Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 17

«Ju kam quajtur miq»

«Ju kam quajtur miq»

«Ju kam quajtur miq, sepse ju kam bërë të njohur gjithë gjërat që kam dëgjuar nga Ati im.»—GJONI 15:15.

KËNGA 13 Krishti, modeli ynë

PËRMBLEDHJE *

1. Si lidhim miqësi të ngushtë me dikë?

ZAKONISHT, hapi i parë për të lidhur miqësi të ngushtë me dikë, është të kalojmë kohë bashkë. Ndërsa bisedojmë e hapemi për mendimet dhe ndjenjat, bëhemi miq. Mirëpo, kur bëhet fjalë për të lidhur një miqësi të ngushtë me Jezuin, hasim vështirësi. Cilat janë disa nga këto?

2. Cila është vështirësia e parë që hasim?

2 Vështirësia e parë është se nuk e kemi takuar Jezuin personalisht. Kjo ishte e vërtetë edhe për shumë të krishterë në shekullin e parë. Prapëseprapë, apostulli Pjetër tha: «Ndonëse nuk e keni parë kurrë, ju e doni atë; ndonëse tani për tani nuk e shihni, prapëseprapë ju tregoni besim tek ai.» (1 Pjet. 1:8) Prandaj, është e mundur të lidhim miqësi të ngushtë me Jezuin edhe pa e takuar personalisht.

3. Cila është vështirësia e dytë që hasim?

3 Vështirësia e dytë është se nuk kemi mundësi të flasim me Jezuin. Kur lutemi, ne ia shprehim mendimet tona Jehovait. Është e vërtetë që lutemi në emër të Jezuit, por nuk flasim me të. Faktikisht, Jezui nuk dëshiron t’i lutemi atij. Pse? Sepse lutja është një formë adhurimi, dhe ne duhet të adhurojmë vetëm Jehovain. (Mat. 4:10) Megjithatë, mund ta shprehim dashurinë për Jezuin.

4. Cila është vështirësia e tretë, dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Vështirësia e tretë është se Jezui jeton në qiell, prandaj nuk mund të kalojmë kohë në kuptim të mirëfilltë me të. Prapëseprapë, mund ta njohim mirë Jezuin. Do të shqyrtojmë katër gjëra që mund të bëjmë për të forcuar miqësinë me të. Por në fillim të shohim pse është jetësore të lidhim e të ruajmë një miqësi të ngushtë me Krishtin.

PSE KEMI NEVOJË TË JEMI MIQ ME JEZUIN?

5. Pse duhet të jemi miq me Jezuin? (Shih edhe kutitë « Miqësia me Jezuin na bën miq të Jehovait» dhe « Një pikëpamje e ekuilibruar për rolin e Jezuit».)

5 Duhet të jemi miq me Jezuin nëse duam të jemi miq të Jehovait. Pse? Të shqyrtojmë vetëm dy arsye. Së pari, Jezui u tha dishepujve të tij: «Vetë Ati ju ka për zemër, ngaqë më keni pasur për zemër mua.» (Gjoni 16:27) Veç kësaj tha: «Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Të përpiqesh të jesh mik me Jehovain pa lidhur miqësi të ngushtë me Jezuin, është si të hysh në një ndërtesë pa përdorur derën. Jezui përdori një ilustrim të ngjashëm kur tha se ai është «dera për delet». (Gjoni 10:7) Arsyeja e dytë është se Jezui pasqyroi në mënyrë të përsosur cilësitë e Atit të tij. Ai u tha dishepujve: «Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9) Prandaj, një mënyrë e rëndësishme si të njohim Jehovain, është të studiojmë jetën e Jezuit. Sa më shumë mësojmë për Jezuin, aq më shumë na shtohet dashuria për të. E sa më shumë e forcojmë miqësinë me Jezuin, aq më shumë thellojmë dashurinë për Atin e tij.

6. Cila është një arsye tjetër pse duhet të jemi miq me Jezuin? Shpjegoni.

6 Duhet të jemi miq me Jezuin që lutjet tona të marrin përgjigje. Për këtë nuk mjafton thjesht të themi në fund të lutjes «në emër të Jezuit». Duhet të kuptojmë si e përdor Jehovai Jezuin për t’iu përgjigjur lutjeve tona. Jezui u tha apostujve: «Çfarëdo të kërkoni në emrin tim, unë do ta bëj.» (Gjoni 14:13) Edhe pse është Jehovai ai që i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tona, autoritetin që t’i zbatojë vendimet e Tij, ia ka dhënë Jezuit. (Mat. 28:18) Veç kësaj, para se t’u përgjigjet lutjeve tona, Perëndia sigurohet nëse kemi zbatuar këshillat që na ka dhënë Jezui. Për shembull, Jezui tha: «Po t’ua falni njerëzve shkeljet, edhe Ati juaj qiellor do t’ju falë ju, por, po të mos ua falni njerëzve shkeljet, as Ati juaj qiellor nuk do t’i falë shkeljet tuaja.» (Mat. 6:14, 15) Sa e rëndësishme është, pra, që t’i trajtojmë të tjerët me të njëjtën dashuri që na tregojnë Jehovai dhe Jezui!

7. Cilët nxjerrin dobi nga flijimi shpërblyes i Jezuit?

7 Vetëm ata që kanë miqësi të ngushtë me Jezuin, do të nxjerrin dobi nga flijimi i tij shpërblyes. Nga e dimë këtë? Jezui tha se do të jepte «jetën për miqtë e vet». (Gjoni 15:13) Shërbëtorëve besnikë që jetuan para se Jezui të vinte në tokë, do t’u duhet të mësojnë për të dhe ta duan. Edhe të drejtëve që do të ringjallen, si Abrahami, Sara, Moisiu dhe Rahaba do t’u duhet të lidhin miqësi me Jezuin për të fituar jetën e përhershme.—Gjoni 17:3; Vep. 24:15; Hebr. 11:8-12, 24-26, 31.

8-9. Siç shpjegohet te Gjoni 15:4, 5, për çfarë na ndihmon miqësia me Jezuin, dhe pse është e rëndësishme të qëndrojmë në unitet me të?

8 Kemi kënaqësinë të shërbejmë përkrah Jezuit për t’u predikuar e mësuar të tjerëve lajmin e mirë për Mbretërinë. Kur ishte në tokë, Jezui i mësonte njerëzit. E që kur u kthye në qiell, si kreu i kongregacionit, Jezui vazhdoi të drejtonte veprën e predikimit e të mësimdhënies. Ai i sheh dhe i çmon përpjekjet e tua për të ndihmuar sa më shumë njerëz të njohin atë dhe Atin e tij. Në fakt, këtë vepër mund ta kryejmë vetëm me ndihmën e Jehovait e të Jezuit.—Lexo Gjonin 15:4, 5.

9 Fjala e Perëndisë na tregon qartë se, për të kënaqur Jehovain, duhet të duam Jezuin e ta ruajmë dashurinë për të. Prandaj, të shqyrtojmë katër gjëra që na ndihmojnë të jemi miq me Jezuin.

SI TË JEMI MIQ ME JEZUIN

Mund të jesh mik me Jezuin (1) duke e njohur më mirë, (2) duke imituar mënyrën si mendonte e vepronte, (3) duke mbështetur vëllezërit e tij dhe (4) duke mbështetur masat e organizatës së Jehovait (Shih paragrafët 10-14) *

10. Cili është hapi i parë që të jemi miq me Jezuin?

10 (1) Njihe Jezuin. Mund ta njohim Jezuin duke lexuar librat e Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit. Ndërsa meditojmë rreth këtyre tregimeve për jetën e Jezuit, na shtohet dashuria dhe respekti për Jezuin ngaqë shohim me sa dashuri i trajtonte njerëzit. Për shembull, edhe pse ishte Zotëria i tyre, nuk i trajtonte dishepujt si skllevër. Përkundrazi, u hapej për mendimet dhe ndjenjat e veta. (Gjoni 15:15) Jezui e ndiente dhembjen e tyre dhe qante me ta kur ishin të dëshpëruar. (Gjoni 11:32-36) Madje edhe armiqtë e tij e shihnin se Jezui bëhej mik me ata që e pranonin mesazhin e tij. (Mat. 11:19) Kur imitojmë mënyrën si i trajtonte Jezui dishepujt, marrëdhëniet tona me të tjerët përmirësohen, ndihemi më të kënaqur dhe e vlerësojmë më shumë Krishtin.

11. Cili është hapi i dytë që të jemi miq me Jezuin, dhe pse është i rëndësishëm ky hap?

11 (2) Imito mënyrën si mendonte dhe vepronte Jezui. Sa më shumë të njohim e të imitojmë mënyrën si mendonte Jezui, aq më e fortë do të bëhet miqësia jonë me të. (1 Kor. 2:16) Si mund ta imitojmë Jezuin? Të shohim vetëm një shembull. Jezui mendonte më shumë të ndihmonte të tjerët, sesa të kënaqte veten. (Mat. 20:28; Rom. 15:1-3) Ngaqë mendonte në këtë mënyrë, ai ishte vetësakrifikues dhe i gatshëm të falte. Nuk ofendohej lehtë nga ajo që thoshin njerëzit për të. (Gjoni 1:46, 47) Nuk e shihte dikë sikur kishte ngecur në vend-numëro për shkak të një gabimi të së kaluarës. (1 Tim. 1:12-14) Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Pyete veten: «A po e ndjek shembullin e Jezuit duke bërë gjithë sa kam në dorë për të ruajtur paqen me vëllezërit e motrat?»

12. Cili është hapi i tretë që të jemi miq me Jezuin, dhe si mund ta hedhim këtë hap?

12 (3) Mbështet vëllezërit e Krishtit. Jezui e sheh atë që bëjmë për vëllezërit e tij të mirosur sikur e bëjmë për të. (Mat. 25:34-40) Mënyra kryesore si i mbështetim të mirosurit, është duke bërë më të mirën që të predikojmë e t’i mësojmë njerëzit, siç na urdhëroi Jezui. (Mat. 28:19, 20; Vep. 10:42) Sot vëllezërit e Krishtit mund ta kryejnë veprën kolosale të predikimit në mbarë botën vetëm me ndihmën e ‘deleve të tjera’. (Gjoni 10:16) Nëse je nga delet e tjera, çdo herë që merr pjesë në këtë vepër, tregon dashuri jo vetëm për të mirosurit, por edhe për Jezuin.

13. Si mund ta zbatojmë këshillën që dha Jezui te Luka 16:9?

13 Veç kësaj bëhemi miq me Jehovain dhe Jezuin duke përdorur të ardhurat tona për të mbështetur veprën që drejtojnë ata. (Lexo Lukën 16:9.) Për shembull, mund të japim kontribute për veprën tonë mbarëbotërore. Këto dhurata mund të përdoren për të predikuar lajmin e mirë në zona të izoluara, për të ndërtuar e mirëmbajtur godinat që përdoren për adhurimin e vërtetë dhe për të ndihmuar ata që kanë përballuar një katastrofë a një vështirësi tjetër. Mund të dhurojmë pará edhe për kongregacionin e të ndihmojmë ata që e dimë se gjenden ngushtë. (Prov. 19:17) Në këto mënyra mund të mbështetim vëllezërit e Krishtit.

14. Siç tregon Efesianëve 4:15, 16, cili është hapi i katërt që të jemi miq me Jezuin?

14 (4) Mbështet masat e organizatës së Jehovait. Kur bashkëpunojmë me vëllezërit që janë caktuar të kujdesen për ne, forcojmë miqësinë me Jezuin si kreu i kongregacionit. (Lexo Efesianëve 4:15, 16.) Për shembull, tani po përpiqemi që të gjitha Sallat e Mbretërisë të shfrytëzohen sa më mirë. Për këtë arsye, disa kongregacione janë bashkuar me kongregacione të tjera dhe territoret janë riorganizuar. Falë kësaj mase, janë kursyer shumë pará të dhuruara për organizatën e Jehovait. Megjithatë, për shkak të kësaj, disa lajmëtarëve u është dashur të përshtaten me rrethana të reja. Këta lajmëtarë besnikë mund të kenë shërbyer për shumë vjet në një kongregacion dhe mund të jenë lidhur ngushtë me vëllezërit e motrat atje. Por tani janë caktuar në një kongregacion tjetër. Sa i kënaqur duhet të jetë Jezui kur sheh që këta shërbëtorë besnikë e mbështetin këtë vendim!

MIQ TË JEZUIT PËRJETË

15. Si do të forcohet miqësia jonë me Jezuin në të ardhmen?

15 Ata që janë të mirosur me frymë të shenjtë, kanë shpresën të jenë me Jezuin përjetë dhe të qeverisin me të në Mbretërinë e Perëndisë. Ata do të jenë me Krishtin në kuptimin e mirëfilltë, sepse do ta shohin, do të flasin e do të kalojnë kohë me të. (Gjoni 14:2, 3) Edhe ata që kanë shpresën të jetojnë në tokë, do të provojnë dashurinë dhe kujdesin e Jezuit. Ndonëse nuk do ta shohin Jezuin, do ta forcojnë gjithnjë e më shumë miqësinë me të teksa shijojnë jetën e bukur që u kanë dhuruar Jehovai e Jezui.—Isa. 9:6, 7.

16. Çfarë bekimesh gëzojmë falë miqësisë me Jezuin?

16 Kur pranojmë ftesën e Jezuit për të qenë miq me të, gëzojmë shumë bekime. Për shembull, që tani provojmë dashurinë e tij dhe shohim si na mbështet. Na është dhënë mundësia të jetojmë përgjithmonë. E mbi të gjitha, falë miqësisë me Jezuin fitojmë thesarin më të çmuar—një miqësi të ngushtë me Atin e Jezuit, Jehovain. Çfarë privilegji është të quhemi miq të Jezuit!

KËNGA 17 «Po, dua!»

^ par. 5 Për disa vjet apostujt shërbyen përkrah Jezuit, bënë biseda me të, e kështu lidhën miqësi të ngushtë. Jezui do që edhe ne të jemi miq me të. Por, ndryshe nga apostujt, ne hasim disa vështirësi. Ky artikull do të shqyrtojë disa nga këto vështirësi dhe do të na japë sugjerime si të lidhim e të ruajmë një miqësi të ngushtë me Jezuin.

^ par. 55 PËRSHKRIMI I FIGURËS: (1) Gjatë adhurimit familjar, mund të studiojmë për jetën dhe shërbimin e Jezuit. (2) Në kongregacion, mund t’i hapim rrugë paqes mes nesh. (3) Duke bërë më të mirën në shërbim, mund të mbështetim vëllezërit e Krishtit. (4) Kur kongregacionet bashkohen, mund të mbështetim vendimet e pleqve.