Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Lejoni që qëndrueshmëria ta kryejë plotësisht punën e saj»

«Lejoni që qëndrueshmëria ta kryejë plotësisht punën e saj»

«Lejoni që qëndrueshmëria ta kryejë plotësisht punën e saj, që ju të jeni të plotë dhe të përkryer në çdo aspekt, pa ju munguar asgjë.»​—JAK. 1:4.

KËNGËT: 135, 139

1, 2. (a) Ç’mund të mësojmë nga qëndrueshmëria e Gideonit dhe e 300 luftëtarëve të tij? (Shih figurën hapëse.) (b) Sipas Lukës 21:19, pse është kaq e rëndësishme qëndrueshmëria?

BETEJA ishte rraskapitëse. Ushtarët izraelitë me gjykatësin Gideon në krye kishin ndjekur tërë natën armiqtë​—ushtrinë midianite dhe aleatët e saj—​për afro 32 kilometra. Bibla tregon ç’ndodhi më pas: «Gideoni mbërriti në Jordan dhe e kapërceu bashkë me treqind burrat që kishte me vete.» Ata ishin «të lodhur». Mirëpo Gideoni dhe luftëtarët e tij nuk e kishin fituar ende luftën, sepse kishin mbetur rreth 15.000 ushtarë armiq. Pasi kishin vuajtur vite të tëra nën thundrën midianite, izraelitët e dinin se nuk ishte momenti të dorëzoheshin. Prandaj, që ta asgjësonin armikun, «e vazhduan ndjekjen» dhe e mposhtën Midianin.​—Gjyk. 7:22; 8:4, 10, 28.

2 Edhe ne jemi në një betejë që vazhdon pareshtur. Ndër armiqtë tanë janë Satanai, bota e tij dhe papërsosmëria jonë. Disa nga ne kemi dekada që luftojmë dhe, me ndihmën e Jehovait, kemi korrur fitore. Por hera-herës mund të lodhemi ndërsa luftojmë me armiqtë tanë dhe ndërsa presim fundin e këtij sistemi. Ama të mos harrojmë: akoma nuk e kemi fituar plotësisht luftën. Jezui paralajmëroi se ata që do të jetonin në këto ditë të fundit do të hasnin sprova të rënda dhe keqtrajtime mizore. Por tha edhe se fitorja do të varej nga qëndrueshmëria jonë. (Lexo Lukën 21:19.) Çfarë është qëndrueshmëria? Ç’do të na ndihmojë të qëndrojmë? Ç’mund të mësojmë nga ata që treguan qëndrueshmëri? Dhe si mund ta lejojmë ‘qëndrueshmërinë ta kryejë plotësisht punën e saj’?—Jak. 1:4.

Ç’ËSHTË QËNDRUESHMËRIA?

3. Ç’është qëndrueshmëria?

3 Në Bibël, qëndrueshmëria nuk nënkupton thjesht të durojmë hallet a sprovat. Ajo përfshin mendjen dhe zemrën, ose mënyrën si reagojmë ndaj vështirësive. Qëndrueshmëria na ndihmon të jemi të guximshëm, të paepur dhe të duruar. Siç thotë një vepër referimi, qëndrueshmëria është «fryma që mund t’i durojë gjërat jo thjesht ngaqë s’ka rrugë tjetër, por me shpresë të zjarrtë». Është «cilësia që e mban një njeri në këmbë, me fytyrën kthyer kundër erës. Është virtyti që mund ta shndërrojë sprovën më të rëndë në lavdi, sepse përtej dhembjes sheh synimin që duhet arritur.»

4. Pse mund të themi se qëndrueshmëria motivohet nga dashuria?

4 Qëndrueshmëria e krishterë motivohet nga dashuria. (Lexo 1 Korintasve 13:4, 7.) Dashuria për Jehovain na motivon të qëndrojmë në çdo situatë që është në harmoni me vullnetin e tij. (Luka 22:41, 42) Dashuria për vëllezërit na ndihmon të tregojmë qëndrueshmëri ndërsa durojmë të metat e tyre. (1 Pjet. 4:8) Falë dashurisë për bashkëshortin, mund të qëndrojmë në ‘shtrëngimet’ që hasin edhe çiftet e lumtura dhe të forcojmë lidhjen martesore.​—1 Kor. 7:28.

Ç’DO TË TË NDIHMOJË TË QËNDROSH?

5. Pse Jehovai është i aftë si askush tjetër të na ndihmojë të qëndrojmë?

5 Mbështetu te Jehovai për forcë. Jehovai është «Perëndia që jep qëndrueshmëri dhe ngushëllim». (Rom. 15:5) Është i vetmi që kupton jo thjesht problemet që hasim, por edhe si ndikojnë te ne ambienti, ndjenjat, e madje edhe ndërtimi ynë gjenetik. Prandaj, ai është i aftë si askush tjetër që të na ndihmojë të qëndrojmë. Bibla thotë: «Ai do t’ua plotësojë dëshirën atyre që i frikësohen. Do t’i dëgjojë kur ta thërrasin për ndihmë e do t’i shpëtojë.» (Psal. 145:19) Por, si u përgjigjet Perëndia lutjeve tona për të na dhënë forcë që të qëndrojmë?

6. Siç premton Bibla, si mund ‘të na sigurojë rrugëdaljen’ në sprovë Jehovai?

6 Lexo 1 Korintasve 10:13. Kur i kërkojmë Jehovait që të na ndihmojë t’u bëjmë ballë sprovave, ai ‘siguron rrugëdaljen’. A i manovron gjërat Jehovai që të na e heqë sprovën? Edhe mundet. Megjithatë, shpesh ai siguron rrugëdaljen ‘që të jemi në gjendje të qëndrojmë’. Po, Jehovai na jep forcë që ‘të qëndrojmë plotësisht’ me durim dhe gëzim. (Kolos. 1:11) E meqë i njeh kaq imtësisht kufijtë tanë fizikë, mendorë dhe emocionalë, Jehovai s’do të lejojë kurrë që një situatë të shkojë gjer në pikën ku nuk mund të rrimë besnikë.

7. Ilustroni pse për të qëndruar na duhet ushqim që forcon besimin.

7 Merr ushqim që të forcon besimin. Një alpinist që ngjitet në malin Everest, mali më i lartë në botë, djeg rreth 6.000 kalori në ditë, shumë më tepër nga sa i duhet normalisht njeriut. Që të qëndrojnë ndërsa i ngjiten malit dhe të arrijnë synimin, alpinistët duhet të hanë ushqim me sa më shumë kalori. Po njësoj, që të qëndrojmë ndërsa ecim në udhën e krishterë dhe të arrijmë synimin, ne duhet të marrim rregullisht sa më shumë ushqim që na forcon besimin. Na duhet vetëdisiplinë për t’u kushtuar kohë leximit, studimit dhe mbledhjeve. Këto aktivitete na e forcojnë besimin me ‘ushqim që qëndron dhe të çon në jetë të përhershme’.​—Gjoni 6:27.

8, 9. (a) Sipas Jobit 2:4, 5, cila çështje përfshihet kur hasim sprova? (b) Cilën skenë të padukshme mund të përfytyrosh kur has sprova?

8 Kujto çështjen e integritetit. Kur një shërbëtor i Jehovait përballet me një sprovë, përfshihet diçka më tepër se vuajtjet që kalon ai vetë. Me mënyrën si reagon ndaj sprovave, tregon nëse e sheh vërtet Jehovain si Sovranin e Universit. Satanai, që e ka halë në sy sovranitetin e Jehovait, e sfidoi Jehovain me fjalët: «Njeriu jep gjithë ç’ka për shpirtin e tij. A mund ta zgjatësh dorën e të prekësh kockat dhe mishin [e Jobit]? Pastaj shih po nuk të mallkoi sy më sy!» (Jobi 2:4, 5) Sipas Satanait, askush nuk i shërben Jehovait nga dashuria pa interes. A ka ndryshuar Satanai që nga koha kur bëri këtë sfidë? Aspak! Shumë shekuj më pas, kur e dëbuan nga qielli, Satanai quhej ende «paditësi i vëllezërve tanë, i cili i padit ata ditë e natë para Perëndisë tonë». (Zbul. 12:10) Satanai nuk e ka harruar çështjen e integritetit. Ai mezi pret të na shohë të dorëzohemi në sprova dhe të mos e mbështetim më sovranitetin e Perëndisë.

9 Prandaj, kur lufton me një vështirësi, përfytyro këtë skenë të padukshme. Në njërën anë janë Satanai dhe demonët e tij, që ndjekin me vëmendje luftën tënde dhe pohojnë se do të thyhesh nën presion e do të dorëzohesh. Në anën tjetër janë Jehovai, Biri i tij që po mbretëron, të mirosurit e ringjallur dhe një mori engjëjsh. Ata po brohorasin për të të dhënë zemër, të lumtur që po tregon qëndrueshmëri ditë për ditë dhe po mbështet sovranitetin e Jehovait. Mund t’i shohësh këto fjalë të frymëzuara si një kërkesë që Jehovai ta bën ty vetë: «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që të kem se ç’t’i përgjigjem atij që më sfidon.»​—Prov. 27:11.

10. Si mund ta imitosh Jezuin duke u përqendruar te shpërblimet e qëndrueshmërisë?

10 Përqendrohu te shpërblimet e qëndrueshmërisë. Ta zëmë se je nisur për udhë të largët dhe ndalesh në mes të një tuneli të gjatë. Ngado që hedh sytë, është errësirë. Megjithatë, je i sigurt se po të vazhdosh rrugën deri në fund të tunelit, do të shohësh dritë sërish. Po njësoj, hera-herës mund të ndihesh sikur problemet po të zënë frymën. Edhe Jezui mund të jetë ndier kështu. Ai ishte shënjestra e «të folurit kundërshtues të mëkatarëve» dhe e poshtërimeve. Madje pati një ekzekutim të dhimbshëm në «një shtyllë torture», e kjo ishte pa dyshim koha më e errët e jetës së tij në tokë. Sidoqoftë, Jezui i duroi të gjitha «për gëzimin që iu vu përpara». (Hebr. 12:2, 3) Ai u përqendrua te shpërblimet e qëndrueshmërisë, sidomos për pjesën që do të kishte në shenjtërimin e emrit të Perëndisë dhe në shfajësimin e sovranitetit të Jehovait. Errësira e sprovave të Jezuit ishte e përkohshme, kurse shpërblimi i shkëlqyer që e priste në qiell do të ishte i përhershëm. Sprovat që has sot mund të jenë të dhimbshme, e madje dërrmuese. Por mos harro se vështirësitë që ndesh në rrugën drejt jetës së përhershme janë të përkohshme.

«ATA QË QËNDRUAN»

11. Pse duhet të shqyrtojmë përvojat e ‘atyre që qëndruan’?

11 Nuk ka pse t’u bëjmë ballë sprovave të vetëm. Për t’u dhënë zemër të krishterëve që të qëndronin përballë vështirësive të shumta nga Satanai, apostulli Pjetër shkroi: «Kundërvijuni, të fortë në besim, duke e ditur se të njëjtat vuajtje po ndodhin në gjithë vëllazërinë tuaj nëpër botë.» (1 Pjet. 5:9) Përvojat e ‘atyre që qëndruan’ na mësojnë të rrimë të paepur, na sigurojnë se mund t’ia dalim mbanë dhe na kujtojnë se besnikëria jonë do të shpërblehet. (Jak. 5:11) Le të shohim disa shembuj. [1]

12. Ç’mësojmë nga shembulli i kerubinëve që u vendosën në Eden?

12 Kerubinët. Shembulli i disa prej engjëjve të parë që iu shfaqën njerëzve mund të na mësojë të tregojmë qëndrueshmëri në një caktim të vështirë. Perëndia Jehova ‘vuri në lindje të kopshtit të Edenit kerubinët e një shpatë flakëruese, e cila rrotullohej vazhdimisht, për të ruajtur udhën për te pema e jetës’. [2] (Zan. 3:24) Natyrisht, në fillim ata kerubinë nuk u krijuan për të kryer atë caktim. Në fund të fundit, mëkati dhe rebelimi nuk ishin pjesë e qëllimit të Jehovait për njerëzimin. Sidoqoftë, nuk lexojmë askund që kerubinët​—engjëj të një rangu të lartë—​të jenë ankuar se ishin tepër të kualifikuar për t’u marrë me atë detyrë. Ata nuk u mërzitën dhe nuk u dorëzuan. Përkundrazi, u bindën dhe nuk e lanë caktimin. Qëndruan derisa puna e tyre përfundoi, ndoshta kur ndodhi Përmbytja mbi 1.600 vjet më pas.

13. Si arriti Jobi të tregonte qëndrueshmëri në sprova?

13 Patriarku Job. Nëse ndihesh i dërrmuar nga fjalët shkurajuese të një miku a familjari, të mundon një sëmundje e rëndë ose je i hidhëruar nga vdekja e një njeriu të dashur, shembulli i Jobit mund të të ngrohë zemrën. (Jobi 1:18, 19; 2:7, 9; 19:1-3) Ndonëse nuk e dinte cili ishte burimi i telasheve që i ranë, Jobi nuk u dorëzua i dëshpëruar. Pse? Një arsye ishte se «kishte frikë nga Perëndia». (Jobi 1:1) Jobi ishte i vendosur ta kënaqte Jehovain në të mirë e në të keq. Me ndihmën e Perëndisë, ai bloi në mend gjërat mbresëlënëse që kishte bërë Jehovai nëpërmjet frymës së Tij të shenjtë. Kështu Jobi u ndie akoma më i sigurt se Jehovai do t’u jepte fund sprovave të tij në momentin e duhur. (Jobi 42:1, 2) E pikërisht ashtu ndodhi. «Jehovai ia hoqi robërinë [shtrëngimet]. Jehovai i ktheu gjithçka që kishte pasur, madje dyfish.» Jobi pati një jetë të gjatë e të bukur.​—Jobi 42:10, 17.

14. Sipas 2 Korintasve 1:6, si i ndihmoi të tjerët qëndrueshmëria e Pavlit?

14 Apostulli Pavël. A po përballesh me kundërshtime të egra, a madje edhe me përndjekje, nga armiqtë e adhurimit të vërtetë? A je një plak kongregacioni ose një mbikëqyrës qarkor që ndien barrën e përgjegjësive të rënda? Medito për shembullin e Pavlit. Ai hasi sa e sa telashe ose ‘gjëra të jashtme’ nga përndjekësit e pashpirt dhe e pushtonte ditë për ditë ankthi për kongregacionet. (2 Kor. 11:23-29) Gjithsesi, nuk lejoi ta mposhtnin vështirësitë, dhe shembulli i tij u dha forcë të tjerëve. (Lexo 2 Korintasve 1:6.) Kur qëndron në një sprovë, mos harro se ka shumë mundësi që shembulli yt po u jep zemër të tjerëve të qëndrojnë.

A DO TA LEJOSH QËNDRUESHMËRINË «TA KRYEJË PLOTËSISHT PUNËN E SAJ»?

15, 16. (a) Çfarë ‘pune’ duhet të kryejë plotësisht qëndrueshmëria? (b) Jepni shembuj se si mund ta lejojmë ‘qëndrueshmërinë ta kryejë plotësisht punën e saj’.

15 I frymëzuar nga Perëndia, Jakovi shkroi: «Lejoni që qëndrueshmëria ta kryejë plotësisht punën e saj.» Çfarë ‘pune’ duhet të kryejë plotësisht ajo? Qëndrueshmëria na ndihmon ‘të jemi të plotë dhe të përkryer në çdo aspekt, pa na munguar asgjë’. (Jak. 1:4) Shpesh sprovat nxjerrin në pah dobësitë tona, aspekte të personalitetit që duhet t’i rafinojmë. Ama kur qëndrojmë në këto sprova, personaliteti i krishterë bëhet më i plotë. Për shembull, mund të bëhemi më të duruar, më mirënjohës e më të dhembshur.

Kur qëndrojmë në sprova, personaliteti ynë i krishterë bëhet më i plotë (Shih paragrafët 15, 16.)

16 Meqë qëndrueshmëria kryen punën jetësore që të na modelojë si të krishterë, mos bëj kompromis me parimet biblike për t’u dhënë fund sprovave që të bien. Për shembull, ç’të bësh nëse po lufton me mendime të papastra? Në vend që t’i dorëzohesh tundimit, flaki tej dëshira të tilla me ndihmën e lutjeve. Kështu do të forcosh vetëkontrollin. Mos ndoshta po has kundërshtime nga një familjar jobesimtar? Në vend që të biesh para presioneve, ji i vendosur të vazhdosh ta adhurosh me gjithë shpirt Jehovain siç ke bërë deri tani. Si rrjedhojë, besimi tek ai do të bëhet më i patundur. Mos harro: për të pasur miratimin e Perëndisë, duhet të tregojmë qëndrueshmëri.​—Rom. 5:3-5; Jak. 1:12.

17, 18. (a) Ilustroni sa rëndësi ka të qëndrojmë deri në fund. (b) Për çfarë jemi të sigurt teksa i afrohemi gjithnjë e më shumë fundit?

17 Duhet të qëndrojmë jo thjesht për njëfarë kohe, por deri në fund. Ta ilustrojmë: përfytyro një anije që përmbyset. Për të mbijetuar, pasagjerët duhet të notojnë deri në breg. Notari që dorëzohet vetëm pak metra larg bregut përfundon njësoj si notari që u dorëzua shumë më shpejt. Po njësoj, ne jemi të vendosur të qëndrojmë derisa të arrijmë në botën e re. Nga qëndrueshmëria varet jeta jonë. Kemi të njëjtin qëndrim si apostulli Pavël, i cili tha dy herë: «Ne nuk dorëzohemi.»​—2 Kor. 4:1, 16.

18 Të jemi absolutisht të sigurt se Jehovai do të na ndihmojë të qëndrojmë deri në fund. Ne jemi po aq të bindur sa Pavli, që tha te Romakëve 8:37-39: «Ne dalim plotësisht fitimtarë me anë të atij që na deshi. Sepse jam i bindur që as vdekja, as jeta, as engjëjt, as qeveritë, as gjërat e tanishme, as gjërat që do të vijnë, as fuqitë, as lartësia, as thellësia, as ndonjë krijim tjetër, nuk do të na ndajnë dot nga dashuria e Perëndisë, që është shprehur përmes Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.» Vërtet, hera-herës do të lodhemi. Megjithatë, le të qëndrojmë deri në fund, që të thuhet edhe për ne se nuk u dorëzuam, siç u tha për Gideonin e për luftëtarët e tij: «Ata e vazhduan ndjekjen.»​—Gjyk. 8:4.

^ [1] (paragrafi 11) Do të merrni zemër edhe po të shqyrtoni qëndrueshmërinë e popullit të Perëndisë në kohët tona. Për shembull, Librat vjetorë të viteve 1992 e 1999 (anglisht) dhe 2008 na forcojnë besimin me raportet për vëllezërit tanë në Etiopi, Malavi dhe Rusi.

^ [2] (paragrafi 12) Bibla nuk thotë sa kerubinë u caktuan për këtë detyrë.