Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të mbajmë asnjanësinë mes një bote të përçarë

Të mbajmë asnjanësinë mes një bote të përçarë

«Paguajini . . . Perëndisë gjërat e Perëndisë.»​—MAT. 22:21.

KËNGËT: 33, 137

1. Si mund t’i bindemi edhe Perëndisë, edhe qeverive njerëzore?

FJALA E PERËNDISË na urdhëron të jemi të bindur ndaj qeverive njerëzore, por njëherazi na mëson se duhet t’i bindemi Perëndisë para se t’u bindemi njerëzve. (Vep. 5:29; Tit. 3:1) A është kontradiktore kjo? Aspak! Parimi i nënshtrimit relativ na ndihmon t’i kuptojmë këta urdhra e t’u bindemi. Jezui e përmblodhi kështu këtë parim: «Paguajini pra, Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.» [1] (Mat. 22:21) Si e ndjekim drejtimin që dha Jezui? Ne i nënshtrohemi autoritetit të qeverisë nën të cilën jetojmë duke iu bindur ligjeve, duke respektuar nëpunësit e saj dhe duke paguar taksat që vë. (Rom. 13:7) Megjithatë, nëse autoritetet qeveritare na urdhërojnë të mos i bindemi Perëndisë, me respekt nuk pranojmë ta bëjmë këtë.

2. Si tregojmë se nuk mbajmë anë në çështjet politike të botës?

2 Ne i paguajmë ose i japim Perëndisë atë që me të drejtë i takon atij. Kjo përfshin të qëndrojmë asnjanës në çështjet politike të botës. (Isa. 2:4) Kështu, nuk u kundërvihemi qeverive njerëzore që Jehovai i lejon të veprojnë; as nuk nxitim aktivitete patriotike a nacionaliste. (Rom. 13:1, 2) Ne nuk përpiqemi të ndikojmë te politikanët, nuk votojmë në zgjedhjet politike, nuk kandidojmë për poste qeveritare e as orvatemi të ndryshojmë qeveritë.

3. Pse duhet të qëndrojmë asnjanës?

3 Bibla jep disa arsye pse Perëndia kërkon të qëndrojmë asnjanës. Për shembull, duke mos qenë «pjesë e botës», pra duke shmangur politikën dhe luftërat e saj, ndjekim mësimet dhe shembullin e Birit të tij, Jezu Krishtit. (Gjoni 6:15; 17:16) Gjithashtu, duhet të qëndrojmë asnjanës që të jemi nënshtetas besnikë të Mbretërisë së Perëndisë. Përndryshe, si mund të kemi ndërgjegje të pastër kur predikojmë lajmin e mirë se vetëm Mbretëria e Perëndisë mund t’i zgjidhë problemet e njerëzimit?! Veç kësaj, ne ndryshojmë nga fetë e rreme që përzihen në politikë, e kështu i përçajnë anëtarët e tyre. Adhurimi i vërtetë na ndihmon të mbetemi asnjanës, e kështu ruan vëllazërinë tonë ndërkombëtare.​—1 Pjet. 2:17.

4. (a) Si e dimë se do të bëhet më e vështirë të mbetemi asnjanës? (b) Pse duhet të përgatitemi që tani për të qëndruar asnjanës?

4 Ndoshta në vendin tonë atmosfera politike është e qetë dhe duket tolerante ndaj adhurimit të vërtetë. Sidoqoftë, ndërsa sistemit të Satanait po i vjen fundi, mund të presim që çështja e asnjanësisë të bëhet më e mprehtë. Bota është plot me njerëz «kokëkrisur» që ‘nuk janë të gatshëm për asnjë marrëveshje’, prandaj vetëm sa do të bëhet më e përçarë dhe më e polarizuar. (2 Tim. 3:3, 4) Në disa vende, vëllezërit tanë kanë hasur sprova të papritura asnjanësie, ngaqë atmosfera politike ka ndryshuar rrufeshëm. A e kupton pse duhet ta forcojmë tani vendosmërinë për të qëndruar asnjanës? Po të presim derisa të hasim një situatë të vështirë, mund të bëjmë kompromis dhe ta shkelim qëndrimin asnjanës. Atëherë, si mund të përgatitemi që të mbajmë asnjanësinë mes një bote të përçarë? Janë katër çelësa që mund të na ndihmojnë t’ia dalim mbanë. Le t’i shohim një nga një.

SHIKOJI QEVERITË NJERËZORE SIÇ I SHEH JEHOVAI

5. Çfarë mendon Jehovai për qeveritë njerëzore?

5 Çelësi i parë për të qëndruar asnjanës është të kemi të njëjtën pikëpamje si Jehovai për sistemet politike. Edhe pse disa qeveri mund të duken të drejta, vetë koncepti që një njeri të qeverisë të tjerët nuk ishte kurrë në qëllimin e Jehovait. (Jer. 10:23) Qeveritë e krijuara nga njerëzit nxitin nacionalizmin, dhe kjo e përçan familjen njerëzore. E madje as udhëheqësit më të mirë nuk janë në gjendje t’i zgjidhin të gjitha problemet. Veç kësaj, që nga 1914-a, qeveritë njerëzore janë bërë rivale të Mbretërisë së Perëndisë, që së shpejti do të ekzekutojë gjykimin kundër kombeve duke i shkatërruar këto qeveri.​—Lexo Psalmin 2:2, 7-9.

6. Si duhet t’i trajtojmë ata me autoritet në qeveri?

6 Perëndia e lejon të qëndrojë strukturën politike të botës, sepse ajo siguron njëfarë stabiliteti, e kjo na ndihmon të predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë. (Rom. 13:3, 4) Madje Perëndia na udhëzon të lutemi për autoritetet, sidomos kur vendimet e tyre mund të ndikojnë tek adhurimi ynë. (1 Tim. 2:1, 2) E nëse na trajtojnë padrejtësisht, ne u drejtohemi për ndihmë autoriteteve qeveritare, ashtu si apostulli Pavël. (Vep. 25:11) Edhe pse Bibla mëson se Satanai, kundërshtari i Perëndisë, ka autoritet mbi sistemet politike, nuk thotë se ai kontrollon drejtpërdrejt çdo udhëheqës a funksionar. (Luka 4:5, 6) Prandaj, nuk duhet të lëmë të kuptohet sikur një funksionar i caktuar është nën kontrollin e Djallit. Në vend të kësaj, kur bëhet fjalë për ‘qeveritë dhe autoritetet’, ne ‘nuk flasim keq për askënd’.​—Tit. 3:1, 2.

7. Cilën mënyrë të menduari duhet të shmangim?

7 Ne i bindemi Perëndisë duke mos anuar kurrë nga një kandidat ose parti politike, pavarësisht nëse duket se i mbrojnë interesat tona apo janë kundër tyre. Si mund të vihet në provë asnjanësia jonë në këtë drejtim? Ta zëmë se shpërthen një revoltë popullore që përpiqet të përmbysë një regjim shtypës, nën të cilin ka vuajtur edhe populli i Perëndisë. Patjetër që nuk do të marshonim përkrah protestuesve, por mos ndoshta me zemër jemi me ta? (Efes. 2:2) Ne duhet të qëndrojmë asnjanës jo vetëm me fjalë e veprime, po edhe në zemër.

JI ‘I KUJDESSHËM’, POR ‘I PAFAJ’

8. Si mund të jemi «të kujdesshëm», por edhe «të pafaj» kur është e vështirë të qëndrojmë asnjanës?

8 Një çelës i dytë që të mbajmë asnjanësinë është të jemi «të kujdesshëm si gjarpërinjtë, e megjithatë të pafaj si pëllumbat» në situata provokuese. (Lexo Mateun 10:16, 17.) Tregohemi të kujdesshëm kur i dallojmë që më parë rreziqet, dhe mbetemi të pafaj kur nuk lejojmë që ato të na çojnë në kompromis. Le të ndalemi te disa situata provokuese që mund të hasim dhe të shohim si t’u bëjmë ballë.

9. Për çfarë duhet të tregojmë kujdes kur bisedojmë me të tjerët?

9 Bisedat. Duhet të tregohemi të kujdesshëm kur muhabeti shkon te çështjet politike. Për shembull, kur predikojmë mesazhin për Mbretërinë, as të mos i lavdërojmë, as të mos i kritikojmë politikat e një partie a udhëheqësi politik. Të përpiqemi të vëmë një themel të përbashkët me të zotin e shtëpisë duke u përqendruar te rrënja e problemit, jo te ndonjë zgjidhje politike e propozuar. Pastaj, t’i tregojmë nga Bibla si do ta zgjidhë krejtësisht dhe një herë e mirë atë problem qeveria e Perëndisë. Nëse hapen tema që mund të ngjallin polemika​—si martesat mes të njëjtit seks, aborti ose kufijtë kombëtarë—​të mbrojmë normat e Perëndisë dhe të shpjegojmë si i ndjekim në jetën tonë. Gjatë bisedës, të rrimë krejtësisht asnjanës në aspektet politike të këtyre temave. Ne nuk mbajmë asnjë anë kur është fjala për ligje që duhet të hyjnë në fuqi, të shfuqizohen a të ndryshohen, e nuk u bëjmë presion të tjerëve që të pranojnë pikëpamjen tonë.

10. Si mund të sigurohemi që të mbetemi asnjanës kur shohim a lexojmë diçka në media?

10 Media. Informacionet që transmetohen si «lajme», shpesh paraqiten në mënyrë paragjykuese ose mendjengushtë. Ndonjëherë media funksionon si vegël e sistemit politik. Në vendet ku ajo është nën kontrollin e shtetit, lajmet mund të shtrembërohen sheshit. Ama edhe të krishterët që jetojnë në vende gjoja të lira duhet të bëjnë kujdes që të mos përvetësojnë paragjykimet e një gazetari. Pyet veten: «A më pëlqen të dëgjoj dikë në media ngaqë pajtohem me prirjet e tij politike?» Nëse po, ndoshta duhet të kërkosh një burim informacioni më objektiv. Sido që të jetë, është e mençur të mos i ndjekësh tepër informacionet e mediave që përkrahin një program politik, por t’i peshosh ato që thonë sipas «modelit të fjalëve të shëndosha» që gjen në Bibël.​—2 Tim. 1:13.

11. Pse mund ta kemi të vështirë të qëndrojmë asnjanës kur gjërat që zotërojmë janë tepër të rëndësishme për ne?

11 Materializmi. Nëse jemi shumë të lidhur me gjërat që zotërojmë, ka rrezik të bëjmë kompromis me asnjanësinë në sprova. Rutha, që jeton në Malavi, pa disa Dëshmitarë të vepronin kështu kur i përndoqën në vitet 1970. Ajo kujton: «Ata nuk arrinin të hiqnin dorë nga jeta e rehatshme. Disa emigruan bashkë me ne, por më vonë hynë në radhët e partisë politike dhe u kthyen në atdhe, se nuk donin t’i duronin parehatitë e jetës në kampin e refugjatëve.» Në kontrast me këtë, shumica e shërbëtorëve të Perëndisë qëndrojnë asnjanës, edhe atëherë kur hasin presione ekonomike ose kur humbin gjithçka që zotërojnë.​—Hebr. 10:34.

12, 13. (a) Si i sheh Jehovai njerëzit? (b) Si mund ta dallojmë nëse po bëhemi tepër krenarë për vendin tonë?

12 Krenaria e pavend. Shpesh njerëzit reklamojnë meritat e racës, të fisit, të kulturës, të qytetit a të kombit të tyre. Por ne e dimë se po të ndiejmë krenari të pavend për fisin, kulturën ose kombin, po shkojmë kundër pikëpamjes së Jehovait për qeverisjen dhe për familjen njerëzore. Sigurisht, Perëndia nuk pret që ta mohojmë kulturën tonë. Fundja, ndryshimet kulturore nxjerrin në pah larminë e mrekullueshme të familjes njerëzore. Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë se në sytë e Perëndisë, të gjithë njerëzit janë të barabartë.​—Rom. 10:12.

13 Krenaria e pavend për atdheun është rrënja e nacionalizmit dhe mund të jetë hapi i parë në rrugën drejt kompromisit. Si të krishterë, nuk jemi të imunizuar ndaj një krenarie të tillë, pasi edhe disa në kongregacionin e shekullit të parë i diskriminuan vëllezërit e tyre për shkak të kombësisë. (Vep. 6:1) Si mund ta dallojmë nëse po hedh rrënjë brenda nesh krenaria e pavend? Ta zëmë se të bën një sugjerim një vëlla a motër nga një vend tjetër. A do ta hidhje poshtë menjëherë sugjerimin, duke menduar: «Ne këtu i bëjmë gjërat më mirë.» Në vend të kësaj, të gjithë duhet të zbatojmë këshillën e frymëzuar: ‘Me përulësi mendjeje, shihini të tjerët si më të lartë se veten.’​—Filip. 2:3.

MERR FORCË NGA JEHOVAI

14. Si mund të na ndihmojë lutja, dhe cili shembull nga Bibla e vërteton këtë?

14 Çelësi i tretë për të qëndruar asnjanës është të marrim forcë nga Jehovai. Lutu për frymën e shenjtë, e cila mund të të japë durim dhe vetëkontroll. Këto cilësi të ndihmojnë kur ke të bësh me një qeveri të korruptuar ose të padrejtë. Gjithashtu, mund t’i kërkosh Jehovait mençuri që t’i dallosh dhe t’u bësh ballë situatave ku rrezikon të shkelësh asnjanësinë e krishterë. (Jak. 1:5) E nëse ndodh që të të burgosin a të të ndëshkojnë në ndonjë mënyrë tjetër, ngaqë mban i patundur anën e adhurimit të vërtetë? Atëherë lutu për forcë që ta mbrosh besimin tënd me guxim dhe të qëndrosh në çdo përndjekje që mund të hasësh.​—Lexo Veprat 4:27-31.

15. Si mund të na ndihmojë Bibla të qëndrojmë asnjanës? (Shih edhe kutinë «Fjala e Perëndisë u forcoi vendosmërinë».)

15 Jehovai mund të të japë forcë edhe me anë të Fjalës së tij. Bluaj në mend vargje që do të të ndihmojnë të mbash asnjanësinë në sprova. Nguliti në kujtesë qysh tani, që të jenë burim force për ty nëse më vonë nuk mund të kesh një Bibël. Fjala e Perëndisë mund të të përforcojë edhe shpresën për bekimet që do të sjellë Mbretëria. Kjo shpresë është jetësore për të treguar qëndrueshmëri kur na përndjekin. (Rom. 8:25) Zgjidh vargje ku përshkruhen bekimet që mezi pret t’i gëzosh dhe përfytyroje veten duke i shijuar ato bekime në Parajsë.

TË NXJERRIM DOBI NGA ATA QË MBAJTËN INTEGRITETIN

16, 17. Ç’mund të mësojmë nga shembujt e shërbëtorëve besnikë të Perëndisë që mbajtën asnjanësinë? (Shih figurën hapëse.)

16 Çelësin e katërt për të mbajtur asnjanësinë na e sigurojnë shërbëtorët besnikë të Jehovait. Shembujt e tyre na japin mençurinë dhe forcën që na duhet për të qëndruar. Të marrim rastin e Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos, të cilët nuk pranuan të adhuronin një shëmbëlltyrë që paraqiste shtetin e Babilonisë. (Lexo Danielin 3:16-18.) Vendosmëria e tyre u ka dhënë Dëshmitarëve sot guximin që të mos pranojnë ta adhurojnë flamurin e vendit ku jetojnë. Veç kësaj, Jezui qëndroi plotësisht i ndarë nga konfliktet politike e shoqërore të botës. E dinte çfarë ndikimi do të kishte te dishepujt shembulli i tij, prandaj i nxiti: «Merrni zemër! Unë e munda botën.»​—Gjoni 16:33.

17 Edhe në kohën tonë shumë Dëshmitarë kanë mbajtur asnjanësinë. Disa kanë pësuar abuzime fizike, janë burgosur a madje kanë vdekur për hir të besimit. Shembujt e tyre mund të të ndihmojnë, siç ndihmuan edhe Barëshin nga Turqia. Ai tha: «Franc Rajteri ishte një vëlla i ri që u ekzekutua se nuk pranoi të hynte në ushtrinë e Hitlerit. Letra që i shkroi mamasë së tij natën para se të vdiste tregonte një besim të jashtëzakonshëm dhe siguri të plotë te Jehovai. Po të përballesha me një sprovë të tillë, doja të ndiqja shembullin e tij.» [2]

18, 19. (a) Si mund të të ndihmojnë pjesëtarët e kongregacionit të qëndrosh asnjanës? (b) Çfarë je i vendosur të bësh?

18 Edhe vëllezërit e motrat në kongregacion mund të jenë një krah i fortë për ty. Tregoju pleqve nëse po has ndonjë sprovë asnjanësie dhe kërko këshillat e tyre të pjekura, të bazuara në Bibël. Pjesëtarët e kongregacionit do të të japin zemër nëse e dinë çfarë situatash të vështira po kalon. Kërkoju të luten për ty. Natyrisht, nëse duam që vëllezërit të na mbështetin e të luten për ne, duhet të bëjmë të njëjtën gjë për ta. (Mat. 7:12) Një ndihmë që të bësh lutje specifike është artikulli «Dëshmitarët e Jehovait burgosen për shkak të besimit​—Sipas vendeve», që gjendet në sitin jw.org, te pjesa KËNDI I LAJMEVE > ZHVILLIME LIGJORE. Atje do të gjesh linqe me listat e Dëshmitarëve që janë në burg për besimin e tyre. Zgjidh disa emra dhe lutu për ta, që të mbajnë integritetin plot guxim.​—Efes. 6:19, 20.

19 Ndërsa qeverive njerëzore po u vjen fundi, s’do të habitemi nëse bëhen gjithnjë e më pak tolerante kundrejt besnikërisë sonë ndaj Jehovait dhe Mbretërisë së tij. Prandaj, le ta forcojmë që tani vendosmërinë për të mbajtur asnjanësinë mes një bote të përçarë.

^ [1] (paragrafi 1) Këtu Jezui e përdori Cezarin, qeveritarin njerëzor të rangut më të lartë në atë kohë, si simbol të autoritetit civil, ose të shtetit.

^ [2] (paragrafi 17) Shih Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, f. 662 (anglisht) dhe kutinë «Vdiq për nder të Perëndisë», në kapitullin 14 të librit Mbretëria e Perëndisë qeveris!