Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

‘Jehovai nuk më ka harruar kurrë’

‘Jehovai nuk më ka harruar kurrë’

JETOJ në Guajanë, në Amerikën e Jugut, në një fshat të indianëve të Amerikës me afro 2.000 banorë, që quhet Orealë. Është fshat i izoluar ku mund të shkosh vetëm me aeroplan të vogël ose me varkë.

Linda më 1983. Isha fëmijë i shëndetshëm për disa vjet, por në moshën 10-vjeçare fillova të ndieja dhimbje therëse në tërë trupin. Kështu kaluan rreth dy vjet. Një mëngjes, kur u zgjova, nuk i lëvizja dot këmbët. Sado që u përpoqa, ishte e pamundur. Që nga ajo ditë s’kam ecur më, e si pasojë e sëmundjes, nuk u rrita më në shtat. Sot jam po aq i vogël në trup sa kur isha fëmijë.

Kisha disa muaj që nuk dilja nga shtëpia, kur na trokitën në derë dy Dëshmitare të Jehovait. Sa herë na vinin njerëz, përpiqesha të fshihesha, por atë ditë ndenja të bisedoja me to. Ndërsa më tregonin për Parajsën, m’u kujtua diçka që kisha dëgjuar kur isha nja pesë vjeç. Në atë kohë, një misionar që quhej Xhethro dhe jetonte në Surinam, vinte një herë në muaj në fshatin tonë dhe studionte Biblën me babanë. Xhethro më trajtonte me shumë përzemërsi dhe e doja fort. Veç kësaj, gjyshërit më merrnin në disa mbledhje të Dëshmitarëve në fshatin tonë. Prandaj kur njëra nga Dëshmitaret, Florenca, më pyeti nëse kisha qejf të dija më shumë, i thashë «po».

Florenca u kthye me të shoqin, Xhustin, dhe filluan të studionin Biblën me mua. Kur panë se nuk dija të lexoja, më ndihmuan të mësoja shkrim e lexim dhe pas ca kohësh lexoja vetë. Një ditë, çifti më tha se ishin caktuar të shërbenin në Surinam. Mjerisht në Orealë nuk kishte asnjë që të vazhdonte të studionte Biblën me mua. Por sa mirë që Jehovai nuk më harroi!

S’kaloi shumë dhe në Orealë erdhi një pionier që quhej Flojd. E takova ndërsa predikonte kasolle më kasolle. Kur më ofroi të studionim Biblën, buzëqesha. «Pse po buzëqesh?»—më pyeti. I thashë se tashmë kisha studiuar broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? dhe kisha nisur të studioja librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. * I tregova pse e kisha ndërprerë studimin. Me Flojdin studiuam pjesën tjetër të librit Njohuria, por pastaj edhe atë e caktuan të shërbente diku tjetër. Mbeta prapë pa mësues të Biblës.

Megjithatë, në vitin 2004, në Orealë u caktuan dy pionierë specialë, Granvili dhe Xhoshua. Ata predikuan kasolle më kasolle dhe më takuan e më pyetën nëse doja të studioja. Buzëqesha dhe u kërkova të studionim që nga fillimi librin Njohuria. Doja të shihja nëse do të më mësonin të njëjtat gjëra si mësuesit e mëparshëm. Granvili më tha se në fshat mbaheshin mbledhje. Ndonëse kisha gati dhjetë vjet pa dalë nga shtëpia, doja të shkoja në mbledhje. Prandaj Granvili erdhi të më merrte dhe më vuri në një karrige me rrota që e shtyu deri në Sallën e Mbretërisë.

Me kalimin e kohës, Granvili më inkurajoi të hyja në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Më tha: «Vërtet ke kufizime fizike, ama mund të flasësh. Një ditë ke për të mbajtur fjalim publik. Do t’ia dalësh se s’bën!» Fjalët e tij inkurajuese më dhanë siguri.

Fillova të dilja në predikim bashkë me Granvilin. Por shumë nga rrugët me pluhur të fshatit ishin tërë gropa, prandaj mezi ecje me karrige me rrota. Kështu i kërkova Granvilit të përdornim një karrocë dore. Kjo funksionoi për bukuri. Në prill të 2005-s, u pagëzova. Pak më vonë, vëllezërit më stërvitën që të kujdesesha për literaturën e kongregacionit dhe për sistemin akustik në Sallën e Mbretërisë.

Në vitin 2007, im atë mjerisht vdiq në një aksident me varkë. Familja jonë ishte shumë e tronditur. Granvili u lut bashkë me ne dhe na lexoi vargje ngushëlluese. Dy vjet më vonë na goditi një tragjedi tjetër—Granvili vdiq në një aksident me varkë.

Tani kongregacioni ynë i vogël, i pikëlluar nga ajo vdekje kishte vetëm një shërbëtor kongregacioni dhe asnjë plak. Vdekja e mikut tim të shtrenjtë, Granvilit, më hapi plagë në zemër. Me besnikëri, ai më kishte ndihmuar për të lidhur miqësi me Jehovain dhe për shumë gjëra të tjera praktike. Në mbledhjen pas vdekjes së tij, isha caktuar si lexues për Studimin e Kullës së Rojës. Ia dola të lexoja dy paragrafët e parë, por pastaj s’i mbaja dot lotët, prandaj m’u desh të zbrisja nga podiumi.

Fillova të çelesha pak kur në Orealë erdhën të na ndihmonin disa vëllezër nga një kongregacion tjetër. Veç kësaj, zyra e degës dërgoi një pionier special që quhet Koxho. Çfarë gëzimi ishte për mua kur mamaja dhe vëllai i vogël nisën të studionin dhe u pagëzuan! Pastaj, në mars të 2015-s, u emërova shërbëtor kongregacioni e pas ca kohësh mbajta fjalimin e parë publik. Atë ditë, me buzëqeshje në fytyrë dhe lot mirënjohjeje, m’u kujtuan fjalët e Granvilit vite më parë: «Një ditë ke për të mbajtur fjalim publik. Do t’ia dalësh se s’bën!»

Nëpërmjet programeve të JW Broadcasting®, kam njohur vëllezër e motra që janë në situata të ngjashme me timen. Me gjithë sëmundjen, ata bëjnë një jetë të lumtur e plot aktivitete. Por edhe unë jam në gjendje të bëj disa gjëra dhe dua t’i jap Jehovait më të mirën. Kjo më nxiti të bëhesha pionier i rregullt. E në shtator të 2019-s, mora një lajm të bukur që më befasoi: isha emëruar të shërbeja si plak në kongregacionin tonë me rreth 40 lajmëtarë.

U jam mirënjohës motrave e vëllezërve të shtrenjtë që studiuan me mua e që më kanë ndihmuar t’i shërbej Jehovait. Mbi të gjitha, i jam mirënjohës pa fund Jehovait që nuk më ka harruar kurrë.

^ par. 8 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.