Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai është Poçari ynë​—A e çmon këtë?

Jehovai është Poçari ynë​—A e çmon këtë?

«O Jehova . . . ti je Poçari ynë. Që të gjithë jemi vepër e duarve të tua.»​ISA. 64:8.

KËNGËT: 89, 26

1. Pse është Poçari më i madh Jehovai?

NË NËNTOR 2010, në një ankand në Londër, Angli, u ofruan gati 70 milionë dollarë për një vazo qeramike kineze të shekullit të 18-të. E pra, një poçar mund ta kthejë diçka aq me bollëk e aq të lirë sa argjila në një kryevepër të bukur e të shtrenjtë. Por, nuk ka poçar njerëzor që t’i afrohet sadopak Jehovait. Nga fundi i ditës së gjashtë të krijimit, Perëndia bëri një njeri të përsosur «nga pluhuri i tokës», ose nga argjila, dhe e pajisi me aftësinë që të pasqyronte cilësitë e Bërësit të tij. (Zan. 2:7) Ai njeri i përsosur, Adami, që u bë nga dheu, u quajt me të drejtë «bir i Perëndisë».​—Luka 3:38.

2, 3. Si mund ta imitojmë qëndrimin e izraelitëve të penduar?

2 Mirëpo Adami e humbi privilegjin që të ishte bir i Perëndisë kur u rebelua ndaj Bërësit të tij. Sidoqoftë, nga një brez në tjetrin, ‘një re e madhe’ pasardhësish të Adamit kanë zgjedhur të përkrahin sovranitetin e Perëndisë. (Hebr. 12:1) Duke iu nënshtruar me përulësi Krijuesit, treguan se donin që Ati dhe Poçari i tyre të ishte ai, jo Satanai. (Gjoni 8:44) Besnikëria e tyre ndaj Perëndisë na sjell ndër mend fjalët që tha Isaia në emër të izraelitëve të penduar: «Ti, o Jehova, je Ati ynë. Ne jemi argjila, dhe ti je Poçari ynë. Që të gjithë jemi vepër e duarve të tua.»​—Isa. 64:8.

3 Sot, të gjithë ata që e adhurojnë Jehovain me frymë dhe të vërtetë bëjnë çmos të shfaqin të njëjtin qëndrim të përulur e të nënshtruar. E kanë për nder t’i drejtohen Jehovait si Atë dhe t’i nënshtrohen si Poçari i tyre. Po ti, a e sheh veten si argjilë e butë në duart e Perëndisë, i gatshëm të modelohesh si një enë e vyer në sytë e tij? A e dallon se edhe çdo bashkëbesimtar është një vepër në krijim e sipër që po e modelon Perëndia? Për të pasur qëndrimin e duhur, le të shqyrtojmë tri aspekte të punës që bën Jehovai si Poçari ynë: si i zgjedh ata që modelon, pse i modelon dhe si e bën këtë.

JEHOVAI ZGJEDH ATA QË MODELON

4. Si i zgjedh Jehovai ata që tërheq drejt vetes? Jepni shembuj.

4 Kur vëzhgon njerëzit, Jehovai nuk i kushton vëmendje asaj që duket nga jashtë. Ai shqyrton zemrën, pra si është njeriu nga brenda. (Lexo 1 Samuelit 16:7b.) Perëndia e tregoi këtë në sa e sa raste kur formoi kongregacionin e krishterë. Ai tërhoqi drejt vetes dhe Birit të tij shumë veta që ndoshta dukeshin të pavlerë nga pikëpamja njerëzore. (Gjoni 6:44) Njëri prej tyre ishte një farise që quhej Saul, një «blasfemues, përndjekës dhe i pacipë». (1 Tim. 1:13) Ama «ai që shqyrton zemrat» nuk e pa Saulin si argjilë pa pikë vlere. (Prov. 17:3) Përkundrazi, Perëndia e dalloi se atij mund t’i jepej formë dhe të bëhej enë e vyer​—«enë e zgjedhur» që t’u dëshmonte «kombeve, mbretërve dhe bijve të Izraelit». (Vep. 9:15) Të tjerë që Perëndia i pa si enë të mundshme «për përdorim të nderuar» ishin disa njerëz që dikur kishin qenë pijanecë, imoralë dhe hajdutë. (Rom. 9:21; 1 Kor. 6:9-11) Dora-dorës që fitonin njohuri të saktë nga Fjala e Perëndisë, ata forconin besimin te Jehovai dhe e lejonin t’i modelonte.

5, 6. Si duhet të ndikojë besimi se Jehovai është Poçari ynë te qëndrimi ndaj (a) njerëzve në territor? (b) vëllezërve e motrave?

5 Ç’dobi kemi kur mbajmë parasysh gjithë këtë? Besimi se Jehovai është i aftë të lexojë zemrën dhe t’i tërheqë drejt vetes ata që zgjedh ai, na ndihmon të mos i gjykojmë të tjerët, qoftë në territor, qoftë në kongregacion. Të mendojmë për shembullin e një burri që quhet Majkëll. Ai kujton: «Kur më vinin në shtëpi Dëshmitarët e Jehovait ua mbyllja derën dhe i shpërfillja si të mos ekzistonin fare. Tregohesha vërtet harbut. Më vonë, në ca rrethana të tjera, takova një familje që e admiroja për sjelljen e mirë. Por, një ditë mora vesh se ishin Dëshmitarë të Jehovait. Mbeta i shtangur. Sjellja e tyre më nxiti të shqyrtoja ku bazohej paragjykimi im. Nuk m’u desh shumë që ta kuptoja se qëndrimi im bazohej te padija e te llafet lart e poshtë, jo te faktet.» Për të mësuar faktet, Majkëlli pranoi të studionte Biblën. Më vonë përqafoi të vërtetën dhe filloi shërbimin e plotkohor.

6 Kur e pranojmë se Jehovai është Poçari ynë, kjo ndikon edhe te qëndrimi që kemi ndaj bashkëbesimtarëve. A i sheh vëllezërit e motrat siç i sheh Perëndia​—jo si një punë të përfunduar, por si një vepër në krijim e sipër? Jehovai mund të shohë si është nga brenda gjithkush dhe ç’lloj personi mund të bëhet në duart e tij mjeshtërore. Prandaj i sheh njerëzit me sy pozitiv dhe nuk përqendrohet te të metat e përkohshme. (Psal. 130:3) Mund ta imitojmë Jehovain duke i parë në dritë pozitive shërbëtorët e tij. Madje mund të punojmë përkrah Poçarit tonë që t’i mbështetim motrat e vëllezërit teksa përpiqen të përparojnë. (1 Sel. 5:14, 15) Si «dhurata në njerëz», pleqtë duhet të jenë të parët në këtë drejtim.​—Efes. 4:8, 11-13.

PSE NA MODELON JEHOVAI

7. Pse e çmon disiplinën e Jehovait?

7 Mbase ke dëgjuar dikë të thotë: «Kurrë nuk e çmova plotësisht disiplinën e prindërve derisa u bëra vetë me fëmijë.» Kur fitojmë më shumë përvojë në jetë, mund të fillojmë ta shohim disiplinën me sy tjetër—ashtu siç e sheh Jehovai, si shprehje të dashurisë. (Lexo Hebrenjve 12:5, 6, 11.) Po, Jehovai na modelon me durim nga dashuria që ka për ne si fëmijë të tij. Dëshiron të jemi të mençur e të lumtur dhe ta duam edhe ne. (Prov. 23:15) Nuk do që të vuajmë, e as të kemi të ardhmen që na la trashëgimi Adami, pra të vdesim si «fëmijë të zemërimit».​—Efes. 2:2, 3.

8, 9. Si po na mëson Jehovai sot, dhe si do të vazhdojë në të ardhmen ky arsimim?

8 Si «fëmijë të zemërimit», dikur shfaqnim shumë cilësi që nuk i pëlqejnë Perëndisë, e ndoshta edhe disa tipare shtazarake. Megjithatë, falë modelimit të Jehovait, ndryshuam dhe tani ngjajmë më tepër si qengja. (Isa. 11:6-8; Kolos. 3:9, 10) Kështu, ambienti ku po na modelon sot Jehovai është si një parajsë në formim e sipër. Ndihemi të sigurt e të mbrojtur, pavarësisht nga bota e ligë përreth nesh. Veç kësaj, në këtë mjedis, ata vëllezër e motra që janë rritur në familje të shkatërruara e pa pikë dashurie, më në fund po provojnë dashuri të vërtetë. (Gjoni 13:35) Po ashtu, kemi mësuar t’u tregojmë dashuri të tjerëve. Mbi të gjitha, kemi arritur të njohim Jehovain dhe tani provojmë dashurinë e tij atërore.​—Jak. 4:8.

9 Në botën e re, do t’i shijojmë plotësisht bekimet e këtij ambienti parajsor. E kësaj parajse do t’i shtohet parajsa fizike, ku do të qeverisë Mbretëria e Perëndisë. Gjatë kohës kur mbarë toka të kthehet në parajsë, Jehovai do të vazhdojë t’i modelojë banorët e saj, duke i arsimuar në atë masë që tani ndoshta s’e marrim dot me mend. (Isa. 11:9) Veç kësaj, Perëndia do ta bëjë të përsosur mendjen dhe trupin tonë, kështu që do të arrijmë t’i përvetësojmë mësimet e tij dhe ta bëjmë vullnetin e tij përsosmërisht. Ndaj le të jemi të vendosur të vazhdojmë t’i nënshtrohemi Jehovait, duke i treguar se e shohim modelimin e tij si shprehje të dashurisë për ne.​—Prov. 3:11, 12.

SI NA MODELON JEHOVAI

10. Si i pasqyroi Jezui durimin dhe mjeshtërinë e Poçarit të Madh?

10 Si një poçar mjeshtër, Jehovai e njeh llojin dhe cilësinë e ‘argjilës’ që ka para dhe e modelon sipas kësaj. (Lexo Psalmin 103:10-14.) Ai na trajton si individë, duke mbajtur parasysh dobësitë e kufizimet tona specifike dhe deri ku kemi përparuar. Biri i tij pasqyroi çfarë qëndrimi ka Jehovai ndaj shërbëtorëve të tij të papërsosur. Të mendojmë si reagoi Jezui ndaj të metave të apostujve, sidomos ndaj prirjes që të haheshin me njëri-tjetrin për pozitë. Po të kishe qenë i pranishëm gjatë debateve të zjarrta të apostujve, a do t’i kishe parë si njerëz të butë që mund t’u jepej formë lehtë? Jezui, ama, nuk krijoi pikëpamje negative. E dinte se apostujt e tij besnikë mund të modeloheshin nga këshillat e dhëna me dashuri e durim dhe duke vëzhguar përulësinë e tij. (Mar. 9:33-37; 10:37, 41-45; Luka 22:24-27) Pas ringjalljes së Jezuit dhe derdhjes së frymës së shenjtë, apostujt nuk u përqendruan te pozita ose te lavdia personale, por te vepra që u kishte caktuar ai.​—Vep. 5:42.

11. Si tregoi Davidi se ishte si argjilë e butë, dhe si mund ta imitojmë?

11 Sot Jehovai i modelon shërbëtorët e tij kryesisht me anë të Biblës, me anë të frymës së shenjtë dhe me anë të kongregacionit të krishterë. Fjala e Perëndisë mund të na modelojë kur bëjmë një lexim domethënës e të rregullt, meditojmë për të dhe i kërkojmë ndihmë Jehovait që ta zbatojmë. Davidi shkroi: «Të kujtoj në shtratin tim, gjatë ndërresave të natës meditoj për ty.» (Psal. 63:6) Gjithashtu tha: «Unë do të bekoj Jehovain, që më këshilloi. Edhe natën veshkat e mia [mendimet më të thella] më ndreqën.» (Psal. 16:7) Po, Davidi lejoi që këshillat e Perëndisë të depërtonin në skutat e qenies së tij, t’i modelonin mendimet dhe ndjenjat më të thella, madje edhe kur merrte këshilla të forta. (2 Sam. 12:1-13) Çfarë shembulli të shkëlqyer përulësie dhe nënshtrimi na la Davidi! Të pyesim veten: «A meditoj për Fjalën e Perëndisë, duke e lejuar të depërtojë në skutat më të thella të mendjes dhe të zemrës sime? Mos duhet ta bëj më tepër këtë?»​—Psal. 1:2, 3.

12, 13. Si na modelon Jehovai nëpërmjet frymës së shenjtë dhe kongregacionit të krishterë?

12 Fryma e shenjtë mund të na modelojë në një sërë mënyrash. Për shembull, mund të na ndihmojë të zhvillojmë një personalitet si ai i Krishtit, që karakterizohet nga fryti i frymës së Perëndisë. (Gal. 5:22, 23) Një aspekt i këtij fryti është dashuria. Ne e duam Perëndinë dhe dëshirojmë t’i bindemi e të modelohemi prej tij; urdhërimet e tij nuk na duken një barrë. Gjithashtu, fryma e shenjtë mund të na japë forcë për t’i rezistuar ndikimit të botës dhe të frymës së saj të keqe, që mund të na modelojë. (Efes. 2:2) Apostulli Pavël, i cili u ndikua goxha në djalëri nga fryma krenare e krerëve fetarë judenj, më vonë shkroi: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.» (Filip. 4:13) Prandaj, ashtu si Pavli, le të vazhdojmë të kërkojmë në lutje frymën e shenjtë. Jehovai nuk do t’i shpërfillë përgjërimet e sinqerta të zemërbutëve.​—Psal. 10:17.

Jehovai përdor pleqtë e kongregacionit për të na modeluar, por ne duhet të bëjmë pjesën tonë (Shih paragrafët 12, 13.)

13 Jehovai përdor kongregacionin e krishterë dhe pleqtë për të na modeluar individualisht. Për shembull, nëse ata dallojnë te ne shenja se na është dobësuar marrëdhënia me Jehovain, përpiqen të na ndihmojnë. Por nuk bazohen te mençuria njerëzore. (Gal. 6:1) Përkundrazi, mbështeten me përulësi te Perëndia dhe i kërkojnë mençuri e gjykim të thellë. Pastaj, duke mbajtur parasysh situatën tonë, veprojnë sipas lutjeve të tyre dhe bëjnë kërkime në Fjalën e Perëndisë e në botimet tona. Kështu janë të përgatitur të na ndihmojnë tamam sipas nevojave që kemi. Si do të veprosh nëse të afrohen që të të ndihmojnë me dashuri e dhembshuri, si për shembull për stilin e veshjes? A do ta pranosh këshillën e tyre si shprehje të dashurisë së Perëndisë për ty? Kur vepron kështu, tregon se je si argjilë e butë në duart e Jehovait, i gatshëm të modelohesh për të mirën tënde.

14. Edhe pse ka autoritet mbi argjilën, si e respekton Jehovai vullnetin tonë të lirë?

14 Kur e kuptojmë si na modelon Perëndia, kjo mund të na ndihmojë në marrëdhëniet me bashkëbesimtarët dhe në qëndrimin ndaj njerëzve në territor, përfshirë studentët tanë të Biblës. Në kohët biblike, puna e një poçari nuk ishte thjesht të nxirrte ca argjilë e të fillonte t’i jepte formë menjëherë. Së pari, ai e përgatiste argjilën, si për shembull duke i hequr gurët dhe papastërti të tjera. Në mënyrë të ngjashme, Perëndia i ndihmon ata që duan të modelohen duke i përgatitur, që më pas t’u japë formë. Ai nuk i detyron të ndryshojnë, por u tregon normat e tij të drejta, në mënyrë që ta pastrojnë jetën ose të bëjnë ndryshime me dëshirë.

15, 16. Si e tregojnë studentët e Biblës se duan që t’i modelojë Jehovai? Ilustrojeni.

15 Të shohim shembullin e Tesit, një Dëshmitare në Australi. Motra që i bëri studimin tha: «Tesi nuk e pati të vështirë të merrte njohuri për të vërtetën e Biblës. Por, nuk bëri ndonjë përparim kushedi, e madje as në mbledhje nuk vinte. Kështu, pasi mendova dhe u luta shumë për këtë, vendosa ta ndërprisja studimin. Atëherë ndodhi diçka që më la pa fjalë. Ditën që mendoja se do të bënim studimin e fundit, Tesi më hapi zemrën. Më tha se ndihej si hipokrite ngaqë i pëlqente bixhozi. Por tani kishte vendosur të hiqte dorë nga ky ves.»

16 S’kaloi shumë dhe Tesi filloi të ndiqte mbledhjet e të shfaqte personalitetin e krishterë, edhe pse shoqet e tallnin. Motra shtonte: «Me kohë Tesi u pagëzua dhe më vonë shërbeu si pioniere e rregullt, ndonëse ishte akoma me fëmijë të vegjël.» Vërtet, kur studentët e Biblës fillojnë të pastrojnë jetën për t’i pëlqyer Perëndisë, ai afrohet me ta dhe i modelon që të bëhen enë të vyera.

17. (a) Çfarë ta ngroh zemrën kur mendon se Jehovai është Poçari yt? (b) Për cilat aspekte të modelimit do të flasim në artikullin tjetër?

17 Edhe sot disa punime argjile bëhen me dorë, dhe poçari e punon materialin me shumë kujdes. Po njësoj, Poçari ynë punon me ne gjithë kujdes e durim; na modelon me këshillat e tij dhe sheh me vëmendje si reagojmë. (Lexo Psalmin 32:8.) A e ndien se Jehovai interesohet për ty si person? A e sheh si po modelohesh në duart e tij të dashura? Nëse po, çfarë cilësish të tjera do të të ndihmojnë të mbetesh në duart e Jehovait si argjilë e butë, që punohet lehtë? Cilat tipare duhet të shmangësh që të mos bëhesh i ngurtë? Si mund të bashkëpunojnë prindërit me Jehovain për të modeluar fëmijët? Për këto do të flasim në artikullin tjetër.