ARTIKULLI I STUDIMIT 48
‘Përfundoje atë që nise’
«Përfundojeni atë që nisët.»—2 KOR. 8:11.
KËNGA 35 ‘Të sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’
PËRMBLEDHJE *
1. Çfarë lirie na jep Jehovai?
JEHOVAI na jep lirinë të vendosim si do ta jetojmë jetën. Ai na mëson të bëjmë zgjedhje të mençura dhe, kur marrim vendime që e kënaqin, na ndihmon të kemi sukses. (Psal. 119:173) Sa më shumë e vëmë në punë mençurinë që gjendet në Fjalën e Perëndisë, aq më të zotë bëhemi për të marrë vendime të mira.—Hebr. 5:14.
2. Çfarë vështirësie mund të hasim pasi kemi marrë një vendim?
2 Megjithatë, edhe kur marrim një vendim të mençur, mund ta kemi të vështirë ta përfundojmë atë që kemi nisur. Të shqyrtojmë disa shembuj: një vëlla i ri vendos ta lexojë të gjithë Biblën. Ai e ndjek programin për disa javë, por pastaj e ndërpret për një arsye a një tjetër. Një motër vendos të shërbejë si pioniere e rregullt, por e shtyn vazhdimisht datën kur do të fillojë. Një trup pleqsh vendosin unanimisht t’u bëjnë më shumë vizita baritore vëllezërve dhe motrave në kongregacion, por pas shumë muajsh ende nuk e kanë zbatuar atë vendim. Edhe pse ndryshojnë nga njëra-tjetra, këto situata kanë diçka të përbashkët. Vendimet u morën, por nuk u vunë në jetë. Të krishterët e shekullit të parë në Korint hasën një sfidë të ngjashme. Të shohim çfarë mund të mësojmë prej tyre.
3. Cilin vendim mori kongregacioni i Korintit, por çfarë ndodhi?
3 Rreth vitit 55 të e.s., të krishterët në Korint morën një vendim të rëndësishëm. Ata morën vesh se vëllezërit e tyre në Jerusalem e në Jude po vuanin e po luftonin me varfërinë 1 Kor. 16:1; 2 Kor. 8:6) Megjithatë, pak muaj më vonë, Pavli mori vesh se korintasit nuk kishin vepruar sipas vendimit që morën. Si pasojë, dhurata e tyre mund të mos ishte gati në kohë për t’u çuar në Jerusalem bashkë me kontributet e kongregacioneve të tjera.—2 Kor. 9:4, 5.
dhe se kongregacionet e tjera po mblidhnin pará për t’i ndihmuar. Nga mirësia e bujaria, korintasit vendosën t’i bashkoheshin kësaj nisme dhe pyetën Pavlin si mund të ndihmonin. Ai i dha disa udhëzime kongregacionit dhe caktoi Titin të ndihmonte për mbledhjen e parave. (4. Siç theksohet te 2 Korintasve 8:7, 10, 11, për çfarë i nxiti Pavli korintasit?
4 Korintasit kishin marrë një vendim të mirë, dhe Pavli i lavdëroi për besimin e jashtëzakonshëm dhe dëshirën e sinqertë për të qenë bujarë. Mirëpo iu desh edhe t’i nxiste ta përfundonin atë që kishin nisur. (Lexo 2 Korintasve 8:7, 10, 11.) Ajo që ndodhi me korintasit, na mëson se edhe të krishterët besnikë mund ta kenë të vështirë t’i përmbahen një vendimi të mirë.
5. Cilave pyetje do t’u përgjigjemi?
5 Njësoj si korintasit, mund ta kemi të vështirë t’u përmbahemi vendimeve tona. Pse? Sepse për shkak të papërsosmërisë, mbase i zvarritim gjërat. Ose ngjarjet e paparashikuara ndoshta na e bëjnë të pamundur t’i përmbahemi një vendimi. (Ekl. 9:11; Rom. 7:18) Çfarë duhet të bëjmë nëse na duhet të rishqyrtojmë një vendim dhe si ta përcaktojmë nëse duhet ta ndryshojmë? Si mund të sigurohemi që ta përfundojmë atë që nisim?
PARA SE TË MARRËSH NJË VENDIM
6. Pse disa vendime mund të kenë nevojë për ndonjë ndryshim?
6 Disa vendime të rëndësishme nuk i ndryshojmë kurrë. Për shembull, nuk tërhiqemi kurrsesi nga vendimi për t’i shërbyer Jehovait dhe jemi të vendosur t’i qëndrojmë besnikë bashkëshortit. (Mat. 16:24; 19:6) Megjithatë, disa vendime mund të kenë nevojë për ndonjë ndryshim. Pse? Ngaqë rrethanat ndryshojnë. Cilët hapa mund të na ndihmojnë të marrim vendime sa më të mira?
7. Për çfarë duhet të lutemi, dhe pse?
7 Lutu për mençuri. Jehovai e frymëzoi Jakovin të shkruante: «Nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri, t’ia kërkojë pareshtur Perëndisë, . . . sepse ai u jep të gjithëve bujarisht.» (Jak. 1:5 nwt) Në disa fusha, të gjithë ‘nuk kemi mjaft mençuri’. Prandaj mbështetu te Jehovai kur merr një vendim dhe kur e rishqyrton atë vendim. Atëherë Jehovai do të të ndihmojë të marrësh vendime të mençura.
8. Çfarë kërkimesh duhet të bëjmë para se të marrim një vendim?
8 Bëj kërkime të hollësishme. Bëj kërkime në Fjalën e Perëndisë, lexo botimet e organizatës së Jehovait dhe fol me persona të pjekur. (Prov. 20:18) Kërkime të tilla janë jetësore para se të vendosim të ndryshojmë punën, të transferohemi ose të zgjedhim arsimimin e duhur që të na ndihmojë për shërbimin.
9. Çfarë dobie kemi nëse jemi të sinqertë me veten?
9 Analizo motivet. Jehovait i interesojnë shumë motivet tona. (Prov. 16:2) Ai dëshiron të jemi të sinqertë në çdo gjë. Prandaj, kur marrim vendime, edhe ne dëshirojmë të jemi të sinqertë me veten dhe me të tjerët për motivet tona. Nëse nuk jemi plotësisht të sinqertë kur marrim një vendim, mund ta kemi të vështirë t’i qëndrojmë atij vendimi. Për shembull, një vëlla i ri mund të vendosë të bëhet pionier i rregullt. Megjithatë, pas ca kohësh mezi i plotëson orët dhe nuk e shijon më shërbimin. Mund të ketë menduar se motivi kryesor për t’u bërë pionier, ishte dëshira për t’i pëlqyer Jehovait. Por, mos ndoshta ishte i motivuar kryesisht nga dëshira për t’u pëlqyer prindërve ose dikujt tjetër?
10. Për çfarë kemi nevojë që të bëjmë ndryshime?
10 Mendo për një student të Biblës që vendos ta lërë duhanin. Në fillim përpiqet fort dhe e lë për një a dy javë, por pastaj dorëzohet dhe pi sërish. Ama në fund ia del mbanë! Dashuria për Jehovain dhe dëshira për t’i pëlqyer, e ndihmojnë të fitojë luftën me këtë ves.—Kolos. 1:10; 3:23.
11. Pse duhet të vendosësh synime specifike?
11 Ji specifik. Sa më specifik të jesh, aq më të lehtë do ta kesh ta përfundosh atë që nis. Për shembull, mbase ke vendosur ta lexosh Biblën më shpesh. Por, nëse nuk ke bërë një program specifik, mund të mos e arrish synimin. * Ose pleqtë në kongregacion vendosin të bëjnë më shpesh vizita baritore, por pas ca kohësh ende nuk e kanë zbatuar vendimin. Për të arritur pikësynimin, mund të bëjnë pyetje të tilla, si: «A kemi përcaktuar cilët vëllezër e motra mund të nxjerrin veçanërisht dobi nga këto vizita? A e kemi përcaktuar kur do t’i vizitojmë?»
12. Çfarë mund të na duhet të bëjmë, dhe pse?
12 Ji realist. Asnjë prej nesh nuk ka kohë, energji a të ardhura të bëjë çdo gjë që i pëlqen. Prandaj ji realist dhe i arsyeshëm. Ndonjëherë mund të jetë e nevojshme të ndryshosh një vendim që është përtej mundësive të tua për ta zbatuar. (Ekl. 3:6) Megjithatë, ta zëmë se e ke rishqyrtuar vendimin tënd dhe mendon se me disa përshtatje mund t’i përmbahesh. Shqyrto pesë hapa që mund të të ndihmojnë ta përfundosh atë që nis.
HAPA PËR T’I ZBATUAR VENDIMET
13. Si mund të marrësh fuqinë e nevojshme për të zbatuar një vendim?
13 Lutu për fuqi që të veprosh. Perëndia mund të të japë ‘fuqinë që të veprosh’ dhe ta zbatosh vendimin tënd. (Filip. 2:13, nwt) Prandaj lutju Jehovait të të japë fuqinë e nevojshme nëpërmjet frymës së shenjtë. Vazhdo t’i lutesh edhe nëse duket sikur përgjigjja po vonon. Jezui tha: «Vazhdoni të kërkoni [frymën e shenjtë] dhe do t’ju jepet.»—Luka 11:9, 13.
14. Si mund të të ndihmojë parimi i Proverbave 21:5 që ta zbatosh një vendim?
14 Bëj një plan. (Lexo Proverbat 21:5.) Që të përfundosh një projekt, ke nevojë për një plan. Pastaj duhet të punosh sipas atij plani. Po njësoj, kur merr një vendim, bëj një listë me hapat specifikë që duhet të ndjekësh për ta zbatuar vendimin. Ndarja e punëve të mëdha në detyra të vogla, të ndihmon të kuptosh sa ke përparuar. Pavli i nxiti korintasit të vinin diçka mënjanë për kontributin e tyre «ditën e parë të çdo jave», në vend se t’i mblidhnin fondet kur të vinte ai. (1 Kor. 16:2) Gjithashtu, kur i ndan punët e mëdha në detyra të vogla, nuk do të të duken të parealizueshme.
15. Si mund të veprosh pasi ke bërë një plan?
15 Nëse e hedh me shkrim planin që ke, mund ta kesh më të lehtë t’i bësh realitet vendimet e tua. (1 Kor. 14:40) Për shembull, trupat e pleqve kanë marrë udhëzimin të caktojnë një plak për të mbajtur shënim çdo vendim të trupit të pleqve, përfshirë kush do ta zbatojë dhe datën e sugjeruar për ta përfunduar. Kur pleqtë e ndjekin këtë drejtim, e kanë më të lehtë t’i zbatojnë vendimet e tyre. (1 Kor. 9:26) Pse të mos bësh edhe ti diçka të ngjashme në jetën e përditshme? Për shembull, mund të shkruash një listë të gjërave që duhet të bësh gjatë ditës dhe t’i renditësh sipas përparësisë. Kjo mund të të ndihmojë jo vetëm ta përfundosh atë që nis, por edhe të bësh më shumë gjëra në më pak kohë.
16. Çfarë duhet për ta zbatuar një vendim, dhe si e mbështet këtë Romakëve 12:11?
16 Përpiqu fuqimisht. Duhen përpjekje që ta zbatosh një plan dhe ta përfundosh atë që nis. (Lexo Romakëve 12:11.) Pavli e nxiti Timoteun ‘të vazhdonte t’i kushtohej’ mësimdhënies dhe ‘të ngulmonte’ që të bëhej mësues më i mirë. Kjo këshillë vlen edhe për synime të tjera teokratike.—1 Tim. 4:13, 16.
17. Si mund të na ndihmojë Efesianëve 5:15, 16 për ta zbatuar një vendim?
17 Përdore kohën me mençuri. (Lexo Efesianëve 5:15, 16.) Përcakto kohën kur do ta vësh në jetë një vendim dhe mos e ndrysho. Mos prit kohën e përsosur që të veprosh; koha e përsosur s’ka për të ardhur. (Ekl. 11:4) Mos lejo që gjërat më pak të rëndësishme të të grabitin kohën dhe energjitë që të duhen për gjërat më të rëndësishme. (Filip. 1:10) Nëse është e mundur, zgjidh një moment kur ke pak shpërqendrime. Thuaju të tjerëve se ke nevojë për kohë që të përqendrohesh. Pse të mos e fikësh celularin dhe t’i kontrollosh më vonë email-et ose rrjetet sociale? *
18-19. Çfarë të ndihmon të mos dorëzohesh për të zbatuar një vendim kur has pengesa?
18 Përqendrohu te rezultati. Rezultati i një vendimi është si destinacioni i një udhëtimi. Kur do vërtet të arrish në destinacion, ecën pa u ndalur edhe nëse duhet t’i biesh nga një drejtim tjetër ngaqë rruga është e bllokuar. Po njësoj, kur përqendrohesh te rezultati i një vendimi, nuk dorëzohesh kollaj edhe sikur të hasësh pengesa ose të kesh nevojë të ndërrosh rrugë.—Gal. 6:9.
19 Të marrësh vendime të mira dhe t’i vësh në jetë, mund të jetë e vështirë. Por Jehovai mund të të japë mençurinë dhe fuqinë që të duhet për ta përfunduar atë që nis.
KËNGA 65 Përparo!
^ par. 5 A je bërë pishman për ndonjë vendim që ke marrë? A e ke të vështirë ndonjëherë të marrësh vendime të mira dhe t’i vësh në jetë? Ky artikull do të të ndihmojë t’i përballosh këto vështirësi dhe ta përfundosh atë që nise.
^ par. 11 Që të planifikosh leximin personal të Biblës, mund të përdorësh «Programin për leximin e Biblës» që gjendet në jw.org®. Shko te BOTIME > LIBRA DHE BROSHURA.
^ par. 17 Për më shumë sugjerime si ta përdorësh me mençuri kohën, shih artikullin «20 mënyra për të pasur më shumë kohë» te Zgjohuni! i prillit 2010.