Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 14

A po e kryen plotësisht shërbimin tënd?

A po e kryen plotësisht shërbimin tënd?

«Bëj veprën e ungjillëzuesit, kryeje plotësisht shërbimin tënd.»—2 TIM. 4:5.

KËNGA 57 T’u predikojmë njerëzve të çdo lloji

PËRMBLEDHJE *

Pas ringjalljes, Jezui u takua me dishepujt e tij dhe i udhëzoi ‘të shkonin dhe të bënin dishepuj’ (Shih paragrafin 1)

1. Çfarë duan të bëjnë të gjithë shërbëtorët e Perëndisë, dhe pse? (Shih figurën e kopertinës.)

JEZU KRISHTI i urdhëroi dishepujt e tij: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.» (Mat. 28:19) Të gjithë shërbëtorët besnikë të Perëndisë duan të mësojnë si ‘ta kryejnë plotësisht’ këtë shërbim që u është caktuar. (2 Tim. 4:5) Tekefundit, kjo vepër është më e rëndësishme, më e vlefshme dhe më urgjente se çdo punë ose aktivitet tjetër në jetë. Por mund të jetë një sfidë të kalojmë në shërbim aq kohë sa do të na pëlqente.

2. Çfarë vështirësish hasim ndërsa përpiqemi të kryejmë shërbimin?

2 Ka edhe aktivitete të tjera të rëndësishme që kërkojnë kohën dhe energjitë tona. Mbase na duhet të punojmë shumë orë në ditë që të sigurojmë gjërat e nevojshme për veten dhe familjen. Ndoshta na sfilitin përgjegjësi të tjera familjare, sëmundjet, depresioni ose dhembjet e sikletet e moshës së thyer. Si mund ta kryejmë plotësisht shërbimin tonë ndërkohë që përballojmë rrethana të tilla të vështira?

3. Cilin përfundim mund të nxjerrim nga fjalët e Jezuit te Mateu 13:23?

3 Nëse rrethanat na e kufizojnë sasinë e kohës që mund të kalojmë në shërbim të Jehovait, s’kemi pse të shkurajohemi. Jezui e dinte se jo të gjithë do të kishin mundësi të jepnin fryt në të njëjtën masë në veprën e Mbretërisë. (Lexo Mateun 13:23.) Jehovai vlerëson jashtëzakonisht gjithçka që bëjmë në shërbimin e tij për sa kohë japim më të mirën. (Hebr. 6:10-12) Në krahun tjetër, ndoshta kuptojmë se rrethanat tona na lejojnë të bëjmë më tepër. Në këtë artikull, do të shqyrtojmë si mund t’i japim përparësi shërbimit, si ta mbajmë jetën të thjeshtë dhe si të përmirësojmë aftësitë në predikim e në mësimdhënie. Por së pari, çfarë do të thotë ta kryejmë plotësisht shërbimin tonë?

4. Çfarë do të thotë ta kryejmë plotësisht shërbimin?

4 E thënë thjesht, që ta kryejmë plotësisht shërbimin tonë duhet të marrim pjesë në veprën e predikimit dhe të mësimdhënies sa më plotësisht. Por këtu nuk përfshihet vetëm sasia e kohës. Për Jehovain ka rëndësi motivi ynë. Dashuria për Jehovain dhe njerëzit, na shtyn të përpiqemi me gjithë shpirt në shërbimin e krishterë. * (Mar. 12:30, 31; Kolos. 3:23) T’i shërbejmë Perëndisë me gjithë shpirt do të thotë të mos kursehemi, t’i përdorim sa më mirë të mundemi fuqitë dhe energjitë në shërbim të tij. Kur e çmojmë privilegjin që të marrim pjesë në veprën e predikimit, mundohemi t’ua japim lajmin e mirë sa më shumë njerëzve.

5-6. Ilustroni si mund t’i japë përparësi shërbimit dikush që e ka kohën të kufizuar.

5 Përfytyro një të ri që kënaqet kur i bie kitarës. Ka qejf të luajë muzikë sa herë të mundet. Me kohë, gjen punë si kitarist në një lokal gjatë fundjavëve. Mirëpo, paga që merr nuk i mbulon shpenzimet e tij. Prandaj, nga e hëna deri të premten punon si arkëtar në një dyqan ushqimor. Edhe pse shumicën e kohës e kalon në dyqan, zemrën e ka te muzika. Ëndërron që një ditë t’ia marrë dorën mirë kitarës dhe të jetë muzikant në kohë të plotë. Gjithsesi, shijon çdo mundësi që i del për të luajtur muzikë, qoftë edhe për pak kohë.

6 Po njësoj, mbase koha që i kushton ti veprës së predikimit është e kufizuar. Ama, zemrën e ke aty. Bën çmos të përmirësosh aftësinë për t’u prekur zemrën njerëzve me lajmin e mirë. Me kaq shumë gjëra që kërkojnë kohën tënde, ndoshta vret mendjen si t’i japësh përparësi veprës së predikimit.

SI T’I JAPËSH PËRPARËSI SHËRBIMIT

7-8. Si mund ta imitojmë qëndrimin që kishte Jezui ndaj shërbimit?

7 Jezui na la një shembull të shkëlqyer me qëndrimin që kishte ndaj shërbimit. Qendra e jetës së tij ishte t’u fliste të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë. (Gjoni 4:34, 35) Ai eci me qindra kilometra që t’u predikonte sa më shumë njerëzve. Shfrytëzonte çdo rast për të folur me njerëzit në vende publike e në shtëpitë e tyre. Gjithë jeta e Jezuit vërtitej rreth shërbimit.

8 Mund ta imitojmë Krishtin duke krijuar raste që të flasim për lajmin e mirë kurdo dhe kudo të jetë e mundur. Jemi gati të sakrifikojmë rehatinë personale që të angazhohemi në veprën e ungjillëzimit. (Mar. 6:31-34; 1 Pjet. 2:21) Disa në kongregacion kanë mundësi të shërbejnë si pionierë specialë, të rregullt ose ndihmës. Të tjerë kanë mësuar një gjuhë të huaj ose janë transferuar atje ku ka më tepër nevojë për predikues. Mirëpo, pjesa më e madhe e veprës së ungjillëzimit bëhet nga lajmëtarët e Mbretërisë, të cilët bëjnë maksimumin e tyre. Sido që të jetë, Jehovai nuk na kërkon më tepër nga sa mund të japim. Ai dëshiron që të gjithë ne ta shijojmë shërbimin e shenjtë teksa predikojmë ‘të lavdishmin lajm të mirë të Perëndisë së lumtur’.—1 Tim. 1:11; Ligj. 30:11.

9. (a) Si i dha përparësi veprës së predikimit Pavli edhe kur iu desh të punonte? (b) Çfarë na tregon Veprat 28:16, 30, 31 për qëndrimin e Pavlit ndaj shërbimit?

9 Apostulli Pavël la një shembull të shkëlqyer duke e bërë shërbimin aktivitetin më të rëndësishëm në jetë. Kur ndodhej në Korint gjatë udhëtimit të dytë misionar, ai ishte pak ngushtë ekonomikisht dhe duhej ta kalonte një pjesë të kohës duke bërë tenda. Mirëpo, Pavli nuk e konsideronte bërjen e tendave si aktivitetin kryesor. Punonte në atë zanat për të mbajtur veten në shërbim, në mënyrë që t’ua jepte «falas» lajmin e mirë korintasve, pa iu bërë barrë. (2 Kor. 11:7) Edhe pse i duhej të punonte një pjesë të kohës, Pavli vazhdoi t’i jepte përparësi shërbimit dhe predikonte çdo sabat. Pasi rrethanat e tij u përmirësuan, pati mundësi t’i kushtonte më shumë vëmendje predikimit. Filloi të ishte «tërësisht i zënë me predikimin e fjalës, ndërsa u dëshmonte judenjve për të provuar se Jezui është Krishti». (Vep. 18:3-5; 2 Kor. 11:9) Më vonë, kur ishte në arrest shtëpie për dy vjet në Romë, Pavli u dëshmonte atyre që e vizitonin dhe shkruante letra. (Lexo Veprat 28:16, 30, 31.) Pavli ishte i vendosur të mos lejonte asgjë ta shpërqendronte nga shërbimi. Ai shkroi: «Meqë kemi këtë shërbim . . . ne nuk dorëzohemi.» (2 Kor. 4:1) Ashtu si Pavli, edhe nëse na duhet t’i kushtojmë kohë punës në botë, ne mund ta bëjmë veprën e Mbretërisë aktivitetin më të rëndësishëm në jetë.

Ka shumë mënyra si mund ta kryejmë plotësisht shërbimin (Shih paragrafët 10-11)

10-11. Si mund ta kryejmë plotësisht shërbimin nëse shëndeti na kufizon?

10 Nëse mosha e shkuar ose problemet shëndetësore që na shterin fuqitë, na kufizojnë në predikimin shtëpi më shtëpi, mund të shijojmë forma të tjera të shërbimit. Lajmëtarët në shekullin e parë predikonin në çdo vend ku kishte njerëz. Shfrytëzonin çdo rast për të folur rreth së vërtetës—shtëpi më shtëpi, publikisht dhe në mënyrë joformale—kudo ku ‘qëllonte’ të kishte njerëz. (Vep. 17:17; 20:20) Nëse nuk jemi në gjendje të ecim shumë, mund të ulemi në një vend publik e t’u japim dëshmi kalimtarëve. Ose mund të predikojmë në mënyrë joformale, të shkruajmë letra a të japim dëshmi me telefon. Shumë lajmëtarë me kufizime të rënda shëndetësore provojnë mjaft gëzim e kënaqësi në këto forma të tjera të veprës së predikimit.

11 Me gjithë kufizimet e shëndetit, ti mund ta kryesh plotësisht shërbimin tënd. Mendo sërish për shembullin e apostullit Pavël. Ai tha: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.» (Filip. 4:13) Pavli pati nevojë për atë fuqi kur u sëmur në një nga udhëtimet misionare. Ai u shpjegoi galatasve: «Herën e parë . . . jua shpalla lajmin e mirë ngaqë isha sëmurë.» (Gal. 4:13) Po njësoj, problemet e tua shëndetësore mund të të japin mundësi t’u shpallësh lajmin e mirë të tjerëve, si mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të shëndetësisë. Shumë nga këta janë në punë kur lajmëtarët shkojnë për t’u predikuar në shtëpi.

SI TA MBASH JETËN TË THJESHTË

12. Ç’do të thotë të mbajmë një sy ‘të thjeshtë’?

12 Jezui tha: «Llamba e trupit është syri. Prandaj, nëse syri yt është i thjeshtë, gjithë trupi do të jetë i ndriçuar.» (Mat. 6:22) Ç’donte të thoshte? Donte të thoshte se duhet ta mbajmë jetën të thjeshtë ose të përqendruar te një synim a qëllim i vetëm, pa u hallakatur ose pa devijuar prej tij. Vetë Jezui la shembullin duke e përqendruar jetën te shërbimi dhe i mësoi dishepujt të mbeteshin të përqendruar te shërbimi i Jehovait e te Mbretëria e Tij. E imitojmë Jezuin duke e bërë shërbimin boshtin e jetës sonë, ‘duke kërkuar në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë’.—Mat. 6:33.

13. Çfarë mund të na ndihmojë të përqendrohemi te shërbimi?

13 Një mënyrë si të përqendrohemi te shërbimi, është duke thjeshtuar jetën që të kalojmë më tepër kohë për të ndihmuar të tjerët të njohin e të duan Jehovain. * Për shembull, a mund të ndryshojmë orarin e punës që të kalojmë më tepër kohë në shërbim gjatë javës? A mund të pakësojmë disa aktivitete zbavitëse që na marrin goxha kohë?

14. Çfarë ndryshimesh bëri një çift që t’i kushtonte më shumë kohë dhe vëmendje shërbimit?

14 Shiko se çfarë bënë një plak, Eliasi, dhe gruaja e tij. Ai shpjegon: «Nuk kishim mundësi të shërbenim si pionierë në atë kohë, por duhet t’ia nisnim diku. Kështu, hodhëm disa hapa relativisht të vegjël drejt synimit për t’i kushtuar më shumë kohë shërbimit. Për shembull, pakësuam shpenzimet, rralluam ato që tani i shohim si aktivitete zbavitëse të tepërta dhe u kërkuam punëdhënësve një orar pune më elastik. Si rezultat, patëm mundësi të predikonim mbrëmjeve, të drejtonim më shumë studime, e madje të dilnim dy herë në muaj në shërbim gjatë javës. Sa të kënaqur ishim!»

SI TË PËRMIRËSOSH AFTËSITË NË PREDIKIM DHE MËSIMDHËNIE

Zbatimi i asaj që mësojmë në mbledhjen e mesjavës do të na ndihmojë të përparojmë vazhdimisht në shërbim (Shih paragrafët 15-16) *

15-16. Në përputhje me 1 Timoteut 4:13, 15, si mund të vazhdojmë të përmirësojmë aftësitë tona si ungjillëzues? (Shih edhe kutinë « Synime për ta kryer plotësisht shërbimin tim».)

15 Një mënyrë tjetër si ta kryejmë më plotësisht shërbimin tonë, është duke përmirësuar aftësitë në veprën e predikimit. Njerëzve në disa profesione u kërkohet të marrin stërvitje dhe arsimim të vazhdueshëm, që të përmirësojnë njohuritë dhe aftësitë. Kjo vlen edhe për lajmëtarët e Mbretërisë. Duhet të vazhdojmë të mësojmë si të aftësohemi më shumë në shërbim.—Prov. 1:5; lexo 1 Timoteut 4:13, 15.

16 Por si mund të vazhdojmë të bëjmë përparim në shërbim? Duke u kushtuar vëmendje të madhe udhëzimeve që marrim çdo javë në mbledhjen Jeta dhe shërbimi. Në këtë mbledhje na jepet stërvitje e dobishme që t’i përmirësojmë hap pas hapi aftësitë në shërbim. Për shembull, kur drejtuesi i mbledhjes u jep këshilla studentëve që kishin caktime, pse të mos piketojmë sugjerime që mund të na ndihmojnë të përmirësojmë shërbimin? Mund t’i vëmë në praktikë ato sugjerime herën tjetër kur t’i japim dikujt lajmin e mirë. Mund t’i kërkojmë ndihmë mbikëqyrësit të grupit tonë të shërbimit ose të dalim në shërbim me të a me një lajmëtar tjetër që ka përvojë, me një pionier ose me mbikëqyrësin qarkor. Teksa bëhemi më të aftë për të përdorur secilin mjet nga Çanta e mjeteve mësimore, do ta shijojmë më shumë veprën e predikimit dhe të mësimdhënies.

17. Çfarë do të provosh kur e kryen plotësisht shërbimin tënd?

17 Sa privilegj i madh është që Jehovai na lejon të jemi ‘bashkëpunëtorët’ e tij! (1 Kor. 3:9) Kur ‘sigurohesh për gjërat më të rëndësishme’ dhe përqendrohesh te shërbimi i krishterë, ‘do t’i shërbesh Jehovait me gëzim’. (Filip. 1:10; Psal. 100:2) Si shërbëtor i Perëndisë, të jesh i sigurt se ai do të të japë fuqinë e nevojshme për ta kryer shërbimin pavarësisht nga vështirësitë ose kufizimet që mund të hasësh. (2 Kor. 4:1, 7; 6:4) Pavarësisht nëse rrethanat të lejojnë të marrësh pjesë pak ose shumë në vepër, kur e bën me gjithë shpirt shërbimin mund të kesh ‘shkak të ngazëllohesh’. (Gal. 6:4) Kur e kryen plotësisht shërbimin, tregon dashurinë tënde për Jehovain dhe për të tjerët. «Duke e bërë këtë, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.»—1 Tim. 4:16.

KËNGA 58 Të kërkojmë miqtë e paqes

^ par. 5 Na është ngarkuar detyra të predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë dhe të bëjmë dishepuj. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si ta kryejmë plotësisht shërbimin tonë, madje edhe në rrethana të vështira. Gjithashtu, do të mësojmë si të jemi më të efektshëm e të gjejmë më tepër gëzim në veprën e predikimit.

^ par. 4 SHPJEGIMI I SHPREHJES: Shërbimi i krishterë përfshin aspekte të ndryshme të predikimit e mësimdhënies, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e godinave teokratike dhe ndihmën në raste katastrofash.—2 Kor. 5:18, 19; 8:4.

^ par. 13 Shih shtatë hapat që renditen në kutinë «Si ta thjeshtosh jetën» në Kullën e Rojës, korrik 2016, f. 10.

^ par. 62 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër demonstron një rivizitë gjatë mbledhjes së mesjavës. Pastaj, teksa drejtuesi i mbledhjes jep këshilla, ajo mban shënime në broshurën e saj Mësimdhënia. Më vonë, gjatë fundjavës, e përdor në shërbim atë që mësoi në mbledhje.