Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 14

‘Ndiq me kujdes gjurmët e tij’

‘Ndiq me kujdes gjurmët e tij’

«Krishti vuajti për ju e ju la një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.»—1 PJET. 2:21.

KËNGA 13 Krishti është modeli ynë

PËRMBLEDHJE *

Jezui ka lënë pas gjurmë që duhet t’i ndjekim me kujdes (Shih paragrafët 1-2)

1-2. Cili ilustrim na ndihmon të kuptojmë nxitjen: ‘Ndiqni me kujdes gjurmët e Krishtit.’

IMAGJINO sikur je me një grup që po udhëton përmes një vendi të egër e të rrezikshëm, të mbuluar nga bora. Po ju drejton një udhërrëfyes me përvojë. Ndërsa ecën, ai lë pas gjurmë në dëborën e butë. Në një moment, nuk ta zë më syri udhërrëfyesin. Por nuk të kap paniku. Përkundrazi, bashkë me udhëtarët e tjerë, ndjek me kujdes të madh gjurmët që ka lënë ai.

2 Si të krishterë të vërtetë, edhe ne po udhëtojmë përmes një vendi të egër e të rrezikshëm—përmes kësaj bote të ligë. Sa mirënjohës i jemi Jehovait që na ka dhënë Udhërrëfyesin e përsosur—Birin e tij, Jezu Krishtin, në gjurmët e të cilit mund të ecim. (1 Pjet. 2:21) Sipas një vepre referimi, këtu Pjetri përdor metaforën e një udhërrëfyesi. Ashtu si një udhërrëfyes lë pas gjurmë, edhe Jezui ka lënë gjurmë që mund t’i ndjekim. Le të shqyrtojmë tri pyetje që lidhen me këtë: Çfarë do të thotë të ndjekim gjurmët e Jezuit? Pse duhet ta bëjmë këtë? Si mund t’i ndjekim gjurmët e tij?

ÇFARË DO TË THOTË TË NDJEKIM GJURMËT E JEZUIT?

3. Çfarë do të thotë të ndjekësh gjurmët e dikujt?

3 Çfarë do të thotë të ndjekësh gjurmët e dikujt? Në disa raste, fjalët «ec» dhe «këmbë» në Bibël nënkuptojnë mënyrën si jeton dikush. (Zan. 6:9; Prov. 4:26) Shembulli që lë një njeri mund të krahasohet me gjurmët që lë pas ndërsa ecën. Pra, të ndjekësh gjurmët e dikujt do të thotë të ndjekësh shembullin e tij, ta imitosh.

4. Çfarë do të thotë të ndjekësh gjurmët e Jezuit?

4 Çfarë do të thotë, pra, të ndjekësh gjurmët e Jezuit? Me dy fjalë, do të thotë të imitosh shembullin e tij. Në shkrimin kryesor të artikullit, apostulli Pjetër po fliste në veçanti për shembullin e shkëlqyer që la Jezui duke treguar qëndrueshmëri mes vuajtjeve. Por ka edhe shumë aspekte të tjera ku mund ta imitojmë Jezuin. (1 Pjet. 2:18-25) Në fakt, krejt jeta e Jezuit—çdo gjë që tha e që bëri—është një shembull që duhet ta ndjekim.

5. A është e mundur që njerëzit e papërsosur të ndjekin shembullin e përsosur të Jezuit? Shpjegoni.

5 Si njerëz të papërsosur, a është vërtet e mundur ta ndjekim shembullin e Jezuit? Po, është. Të kujtojmë se Pjetri na nxit ‘t’i ndjekim me kujdes gjurmët’ e Jezuit—jo me përsosmëri. Nëse po bëjmë më të mirën si njerëz të papërsosur që t’i ndjekim gjurmët e tij, atëherë po ua vëmë veshin fjalëve të apostullit Gjon dhe ‘po ecim si Jezui’.—1 Gjon. 2:6.

PSE DUHET T’I NDJEKIM GJURMËT E JEZUIT?

6-7. Pse na forcohet miqësia me Jehovain kur ndjekim gjurmët e Jezuit?

6 Kur ndjekim gjurmët e Jezuit, forcojmë miqësinë me Jehovain. Pse ndodh kështu? Së pari, Jezui na ka lënë një shembull të shkëlqyer si të jetojmë në atë mënyrë që e kënaq Perëndinë. (Gjoni 8:29) Prandaj kur ecim në gjurmët e Jezuit, i kënaqim zemrën Jehovait. E mund të jemi të sigurt se Ati ynë qiellor afrohet me këdo që bën çmos të jetë miku ose mikja e tij.—Jak. 4:8.

7 Së dyti, Jezui e imitoi në mënyrë të përsosur Atin e tij. Ja pse tha: «Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9) Mund të imitojmë cilësitë e Jezuit dhe mënyrën si i trajtonte të tjerët—për shembull, keqardhjen e tij për një të lebrosur, empatinë për një grua të sëmurë rëndë ose dhembshurinë për të pikëlluarit nga vdekja. Kur imitojmë Jezuin, po imitojmë edhe Jehovain. (Mar. 1:40, 41; 5:25-34; Gjoni 11:33-35) E sa më shumë e imitojmë Jehovain, aq më shumë na forcohet miqësia me Të.

8. Shpjegoni pse do t’ia dalim ta ‘mundim botën’ po të ndjekim gjurmët e Jezuit.

8 Kur ndjekim gjurmët e Jezuit, mbrojmë veten nga shpërqendrimet e kësaj bote të ligë. Natën e fundit të jetës së tij në tokë, Jezui mund të thoshte me plot gojën: «Unë e munda botën.» (Gjoni 16:33) Kjo do të thoshte se nuk kishte lejuar të ndikohej nga mentaliteti, synimet dhe veprimet e njerëzve në botë. Jezui nuk e humbi kurrë nga sytë arsyen pse ishte dërguar në tokë—për të shenjtëruar emrin e Jehovait. Ç’të themi për ne? Në këtë botë ka plot gjëra që mund të na shpërqendrojnë. Por, ashtu si Jezui, nëse qendra e jetës sonë është të bëjmë vullnetin e Jehovait, edhe ne do ta ‘mundim botën’.—1 Gjon. 5:5.

9. Çfarë duhet të bëjmë për të qëndruar në rrugën drejt jetës së përhershme?

9 Kur ndjekim gjurmët e Jezuit, qëndrojmë në rrugën drejt jetës së përhershme. Kur një i ri i pasur e pyeti se ç’duhej të bënte për të fituar jetën e përhershme, Jezui iu përgjigj: «Eja e bëhu dishepulli im.» (Mat. 19:16-21) Disa judenjve që nuk besonin se ishte Krishti, u tha: «Delet e mia . . . më ndjekin. Unë u jap jetë të përhershme.» (Gjoni 10:24-29) Nikodemit, një anëtari të Sinedrit që filloi të tregonte interes për mësimet e tij, Jezui i tha se «kushdo që tregon besim tek ai» do të ketë «jetë të përhershme». (Gjoni 3:16) Besimin te Jezui e tregojmë duke jetuar sipas asaj që mësoi me fjalët dhe me shembullin e tij. Nëse e bëjmë këtë, do të qëndrojmë në rrugën drejt jetës së përhershme.—Mat. 7:14.

SI T’I NDJEKIM ME KUJDES GJURMËT E JEZUIT?

10. Ç’duhet të bëjmë që ta njohim më mirë Jezuin? (Gjoni 17:3)

10 Për t’i ndjekur me kujdes gjurmët e Jezuit, kemi nevojë që në fillim ta njohim. (Lexo Gjonin 17:3.) Që ta njohim mirë Jezuin, duhet të mësojmë pareshtur për të—për cilësitë e tij, mënyrën si mendon dhe standardet që ka. Sado kohë të kemi në të vërtetën, duhet të vazhdojmë të punojmë që t’i njohim Jehovain dhe Birin e tij.

11. Çfarë përmbajnë katër ungjijtë?

11 Për të na ndihmuar ta njohim Birin e tij, Jehovai përfshiu me dashuri në Fjalën e vet katër ungjijtë. Ata përmbajnë historinë e jetës dhe të shërbimit të Jezuit. Këta libra na mësojnë çfarë tha Jezui, çfarë bëri dhe si ndihej. Katër ungjijtë na ndihmojnë ‘të mendojmë me kujdes’ për shembullin e tij. (Hebr. 12:3) Aty gjejmë «gjurmët» që ka lënë pas Jezui. Prandaj, ndërsa studiojmë ungjijtë, mund ta njohim gjithnjë e më mirë Jezuin. Si rezultat, mund t’i ndjekim me kujdes gjurmët e tij.

12. Si mund të nxjerrim dobi plotësisht nga ungjijtë?

12 Që të nxjerrim dobi plotësisht nga ungjijtë, nuk duhet të kënaqemi thjesht me një lexim të tyre. Duhet të lëmë kohë t’i studiojmë me kujdes dhe të mendojmë thellë për ta. (Krahaso Josiun 1:8, shënimi.) Le të shohim dy sugjerime që mund të na ndihmojnë të meditojmë për ungjijtë dhe ta zbatojmë atë që lexojmë.

13. Çfarë mund të të ndihmojë ta përjetosh atë që lexon në ungjij?

13 Së pari, përjetoje atë që lexon në ungjij. Vër në punë imagjinatën që ta shohësh, ta dëgjosh e ta ndjesh atë që po ndodh. Për këtë mund të të ndihmojnë kërkimet në botimet që ka siguruar organizata e Jehovait. Shqyrto kontekstin—ngjarjet që ndodhin para ose pas fragmentit që po studion. Kërko më shumë informacione që hedhin dritë mbi personazhet, vendet dhe rrethanat. Krahasoje tregimin që po studion me tregimin paralel të një ungjilli tjetër. Në disa raste, një shkrimtar i ungjijve përfshin ndonjë detaj domethënës që një tjetër nuk e ka përmendur.

14-15. Çfarë mund të na ndihmojë ta zbatojmë atë që mësojmë nga ungjijtë?

14 Së dyti, zbatoje atë që mëson nga ungjijtë. (Gjoni 13:17) Pasi ta kesh studiuar me kujdes një tregim nga ungjijtë, pyet veten: «A ka këtu ndonjë mësim që mund ta zbatoj në jetën time? Si mund ta përdor këtë tregim për dobinë e dikujt tjetër?» Përpiqu të mendosh për dikë në veçanti dhe pastaj, në një moment të përshtatshëm, tregoja me takt e dashuri mësimin që ke nxjerrë.

15 Le të shohim një shembull si mund t’i zbatojmë këto dy sugjerime. Do të ndalemi te tregimi për vejushën e varfër që pa Jezui në tempull.

VEJUSHA E VARFËR NË TEMPULL

16. Përshkruani atë që ndodh te Marku 12:41.

16 Përjetoje tregimin që po lexon. (Lexo Markun 12:41.) Përfytyroje atë që po ndodh. Është 11 nisan i vitit 33 të e.s., pra Jezuin e ndajnë vetëm pak ditë nga vdekja. E ka kaluar thuajse tërë ditën duke mësuar në tempull. Kundërshtarët fetarë e kanë vënë në shënjestër me sulmet e tyre. Më parë, disa prej tyre vunë në pikëpyetje autoritetin e tij. Të tjerë u përpoqën ta vinin me shpatulla pas murit duke i bërë pyetje tendencioze. (Mar. 11:27-33; 12:13-34) Tani Jezui ka shkuar në një pjesë tjetër të tempullit. Këtu—me sa duket në zonën e quajtur Oborri i Grave—mund të shohë arkat e thesarit që janë anash mureve të oborrit. Ai ulet dhe nis të vërejë njerëzit tek hedhin dhurata në arka. Sheh shumë të pasur që hedhin goxha pará. Ndoshta nga vendi ku është ulur, mund të dëgjojë sa shumë tringëllijnë monedhat e tyre kur bien në arkë.

17. Çfarë bëri vejusha e varfër që përmendet te Marku 12:42?

17 Lexo Markun 12:42. Pas njëfarë kohe, Jezuit i bie në sy një grua, «një vejushë e varfër». Jeta e saj është goxha e vështirë dhe ka shumë të ngjarë që mezi e nxjerr bukën e gojës. Megjithatë, ajo afrohet te një nga arkat dhe pa rënë në sy hedh dy monedha të vogla që gati s’bëjnë fare zhurmë kur bien në arkë. Jezui e di çfarë hodhi ajo grua—dy lepta, monedhat me vlerë më të vogël në atë kohë. Ato pará nuk dalin as për të blerë një harabel, një ndër zogjtë më të lirë që shiteshin atëherë si ushqim.

18. Sipas Markut 12:43, 44, çfarë tha Jezui për kontributin e vejushës?

18 Lexo Markun 12:43, 44. Jezuit i lë mbresa të thella vejusha. Prandaj thërret dishepujt dhe ua drejton vëmendjen nga ajo duke thënë: «Kjo vejushë e varfër hodhi më shumë se gjithë të tjerët.» Pastaj shpjegon: «Ata të gjithë [sidomos të pasurit] hodhën nga tepricat, kurse ajo, në skamjen e saj, hodhi gjithë sa kishte, gjithçka kishte për të jetuar.» Kur dhuroi atë ditë edhe qindarkën e fundit, ajo vejushë besnike po e linte jetën e saj në duart e dashura të Jehovait.—Psal. 26:3.

Ashtu si Jezui, lavdëroji ata që po i japin më të mirën Jehovait (Shih paragrafët 19-20) *

19. Çfarë mësimi të rëndësishëm mund të nxjerrim nga fjalët e Jezuit për vejushën e varfër?

19 Zbatoje atë që mësove. Pyet veten: «Çfarë mësimi mund të nxjerr nga fjalët e Jezuit për vejushën e varfër?» Mendo për atë vejushë. Pa dyshim që asaj i qante zemra të jepte më shumë për Jehovain. Gjithsesi, bëri atë që mundej. Ajo i dha më të mirën Jehovait. Dhe Jezui e dinte se dhurata e saj ishte e çmuar në sytë e Atit. Ja pra një mësim i rëndësishëm për ne: Jehovai kënaqet kur i japim më të mirën—kur i shërbejmë me gjithë zemrën dhe shpirtin tonë. (Mat. 22:37; Kolos. 3:23) Atij i gëzon zemra kur sheh se po bëjmë gjithë sa mundemi! Ky parim vlen edhe për sasinë e kohës dhe të energjive që i kushtojmë adhurimit të Jehovait, ku përfshihen shërbimi dhe mbledhjet.

20. Si mund ta përdorësh mësimin që nxore nga tregimi për vejushën? Jepni një shembull.

20 Si mund ta përdorësh mësimin që nxore nga tregimi për vejushën? Përpiqu të mendosh për disa që mund të kenë nevojë t’u japësh siguri se përpjekjet e tyre ia gëzojnë zemrën Jehovait. Për shembull, a njeh ndonjë motër të moshuar që ka shëndet të dobët dhe pak fuqi, e ndoshta ndihet në faj ose e padobishme ngaqë nuk bën dot sa dikur në shërbim? Ose a të vjen ndër mend ndonjë vëlla që vuan nga një sëmundje e dhimbshme kronike dhe ndihet i shkurajuar që nuk ndjek dot çdo mbledhje në Sallën e Mbretërisë? Ndihmoji këta vëllezër e motra duke u thënë ‘fjalë të mira, që i forcojnë’. (Efes. 4:29) Tregoju mësimin zemërdhënës që nxore nga tregimi për vejushën e varfër. Fjalët e tua inkurajuese mund t’i sigurojnë se Jehovai kënaqet kur i japim më të mirën. (Prov. 15:23; 1 Sel. 5:11) Kur i lavdëron të tjerët se po i japin më të mirën Jehovait—sado e vogël të duket ajo që bëjnë—ti po ndjek me kujdes gjurmët e Jezuit.

21. Çfarë je i vendosur të bësh?

21 Sa mirënjohës jemi që në ungjij janë ruajtur kaq shumë hollësi për jetën e Jezuit! Ato na ndihmojnë t’i ndjekim me kujdes gjurmët e tij. Pse të mos nisësh në studimin personal ose Adhurimin Familjar një projekt që përqendrohet tek ungjijtë? Të mos harrojmë se për të nxjerrë plotësisht dobi nga ky studim, duhet ta përjetojmë atë që lexojmë dhe duhet ta zbatojmë në jetën e përditshme. Përveçse të imitojmë atë që bëri Jezui, duhet edhe të mësojmë nga ajo që tha. Në artikullin tjetër do të shohim çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga fjalët e fundit të Jezuit para se të vdiste.

KËNGA 15 Nderoni të parëlindurin e Jehovait!

^ par. 5 Si të krishterë të vërtetë, duhet ‘të ndjekim me kujdes gjurmët’ e Jezuit. Çfarë do të thotë të ndjekim «gjurmët» e tij? Kjo pyetje do të marrë përgjigje në artikull. Gjithashtu do të shqyrtojmë pse duhet t’i ndjekim me kujdes gjurmët e Jezuit dhe si mund ta bëjmë këtë.

^ par. 60 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Pasi mediton për fjalët e Jezuit kur pa vejushën e varfër, një motër lavdëron një motër të moshuar për shërbimin e saj me gjithë shpirt.