Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai ‘interesohet për ty’

Jehovai ‘interesohet për ty’

PSE mund të jesh i sigurt se këto fjalë janë të vërteta dhe se Jehovai interesohet vërtet për ty? Një arsye është se kjo thuhet qartë në Bibël. Te 1 Pjetrit 5:7 lexojmë: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai interesohet për ju.» Çfarë provash ka se Perëndia Jehova merakoset për ty?

PERËNDIA U SIGURON NJERËZVE TË MIRA MATERIALE

Duke na lënë shembullin, Jehovai është i mirë e bujar

Para së gjithash, Perëndia ka ato cilësi që kërkon te miqtë e zemrës. Ata që tregohen të mirë dhe bujarë ndaj njëri-tjetrit, shpesh bëhen miq të ngushtë. E s’ka si të mos e shohësh se Jehovai është çdo ditë i mirë dhe bujar me njerëzit. Të marrim vetëm një shembull. «Ai e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët.» (Mat. 5:45) Ç’të mira sjellin drita e diellit dhe shiu? Ndër të tjera, nëpërmjet tyre, Perëndia ‘u jep njerëzve ushqim me bollëk dhe ua mbush zemrat plot hare’. (Vep. 14:17) Vërtet, Jehovai kujdeset që toka të prodhojë ushqim me bollëk, dhe ushqimi i shijshëm është një nga gjërat që na falin më tepër kënaqësi.

Po pse, pra, ka aq shumë njerëz që vuajnë nga uria? Sepse qeveritarët shpesh kanë më tepër hallin të fitojnë pushtet politik dhe të mbushin xhepat e tyre sesa të përmirësojnë jetën e popullit. Së shpejti Jehovai do ta zgjidhë problemin e lakmisë duke e zëvendësuar sistemin e sotëm politik me Mbretërinë qiellore, që ka Mbret Birin e tij. Atëherë askush nuk do të vuajë nga uria. Ndërkohë, Perëndia u siguron gjërat e nevojshme besnikëve të vet. (Psal. 37:25) A nuk është ky një tregues i merakut të tij?

JEHOVAI NUK ËSHTË KURNAC ME KOHËN E TIJ

Duke na lënë shembullin, Jehovai nuk është kurnac me kohën e tij

Një mik i mirë të jep nga koha e vet. Ai mund të harxhojë orë të tëra duke biseduar me ty për gjëra që ju interesojnë të dyve. Veç kësaj, një mik i mirë dëgjon me vëmendje kur i tregon problemet e tua dhe çfarë të shqetëson. A na kushton vëmendje Jehovai në këtë mënyrë? Pa diskutim! Ai dëshiron t’i dëgjojë lutjet tona. Ja pse Bibla na nxit ‘të ngulmojmë në lutje’, madje ‘të lutemi pa pushim’.​—Rom. 12:12; 1 Sel. 5:17.

Sa kohë është i gatshëm të harxhojë Jehovai për të dëgjuar lutjet e tua? Përgjigjen na e jep një shembull nga Bibla. Para se të zgjidhte apostujt, Jezui «kaloi gjithë natën duke iu lutur Perëndisë». (Luka 6:12) Ndoshta në atë lutje mendoi për mjaft nga dishepujt e tij duke i kujtuar me emër, u ndal te cilësitë e te dobësitë e tyre dhe i kërkoi Atit ta ndihmonte për t’i zgjedhur. Të nesërmen kur lindi dielli, Jezui ishte i sigurt se kishte zgjedhur ata që ishin më të kualifikuar të shërbenin si apostujt e tij. Si ‘Dëgjuesi i lutjes’, Jehovai i dëgjon me kënaqësi të gjitha lutjet e sinqerta. (Psal. 65:2) Edhe nëse dikush lutet me orë të tëra për diçka që e shqetëson shumë, Jehovai nuk mban llogari sa kohë po harxhon.

PERËNDIA ËSHTË I GATSHËM TË FALË

Duke na lënë shembullin, Jehovai është gati të falë

Ndonjëherë edhe miqtë e ngushtë e kanë të vështirë të falin. Ka ndodhur që njerëzit të prishin miqësi jetëgjata, ngaqë e kanë të zorshme të falin. Jehovai nuk është kështu. Me anë të Biblës, ai e fton çdo njeri të sinqertë t’i kërkojë falje, «sepse do ta falë në masë të madhe». (Isa. 55:6, 7) Çfarë e nxit Perëndinë të falë kaq bujarisht?

E nxit dashuria e pashoqe. Ai e do kaq shumë botën, sa dha Birin e tij, Jezuin, për t’i shpëtuar njerëzit nga mëkati dhe nga dëmet që i sjell ky njerëzimit. (Gjoni 3:16) Në të vërtetë, falë shpërblesës arrihet akoma më tepër. Me anë të flijimit të Krishtit, Perëndia fal bujarisht njerëzit që i do. Apostulli Gjon shkroi: «Nëse i rrëfejmë mëkatet tona, ai është i besueshëm dhe i drejtë, e kështu do të na i falë mëkatet.» (1 Gjon. 1:9) Ne mund të vazhdojmë të gëzojmë miqësi me Jehovain, pikërisht ngaqë ai fal, e kjo na prek thellë.

AI TË NDIHMON KUR KE NEVOJË PËR TË

Duke na lënë shembullin, Jehovai na rri pranë kur kemi nevojë për të

Një mik i vërtetë u bëhet krah të tjerëve kur kanë nevojë për ndihmë. Po Jehovai, a e bën këtë? Në Fjalën e tij thuhet: «Edhe nëse [një shërbëtor i Perëndisë] bie, ai nuk do të shembet përtokë, sepse Jehovai e mban për dore.» (Psal. 37:24) Jehovai ‘i mban shërbëtorët e tij’ në lloj-lloj mënyrash. Mendo për këtë përvojë nga ishulli St. Croix në Karaibe.

Një vajzë e vogël haste presione nga shokët dhe shoqet e klasës, se nuk bënte nderimin para flamurit për arsye fetare. Pasi iu lut për ndihmë Jehovait, vendosi t’i bënte ballë këtij problemi. Në raportin tjetër para klasës foli për nderimin e flamurit. Me anë të botimit Libri im i tregimeve biblike shpjegoi si kishte ndikuar te vendimi i saj tregimi për Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon. Ajo tha: «Jehovai i mbrojti ata tre hebrenj se nuk pranuan të adhuronin një shëmbëlltyrë.» Pastaj ua ofroi librin atyre që ishin të pranishëm. Njëmbëdhjetë nxënës donin një kopje. Sa e lumtur ndihej ajo vajzë e vogël, ngaqë e kuptoi se Jehovai i kishte dhënë forcën dhe mençurinë të dëshmonte për atë temë delikate.

Po qe se dyshon ndonjëherë nëse Jehovai interesohet për ty, medito për fragmente të tilla nga Bibla, si Psalmi 34:17-19; 55:22 dhe 145:18, 19. Pyet ata që janë Dëshmitarë prej kohësh se si ka treguar Jehovai që interesohet për ta. E kur të kesh nevojë për ndihmën e Perëndisë, lutju atij. Shpejt do ta shohësh se si ‘interesohet për ty’ Jehovai.