Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është shërbimi yt si vesa?

A është shërbimi yt si vesa?

SHËRBIMI ynë është i rëndësishëm dhe me vlerë. Por jo të gjithë ata që u predikojmë, e kuptojnë këtë. Edhe nëse tregojnë njëfarë interesi për mesazhin e Biblës, mbase nuk e shohin të nevojshme ta studiojnë Fjalën e Perëndisë me ne.

Një shembull është rasti i Gavinit. Ai filloi të ndiqte mbledhjet e kongregacionit, por nuk e pranoi ftesën që të studionte Biblën. Gavini thotë: «Dija fare pak për Shkrimet dhe më vinte turp që të tjerët ta zbulonin këtë. U ruhesha edhe mashtrimeve, edhe angazhimeve.» Si mendon? A ishte Gavini një rast i pashpresë? Aspak! Të shohim çfarë ndikimi të mirë mund të kenë te dikush mësimet e Biblës. Jehovai i tha popullit të tij të lashtë: «Fjalët e mia do të bien si vesa, si shirat e buta përmbi bar.» (Ligj. 31:19, 30; 32:2) Karakteristikat e vesës ilustrojnë bukur se si mund t’ia dalim të ndihmojmë njerëz të çdo lloji në shërbim.​—1 Tim. 2:3, 4.

NË Ç’MËNYRË ËSHTË SHËRBIMI SI VESA?

Vesa bie butë. Vesa formohet dalëngadalë, duke u mbledhur pikë-pikë nga avulli që është në ajër. Fjalët e Jehovait ‘binin si vesa’ në kuptimin që ai i fliste popullit të tij ngrohtësisht, me butësi e me dhembshuri. E imitojmë Jehovain kur tregojmë respekt për pikëpamjen e të tjerëve. I inkurajojmë ata të arsyetojnë, e kështu t’i nxjerrin përfundimet vetë. Kur tregojmë një interes të tillë, njerëzit i pranojnë më lehtë fjalët tona dhe shërbimi është më i efektshëm.

Vesa është freskuese. Shërbimi ynë i freskon të tjerët kur përpiqemi të kuptojmë cila është mënyra më e mirë që t’u ngjallim më shumë interes për të vërtetën. Gavinit, që u përmend më sipër, nuk i bënë presion të pranonte një studim biblik. Në vend të kësaj, Krisi, vëllai që foli në fillim me të, provoi mënyra të ndryshme që Gavini të ndihej më rehat të bisedonin për Biblën. Krisi i shpjegoi Gavinit se Bibla ka një temë dhe se duke e dalluar atë do t’i kuptonte më mirë mbledhjet. Pastaj, Krisi i tregoi se pikërisht profecitë e Biblës e kishin bindur atë vetë se Bibla është e vërtetë. Kjo çoi në një sërë bisedash për plotësimin e profecive. Ato biseda ia freskonin zemrën Gavinit, dhe më në fund pranoi të studionte Biblën.

Vesa është jetëdhënëse. Gjatë stinës së thatë e të nxehtë, në Izrael mund të mos bjerë shi për muaj të tërë. Pa lagështinë e vesës, bimët vyshken dhe vdesin. Sot ka një thatësirë ose etje për fjalët e Jehovait, tamam siç kishte parathënë ai vetë. (Amo. 8:11) Ai premtoi se të mirosurit do të ishin «si vesa që vjen nga Jehovai» ndërsa shpallnin mesazhin për Mbretërinë, të mbështetur nga shokët e tyre, ‘delet e tjera’. (Mik. 5:7; Gjoni 10:16) A e vlerësojmë mesazhin që shpallim, lajmin e mirë për Mbretërinë? Ai është pjesë e ujit jetëdhënës që siguron Jehovai.

Vesa është bekim nga Jehovai. (Ligj. 33:13) Shërbimi ynë mund të jetë bekim për ata që reagojnë mirë. Një bekim të tillë mori Gavini. Nëpërmjet studimit të Biblës, ai gjeti përgjigjet e të gjitha pyetjeve që e mundonin. Përparoi shpejt drejt pagëzimit dhe tani, bashkë me të shoqen, Xhojsin, kënaqet teksa predikon me zell lajmin e mirë për Mbretërinë.

Dëshmitarët e Jehovait po e mbulojnë tokën me mesazhin e Mbretërisë

VLERËSOJE SHËRBIMIN TËND

Kur e krahasojmë veprën tonë me vesën, kuptojmë më mirë se ka vlerë të madhe edhe ajo që bën secili nga ne në shërbim. Pse e themi këtë? Një pikë vese nuk bën ndonjë gjë të madhe, por kur bashkohet me miliona pika të tjera vese, toka mbulohet me ujë jetëdhënës. Po ashtu, ndoshta s’na duket ndonjë gjë e madhe ajo që bën secili nga ne në shërbim. Por, kur kjo bashkohet me përpjekjet e gjithë shërbëtorëve të zellshëm të Jehovait, u japim dëshmi ‘të gjitha kombeve’. (Mat. 24:14) A do të jetë shërbimi ynë një bekim nga Jehovai për të tjerët? Patjetër, përderisa mesazhi që predikojmë është si vesa—i butë, freskues dhe jetëdhënës.