filloi të ndiqte menjëherë mbledhjet. Gjithashtu, nuk harxhonte më kohë për disa aktivitete shoqërore, me qëllim që të blinte kohë për të mësuar të vërtetën. Falë këtyre sakrificave, marrëdhënia e saj me Jehovain u rrit me të shpejtë. Brenda një viti, Mariko u pagëzua. Gjashtë muaj më vonë, në vitin 2006, u bë pioniere, dhe sot vazhdon të shërbejë si pioniere.

9, 10. (a) Kur blejmë të vërtetën, si ndikon kjo te pikëpamja jonë për gjërat materiale? (b) Nga cila perspektivë hoqi dorë një e re, dhe si ndihet për këtë?

9 Të mirat materiale. Që të blejmë të vërtetën, mund të na duhet të heqim dorë nga një punë ose një karrierë fitimprurëse. Kur Jezui i ftoi peshkatarët Pjetër dhe Andrea që të bëheshin «peshkatarë njerëzish», ata ‘i lanë rrjetat’. (Mat. 4:18-20) Sigurisht, kjo s’do të thotë se shumica e atyre që mësojnë të vërtetën sot duhet ta lënë punën. Ata kanë detyrime biblike. (1 Tim. 5:8) Gjithsesi, ata që mësojnë të vërtetën, shpesh duhet të ndryshojnë qëndrimin ndaj gjërave materiale, si edhe përparësitë që kanë në jetë. Jezui e bëri të qartë këtë kur tha: «Mos grumbulloni më thesare në tokë . . . Më mirë, grumbulloni thesare në qiell.» (Mat. 6:19, 20) Të mendojmë për shembullin e një të reje.

10 Që para se të mbushte moshën për të hyrë në shkollë, Maria luante me qejf golf. Gjatë shkollës së mesme vazhdoi të zhvillonte aftësitë në sportin e golfit dhe si përfundim fitoi një bursë për universitet. Golfi ishte jeta e saj dhe synonte të kishte një karrierë fitimprurëse si profesioniste në këtë sport. Më vonë, Maria filloi të studionte Biblën dhe i donte të vërtetat që po mësonte. Ndihej e kënaqur me ndryshimet që bënte në jetë falë së vërtetës. Ajo tha: «Sa më shumë e harmonizoja qëndrimin dhe jetën time me standardet e Biblës, aq më e lumtur ndihesha.» Maria e kuptoi se do ta kishte të vështirë të synonte edhe thesaret nga Jehovai, edhe pasurinë materiale. (Mat. 6:24) Çmimi që pagoi ishte se hoqi dorë nga synimi që kishte pasur tërë jetën për t’u bërë profesioniste në golf dhe nga perspektiva që të fitonte pasuri e famë. Megjithatë, pasi bleu të vërtetën, rezultati është që sot po shërben si pioniere dhe, siç shprehet ajo vetë, gëzon «një jetë aq të lumtur dhe aq domethënëse sa s’ka ku të vejë».

11. Kur blejmë të vërtetën, ç’mund të ndodhë me disa nga marrëdhëniet tona personale?

11 Marrëdhëniet personale. Kur zgjedhim të jetojmë sipas së vërtetës së Biblës, lidhjet që kemi me miqtë dhe të afërmit mund të ndryshojnë. Pse? Jezui u lut kështu për dishepujt e tij: «Shenjtëroji me anë të së vërtetës. Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Fjala «shenjtëroji» mund të ketë edhe kuptimin «veçoji». Kur pranojmë të vërtetën, veçohemi nga bota sepse nuk modelohemi më sipas kallëpit të saj. Njerëzit na shohin me sy tjetër, sepse vlerat tona kanë ndryshuar. Jetojmë sipas standardeve të së vërtetës së Biblës. Edhe pse nuk duam të shkaktojmë përçarje, disa miq dhe pjesëtarë të afërt të familjes mund të sillen ftohtë me ne a madje mund t’i kundërvihen besimit tonë të ri. Kjo nuk na çudit. Jezui pranoi: «Në të vërtetë, armiqtë e njeriut do të jenë njerëzit e shtëpisë së vet.» (Mat. 10:36) Gjithashtu, ai na siguroi se shpërblimet që korrim kur blejmë të vërtetën, janë ku e ku më të mëdha se çdo çmim që mund të paguajmë.​—Lexo Markun 10:28-30.

12. Çfarë çmimi pagoi për të vërtetën një burrë që i përkiste fesë judaike?

12 Një biznesmeni të quajtur Aaron, që i përkiste fesë judaike, i kishin mësuar që në vogëli se emri i Perëndisë nuk duhet shqiptuar. Mirëpo Aaroni ishte i etur për të vërtetën. Atë s’e mbante vendi nga gëzimi kur një Dëshmitar i tregoi se duke kombinuar shenjat zanore me katër bashkëtingëlloret në hebraisht të emrit të Perëndisë, emri mund të shqiptohet «Jehova». Tërë entuziazëm, shkoi në sinagogë për t’ua treguar këtë zbulim të mahnitshëm edhe rabinëve. Reagimi i tyre nuk ishte ai që priste Aaroni. Në vend që të gëzonin bashkë me të se po mësonin të vërtetën për emrin e Perëndisë, ata e pështynë dhe e trajtuan si njeri të dëbuar nga komuniteti. Edhe lidhjet familjare u acaruan. Por, pa u stepur, ai vazhdoi të blinte të vërtetën dhe shërbeu si Dëshmitar i guximshëm i Jehovait gjatë gjithë jetës. Ashtu si Aaroni, për të ecur në të vërtetën, ne jemi të gatshëm të paguajmë çmimin që të pranojmë çfarëdo ndryshimesh në pozitën tonë shoqërore ose në marrëdhëniet familjare.

13, 14. Çfarë ndryshimesh duhet të bëjmë në mënyrën si mendojmë e në sjelljen tonë, që të blejmë të vërtetën? Jepni një shembull.

13 Mendimet dhe sjellja e paperëndishme. Që të pranojmë të vërtetën dhe të jetojmë sipas normave morale të Biblës, duhet të jemi të gatshëm të bëjmë ndryshime në mënyrën si mendojmë dhe në sjelljen tonë. Pjetri shkroi për këto ndryshime: «Si fëmijë të bindur, mjaft u brumosët sipas dëshirave që kishit më parë, në padijen tuaj, por . . . bëhuni edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj.» (1 Pjet. 1:14, 15) Për banorët e Korintit, një qytet i korruptuar moralisht, të blinin të vërtetën do të thoshte të bënin ndryshime rrënjësore në jetë. (1 Kor. 6:9-11) Në mënyrë të ngjashme, shumë njerëz sot kanë flakur tej sjelljet e paperëndishme, që të arrijnë të blejnë të vërtetën. Pjetri u kujtoi më tej të krishterëve të kohës së tij: «Ju mjafton koha që kaluat duke kryer vullnetin e botës, kur rendnit në vepra të sjelljes së shthurur, në epshe, teprime në verë, ahengje të shfrenuara, gara në të pirë dhe idhujtari të kundërligjshme.»​—1 Pjet. 4:3.

14 Devini dhe Jasmina ishin pijanecë nga shumë vjet. Edhe pse Devini ishte një llogaritar i zoti, abuzimi me alkoolin e pengonte të mbante një punë stabël. Jasmina kishte nam të keq për sjelljen e saj agresive e të dhunshme. Një ditë kur po ecte rrugës e dehur, Jasmina takoi një çift misionarësh Dëshmitarë. Misionarët morën masa për një studim biblik, por kur vajtën në shtëpinë e Devinit javën pasuese, Jasmina dhe Devini ishin të dehur. S’ua kishte marrë mendja që misionarët do të interesoheshin aq shumë për ta, sa t’u shkonin në shtëpi. Kur misionarët u kthyen herën tjetër, situata ishte ndryshe. Që në studimin e parë, Jasmina dhe Devini nisën ta studionin me etje Biblën dhe ta zbatonin atë që mësonin. Brenda tre muajsh, vendosën ta linin alkoolin dhe më vonë celebruan martesën e tyre. Ndryshimet që bënë, u ranë në sy sa e sa vetave, dhe kjo nxiti shumë të tjerë në fshatin e tyre që të studionin Biblën.

15. Cili mund të jetë një nga çmimet më të vështira që duhen paguar për të vërtetën, dhe pse?

15 Zakone e tradita që bien ndesh me Shkrimet. Të heqësh dorë nga zakonet dhe traditat që bien ndesh me Shkrimet, mund të jetë një nga çmimet më të vështira që duhen paguar për të vërtetën. Edhe pse disave mund t’u duket e lehtë ta pranojnë bazën biblike pse duhen braktisur këto tradita, të tjerë mund të ngurrojnë ta paguajnë çmimin për shkak të presioneve nga familjarët, shokët e punës dhe miqtë e afërt. Situata mund të tensionohet, sidomos nëse një zakon përfshin rite për të nderuar të afërmit e vdekur. (Ligj. 14:1) Shembulli i guximshëm i të tjerëve mund të na ndihmojë të bëjmë ndryshimet e nevojshme. Të shohim si vepruan me kurajë disa banorë të Efesit në shekullin e parë.

16. Çfarë bënë disa në Efes për të blerë të vërtetën?

16 Efesi ishte i njohur për praktikimin e magjisë. Çfarë bënë besimtarët e rinj të krishterë që ishin marrë me magji, për t’i flakur tej ato praktika që binin ndesh me Shkrimet e për të blerë të vërtetën? Bibla shpjegon: «Mjaft nga ata që ishin marrë me magji, i grumbulluan librat dhe i dogjën para të gjithëve. Kur llogaritën çmimin e tërë librave, doli se vlenin pesëdhjetë mijë monedha argjendi. Kështu, në mënyrë të fuqishme fjala e Jehovait përhapej e ngadhënjente.» (Vep. 19:19, 20) Të krishterët besnikë bënë atë sakrificë që u kushtoi shtrenjtë dhe fituan bekime që s’kanë të çmuar.

17. (a) Cilat gjëra mund të përfshihen te çmimi që duhet të paguajmë për të vërtetën? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

17 Çfarë ke paguar ti për të vërtetën? Të gjithë ne shpenzojmë kohë për të mbledhur lule të së vërtetës. Veç kësaj, disa paguajnë për të vërtetën duke hequr dorë nga të mirat materiale dhe duke përballuar ndryshimet në marrëdhëniet personale. Shumë vetave u duhet të ndryshojnë mënyrën si mendojnë e sjelljen e tyre dhe të mos përfshihen më në zakone e tradita që bien ndesh me Shkrimet. Por cilatdo qofshin sakrificat, jemi të bindur se vlera e së vërtetës së Biblës është ku e ku më e madhe se çfarëdo çmimi që duhet të paguajmë. Falë saj fitojmë gjënë më të çmuar në jetë: një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain. Kur meditojmë për bekimet që gëzojmë ngaqë njohim të vërtetën, nuk arrijmë ta kuptojmë pse dikush do të donte ta shiste të vërtetën. Si mund të ndodhë kjo? Dhe si mund ta shmangim këtë gabim kaq të rëndë? Këto pyetje do t’i shqyrtojmë në artikullin tjetër.

^ par. 8 Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.