Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

botimin e rishikuar të 2013-s të «Shkrimeve të Shenjta​—Përkthimi Bota e Re» (që ka dalë në anglisht e në shumë gjuhë të tjera), Psalmi 144:12-15 zbatohet për shërbëtorët e Perëndisë. Në përkthimin jo të rishikuar ai zbatohet për të huajt e ligj, që përmenden në vargun 11. Pse u ndryshua formulimi i tij?

Fjalët e përdorura në hebraisht lënë vend për të dyja përkthimet. Gjithsesi, formulimi i botimit të rishikuar bazohet te faktorët e mëposhtëm:

  1. Fjalët e botimit të rishikuar mbështeten nga leksiku dhe gramatika. Lidhja mes Psalmit 144:12-15 dhe vargjeve pararendëse varet nga kuptimi që i jepet fjalës së parë të vargut 12, pra termit hebraik asher. Asher mund të përkthehet në disa mënyra. Për shembull, ai mund të jetë një përemër lidhor, si «që» ose «të cilët». «Që» është kuptimi që i është dhënë kësaj fjale në botimin jo të rishikuar. Si rrjedhojë, gjërat e mira të përmendura në vargjet 12 deri 14 zbatohen për të ligjtë e përmendur në vargjet pararendëse. Megjithatë, asher mund të tregojë edhe një rezultat a pasojë e mund të përkthehet «kështu», «në këtë mënyrë» ose «atëherë». Në botimin e rishikuar të 2013-s dhe në përkthime të tjera të Biblës është përdorur varianti «atëherë».

  2. Fjalët e botimit të rishikuar harmonizohen mirë me pjesën tjetër të psalmit. Përdorimi i fjalës «atëherë» në vargun 12 nënkupton se bekimet e përmendura më tej në vargjet 12 deri 14 zbatohen për të drejtët​—për ata që i kërkojnë Perëndisë ‘t’i çlirojë dhe t’i shpëtojë’ nga të ligjtë (vargu 11). Ky ndryshim pasqyrohet edhe te vargu 15, ku botimi i rishikuar tani përcjell dy ide paralele e pozitive. Domethënë, në të dyja rastet fjala «lum» zbatohet për të njëjtët njerëz​—për ata ‘që kanë për Perëndi Jehovain’. Gjithashtu, të mos harrojmë se teksti origjinal hebraik nuk kishte shenja pikësimi, si për shembull thonjëza. Prandaj, përkthyesit duhet të përcaktojnë kuptimin e saktë, duke mbajtur parasysh stilin poetik të hebraishtes, kontekstin dhe fragmentet biblike të lidhura me materialin.

  3. Fjalët e botimit të rishikuar janë në harmoni me fragmente të tjera biblike ku Perëndia premton bekime për shërbëtorët e tij besnikë. Si rezultat i përkthimit të përmirësuar të termit asher, psalmi tani pasqyron shpresën me themele të forta të shkrimtarit të saj, Davidit, që pasi ta çlironte kombin e Izraelit nga armiqtë, Perëndia do ta bekonte popullin e tij me lumturi e begati. (Lev. 26:9, 10; Ligj. 7:13; Psal. 128:1-6) Për shembull, Ligji i përtërirë 28:4 thotë: «I bekuar do të jetë fryti i barkut tënd, fryti i tokës sate dhe pjella e kafshëve të tua shtëpiake, pjella e bagëtisë së trashë dhe të imët.» Vërtet, gjatë mbretërimit të Solomonit, birit të Davidit, kombi gëzoi paqe dhe begati të paparë. Ç’është më e rëndësishmja, disa aspekte të mbretërimit të Solomonit paraqesin në mënyrë profetike mbretërimin e Mesisë.​—1 Mbret. 4:20, 21; Psal. 72:1-20.

Si përfundim, formulimi i përmirësuar i Psalmit 144 nuk e ndryshon kuptueshmërinë tonë për mësimet e Biblës. Megjithatë, ai bën që psalmi në tërësi të pasqyrojë më qartë shpresën që kanë në zemër prej kohësh shërbëtorët e Jehovait​—ekzekutimi i të ligjve nga Perëndia, i pasuar nga paqja dhe begatia e përhershme për të drejtët.​—Psal. 37:10, 11.