Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 48

‘Shih drejt përpara’ nga e ardhmja

‘Shih drejt përpara’ nga e ardhmja

«Sytë e tu duhet të shikojnë drejt përpara, po, nguli sytë drejt përpara teje.»—PROV. 4:25.

KËNGA 77 Dritë mes errësirës

PËRMBLEDHJE *

1-2. Si mund ta ndjekim këshillën që jepet te Proverbat 4:25? Jepni një shembull.

MENDO për këta shembuj: një motër e moshuar sjell ndër mend ditët e bukura të së kaluarës. Edhe pse tani jeta e saj është më e vështirë, ajo vazhdon të japë më të mirën për Jehovain. (1 Kor. 15:58) Çdo ditë përfytyron jetën në botën e re me njerëzit e saj të dashur. Një motër tjetër kujton si e lëndoi dikush në kongregacion, por zgjedh të mos ushqejë mëri. (Kolos. 3:13) Një vëllai i kujtohen mirë gabimet që ka bërë në të kaluarën, por tani meraku i tij kryesor është si t’i qëndrojë besnik Jehovait.—Psal. 51:10.

2 Çfarë kanë të përbashkët këta Dëshmitarë? Që të tre e kujtojnë çfarë u ka ndodhur në të kaluarën, por nuk jetojnë me të kaluarën. Përkundrazi, ‘shohin drejt përpara’ nga e ardhmja.—Lexo Proverbat 4:25.

3. Pse kemi nevojë ‘të shohim drejt përpara’ nga e ardhmja?

3 Pse është e rëndësishme ‘të shohim drejt përpara’ nga e ardhmja? Dikush që i mban vazhdimisht sytë pas, nuk mund të ecë në një vijë të drejtë. Po njësoj, nëse i mbajmë vazhdimisht sytë nga e kaluara, nuk mund të ecim përpara në shërbimin e Jehovait.—Luka 9:62.

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Në këtë artikull do të shqyrtojmë tri kurthe që mund të na shtyjnë të jetojmë me të kaluarën. * Ato janë: (1) nostalgjia, (2) mëria dhe (3) ndjenja e tepruar e fajit. Në secilin rast, do të shohim si na ndihmojnë parimet e Biblës të mos e mbajmë mendjen te gjërat që ‘lamë pas’, por të synojmë drejt gjërave që ‘kemi përpara’.—Filip. 3:13.

KURTHI I NOSTALGJISË

Çfarë mund të na pengojë t’i mbajmë sytë nga e ardhmja? (Shih paragrafët 5, 9, 13) *

5. Cilin kurth duhet të shmangim sipas Eklisiastiut 7:10?

5 Lexo Eklisiastiun 7:10. Vër re se vargu nuk thotë që është e gabuar të pyesim: «Si ka mundësi që ditët e kaluara ishin të mira?» Kujtimet e bukura janë dhuratë nga Jehovai. Por vargu thotë: «Mos thuaj: ‘Si ka mundësi që ditët e kaluara ishin më të mira?’» Me fjalë të tjera, kurthi është të krahasojmë rrethanat tona në të kaluarën me rrethanat e sotme dhe të nxjerrim përfundimin se tani gjithçka është më keq.

Çfarë gabimi bënë izraelitët pasi dolën nga Egjipti? (Shih paragrafin 6)

6. Pse nuk është e mençur të mendojmë se në të kaluarën jeta jonë ishte më e mirë? Jepni një shembull.

6 Pse nuk është e mençur të mendojmë se në të kaluarën jeta jonë ishte më e mirë? Sepse, nga nostalgjia, ka të ngjarë të kujtojmë vetëm gjërat e mira të së kaluarës ose të minimizojmë vështirësitë që hasnim. Të marrim rastin e izraelitëve të lashtë. Pasi dolën nga Egjipti, e harruan shpejt sa e mundimshme kishte qenë jeta e tyre atje dhe u përqendruan te të mirat që kishin shijuar. Ata thanë: «Ah, ç’i kujtojmë peshqit që hanim për hiçgjë në Egjipt, kastravecat, shalqinjtë, preshtë, qepët dhe hudhrat!» (Num. 11:5) Por, a e hanin vërtet «për hiçgjë» atë ushqim? Jo. Çmimi që paguanin ishte i rëndë: në atë kohë, izraelitët shfrytëzoheshin pa mëshirë në Egjipt si skllevër. (Eks. 1:13, 14; 3:6-9) Mirëpo, më vonë i harruan ato mundime dhe kishin mall për të kaluarën. Ata zgjodhën të përqendroheshin te ditët e bukura të së kaluarës, në vend që të përqendroheshin te gjërat e mira që sapo kishte bërë Jehovai për ta. Qëndrimi i tyre nuk i pëlqeu fare Jehovait.—Num. 11:10.

7. Ç’gjë e ndihmoi një motër të mos binte në kurthin e nostalgjisë?

7 Si mund ta shmangim kurthin e nostalgjisë? Të mendojmë për shembullin e një motre që filloi të shërbente në Bethelin e Bruklinit në vitin 1945. Disa vite më vonë, ajo u martua me një bethelit tjetër, dhe së bashku shërbyen atje për shumë vjet. Mirëpo, në mes të viteve 70, burri i saj u sëmur. Siç tregonte ajo, kur kuptoi se po i afrohej vdekja, ai i dha një këshillë mjaft të mençur që do ta ndihmonte pasi të vdiste ai. I tha: «Kemi pasur një martesë të lumtur. Shumë njerëz nuk e kanë pasur kurrë.» Por gjithashtu e nxiti: «Edhe pse kujtimet nuk harrohen, mos jeto me të shkuarën. Koha shëron gjithçka. Mos u zemëro dhe të mos të vijë keq për veten. Kënaqu për gëzimet dhe bekimet që ke pasur. . . . Kujtimet janë dhuratë nga Perëndia.» A nuk je dakord se ishte këshillë e mençur?

8. Çfarë dobish pati motra jonë ngaqë nuk jetoi me të kaluarën?

8 Motra e ndoqi atë këshillë dhe i shërbeu Jehovait me besnikëri deri kur vdiq në moshën 92-vjeçare. Pak vjet para se të vdiste, ajo tha: «Kur mendoj për 63 vjetët në shërbimin e plotkohor . . . , mund të them se jeta ime ka qenë vërtet e kënaqshme.» Pastaj shpjegoi përse: «Ajo që na e bën jetën të kënaqshme është vëllazëria jonë e krishterë dhe shpresa për të jetuar me vëllezërit dhe motrat në një tokë parajsore, duke i shërbyer Krijuesit tonë të Madh, të vetmit Perëndi të vërtetë, Jehovait për gjithë përjetësinë.» * Çfarë shembulli i shkëlqyer se si t’i mbajmë sytë nga e ardhmja!

KURTHI I MËRISË

9. Kur mund ta kemi më të vështirë të mos ushqejmë mëri, siç tregon Levitiku 19:18?

9 Lexo Levitikun 19:18. Mund ta kemi më të vështirë të mos ushqejmë mëri nëse ai që na ka lënduar, është një bashkëbesimtar, një mik i ngushtë ose një i afërm. Për shembull, një motër u akuzua padrejtësisht nga një motër tjetër se i kishte vjedhur pará. Më vonë, motra që e kishte akuzuar i kërkoi falje, por motrës së lënduar i rrinte mendja tek ajo që kishte ndodhur. A ke provuar ndonjëherë ndjenja të tilla? Edhe nëse nuk kemi hasur të njëjtën situatë, mund të na ketë ndodhur të jemi acaruar dhe të kemi menduar se s’mund ta falim dot kurrë atë që na lëndoi.

10. Çfarë mund të na ndihmojë kur jemi të indinjuar?

10 Çfarë mund të të ndihmojë kur je i indinjuar? Para së gjithash, mos harro se Jehovai sheh çdo gjë. Ai e di mirë çfarë po kalon, pra di edhe çdo padrejtësi që heq. (Hebr. 4:13) Madje Jehovai ndien dhimbje kur ti vuan. (Isa. 63:9) Gjithashtu premton se në fund do të shërojë çdo plagë që të kanë hapur padrejtësitë në jetën tënde.—Zbul. 21:3, 4.

11. Si i sjellim dobi vetes kur nuk ushqejmë mëri?

11 Veç kësaj, mos harro se kur nuk ushqen mëri, i sjell dobi vetes. Motra e përmendur më sipër, që e akuzuan padrejtësisht, e provoi sa e vërtetë është kjo. E kuptoi se kur falim të tjerët, atëherë Jehovai na fal. (Mat. 6:14) Me kohë, ajo e fali motrën që e kishte lënduar. Nuk e minimizoi, as e justifikoi atë që kishte bërë motra, por zgjodhi të mos ushqente mëri. Si rezultat, ndihej më e lumtur dhe arrinte të përqendrohej te shërbimi i Jehovait.

KURTHI I NDJENJAVE TË TEPRUARA TË FAJIT

12. Çfarë mësojmë nga 1 Gjonit 3:19, 20?

12 Lexo 1 Gjonit 3:19, 20. Herë pas here të gjithë provojmë ndjenja faji. Për shembull, disa ndihen në faj për shkak të gjërave që kanë bërë para se të njihnin të vërtetën. Të tjerë ndihen në faj për shkak të gabimeve që bënë pas pagëzimit. (Rom. 3:23) Kuptohet, duam të bëjmë atë që është e drejtë. Por «të gjithë ne gabojmë shumë herë». (Jak. 3:2; Rom. 7:21-23) Edhe pse nuk na pëlqen të ndihemi në faj, këto ndjenja mund të na sjellin dobi. Pse? Sepse mund të na nxitin të bëjmë ndryshime dhe të jemi të vendosur të mos i përsëritim gabimet.—Hebr. 12:12, 13.

13. Pse duhet të bëjmë kujdes që të mos kemi ndjenja të tepruara faji?

13 Në krahun tjetër, mund të kemi ndjenja faji të tepruara—pra, mund të vazhdojmë të ndihemi në faj edhe pasi jemi penduar dhe Jehovai ka treguar se na ka falur. Këto lloj ndjenjash mund të jenë të dëmshme. (Psal. 31:10; 38:3, 4) Pse? Të shohim shembullin e një motre që luftonte me ndjenjat e fajit për gabimet e së kaluarës. Ajo tha: «Ndihesha sikur s’kishte ndonjë vlerë të përpiqesha fort në shërbimin e Jehovait ngaqë më dukej vetja e pashpresë.» Shumë nga ne ndoshta ndihemi si kjo motër. Është e rëndësishme që të bëjmë kujdes të mos biem në kurthin e ndjenjave të tepruara të fajit. Vetëm mendo sa do të kënaqej Satanai po të dorëzoheshe e ta shihje veten si të pashpresë, ndërkohë që Jehovai nuk ka hequr dorë nga ti!—Krahaso 2 Korintasve 2:5-7, 11.

14. Si mund të sigurohemi se Jehovai nuk ka hequr dorë nga ne?

14 Por, ndoshta pyet veten: «Si të jem i sigurt se Jehovai nuk ka hequr dorë nga unë?» Nëse e bën këtë pyetje, atëherë po jep edhe përgjigjen. Dekada më parë, Kulla e Rojës thoshte: «Mund të ndodhë të pengohesh e të biesh shumë herë në një ves të keq që ishte ngulur më thellë nga ç’mendoje në jetën tënde. . . . Mos i humb shpresat. Mos nxirr përfundimin se ke bërë mëkat të pafalshëm. Tamam kështu dëshiron Satanai të arsyetosh. Vetë fakti që vuan dhe je i mërzitur me veten është provë se nuk ke shkuar tepër larg. Kurrë mos hiq dorë nga lutjet e përulura e të zjarrta, por vazhdo t’i kërkosh Perëndisë të të falë, të të ndihmojë të kesh prapë një ndërgjegje të pastër e të mos biesh më në atë gabim. Sado shpesh të të duhet ndihmë për të njëjtën dobësi, rend tek Ai siç rend një fëmijë te babai kur është në vështirësi. E Jehovai do të të ndihmojë me dhembshuri për shkak të mirësisë së tij të pamerituar.» *

15-16. Si janë ndier disa kur kanë kuptuar se Jehovai nuk kishte hequr dorë prej tyre?

15 Shumë shërbëtorë të Jehovait marrin zemër kur kuptojnë se Jehovai nuk ka hequr dorë prej tyre. Për shembull, disa vjet më parë, një vëlla u inkurajua nga një artikull i rubrikës «Bibla të ndryshon jetën». Atje një motër pranonte se për shkak të peripecive që kishte kaluar në jetë, e kishte të vështirë të besonte se Jehovai mund ta donte. Luftonte me ato ndjenja edhe shumë vjet pas pagëzimit. Mirëpo, ndërsa mendonte thellë për shpërblesën, filloi t’i shihte gjërat me sy tjetër. *

16 Si e ndihmoi vëllanë historia e saj? Ai shkruante: «Në moshë të re isha i fiksuar pas pornografisë dhe luftoja me këtë zakon të keq. Para pak kohësh rashë prapë në këtë ves. Kërkova ndihmën e pleqve të kongregacionit dhe po e kapërcej këtë problem. Pleqtë më siguruan se Perëndia më do dhe tregohet i mëshirshëm. Por prapë ndodh të ndihem i pavlerë, sikur është e pamundur që Jehovai të më dojë. Historia e asaj motre më ndihmoi shumë. Tani e kam të qartë se kur mendoj që Perëndia nuk mund të më falë, është sikur po i them se flijimi i birit të tij nuk është aq i madh sa të mbulojë mëkatet e mia. E kam ruajtur mënjanë këtë artikull që ta lexoj e të meditoj për të sa herë më mbytin ndjenjat e pavlefshmërisë.»

17. Çfarë bëri Pavli që të mos binte në kurthin e ndjenjave të tepruara të fajit?

17 Histori të tilla na kujtojnë apostullin Pavël. Para se të bëhej i krishterë, ai kreu disa mëkate të rënda. Pavli e kujtonte çfarë kishte bërë, por nuk e bluante pareshtur në mendje këtë. (1 Tim. 1:12-15) Ai e shihte shpërblesën si një dhuratë personale nga Perëndia. (Gal. 2:20) Kështu Pavli nuk ra në kurthin e ndjenjave të tepruara të fajit. Tani, meraku i tij kryesor ishte si t’i jepte më të mirën Jehovait.

JETO PËR TË ARDHMEN!

Qofshim të vendosur të jetojmë për të ardhmen! (Shih paragrafët 18-19) *

18. Çfarë kemi mësuar nga ky artikull?

18 Çfarë kemi mësuar nga shqyrtimi i tri kurtheve në këtë artikull? (1) Kujtimet e bukura janë dhuratë nga Jehovai; por sado e mirë të ketë qenë jeta jonë në të kaluarën, e ardhmja jonë në botën e re do të jetë më e mirë akoma. (2) Të tjerët mund të na lëndojnë, por kur zgjedhim të falim, mund të ecim përpara në shërbimin e Jehovait. (3) Ndjenjat e tepruara të fajit mund të na pengojnë t’i shërbejmë Jehovait me gëzim. Prandaj, ashtu si Pavli, kemi nevojë ta besojmë se Jehovai na ka falur.

19. Pse jemi të sigurt se në botën e re nuk do të na mundojë asnjë brengë nga e kaluara?

19 Ne kemi shpresën të jetojmë pafundësisht. E në botën e re të Perëndisë, nuk do të na mundojë asnjë brengë nga e kaluara. Ja ç’thotë Bibla për atë kohë: «Gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje.» (Isa. 65:17) Përfytyro pak: disa nga ne janë në moshë të thyer pas një jete të tërë në shërbim të Jehovait, por në botën e re do të jenë sërish të rinj. (Jobi 33:25) Prandaj, le të jemi të vendosur të mos jetojmë me të kaluarën! Përkundrazi, le t’i mbajmë sytë nga bota e re dhe të jetojmë për të ardhmen!

KËNGA 142 Spirancë është shpresa jonë!

^ par. 5 Mbase është bukur të kujtojmë gjërat që na kanë ndodhur në jetë. Por nuk duam që të përqendrohemi aq shumë tek e kaluara, sa të mos shijojmë jetën sot ose të harrojmë të ardhmen e bukur që na pret. Në këtë artikull do të ndalemi te tri kurthe që mund të na shtyjnë të jetojmë me të kaluarën. Do të shqyrtojmë parime nga Bibla dhe shembuj nga ditët tona që mund të na ndihmojnë të mos biem në këto kurthe.

^ par. 4 SHPJEGIMI I SHPREHJES: Në këtë artikull, shprehja «të jetojmë me të kaluarën» do të thotë të na rrijë mendja tek e kaluara—të flasim vazhdimisht për të, ta rijetojmë ose të mendojmë se jeta jonë atëherë ishte më e mirë.

^ par. 14 Shih Kullën e Rojës të 15 shkurtit 1954, f. 123, anglisht.

^ par. 59 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Nostalgjia, mëria dhe ndjenja e tepruar e fajit janë si barrë të rënda që i tërheqim pas vetes dhe na pengojnë të ecim para në rrugën e jetës.

^ par. 66 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Kur i hedhim pas krahëve këto ndjenja që janë si një barrë, ndihemi të lehtësuar e të lumtur, dhe na përtërihen forcat. Kështu jemi në gjendje t’i mbajmë sytë nga e ardhmja.