Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Unë do të eci në të vërtetën tënde»

«Unë do të eci në të vërtetën tënde»

«Mësomë, o Jehova, udhën tënde. Unë do të eci në të vërtetën tënde.»​—PSAL. 86:11.

KËNGËT: 31, 72

1-3. (a) Si duhet të ndihemi për të vërtetën e Biblës? Ilustrojeni. (Shih figurat hapëse.) (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?

NDODH rëndom që njerëzit të kthejnë diçka që kanë blerë. Sipas statistikave, në disa shtete blerësit kthejnë gati 9 për qind të mallrave që blejnë në dyqane. Dhe nga mallrat e porositura online mund të kthehen më shumë se 30 për qind. Ndoshta ajo që blenë nuk u doli siç shpresonin, kishte defekt ose thjesht nuk u pëlqente. Kështu vendosën ta këmbenin atë mall ose kërkuan t’u ktheheshin paratë.

2 Ndonëse për gjërat materiale që blejmë mund të kërkojmë të na kthehen paratë, nuk do të donim kurrë të kthenim, ose ‘të shisnim’, «njohurinë e saktë» të së vërtetës biblike që ‘blemë’. (Lexo Proverbat 23:23; 1 Tim. 2:4) Siç e shqyrtuam në artikullin e kaluar, të vërtetën e fituam duke shpenzuar shumë kohë për ta mësuar. Veç kësaj, për të blerë të vërtetën, ndoshta kemi hequr dorë nga një karrierë fitimprurëse, kemi përballuar ndryshime në marrëdhëniet personale, kemi ndrequr mënyrën si mendojmë dhe sjelljen ose kemi braktisur zakone e tradita që bien ndesh me Shkrimet. Megjithatë, çmimi që paguam është i vogël krahasuar me bekimet që kemi marrë.

3 Kur bëhet fjalë për të vërtetën e Biblës, ndjenjat tona ngjajnë me ato të një burri që përshkroi Jezui në një ilustrim të shkurtër. Për të treguar sa e vyer është e vërteta e Mbretërisë së Perëndisë për ata që e gjejnë, Jezui foli për një tregtar shëtitës që kërkonte margaritarë të shkëlqyer, dhe e gjeti një. Në fakt, ai margaritar kishte vlerë aq të madhe, sa tregtari «shiti menjëherë» gjithçka që kishte për ta blerë. (Mat. 13:45, 46) Po njësoj, e vërteta që gjetëm​—e vërteta për Mbretërinë e Perëndisë dhe gjithë të vërtetat e tjera të vyera që mësuam nga Fjala e Perëndisë—ka vlerë kaq të madhe për ne, sa bëmë menjëherë dhe me gatishmëri sakrificat e nevojshme për ta fituar. Për sa kohë të vazhdojmë ta çmojmë të vërtetën, ‘nuk do ta shesim’ kurrë. Por mjerisht, disa nga populli i Perëndisë kanë harruar sa e vyer është e vërteta që fituan​—dhe madje e kanë shitur atë. Mos na ndodhtë kurrë kjo! Që të tregojmë se e çmojmë thellë të vërtetën dhe se nuk do ta shisnim kurrë, duhet t’i vëmë veshin këshillës së Biblës që ‘të vazhdojmë të ecim në të vërtetën’. (Lexo 3 Gjonit 2-4.) Të ecim në të vërtetën përfshin ta jetojmë atë​—t’i japim përparësi në jetë dhe të sillemi në harmoni me të. Le të shqyrtojmë këto pyetje: pse dhe si mund ‘ta shesin’ disa të vërtetën? Ç’mund të na ndihmojë që të mos biem në këtë gabim katastrofik? Si ta forcojmë vendosmërinë që ‘të vazhdojmë të ecim në të vërtetën’?

PSE DHE SI ‘E SHESIN’ DISA TË VËRTETËN

4. Pse disa në shekullin e parë ‘e shitën’ të vërtetën?

4 Në shekullin e parë, disa që në fillim i përqafuan mësimet e Jezuit, nuk vazhduan të ecnin në të vërtetën. Për shembull, pasi Jezui ushqeu një turmë të madhe nëpërmjet një mrekullie, turma e ndoqi deri në bregun tjetër të detit të Galilesë. Atje Jezui u tha këto fjalë që i shtangën: «Po të mos hani mishin e Birit të njeriut e po të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete.» Në vend që t’i kërkonin Jezuit t’ua shpjegonte këtë, ata u penguan nga fjalët e tij dhe thanë: «Ky i folur është tronditës! Kush mund ta dëgjojë?» Si pasojë, «shumë dishepuj iu kthyen gjërave që kishin lënë prapa dhe nuk ecën më me të».​—Gjoni 6:53-66.

5, 6. (a) Pse disa në ditët tona nuk e mbajtën fort të vërtetën? (b) Si mund ta lërë dalëngadalë të vërtetën dikush?

5 Mjerisht, disa sot nuk e kanë mbajtur fort të vërtetën. Disa u penguan nga kuptueshmëria e përditësuar e një fragmenti biblik ose nga diçka që tha a bëri një vëlla me përgjegjësi. Të tjerë u ofenduan nga ndonjë këshillë biblike që morën ose e lanë të vërtetën për shkak të një përplasjeje karakteri me një bashkëbesimtar. Të tjerë akoma morën anën e apostatëve e të kundërshtarëve të tjerë që shtrembëronin bindjet tona. Si pasojë, disa filluan ‘të largoheshin’ me dashje nga Jehovai dhe nga kongregacioni. (Hebr. 3:12-14) Sa më mirë do të kish qenë sikur ta kishin ruajtur besimin dhe ta kishin mbajtur të fortë sigurinë te Jezui, siç bëri apostulli Pjetër! Kur Jezui i pyeti apostujt nëse donin të largoheshin, Pjetri ia ktheu menjëherë: «Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përhershme.»​—Gjoni 6:67-69.

6 Të tjerë e kanë lënë avash-avash të vërtetën, ndoshta pa e vënë re fare se ç’po ndodhte. Dikush që e lë dalëngadalë të vërtetën, është si një varkë që ikën avash-avash larg bregut. Këtë ndryshim të ngadaltë Bibla e përshkruan me fjalët ‘të merr rryma’. (Hebr. 2:1) Ndryshe nga dikush që largohet me dashje nga e vërteta, një njeri që e merr rryma nuk e bën këtë qëllimisht. Gjithsesi, ai e dëmton marrëdhënien me Jehovain dhe rrezikon ta humbasë. Ç’mund të na ndihmojë që të mos marrim këtë rrugë katastrofike?

Ç’MUND TË NA NDIHMOJË TË MOS E SHESIM TË VËRTETËN?

7. Cili është një hap i parë që do të na ndihmojë të mos e shesim të vërtetën?

7 Që të ecim në të vërtetën, duhet të pranojmë dhe t’u bindemi të gjitha fjalëve të Jehovait. Duhet t’i japim përparësi në jetë të vërtetës dhe të jetojmë sipas parimeve të Biblës. Ndërsa po i lutej Jehovait, mbreti David tha me bindje: «Unë do të eci në të vërtetën tënde.» (Psal. 86:11) Davidi ishte i vendosur. Edhe ne duhet të kemi vendosmërinë e patundur që të vazhdojmë të ecim në të vërtetën e Perëndisë. Po të mos jemi të vendosur, mund të na brejnë dyshimet për gjërat që paguam për të vërtetën dhe mund të tundohemi ta marrim mbrapsht një pjesë të asaj që paguam. Në vend të kësaj, ne tregojmë kujdes që të mbajmë fort të vërtetën e plotë. E kuptojmë se s’mund të bëjmë naze e të zgjedhim cilat të vërteta të pranojmë dhe cilat të shpërfillim. Ne duhet të ecim në «gjithë të vërtetën». (Gjoni 16:13) Le të meditojmë për pesë gjëra që mund të kemi paguar për të vërtetën. Kjo do të na forcojë vendosmërinë që të mos tundohemi të marrim mbrapsht qoftë edhe një pjesë të asaj që kemi paguar.—Mat. 6:19.

8. Si mund ta lërë dalëngadalë të vërtetën një i krishterë ngaqë nuk e përdor kohën me mençuri? Jepni një shembull.

8 Koha. Që të mos e lëmë dalëngadalë të vërtetën, duhet ta përdorim me mençuri kohën. Nëse nuk bëjmë kujdes, mund të fillojmë të harxhojmë kohë me tepri për t’u zbavitur, për t’u marrë me ndonjë hobi, për të lundruar në Internet ose për të parë televizor. Ndonëse këto gjëra nuk janë të gabuara në vetvete, koha që harxhojmë për to mund të na vjedhë si pa kuptuar kohën që i kushtonim më parë studimit personal dhe aktiviteteve të tjera teokratike. Të shohim për shembull çfarë i ndodhi një motre që quhet Ema. * Që në fëmijëri, Ema ishte e dashuruar pas kuajve dhe shëtiste me kalë sa herë që i jepej mundësia. Por më vonë, filloi të ndihej në faj për gjithë atë kohë që harxhonte për hobin e saj. Bëri ndryshime dhe si përfundim ia doli ta mbante zbavitjen në vendin e duhur. Atë e inkurajoi edhe përvoja e Kori Uellsit, një motër që kishte qenë kalorëse në shfaqjet rodeo. * Sot Ema kënaqet duke kaluar më shumë kohë në aktivitetet teokratike dhe me familjen e miqtë që ka në të vërtetën. Ndihet më afër Jehovait dhe ka paqe në zemër, ngaqë e di se po e përdor kohën me mençuri.

9. Si mund t’i shtyjë disa rendja pas gjërave materiale që të lënë mënjanë aktivitetet teokratike?

9 Të mirat materiale. Që të vazhdojmë të ecim në të vërtetën, duhet t’i mbajmë gjërat materiale në vendin e duhur. Kur mësuam të vërtetën, aktivitetet teokratike u bënë shumë më të rëndësishme për ne se të mirat materiale. Bëmë me kënaqësi sakrifica materiale me qëllim që të ecnim në të vërtetën. Por, ndërsa koha kalon, mund të shohim që të tjerët blejnë pajisjet elektronike më të fundit ose gëzojnë të mira të tjera materiale. Mund të fillojmë të ndihemi sikur po humbim diçka. Ngaqë nuk jemi më të kënaqur me gjërat e nevojshme, mund t’i lëmë mënjanë aktivitetet teokratike për të grumbulluar të mira materiale. Kjo na sjell ndër mend rrugën që ndoqi Dema. Dashuria për «këtë botë» e shtyu të braktiste caktimin në shërbim përkrah apostullit Pavël. (2 Tim. 4:10) Pse e la Pavlin Dema? Bibla nuk e thotë nëse donte gjërat materiale më shumë se aktivitetet teokratike apo nëse nuk ishte më i gatshëm të bënte sakrifica për të shërbyer bashkë me Pavlin. Pa dyshim, ne nuk duam të rindezim dëshirën për të mirat materiale dhe të lejojmë që këto gjëra joshëse të na mbytin dashurinë për të vërtetën.

10. Cilave presione duhet t’u rezistojmë, që të vazhdojmë të ecim në të vërtetën?

10 Marrëdhëniet personale. Që të vazhdojmë të ecim në të vërtetën, duhet të mos dorëzohemi para presioneve të të tjerëve. Kur filluam të ecnim në të vërtetën, marrëdhënia jonë me shokët dhe pjesëtarët e familjes që s’janë Dëshmitarë ndryshoi. Disa ishin tolerantë; të tjerë na kundërshtonin haptazi. (1 Pjet. 4:4) Edhe pse bëjmë çmos të kemi marrëdhënie të mira me pjesëtarët e familjes dhe t’i trajtojmë me dashamirësi, duhet të kemi kujdes të mos bëjmë kompromis me të vërtetën për t’u bërë qejfin atyre. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi të shkojmë mirë me pjesëtarët e familjes. E duke mbajtur në mendje paralajmërimin e qartë te 1 Korintasve 15:33, do të kemi miqësi të ngushtë vetëm me ata që e duan Jehovain.

11. Si mund t’i shmangim praktikat që bien ndesh me Shkrimet?

11 Mendimet dhe sjellja e paperëndishme. Të gjithë ata që ecin në të vërtetën duhet të jenë të shenjtë. (Isa. 35:8; lexo 1 Pjetrit 1:14-16.) Kur përqafuam të vërtetën, të gjithëve na u desh të bënim ndryshime për të jetuar sipas standardeve të drejta të Biblës. Disa duhej të bënin ndryshime kolosale. Sido të ketë qenë, nuk duhet ta shkëmbejmë kurrë gjendjen tonë të pastër e të shenjtë me fëlliqësinë imorale të kësaj bote. Ç’mund të na ndihmojë që të mos dorëzohemi para tundimeve për të kryer imoralitet? Të reflektojmë për çmimin e madh që pagoi Jehovai me qëllim që ne të jemi të shenjtë—gjakun e çmuar të Birit të tij, Jezu Krishtit. (1 Pjet. 1:18, 19) Që të mbetemi të pastër në sytë e Jehovait, duhet ta përqendrojmë mendjen dhe zemrën te vlera e madhe e flijimit shpërblyes të Jezuit.

12, 13. (a) Pse është jetësore të mbajmë të njëjtën pikëpamje si Jehovai për festat? (b) Çfarë do të shqyrtojmë më tej?

12 Zakonet dhe traditat që bien ndesh me Shkrimet. Pjesëtarët e familjes, shokët e punës dhe shokët e shkollës mund të na nxitin të bashkohemi me ta për festa të veçanta. Si t’i rezistojmë presionit për të ndjekur zakone dhe festa që nuk nderojnë Jehovain? Mund t’ia dalim duke mbajtur të qartë në mendje pikëpamjen e Jehovait për tradita të tilla. Mund të jetë e dobishme të shqyrtojmë materialet e botuara në literaturën tonë që tregojnë origjinën e festave tradicionale. Kur sjellim në mendje arsyet biblike pse nuk marrim pjesë në festa të tilla, ndihemi të sigurt se po ecim në udhën që «është e pranueshme para Zotërisë». (Efes. 5:10) Besimi i plotë te Jehovai dhe te Fjala e tij e së vërtetës, do të na mbrojë që ‘të mos dridhemi para njerëzve’.​—Prov. 29:25.

13 Të ecim në të vërtetën është një proces i pareshtur, një shteg që shpresojmë ta ndjekim gjatë gjithë përjetësisë. Si mund ta forcojmë vendosmërinë që të vazhdojmë të ecim në të vërtetën? Le të shqyrtojmë tri mënyra.

FORCO VENDOSMËRINË PËR TË ECUR NË TË VËRTETËN

14. (a) Kur vazhdojmë të blejmë të vërtetën, si na forcohet vendosmëria për të mos e shitur kurrë? (b) Pse janë jetësore mençuria, disiplina dhe kuptueshmëria?

14 Së pari, vazhdo të studiosh të vërtetat e çmuara të Fjalës së Perëndisë dhe bluaji në mendje. Po, blije të vërtetën duke programuar kohë rregullisht për t’u ushqyer me të vërtetat e vyera të Fjalës së Perëndisë. Kështu do të thellosh çmueshmërinë për të vërtetën dhe do të forcosh vendosmërinë për të mos e shitur kurrë. Përveçse të blejmë të vërtetën, Proverbat 23:23 na thotë se duhet të blejmë edhe «mençurinë, disiplinën dhe kuptueshmërinë». Pra, nuk mjafton vetëm njohuria për të vërtetën. Duhet ta zbatojmë në jetën tonë. Kur fitojmë kuptueshmëri, dallojmë si harmonizohen të gjitha gjërat që na mëson Jehovai. Mençuria na nxit të veprojmë sipas asaj që dimë. Hera-herës, e vërteta na disiplinon, duke na treguar ku duhet të bëjmë ndryshime. Le të jemi gjithmonë të gatshëm t’i përgjigjemi drejtimit të saj. Disiplina ka vlerë shumë më të madhe se argjendi.​—Prov. 8:10.

15. Si na mbron brezi i së vërtetës?

15 Së dyti, ji plotësisht i vendosur të jetosh në harmoni me të vërtetën ditë për ditë. Ngjishe në ijë brezin e së vërtetës. (Efes. 6:14) Në kohët biblike, brezi që mbante ushtari i mbronte ijët dhe organet e brendshme. Ama, që brezi ta mbronte, duhej ta ngjishte fort. Nëse vihej lirshëm, brezi nuk ishte ndonjë mbrojtje e madhe. Si na mbron brezi ynë i së vërtetës? Nëse e ngjeshim fort pas vetes si një brez, e vërteta do të na mbrojë nga arsyetimet e gabuara dhe do të na ndihmojë të marrim vendime të mençura. Kur jemi para tundimit ose në sprovë, e vërteta e Biblës do të na forcojë vendosmërinë për të bërë atë që është e drejtë. Ashtu si një ushtar s’do ta çonte kurrë nëpër mend të shkonte në betejë pa brezin e tij, edhe ne duhet të jemi të vendosur të mos e lirojmë ose të mos e heqim kurrë brezin e së vërtetës. Përkundrazi, bëjmë çmos ta mbajmë të ngjeshur fort pas vetes, duke jetuar në harmoni me të vërtetën. Një funksion tjetër i brezit të ushtarit ishte që shërbente si një vend i përshtatshëm për të mbajtur shpatën. Kjo na çon te mënyra tjetër si ta forcojmë vendosmërinë për të vazhduar të ecim në të vërtetën.

16. Si na forcohet vendosmëria për të vazhduar të ecim në të vërtetën kur ia mësojmë atë të tjerëve?

16 Së treti, përpiqu t’ua mësosh të tjerëve të vërtetën e Biblës sa më shumë të mundesh. Kështu do ta mbash fort pas vetes shpatën​—‘fjalën e Perëndisë’. (Efes. 6:17) Të gjithë mund të përpiqemi të përmirësojmë aftësitë si mësues, ‘duke e përdorur drejt fjalën e së vërtetës’. (2 Tim. 2:15) Ndërsa e përdorim Biblën për të ndihmuar të tjerët të blejnë të vërtetën dhe të hedhin poshtë gënjeshtrat, i gdhendim në mendjen e në zemrën tonë fjalët e Perëndisë. Kështu forcojmë vendosmërinë për të vazhduar të ecim në të vërtetën.

17. Pse është e çmuar për ty e vërteta?

17 E vërteta është një dhuratë e vyer nga Jehovai. Falë kësaj dhurate, kemi gjënë më të çmuar në jetë​—marrëdhënien e ngushtë me Atin tonë qiellor. Ato që na ka mësuar deri tani Perëndia, janë vetëm fillimi! Ai na ka premtuar një përjetësi për ta pasuruar pa fund të vërtetën që kemi blerë. Prandaj çmoje të vërtetën si një margaritar të shkëlqyer. Vazhdo ‘ta blesh të vërtetën dhe mos e shit’ kurrë. Atëherë, ashtu si Davidi, do të mbash këtë premtim ndaj Jehovait: «Unë do të eci në të vërtetën tënde.»​—Psal. 86:11.

^ par. 8 Emri është ndryshuar.

^ par. 8 Shko te JW Broadcasting dhe shih tek INTERVISTA DHE PËRVOJA > E VËRTETA TRANSFORMON JETË.