Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pse i citoi Jezui fjalët e Davidit te Psalmi 22:1 para se të vdiste?

Ndër fjalët e fundit që tha Jezui para se të vdiste, ishin ato që gjenden te Mateu 27:46: «Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur?» Kur tha këto fjalë, Jezui përmbushi profecinë e psalmistit David te Psalmi 22:1. (Mar. 15:34) Do të ishte e gabuar të nxirrnim përfundimin se Jezui i citoi ato fjalë nga zhgënjimi ose ngaqë humbi për pak çaste besimin. Ai e kuptonte plotësisht arsyen pse duhej të vdiste dhe ishte i gatshëm të jepte jetën. (Mat. 16:21; 20:28) Gjithashtu e dinte se pak para se të vdiste, do të ishte e nevojshme që Jehovai të hiqte çdo «gardh mbrojtës» rreth tij. (Jobi 1:10) Kështu Jehovai lejoi që Jezui të provonte se do të qëndronte gjithmonë besnik, sado të rënda të ishin rrethanat e vdekjes së tij.—Mar. 14:35, 36.

Atëherë pse i citoi Jezui fjalët e këtij psalmi? Ndonëse nuk jemi të sigurt qind për qind, le të shohim disa arsye të mundshme. *

Kur tha ato fjalë, Jezui ndoshta po theksonte se Jehovai nuk do të ndërhynte në vdekjen e tij. Jezui duhej ta paguante shpërblesën pa ndihmën e Jehovait. Ai ishte njeri dhe duhej të vdiste që «të provonte vdekjen për të gjithë».—Hebr. 2:9.

Kur citoi pak fjalë nga ai psalm, Jezui mbase donte ta drejtonte vëmendjen tek i gjithë psalmi. Në atë kohë, ishte e zakonshme që judenjtë të mësonin përmendsh psalme të tëra. Kur dëgjonin një varg të një psalmi, u vinte në mendje vetvetiu i gjithë psalmi. Nëse kishte atë synim, atëherë Jezui do t’i ketë ndihmuar dishepujt e tij judenj të kujtonin profecitë e shumta të atij psalmi për ngjarje që lidheshin me vdekjen e tij. (Psal. 22:7, 8, 15, 16, 18, 24) Veç kësaj, vargjet e fundit të psalmit tregojnë se mbretëria e Jehovait do të triumfojë e do të shtrihet deri në skajet e tokës.—Psal. 22:27-31.

Kur citoi ato fjalë të Davidit, Jezui ndoshta po theksonte se ishte i pafajshëm. Para se të vdiste, Jezuit i bënë një gjyq të paligjshëm ku e shpallën fajtor për blasfemi. (Mat. 26:65, 66) Gjykata u mblodh me ngut natën vonë dhe i shkeli me të dyja këmbët procedurat ligjore të asaj kohe. (Mat. 26:59; Mar. 14:56-59) Kur citoi atë pyetje retorike, Jezui ndoshta po e drejtonte vëmendjen te fakti që nuk kishte bërë asgjë për të merituar atë lloj ndëshkimi.

Jezui mbase po u kujtonte të tjerëve edhe se vuajtjet e Davidit, shkrimtarit të psalmit, nuk nënkuptonin se ai kishte humbur miratimin e Jehovait. Pyetja e Davidit nuk tregonte se e kishte humbur besimin te Perëndia. Në fakt, pasi bëri atë pyetje, ai shprehu besimin e patundur se Jehovai ka fuqi t’i shpëtojë shërbëtorët e vet, dhe Jehovai vazhdoi ta bekonte Davidin. (Psal. 22:23, 24, 27) Po njësoj, ndonëse Jezui, ‘Biri i Davidit’, po vuante në shtyllën e torturës, kjo s’do të thoshte se kishte humbur miratimin e Jehovait.—Mat. 21:9.

Jezui ndoshta po shprehte pikëllimin e thellë që Jehovai po e linte fare pa mbrojtje, në mënyrë që ta mbante plotësisht integritetin. Në fillimet e historisë njerëzore, Jehovai nuk kishte si qëllim që Biri i tij të vuante e të vdiste. Kjo u bë e nevojshme vetëm pasi u rebeluan Adami dhe Eva. Jezui nuk kishte bërë asgjë të gabuar. E megjithatë duhej të vuante e të vdiste që të merrnin përgjigje çështjet e ngritura nga Satanai dhe që të siguronte shpërblesën për të riblerë atë që kishte humbur njeriu. (Mar. 8:31; 1 Pjet. 2:21-24) Kjo mund të arrihej vetëm nëse Jehovai e linte përkohësisht Jezuin krejt pa mbrojtje për herë të parë në jetën e tij.

Jezui mbase po përpiqej t’i ndihmonte dishepujt e tij të përqendroheshin tek arsyeja pse Jehovai lejoi që të vdiste në atë mënyrë. * Jezui e dinte se ajo vdekje si kriminel në një shtyllë torture do të bëhej shkak pengese për shumë veta. (1 Kor. 1:23) Nëse dishepujt do të përqendroheshin tek arsyeja e vërtetë e vdekjes së Jezuit, atëherë do ta kuptonin pse duhej të vdiste në atë mënyrë. (Gal. 3:13, 14) E atëherë do ta shihnin si Shpëtimtar, jo si kriminel.

Cilado të ishte arsyeja pse i citoi ato fjalë, Jezui e kuptoi se ajo që po hiqte, ishte pjesë e vullnetit të Jehovait për të. Pak pasi citoi atë psalm, Jezui tha: «U krye!» (Gjoni 19:30; Luka 22:37) Pra, duke e lënë përkohësisht Jezuin krejt pa mbrojtje, Jehovai i dha mundësi të kryente plotësisht qëllimin pse e kishte dërguar në tokë. Gjithashtu, i dha mundësi Jezuit të plotësonte çdo gjë që ishte shkruar për të «te Ligji i Moisiut, te Profetët dhe te Psalmet».—Luka 24:44.

^ par. 2 Shih edhe paragrafët 9 e 10 tek artikulli «Çfarë mësojmë nga fjalët e fundit të Jezuit» në këtë numër.

^ par. 4 Gjatë shërbimit, Jezui hera-herës bënte komente ose pyetje që nuk pasqyronin medoemos atë që ndiente ose që mendonte. Vepronte kështu për t’i nxitur dishepujt të shprehnin mendimet ose besimin e tyre.—Mar. 7:24-27; Gjoni 6:1-5; shih Kullën e Rojës të 15 tetorit 2010, f. 4-5.