Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të imitojmë Jehovain—Një Perëndi që jep inkurajim

Të imitojmë Jehovain—Një Perëndi që jep inkurajim

«I bekuar qoftë Perëndia . . . i cili na ngushëllon * në të gjitha shtrëngimet tona.»​—2 KOR. 1:3, 4.

KËNGËT: 7, 3

1. Çfarë inkurajimi dha Jehovai në kohën e rebelimit në Eden?

QYSH nga koha që njerëzimi mëkatoi dhe u bë i papërsosur, Jehovai ka treguar se është një Perëndi që jep inkurajim. Fill pas rebelimit në Eden, ai u dha pasardhësve që do të vinin nga Adami arsye për të marrë zemër. Familja njerëzore nuk kishte humbur gjithçka. Pasi ta kuptonin premtimin profetik të shkruar te Zanafilla 3:15, njerëzimi do të kishte shpresën se me kohë «gjarpri i hershëm», Satana Djalli, dhe gjithë veprat e tij të liga do të shkatërroheshin.​—Zbul. 12:9; 1 Gjon. 3:8.

JEHOVAI INKURAJONTE SHËRBËTORËT E TIJ NË LASHTËSI

2. Si e inkurajoi Jehovai Noenë?

2 Noeja, një shërbëtor i Jehovait, jetonte në një botë të paperëndishme, ku të vetmit njerëz që adhuronin Jehovain ishin pjesëtarët e familjes së tij. Meqë dhuna dhe degjenerimi seksual kishin marrë dhenë përreth tij, Noeja mund të ishte shkurajuar. (Zan. 6:4, 5, 11; Jud. 6). Por Jehovai i dha informacione që e mbushën me kurajën e nevojshme për të mos hequr dorë nga përpjekjet që ‘të ecte me Perëndinë’. (Zan. 6:9) Jehovai i tha Noesë se do t’i jepte fund asaj bote të ligë dhe e udhëzoi se çfarë duhej të bënte për t’u siguruar që familja e tij të ishte e mbrojtur. (Zan. 6:13-18) Jehovai tregoi se ishte për Noenë një Perëndi që jepte zemër.

3. Çfarë inkurajimi mori Josiu? (Shih figurën hapëse.)

3 Kohë më vonë, Josiu u gjend para detyrës kolosale që të vendoste në Tokën e Premtuar popullin e Perëndisë. Kjo përfshinte të mposhteshin ushtritë e fuqishme të kombeve që banonin në atë territor. Josiu kishte çdo arsye për të qenë i trembur. Duke e ditur këtë, Jehovai e udhëzoi Moisiun t’i jepte siguri Josiut. Perëndia i tha: «Lërja detyrën Josiut, jepi zemër e forcoje, sepse ai do të kalojë në krye të këtij populli dhe do t’i japë si trashëgimi vendin që do të shohësh.» (Ligj. 3:28) Para se Josiu të hidhej në veprim, Jehovai e inkurajoi me fjalët: «A nuk të urdhërova të ishe i fortë dhe guximtar? Tani po të urdhëroj prapë: ji i fortë dhe guximtar. Mos u trondit e mos u tremb, sepse unë Jehovai, Perëndia yt, do të jem me ty kudo që të shkosh.» (Jos. 1:1, 9) Sa fjalë zemërdhënëse e siguruese!

4, 5. (a) Si i dha zemër Jehovai popullit të tij në lashtësi? (b) Si i dha zemër Jehovai Birit të tij?

4 Përveçse inkurajoi individë të ndryshëm, Jehovai i tha fjalë zemërdhënëse edhe popullit të tij si grup. Me shprehje profetike që do t’u ngushëllonin zemrën judenjve të mbajtur robër në Babiloni, Jehovai tha: «Mos ki frikë, se unë jam me ty. Mos i hidh sytë rreth e përqark, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj. Unë do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.» (Isa. 41:10) Jehovai u dha të njëjtën siguri të krishterëve të hershëm, e po ashtu bën me popullin e Tij sot.​—Lexo 2 Korintasve 1:3, 4.

5 Vetë Jezui mori zemër nga Ati i tij. Kur u pagëzua, Jezui dëgjoi një zë nga qielli të thoshte: «Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.» (Mat. 3:17) Sa forcë do t’i kenë dhënë ato fjalë Jezuit gjatë gjithë shërbimit të tij në tokë!

JEZUI I INKURAJONTE TË TJERËT

6. Si na inkurajon shëmbëlltyra e talentave?

6 Jezui imitoi shembullin e Atit të tij. Në shëmbëlltyrën e talentave, që e dha në profecinë për fundin e sistemit, Jezui inkurajon besnikërinë. Zotëria e nderoi secilin prej skllevërve besnikë me fjalët: «Të lumtë, skllav i mirë dhe i besueshëm! Ti u tregove i besueshëm kur t’u ngarkuan pak gjëra, prandaj do të të emëroj mbi shumë gjëra. Gëzohu edhe ti me zotërinë tënd.» (Mat. 25:21, 23) Çfarë inkurajimi i fuqishëm për të vazhduar t’i shërbejmë besnikërisht Jehovait!

7. Si i inkurajoi Jezui apostujt e tij, e në veçanti Pjetrin?

7 Apostujt e Jezuit grindeshin shpesh se kush ishte më i madhi mes tyre, por Jezui me durim i inkurajonte të përuleshin dhe të bëheshin shërbëtorë, jo shefa. (Luka 22:24-26) Pjetri në veçanti e zhgënjeu disa herë Jezuin. (Mat. 16:21-23; 26:31-35, 75) Në vend që ta hidhte poshtë Pjetrin, Jezui e inkurajoi, e madje i ngarkoi detyrën të forconte vëllezërit.​—Gjoni 21:16.

INKURAJIM NË KOHËT E LASHTA

8. Si u dha zemër Hezekia krerëve të ushtrisë dhe popullit të Judës?

8 Edhe para se Biri i Jehovait të vinte në tokë e të linte një shembull të përsosur se si të japim inkurajim, shërbëtorët besnikë të Jehovait ishin të vetëdijshëm për nevojën që të inkurajonin të tjerët. Kur po i kërcënonin asirianët, Hezekia mblodhi krerët e ushtrisë dhe popullin e Judës për t’i inkurajuar. «Dhe populli mori zemër nga fjalët» e tij.​—Lexo 2 Kronikave 32:6-8.

9. Ç’na mëson për inkurajimin libri i Jobit?

9 Jobi, ndonëse kishte vetë nevojë për ngushëllim, u dha tre ‘ngushëlluesve [të tij] të bezdisshëm’ një mësim se si të inkurajonin. U tha se po të ishte në vend të tyre, ‘do t’u jepte forcë me fjalët e gojës së tij, dhe do t’ua lehtësonte dhembjen me ngushëllimin e buzëve të tij’. (Jobi 16:1-5) Si përfundim, Jobit i dha zemër Elihu dhe vetë Jehovai.​—Jobi 33:24, 25; 36:1, 11; 42:7, 10.

10, 11. (a) Pse bija e Jefteut kishte nevojë t’i jepnin zemër? (b) Po sot, cilët meritojnë një inkurajim të ngjashëm?

10 Një shembull tjetër nga kohët e lashta për dikë që kishte nevojë t’i jepnin zemër është bija e Jefteut. Para se të shkonte të luftonte amonitët, gjykatësi Jefte u zotua që nëse Jehovai i jepte fitoren, personi i parë që do të dilte ta takonte pas betejës do t’i kushtohej shërbimit të Jehovait në shenjtërore. Ndodhi që ishte e bija, fëmija i tij i vetëm, ajo që doli të festonte bashkë me të fitoren. Jefteut iu copëtua zemra. Gjithsesi, e mbajti zotimin dhe e dërgoi bijën e tij virgjëreshë në Shiloh që të shërbente në tabernakull për tërë jetën.​—Gjyk. 11:30-35.

11 Sado e dhimbshme të ketë qenë kjo për Jefteun, për të bijën që veproi me gatishmëri sipas vendimit të të atit mund të ketë qenë akoma më e dhimbshme. (Gjyk. 11:36, 37) Ajo po hiqte dorë nga e drejta për t’u martuar, për të pasur fëmijë dhe për të ruajtur emrin e trashëgiminë e familjes. Pra ajo kishte nevojë për ngushëllim dhe inkurajim më shumë se kushdo. Tregimi biblik thotë: «Në Izrael u bë zakon që vit për vit bijat e Izraelit të shkonin për të lavdëruar bijën e Jefteut, galaditit, për katër ditë me radhë.» (Gjyk. 11:39, 40) A nuk meritojnë lavdërime dhe inkurajim edhe të krishterët e pamartuar që e përdorin beqarinë për t’u kushtuar më shumë vëmendje ‘gjërave të Zotërisë’?​—1 Kor. 7:32-35.

APOSTUJT INKURAJONIN VËLLEZËRIT

12, 13. Si i ‘forcoi vëllezërit’ Pjetri?

12 Natën para se të vdiste, Jezui i tha apostullit Pjetër: «Simon, Simon, ja, Satanai ka kërkuar t’ju shoshitë si grurin. Por unë kam bërë përgjërime për ty, që besimi yt të mos mpaket. Prandaj, kur të kthehesh, forco vëllezërit e tu.»​—Luka 22:31, 32.

Letrat e apostujve ishin burim i madh inkurajimi për kongregacionet në shekullin e parë e na japin zemër edhe sot e kësaj dite (Shih paragrafët 12-17.)

13 Pjetri u bë një shtyllë në kongregacionin e shekullit të parë. (Gal. 2:9) Me shembullin e tij të guximshëm, ai u dha zemër vëllezërve në festën e Ditës së Pesëdhjetë e më pas. Nga fundi i shërbimit të tij të gjatë, Pjetri u shkroi bashkëbesimtarëve. Arsyen e shpjegoi me këto fjalë: «Ju shkrova shkurt, për t’ju dhënë zemër dhe dëshmi të zjarrtë se kjo është dashamirësia e pamerituar e vërtetë e Perëndisë. Qëndroni të patundur në të.» (1 Pjet. 5:12) Letrat e frymëzuara të Pjetrit kanë vazhduar të jenë burim inkurajimi për të krishterët në rrjedhën e shekujve e deri më sot. Sa shumë kemi nevojë për këtë inkurajim ndërsa presim plotësimin e premtimeve të Jehovait!​—2 Pjet. 3:13.

14, 15. Si kanë qenë burim inkurajimi për të krishterët ndër shekuj shkrimet e frymëzuara të apostullit Gjon?

14 Edhe apostulli Gjon ishte një shtyllë në kongregacionin e shekullit të parë. Tregimi aq tërheqës i Ungjillit të tij për shërbimin e Jezuit ka qenë burim inkurajimi për të krishterët ndër shekuj​—e kështu është akoma. Vetëm në Ungjillin e tij janë dokumentuar fjalët e Jezuit se dashuria është shenja dalluese e dishepujve të vërtetë.​—Lexo Gjonin 13:34, 35.

15 Tri letrat e Gjonit përmbajnë xhevahire të tjera të së vërtetës. Kur ndihemi të dërrmuar nga barra e mëkateve, a nuk lehtësohemi kur lexojmë se «gjaku i Jezuit . . . na pastron nga çdo mëkat»? (1 Gjon. 1:7) Dhe nëse zemra jonë vazhdon të na dënojë, a nuk na mblidhet një lëmsh në grykë dhe lot mirënjohjeje në sy kur lexojmë se «Perëndia është më i madh se zemra jonë»? (1 Gjon. 3:20) Gjoni është i vetmi që shkroi fjalët «Perëndia është dashuri». (1 Gjon. 4:8, 16) Në letrën e tij të dytë dhe të tretë lavdërohen të krishterët që vazhdojnë «të ecin në të vërtetën».​—2 Gjon. 4; 3 Gjon. 3, 4.

16, 17. Si i inkurajoi apostulli Pavël të krishterët e hershëm?

16 Ndoshta apostulli që bëri më shumë për të inkurajuar vëllezërit në shekullin e parë ishte apostulli Pavël. Duket se në ditët e hershme të krishterimit, shumica e apostujve qëndruan në Jerusalem, që vazhdoi të ishte vendndodhja e trupit udhëheqës. (Vep. 8:14; 15:2) Të krishterët në Jude u predikonin për Krishtin njerëzve që, falë ndikimit të judaizmit, besonin vetëm te një perëndi. Në krahun tjetër, apostulli Pavël u dërgua nga fryma e shenjtë që t’u predikonte njerëzve të kombeve në botën greko-romake, që adhuronin shumë perëndi.​—Gal. 2:7-9; 1 Tim. 2:7.

17 Pavli udhëtoi anë e kënd vendit që sot njihet si Turqia, si edhe në Greqi dhe në Itali, duke formuar kongregacione mes jojudenjve. Ata besimtarë që sapo kishin përqafuar krishterimin ‘vuanin në duart e bashkëkombësve’ të tyre dhe kishin nevojë për inkurajim. (1 Sel. 2:14) Rreth vitit 50 të e.s., Pavli i shkroi kongregacionit të ri në Selanik: «E falënderojmë gjithmonë Perëndinë, kur ju përmendim të gjithë ju në lutjet tona, sepse mbajmë në mend vazhdimisht veprën tuaj të besimit, mundin tuaj falë dashurisë dhe qëndrueshmërinë tuaj.» (1 Sel. 1:2, 3) Gjithashtu, i nxiti t’i jepnin forcë njëri-tjetrit me këto fjalë: «Vazhdoni të ngushëlloni njëri-tjetrin dhe të ndërtoni njëri-tjetrin.»​—1 Sel. 5:11.

NJË TRUP UDHËHEQËS INKURAJUES

18. Si i dha zemër Filipit trupi udhëheqës i shekullit të parë?

18 Trupi udhëheqës i shekullit të parë ishte burim inkurajimi qoftë për ata që merrnin drejtimin, qoftë për të krishterët në përgjithësi. Kur ungjillëzuesi Filip u predikoi për Krishtin samaritanëve, trupi udhëheqës i dha mbështetje të plotë. Ata dërguan dy nga anëtarët e tyre, Pjetrin dhe Gjonin, për t’u lutur që besimtarët e rinj të merrnin frymën e shenjtë. (Vep. 8:5, 14-17) Sa shumë duhet t’u ketë dhënë zemër kjo mbështetje nga trupi udhëheqës Filipit vetë dhe atyre që kishte ndihmuar të përqafonin të vërtetën!

19. Si ndikoi te kongregacioni i hershëm letra që dërgoi trupi udhëheqës?

19 Më vonë, trupit udhëheqës iu kërkua të vendoste nëse rrethprerja duhej të ishte një kërkesë për të krishterët jojudenj, siç u ishte kërkuar judenjve nën Ligjin e Moisiut. (Vep. 15:1, 2) Pasi u lutën për drejtimin e frymës së shenjtë dhe arsyetuan nga Shkrimet, vëllezërit përgjegjës vendosën që kjo nuk ishte më e nevojshme dhe u shkruan kongregacioneve një letër për këtë. Përfaqësues të trupit udhëheqës u dërguan në kongregacione që të çonin letrën. Cili ishte rezultati? «Pasi e lexuan, ata gëzuan për inkurajimin.»​—Vep. 15:27-32.

20. (a) Si e inkurajon Trupi Udhëheqës sot vëllazërinë ndërkombëtare? (b) Cila pyetje do të marrë përgjigje në artikullin tjetër?

20 Sot Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait u jep inkurajim pjesëtarëve të familjes Bethel, atyre që janë në shërbimin special në kohë të plotë në fushë, e pa dyshim mbarë vëllazërisë ndërkombëtare të të krishterëve të vërtetë. E rezultati është njësoj si në shekullin e parë​—gëzojmë për inkurajimin! Veç kësaj, në vitin 2015 Trupi Udhëheqës botoi broshurën Kthehu te Jehovai!, që ka qenë burim i pasur inkurajimi për shumë veta anembanë botës. Por, a janë vëllezërit me autoritet të vetmit që duhet të imitojnë Jehovain duke dhënë inkurajim? Përgjigjen e kësaj pyetjeje do të na e japë artikulli tjetër.

^ par. 2 Ose «na inkurajon».