Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinj, a jeni të përqendruar në synime që kënaqin Jehovain?

Të rinj, a jeni të përqendruar në synime që kënaqin Jehovain?

«Lërja në dorë Jehovait punët e tua, dhe planet e tua do të jenë të sigurta.»​—PROV. 16:3.

KËNGËT: 135, 144

1-3. (a) Cilën sfidë hasin gjithë të rinjtë, dhe si mund ta ilustrojmë këtë? (Shih figurën hapëse.) (b) Si mund ta përballojnë sa më lehtë këtë sfidë të rinjtë e krishterë?

TA ZËMË se po planifikon të shkosh në një qytet të largët për një ngjarje të rëndësishme. Që të arrish atje duhet të bësh një udhëtim të gjatë me autobus. Në stacionin e autobusit çorientohesh nga turma e pasagjerëve dhe nga moria e autobusëve. Sa mirë që e ke të qartë në mendje synimin tënd​—të gjesh autobusin që shkon në destinacionin që ke zgjedhur! Po të hipje në një autobus që shkon diku tjetër, do të përfundoje në drejtimin e gabuar.

2 Të rinjtë sot mund të krahasohen me ata pasagjerë. Adoleshentët i pret një udhëtim i gjatë, jo një udhëtim me autobus, por udhëtimi i jetës. Hera-herës mund të ndihen të çorientuar nga mundësitë dhe vendimet që kanë përpara. Të rinj, mund t’ia bëni më të lehtë këtë vetes nëse keni një ide të qartë se ku doni të shkoni në jetë. Atëherë, për ku duhet të drejtoheni?

3 Ky artikull i përgjigjet kësaj pyetjeje duke i inkurajuar të rinjtë ta përqendrojnë jetën te dëshira për t’i pëlqyer Jehovait. Kjo nënkupton ta përfshijnë Jehovain në të gjitha aspektet e jetës​—arsimimi, puna, përgjegjësitë familjare, e kështu me radhë. Nënkupton edhe të punojnë për synime që kënaqin Atë. Ju të rinj që vazhdoni të përqendroheni te shërbimi i Jehovait mund të jeni të bindur se ai do t’ju bekojë që ‘planet tuaja të jenë të sigurta’, ose të suksesshme.​—Lexo Proverbat 16:3.

PSE TË VËSH SYNIME QË KËNAQIN JEHOVAIN?

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Të vësh synime teokratike që në moshë të vogël është gjë me mend. Përse? Do të shqyrtojmë tri arsye. Dy të parat tregojnë se kur punon për synime që kënaqin Jehovain, forcon marrëdhënien me të; arsyeja e tretë thekson dobitë që vijnë kur ke pikësynime teokratike që herët në jetë.

5. Cila është arsyeja kryesore pse të vëmë synime që kënaqin Jehovain?

5 Arsyeja kryesore pse të vëmë synime që kënaqin Jehovain është që t’i shprehim sa mirënjohës i jemi për dashurinë e tij dhe për ato që ka bërë për ne. Psalmisti tha: «Është mirë të të falënderosh ty, o Jehova . . . Se ti, o Jehova, më gëzove me veprat e tua; nga veprat e duarve të tua brohoras me hare.» (Psal. 92:1, 4) Si i ri, mendo për tërë ato gjëra që i ke vetëm falë Jehovait: jeta jote, besimi që ke, Bibla, kongregacioni dhe shpresa e mrekullueshme për të ardhmen. T’u japësh përparësi gjërave që lidhen me adhurimin e Perëndisë, është një mënyrë si t’i shprehësh mirënjohjen për këto bekime, dhe kjo të afron më shumë me të.

6. (a) Si ndikojnë synimet që kënaqin Jehovain te marrëdhënia jonë me të? (b) Çfarë synimesh mund të vihen që në moshë të vogël?

6 Arsyeja e dytë është se kur nis të punosh për synime që kënaqin Jehovain, fillon të krijosh një thesar me vepra të mira në sytë e Tij. Kjo të afron gjithnjë e më shumë me të. Apostulli Pavël premtoi: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.» (Hebr. 6:10) Kurrë nuk je tepër i vogël për të vënë synime. Kristina ishte 10 vjeçe kur e ndau mendjen që të lexonte rregullisht jetëshkrime të Dëshmitarëve besnikë. Në moshën 12-vjeçare, Tobi vuri si synim të lexonte gjithë Biblën para se të pagëzohej. Maksimi ishte 11 vjeç dhe motra e tij Noemi një vit më e vogël kur u pagëzuan. Pastaj të dy filluan të përpiqeshin për të arritur synimin që të shërbenin në Bethel. Si ndihmë që të mbeteshin të përqendruar tek ai synim, varën në mur një kërkesë për Bethel. Pse të mos shqyrtosh cilat synime janë të rëndësishme për ty, e pastaj të fillosh të punosh për t’i arritur?​—Lexo Filipianëve 1:10, 11.

7, 8. (a) Pse kur vë synime e ke më të lehtë të marrësh vendime? (b) Pse një adoleshente zgjodhi të mos e ndiqte universitetin?

7 Arsyeja e tretë pse të vësh synime që në moshë të vogël lidhet me marrjen e vendimeve. Adoleshentët duhet të marrin vendime për arsimimin, për punën e për gjëra të tjera. Të marrësh vendime është si të zgjedhësh rrugën e duhur kur arrin në një udhëkryq. Në rast se e di udhën për në destinacionin tënd, s’e ke problem të zgjedhësh rrugën e duhur. Po njësoj, nëse e di cilat janë synimet e tua, e ke më të lehtë të marrësh vendime të mira. Te Proverbat 21:5 thuhet: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim [sukses].» Sa më herët të bësh plane duke vënë synime të mira, aq më shpejt do të kesh sukses. Këtë e provoi edhe Damarisa kur duhej të merrte një vendim të rëndësishëm në adoleshencë.

8 Damarisa e përfundoi arsimin e detyrueshëm me rezultate të shkëlqyera. Ajo mund të kishte pranuar një bursë që të studionte për drejtësi në universitet, por në vend të kësaj zgjodhi të punonte me orar të reduktuar në një bankë. Pse? Ajo thotë: «Që në moshë fare të vogël e kisha ndarë mendjen të shërbeja si pioniere. Kjo nënkuptonte të punoja me orar të reduktuar. Po të kisha një diplomë si juriste, mund të fitoja goxha para, por do të kisha pak shanse të gjeja punë me orar të reduktuar.» Tani Damarisa ka 20 vjet që shërben si pioniere. A mendon ajo se vuri synimin e duhur dhe mori vendimin e duhur në adoleshencë? Ajo tregon: «Tani aty ku punoj në bankë, kam të bëj shpesh me avokatë. Ata bëjnë atë lloj pune që do të bëja unë po të kisha studiuar për drejtësi. Mirëpo shumë prej tyre nuk janë aspak të lumtur nga puna që bëjnë. Vendimi që të shërbeja si pioniere më ndihmoi t’i kurseja vetes acarimet e një karriere në botë dhe hapi rrugën që të shijoja vite plot gëzim në shërbim të Jehovait.»

9. Pse të rinjtë tanë meritojnë t’i lavdërojmë nga zemra?

9 Mijëra të rinj në kongregacionet rreth e qark botës meritojnë t’i lavdërojmë nga zemra. Ata e lënë veten në duart e Jehovait dhe e përqendrojnë jetën te synimet teokratike. Këta të rinj e gëzojnë jetën plotësisht, e në të njëjtën kohë mësojnë të ndjekin drejtimin e Jehovait në gjithçka bëjnë. Kjo përfshin arsimimin, punën dhe jetën familjare. «Beso te Jehovai me gjithë zemër,​—shkroi Solomoni.—​Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.» (Prov. 3:5, 6) Të rinjtë në kongregacionin e krishterë janë të çmuar në sytë e Jehovait. Ai i do me gjithë zemër e u jep mbrojtje, udhëheqje dhe bekimet e tij.

PËRGATITU MIRË PËR TË DHËNË DËSHMI

10. (a) Pse shërbimi duhet të jetë në fillim të listës së përparësive tona? (b) Si mund të bëhemi më të efektshëm në shërbim?

10 Një i ri që ka në qendër të jetës dëshirën për të kënaqur Jehovain i kushton vëmendje të veçantë shërbimit. Jezu Krishti theksoi se «më parë duhet të predikohet lajmi i mirë». (Mar. 13:10) Meqë vepra e predikimit është kaq urgjente, duhet të jetë në fillim të listës së përparësive tona. A mund të vësh si synim të dalësh më shpesh në shërbim? A mund të shërbesh si pionier? Por, ç’të bësh nëse nuk gjen edhe aq gëzim në predikim? Dhe si mund të jesh më i efektshëm për të dhënë dëshmi? Do të të ndihmojnë dy hapa kryesorë: përgatitu mirë dhe mos hiq dorë t’ua tregosh të tjerëve ato që di. Mund të surprizohesh se sa shumë gëzim do të ndiesh kur të predikosh.

Si përgatitesh për të dhënë dëshmi? (Shih paragrafët 11, 12.)

11, 12. (a) Ç’mund të bëjnë të rinjtë që të përgatiten për të dhënë dëshmi? (b) Si e shfrytëzoi një i ri rastin për të dhënë dëshmi në shkollë?

11 Mund t’ia nisësh duke menduar si t’i përgjigjesh ndonjë pyetjeje që bëjnë shpesh shokët e shkollës, si për shembull «Pse beson se ka Zot?» Siti ynë jw.org përmban artikuj të bërë enkas për t’i ndihmuar të rinjtë që të përgatitin vetë një përgjigje për këtë pyetje. Shih te MËSIME BIBLIKE > ADOLESHENTËT. Atje do të gjesh një fletë pune me titull «Pse besoj se Perëndia ekziston?» Fleta e punës do të të drejtojë që të përgatitësh vetë një përgjigje. Aty jepen tri shkrime që mund t’i përdorësh kur shpjegon bindjen tënde​—Hebrenjve 3:4, Romakëve 1:20 dhe Psalmi 139:14. Duke përdorur këto fletë pune, mund të përgatitësh përgjigje për një varg pyetjesh.​—Lexo 1 Pjetrit 3:15.

12 Kur të të jepet rasti, nxiti shokët e shkollës që ta shohin vetë sitin jw.org. Kështu veproi Luka. Klasa e tij po bënte një diskutim për fetë e ndryshme, dhe Luka vërejti se teksti mësimor përmbante disa ide të gabuara për Dëshmitarët e Jehovait. Edhe pse ngurronte, i kërkoi leje mësueses që t’i ndreqte ato pohime të rreme, dhe ajo pranoi. Luka jo vetëm shpjegoi bindjet e tij, por edhe i tregoi sitin tonë gjithë klasës. Mësuesja i dha si detyrë shtëpie çdo nxënësi të shihte videon me skicime Mund t’i bësh ballë bullizmit pa grushta. Luka fluturonte nga gëzimi që arriti të jepte një dëshmi të mirë.

13. Pse nuk duhet të dorëzohemi kur lindin vështirësi?

13 Edhe nëse hera-herës udhëtimi yt nuk shkon vaj, mos u shkurajo. (2 Tim. 4:2) Kur lindin vështirësi, puno pa u dorëzuar për synimet e tua. Katarina ishte 17 vjeçe kur vuri si synim t’i jepte dëshmi çdo kolegu në punë. Një koleg e ofendoi disa herë, por ajo nuk lejoi ta paralizonte frika. Sjellja e saj e shkëlqyer përballë vështirësive i bëri përshtypje një kolegu tjetër që quhej Hans. Si rezultat, ai lexoi botimet tona, studioi Biblën dhe u pagëzua. Katarina nuk dinte gjë për gjithë këtë, se ishte transferuar diku tjetër. Imagjino gëzimin e saj 13 vjet më vonë kur ishte ulur në Sallën e Mbretërisë bashkë me familjen dhe u njoftua se oratori ishte Hansi! Sa mirë që Katarina nuk hoqi dorë nga synimi për t’u dhënë dëshmi kolegëve!

MOS U SHPËRQENDRO

14, 15. (a) Çfarë duhet të mbajnë parasysh të rinjtë kur janë nën presion? (b) Si mund ta luftojnë të rinjtë presionin e shoqërisë?

14 Deri tani ky artikull të ka inkurajuar që të vendosësh ta përqendrosh jetën te dëshira jote për t’i shërbyer Jehovait. Kjo do të thotë të kesh në qendër të jetës synime që kënaqin Jehovain. Të rinj të tjerë të moshës sate ndoshta e përqendrojnë jetën te dëshira për t’ia kaluar mirë dhe ka shumë të ngjarë të të ftojnë të bashkohesh me ta. Herët a vonë do të të duhet të tregosh sa i vendosur je të mos heqësh dorë nga zgjedhjet që ke bërë. Mos u shpërqendro nga presioni i shoqërisë. Fundja, po t’i kthehemi ilustrimit me autobusin, ti patjetër nuk do të hipje në një autobus që shkon ku të jetë thjesht ngaqë pasagjerët e atij autobusi duket se po ia kalojnë mirë.

15 Ka disa mënyra si ta luftosh presionin e shoqërisë. Për shembull, shmangi situatat që dihet se janë tunduese. (Prov. 22:3) Gjithashtu, kujtoji vetes çfarë pasojash të dhimbshme vijnë kur bashkohesh me të tjerët duke u sjellë keq. (Gal. 6:7) Një ndihmë tjetër është të pranosh se ke nevojë për këshilla. Përulësia do të të ndihmojë t’i mirëpresësh sugjerimet e prindërve dhe të bashkëbesimtarëve të pjekur në kongregacion.​—Lexo 1 Pjetrit 5:5, 6.

16. Tregoni një përvojë që nxjerr në pah dobitë e përulësisë.

16 Përulësia e nxiti Kristofin të pranonte disa këshilla të mira. Pak pasi u pagëzua, ai filloi të stërvitej rregullisht në një palestër. Të rinj të tjerë në palestër e nxitën të hynte në klubin e tyre sportiv. Ai bisedoi për këtë çështje me një plak, që i kërkoi Kristofit të mendonte për disa rreziqe para se të merrte një vendim, si për shembull për rrezikun që të infektohej nga fryma e konkurrencës. Prapëseprapë, Kristofi u fut në klubin sportiv. Mirëpo me kohë zbuloi se ai sport ishte i dhunshëm, madje i rrezikshëm. Edhe një herë bisedoi me disa pleq, dhe të gjithë i dhanë këshilla nga Bibla. Ai thotë: «Jehovai më dërgoi këshillues të mirë, dhe unë ia vura veshin, edhe pse m’u desh ca kohë për këtë.» A je aq i përulur sa t’i pranosh këshillat e mençura?

17, 18. (a) Çfarë do Jehovai për të rinjtë sot? (b) Në cilën situatë të trishtueshme mund të ndodhet një i rritur, dhe si mund të shmanget kjo? Ilustrojeni.

17 «Gëzohu, pra, o djalë i ri [ose vajzë e re], në rininë tënde! Zemra të sjelltë gëzim në ditët [e rinisë sate]!» (Ekl. 11:9) Po, Jehovai do që ta kesh zemrën të gëzuar në rini. Ky artikull ka theksuar një mënyrë si ta arrish këtë. Vazhdo të përqendrohesh te synimet teokratike, duke e përfshirë Jehovain në të gjitha planet e tua. Sa më herët të fillosh ta bësh këtë, aq më shpejt do të ndiesh udhëheqjen, mbrojtjen dhe bekimet e Jehovait. Mendo për tërë ato këshilla të mençura që gjen në Fjalën e Perëndisë, dhe vërja veshin këshillës: «Kujtoje pra tani, Krijuesin tënd të Madh në ditët e djalërisë sate.»​—Ekl. 12:1.

18 Askush nuk mbetet i ri për një kohë të gjatë. Të rinjtë bëhen shpejt të rritur. Mjerisht, në moshë të rritur shumë bëhen pishman për synimet e gabuara që ndoqën në rini ose për faktin po aq zhgënjyes që nuk kishin fare synime. Por të rinjtë që vazhdojnë të përqendrohen sot te synimet teokratike do të ndiejnë kënaqësi të thellë për zgjedhjet që bënë edhe kur të jenë të rritur. Kështu ndodhi me Mirjanën, që ishte një adoleshente shumë e talentuar në sport. Asaj iu kërkua të merrte pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore, por në vend të kësaj zgjodhi të fillonte shërbimin e plotkohor. Tani, mbi 30 vjet më vonë, Mirjana shërben akoma në kohë të plotë bashkë me të shoqin. Ajo shpjegon: «Fama, nderimi, pushteti dhe pasuria janë synime kalimtare në jetë dhe aspak të larta. Synime vërtet fisnike dhe jetëgjata janë t’i shërbejmë Perëndisë dhe të përpiqemi të bëjmë sadopak për t’i ndihmuar njerëzit ta njohin Atë.»

19. Përmblidhni dobitë që vijnë kur dikush përqendrohet qysh në moshë të vogël te synimet që kënaqin Jehovain.

19 Të rinjtë në kongregacion meritojnë lavdërime nga zemra për mënyrën si i përballojnë këto sfida dhe për vendosmërinë që ta përqendrojnë jetën te shërbimi i Jehovait. Të rinjtë e bëjnë këtë duke punuar për synime që kënaqin Jehovain dhe duke i dhënë shumë përparësi veprës së predikimit. Gjithashtu, e ndajnë mendjen që të mos shpërqendrohen nga kjo botë. Adoleshentët mund të jenë të sigurt se përpjekjet e tyre të palodhura nuk janë të kota. Ata kanë mbështetjen e dashur të vëllezërve e motrave dhe, kur e lënë veten në duart e Jehovait, planet e jetës së tyre do të kenë sukses.