Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 16

Mbështete pa frikë të vërtetën për vdekjen

Mbështete pa frikë të vërtetën për vdekjen

«E njohim shprehjen e frymëzuar të së vërtetës dhe shprehjen e frymëzuar të mashtrimit.»—1 GJON. 4:6.

KËNGA 73 Na bëj të guximshëm

PËRMBLEDHJE *

Në vend se të përfshihesh në zakone që e zemërojnë Perëndinë, ngushëllo të afërmit që u ka vdekur një njeri i dashur (Shih paragrafët 1-2) *

1-2. (a) Si i ka mashtruar njerëzit Satanai? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

SATANAI, «ati i gënjeshtrës», i ka mashtruar njerëzit gjatë gjithë historisë. (Gjoni 8:44) Disa nga gënjeshtrat e tij përfshijnë mësime të rreme për vdekjen dhe për jetën pas vdekjes. Këto mësime janë themeli i shumë zakoneve dhe bestytnive të përhapura. Si pasojë, mjaft vëllezër e motra kanë ‘luftuar me të gjitha forcat për besimin’ kur ka vdekur dikush në familjen ose në komunitetin e tyre.—Juda 3.

2 Nëse je para këtij presioni, çfarë mund të të ndihmojë të qëndrosh i patundur e të mbrosh mësimin e Biblës për vdekjen? (Efes. 6:11) Si mund të ngushëllosh dhe të forcosh një bashkadhurues që po i bëjnë presion të marrë pjesë në zakone që e zemërojnë Perëndinë? Në këtë artikull do të shikojmë si na ndihmon Jehovai. Në fillim, të shqyrtojmë çfarë thotë Bibla për vdekjen.

E VËRTETA PËR GJENDJEN E TË VDEKURVE

3. Çfarë pasojash solli gënjeshtra e parë?

3 Perëndia nuk donte që njerëzit të vdisnin. Por që të jetonin përgjithmonë, Adami dhe Eva duhej t’i bindeshin Jehovait që u dha këtë urdhër të thjeshtë: «Mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.» (Zan. 2:16, 17) Pas kësaj, doli në skenë Satanai. Nëpërmjet një gjarpri ai i tha Evës: «Ju s’keni për të vdekur aspak.» Mjerisht, Eva e besoi gënjeshtrën dhe e hëngri frytin. Më pas, edhe i shoqi e hëngri frytin. (Zan. 3:4, 6) Kështu, në familjen njerëzore hynë mëkati dhe vdekja.—Rom. 5:12.

4-5. Si ka vazhduar t’i mashtrojë njerëzit Satanai?

4 Adami dhe Eva vdiqën, siç kishte thënë Perëndia. Por Satanai vazhdoi të gënjente për vdekjen. Më vonë, ai përhapi gënjeshtra të tjera. Një nga këto gënjeshtra është mësimi se trupi vdes por shpirti i tij vazhdon të jetojë, mbase në një botë të përtejme. Variacione të kësaj gënjeshtre kanë mashtruar njerëz të panumërt deri sot e kësaj dite.—1 Tim. 4:1.

5 Pse janë mashtruar kaq shumë njerëz? Me këto gënjeshtra, Satanai shfrytëzon ndjenjat tona të natyrshme për vdekjen. Ngaqë jemi krijuar që të jetojmë përgjithmonë, nuk duam të vdesim. (Ekl. 3:11) Vdekja për ne është armik.—1 Kor. 15:26.

6-7. (a) A ka arritur ta mbajë të fshehur Satanai të vërtetën për të vdekurit? Shpjegoni. (b) Si na ndihmon e vërteta e Biblës të mos kemi frikë më kot?

6 Me gjithë përpjekjet e Satanait, e vërteta për vdekjen nuk ka mbetur e fshehur. Në fakt, tani më shumë njerëz se kurrë e dinë dhe po e bëjnë të njohur mësimin e Biblës për gjendjen e të vdekurve dhe shpresën për të vdekurit. (Ekl. 9:5, 10; Vep. 24:15) Këto të vërteta na ngushëllojnë e na mbrojnë nga frika dhe dyshimet e kota. Për shembull, nuk kemi frikë nga të vdekurit, e as kemi frikë për ta. E dimë se ata nuk janë gjallë dhe nuk dëmtojnë dot askënd. Janë si në një gjumë të thellë. (Gjoni 11:11-14) Gjithashtu, e dimë se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm për kohën. Prandaj, kur të ringjallen, edhe atyre që kanë vdekur prej shekujsh do t’u duket sikur koha ka kaluar në çast, sa hap e mbyll sytë.

7 A nuk je dakord se e vërteta për gjendjen e të vdekurve është e qartë, e thjeshtë dhe logjike? Çfarë kontrasti me gënjeshtrat çoroditëse të Satanait! Përveçse i mashtrojnë njerëzit, këto gënjeshtra janë shpifje ndaj Krijuesit tonë. Që ta kuptojmë edhe më plotësisht dëmin që ka shkaktuar Satanai, do të shqyrtojmë këto pyetje: Si ka shpifur për Jehovain Satanai me gënjeshtrat e tij? Si e kanë gërryer ato besimin te flijimi shpërblyes i Krishtit? Si ia kanë shtuar pikëllimin dhe vuajtjet njerëzimit?

DËMET QË KANË SJELLË GËNJESHTRAT E SATANAIT

8. Siç tregon Jeremia 19:5, pse gënjeshtrat e Satanait për të vdekurit janë shpifje ndaj Jehovait?

8 Gënjeshtrat e Satanait për të vdekurit janë shpifje ndaj Jehovait. Këto gënjeshtra përfshijnë mësimin e rremë se të vdekurit torturohen në zjarr. Mësime të tilla janë shpifje ndaj Perëndisë. Pse? Sepse i veshin Perëndisë së dashurisë, personalitetin e Djallit. (1 Gjon. 4:8) Si ndihesh nga kjo? Mbi të gjitha, si ndihet Jehovai? Patjetër që kjo e lëndon, se ai urren çdo formë mizorie.—Lexo Jereminë 19:5.

9. Si ndikojnë gënjeshtrat e Satanait te besimi në flijimin shpërblyes të Krishtit, për të cilin flet Gjoni 3:16 dhe 15:13?

9 Gënjeshtrat e Satanait për vdekjen gërryejnë besimin te flijimi shpërblyes i Krishtit. (Mat. 20:28) Një gënjeshtër tjetër satanike është se njerëzit kanë një shpirt të pavdekshëm. Po të ishte kështu, të gjithë do të jetonin përjetësisht. Krishtit nuk do t’i duhej të jepte jetën si shpërblesë që ne të fitojmë jetën e përhershme. Mos harro se flijimi i Krishtit është shprehja më e madhe e dashurisë ndaj njerëzimit. (Lexo Gjonin 3:16; 15:13.) Imagjino si ndihen Jehovai dhe Biri i tij për mësimet që e zhvlerësojnë këtë dhuratë të çmuar!

10. Si ia kanë shtuar pikëllimin dhe vuajtjet njerëzimit gënjeshtrat e Satanait për vdekjen?

10 Gënjeshtrat e Satanait ia shtojnë pikëllimin dhe vuajtjet njerëzimit. Prindërve të pikëlluar nga vdekja e fëmijës, mund t’u thuhet se atë e ka marrë Perëndia, mbase si engjëll në qiell. A ua lehtëson apo ua shton dhembjen kjo gënjeshtër satanike? Mësimi i rremë i ferrit të zjarrtë është përdorur për të justifikuar torturat, si djegia në shtyllë e atyre që kundërshtonin mësimet e Kishës. Sipas një libri për Inkuizicionin spanjoll, disa prej përgjegjësve të kësaj mizorie mund të kenë besuar se thjesht po i bënin heretikët «të provonin pak zjarrin e përhershëm të ferrit» që, para se të vdisnin, të pendoheshin e të shpëtonin nga ferri i zjarrtë. Në disa shtete, njerëzit ndihen të detyruar të adhurojnë paraardhësit e vdekur, t’i nderojnë ose të kërkojnë bekimin e tyre. Të tjerë, duan t’i qetësojnë paraardhësit që të shmangin ndonjë lloj ndëshkimi prej tyre. Mjerisht, besimet e bazuara te gënjeshtrat satanike nuk sjellin ngushëllim të vërtetë. Përkundrazi, shkaktojnë ankth të kotë e madje frikë.

SI TA MBËSHTETIM PA FRIKË TË VËRTETËN E BIBLËS

11. Si mund të na bëjnë presion të afërmit ose miqtë që të mos i bindemi Fjalës së Perëndisë?

11 Dashuria për Perëndinë dhe Fjalën e tij, na jep forcë t’i bindemi Jehovait edhe kur të afërm a miq, të nisur nga e mira, na bëjnë presion të marrim pjesë në zakone rreth të vdekurve të cilat bien ndesh me Shkrimet. Ata mund të përpiqen të na turpërojnë duke thënë se nuk e donim ose nuk e respektonim të vdekurin. Ose mund të thonë se për shkak të sjelljes sonë i vdekuri do t’u bëjë ndonjë të keqe të gjallëve. Si mund ta mbështetim pa frikë të vërtetën e Biblës? Shqyrto si mund t’i zbatosh parimet vijuese nga Bibla.

12. Cilat zakone rreth të vdekurve bien ndesh me Shkrimet?

12 Ji i vendosur ‘të ndahesh’ nga bindjet dhe zakonet që bien ndesh me Shkrimet. (2 Kor. 6:17) Në një vend në Karaibe, shumë besojnë se pasi dikush vdes, «shpirti» i tij mund të vijë rrotull dhe të ndëshkojë ata që e kanë keqtrajtuar. Madje «shpirti», sipas një vepre referimi, mund «t’i bëjë gjëmën komunitetit». Në Afrikë është zakon që në shtëpinë e të ndjerit të mbulohen pasqyrat dhe të kthehen fotografitë e tij nga muri. Pse? Se disa mendojnë që të vdekurit nuk duhet ta shikojnë veten. Si shërbëtorë të Jehovait, ne nuk besojmë asnjë mit dhe nuk marrim pjesë në asnjë zakon që përkrah gënjeshtrat e Satanait!—1 Kor. 10:21, 22.

Kërkimet e kujdesshme në Bibël dhe komunikimi i mirë me të afërmit që s’janë Dëshmitarë, të ndihmon të shmangësh problemet (Shih paragrafët 13-14) *

13. Sipas Jakovit 1:5, ç’duhet të bësh nëse nuk je i sigurt për ndonjë zakon?

13 Nëse nuk je i sigurt për ndonjë zakon, lutju Jehovait dhe kërkoji me besim mençurinë e tij. (Lexo Jakovin 1:5.) Pastaj, në harmoni me lutjen, bëj kërkime në botimet tona. Nëse është e nevojshme, konsultohu me pleqtë e kongregacionit tënd. Ata nuk do të të thonë ç’të bësh, por mund të të ndihmojnë të gjesh parime të përshtatshme nga Bibla, si ato që po trajtojmë këtu. Duke bërë këta hapa, do të stërvitësh «aftësitë perceptuese», dhe këto aftësi do të të ndihmojnë ‘të shquash si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’.—Hebr. 5:14.

14. Ç’mund të bëjmë që të mos i pengojmë të tjerët?

14 ‘Gjithçka bëje për lavdi të Perëndisë. Ruhu të mos bëhesh shkak pengese.’ (1 Kor. 10:31, 32) Kur vendosim nëse do ta ndjekim një zakon a traditë, duhet të mendojmë edhe si mund të ndikojë vendimi ynë te ndërgjegjja e të tjerëve, sidomos e bashkëbesimtarëve. Nuk duam kurrsesi të pengojmë ndokënd! (Mar. 9:42) Gjithashtu, nuk duam t’i fyejmë ata që s’janë Dëshmitarë. Dashuria na motivon t’u flasim me respekt, e kjo i jep lavdi Jehovait. Sigurisht, ne nuk grindemi me njerëzit e nuk i vëmë në lojë traditat e tyre. Mos harro, dashuria ka shumë fuqi! Kur e shfaqim në një mënyrë që tregon respekt e konsideratë, mund t’ua zbutim zemrën kundërshtarëve.

15-16. (a) Pse është e mençur t’u thuash të tjerëve se çfarë beson? Jepni një shembull. (b) Për çfarë na nxitin fjalët e Pavlit te Romakëve 1:16?

15 Thuaju të tjerëve se je Dëshmitar i Jehovait. (Isa. 43:10) Ka shumë të ngjarë që do ta kesh më të lehtë t’i përballosh situatat e tensionuara, nëse të afërmit dhe komshinjtë e dinë se ti adhuron Perëndinë Jehova. Fransisko, që jeton në Mozambik, shkruan: «Kur unë dhe gruaja ime, Karolina, mësuam të vërtetën, i thamë familjes se nuk do t’i adhuronim më të vdekurit. Vendimi ynë u sprovua kur vdiq motra e Karolinës. Zakoni i vendit kërkon të bëhet një ritual fetar ku lahet kufoma. Pastaj njeriu më i afërt, duhet të flejë tri net te vendi ku është derdhur uji. Këto zakone pretendohet të qetësojnë shpirtin e të vdekurit. Familja priste që Karolina, sipas zakonit, të flinte atje.»

16 Si vepruan Fransisko dhe e shoqja? Fransisko shpjegon: «Ne e duam Jehovain dhe dëshirojmë ta kënaqim. Prandaj, nuk pranuam të merrnim pjesë në këtë zakon. Familja e Karolinës u zemërua pa masë. Na akuzuan se nuk po e respektonim të vdekurën dhe thanë se nuk do të na shkelnin më në derë e as do të na ndihmonin. Meqë ua kishim shpjeguar më parë bindjet tona, nuk e diskutuam çështjen kur ishin të zemëruar. Disa të afërm madje na mbrojtën dhe thanë se tashmë ua kishim shpjeguar qëndrimin tonë. Me kalimin e kohës, të afërmit e Karolinës u qetësuan, dhe bëmë paqe. Disa madje erdhën në shtëpi dhe na kërkuan literaturë nga Bibla.» Mos na ardhtë kurrë turp që e mbrojmë me besnikëri të vërtetën për vdekjen!—Lexo Romakëve 1:16.

NGUSHËLLO DHE PËRKRAH TË PIKËLLUARIT

Miqtë e vërtetë i ngushëllojnë dhe i përkrahin ata që u ka vdekur një njeri i dashur (Shih paragrafët 17-19) *

17. Ç’mund të na ndihmojë të jemi ‘shok i vërtetë’ për një bashkëbesimtar të pikëlluar?

17 Kur një bashkëbesimtari i vdes një njeri i dashur, duhet të bëjmë çmos të jemi ‘shok i vërtetë . . . , vëlla në ditë të vështira’. (Prov. 17:17) Si të jemi ‘shok i vërtetë’, sidomos kur një vëllai a motre të pikëlluar po i bëjnë presion të marrë pjesë në zakone që bien ndesh me Shkrimet? Të shqyrtojmë dy parime nga Bibla që mund të na ndihmojnë të ngushëllojmë të hidhëruarin.

18. Pse qau Jezui, dhe çfarë mësojmë nga shembulli i tij?

18 ‘Qaj me ata që qajnë.’ (Rom. 12:15) Ndoshta e kemi të vështirë të dimë ç’t’i themi dikujt që është i mbytur nga pikëllimi. Nganjëherë lotët tanë flasin më shumë se fjalët. Kur Lazari, miku i Jezuit, vdiq, Maria, Marta dhe të tjerë qanë për vëllanë dhe mikun e tyre të dashur. Kur mbërriti atje katër ditë më vonë, edhe Jezui «nuk i mbajti dot lotët», ndonëse e dinte se pas pak do ta ringjallte Lazarin. (Gjoni 11:17, 33-35) Lotët e Jezuit pasqyruan ndjenjat e Atit të tij. Gjithashtu, treguan sa e donte atë familje. Pa dyshim, kjo i ngushëlloi Marinë dhe Martën. Po njëlloj, kur vëllezërit ndiejnë dashurinë dhe merakun tonë, e dinë se nuk janë vetëm por janë të rrethuar nga miq të dhembshur e të gjindshëm.

19. Si mund ta zbatojmë Eklisiastiun 3:7 kur ngushëllojmë një bashkëbesimtar të pikëlluar?

19 «Një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur.» (Ekl. 3:7) Një mënyrë tjetër si ta ngushëllosh një bashkëbesimtar të pikëlluar, është thjesht duke qenë dëgjues i mirë. Lëre vëllanë të zbrazë zemrën dhe mos u ofendo nga ‘fjalët e rrëmbyera’. (Jobi 6:2, 3) Ai mund të jetë i ngarkuar emocionalisht edhe nga presioni i të afërmve që s’janë Dëshmitarë. Ndaj, lutu me të. Përgjëroju ‘Dëgjuesit të lutjes’ t’i japë forcë e mendje të kthjellët. (Psal. 65:2) Nëse e lejojnë rrethanat, lexoni Biblën bashkë. Ose lexoni një artikull të përshtatshëm nga botimet tona, si për shembull një jetëshkrim inkurajues.

20. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

20 Sa mirënjohës jemi që dimë të vërtetën për të vdekurit dhe se çfarë e ardhme e mrekullueshme i pret ata që janë në varre! (Gjoni 5:28, 29) Pra, me fjalë e vepra le të mbështetim pa frikë të vërtetën e Biblës dhe t’ua themi edhe të tjerëve në çdo rast të volitshëm. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë një mënyrë tjetër që përdor Satanai për t’i mbajtur njerëzit në errësirë—spiritizmi. Do të shohim pse duhet të shmangim praktikat dhe zbavitjet që lidhen me këtë kurth demonik.

KËNGA 24 Ejani në malin e Jehovait!

^ par. 5 Satanai dhe demonët e tij i kanë mashtruar njerëzit me gënjeshtra për gjendjen e të vdekurve. Këto kanë sjellë shumë zakone që bien ndesh me Shkrimet. Ky artikull do të të ndihmojë t’i qëndrosh besnik Jehovait kur të bëjnë presion që të marrësh pjesë në këto zakone.

^ par. 55 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Familjarët Dëshmitarë ngushëllojnë një të afërme që i ka vdekur një njeri i dashur.

^ par. 57 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pasi ka bërë kërkime për zakonet e funeralit, një Dëshmitar u shpjegon me dashamirësi të afërmve bindjet e tij.

^ par. 59 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pleqtë e kongregacionit ngushëllojnë dhe përkrahin një Dëshmitar të cilit i ka vdekur një njeri i dashur.