Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mos lejo të të pengojnë gabimet e të tjerëve

Mos lejo të të pengojnë gabimet e të tjerëve

«Vazhdoni . . . të falni bujarisht njëri-tjetrin.»​—KOLOS. 3:13.

KËNGËT: 121, 75

1, 2. Si parathuhej në Bibël rritja e popullit të Jehovait?

SHËRBËTORËT besnikë të Jehovait në tokë, Dëshmitarët e tij, formojnë një organizatë të jashtëzakonshme. Vërtet, ajo përbëhet nga njerëz të papërsosur që gabojnë. Sidoqoftë, falë drejtimit të frymës së shenjtë të Perëndisë, kongregacioni i tij mbarëbotëror është rritur e ka lulëzuar. Të shohim vetëm disa nga gjërat e mahnitshme që ka bërë Jehovai me popullin e tij të gatshëm, ndonëse të papërsosur.

2 Kur filluan ditët e fundit të këtij sistemi më 1914, shërbëtorët e Perëndisë në tokë ishin relativisht pak. Gjithsesi, Jehovai e bekoi veprën e tyre të predikimit. Gjatë dekadave pasuese, miliona të tjerë mësuan të vërtetat e Biblës dhe u bënë Dëshmitarë të Jehovait. Në fakt, Jehovai foli kohë më parë për këtë rritje mbresëlënëse kur tha: «I pakti do të bëhet një mijë dhe i vogli një komb i fuqishëm. Unë, Jehovai, do ta përshpejtoj këtë gjë në kohën e vet.» (Isa. 60:22) S’ka dyshim se këto fjalë profetike janë bërë realitet sot, në ditët e fundit. Kështu, tani populli i Perëndisë në tokë është më i madh se shumë kombe.

3. Si kanë shfaqur dashuri shërbëtorët e Perëndisë?

3 Gjatë kësaj kohe, Jehovai e ka ndihmuar popullin e vet edhe të zhvillojë më tej cilësinë e tij mbizotëruese: dashurinë. (1 Gjon. 4:8) Jezui, i cili imitoi dashurinë e Perëndisë, u tha dishepujve të tij: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. . . . Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34, 35) Sa e rëndësishme ka qenë kjo, sidomos gjatë historisë së ditëve tona, kur kombet u kacafytën në luftëra gjakatare në një shkallë alarmuese! Për shembull, vetëm në Luftën II Botërore u vranë rreth 55 milionë veta. Por, Dëshmitarët e Jehovait nuk morën pjesë në atë kasaphanë botërore. (Lexo Mikenë 4:1, 3.) Kështu, mbetën ‘të pastër nga gjaku i të gjithë njerëzve’.​—Vep. 20:26.

4. Pse bie në sy rritja e popullit të Jehovait?

4 Përparimi i popullit të Perëndisë po ndodh mes një bote tepër armiqësore që, siç thotë Bibla, e ka në dorë Satanai, «perëndia i kësaj bote». (2 Kor. 4:4) Ai manipulon elementet politike të botës, si edhe median e saj. Prapëseprapë nuk e ndal dot predikimin e lajmit të mirë. Mirëpo, ngaqë e di se i mbetet vetëm pak kohë, Satanai përpiqet t’i largojë njerëzit nga adhurimi i vërtetë, e për ta arritur këtë përdor gjithfarë mjetesh.​—Zbul. 12:12.

SPROVË BESNIKËRIE

5. Pse mund të na lëndojnë hera-herës të tjerët? (Shih figurën hapëse.)

5 Në kongregacionin e krishterë del në pah sa rëndësi ka të duam Perëndinë dhe të tjerët. Edhe Jezui tha se do të ishte kështu. Kur e pyetën se cili është urdhërimi më i madh, ai u përgjigj: «‘Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi. I dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’» (Mat. 22:35-39) Megjithatë, Bibla e bën të qartë se, si pasojë e mëkatit të Adamit, të gjithë lindim të papërsosur. (Lexo Romakëve 5:12, 19.) Prandaj, hera-herës disa në kongregacion mund të na lëndojnë me atë që thonë a që bëjnë. Kjo mund të na vërë në provë dashurinë për Jehovain dhe për popullin e tij. Ç’do të bëjmë në raste të tilla? Edhe shërbëtorët besnikë të Perëndisë në të kaluarën thanë ose bënë gjëra që i lënduan të tjerët. Mund të nxjerrim mësime nga ajo që tregon Bibla për këtë.

Si do të reagoje po të jetoje në Izrael në ditët e Eliut dhe bijve të tij? (Shih paragrafin 6.)

6. Pse themi se Eliu nuk i disiplinoi bijtë e tij?

6 Për shembull, kryeprifti Eli kishte dy bij që nuk i respektonin ligjet e Jehovait. Shkrimet thonë: «Bijtë e Eliut ishin njerëz pa pikë vlere, që s’donin t’ia dinin për Jehovain.» (1 Sam. 2:12) Ndonëse babai i tyre luante rol kyç për të çuar para adhurimin e vërtetë, dy djemtë kryenin mëkate shumë të rënda. Eliu e dinte këtë dhe duhej t’i kishte disiplinuar, por u tregua neglizhent e tolerant. Për pasojë, Perëndia dha gjykimin kundër shtëpisë së Eliut. (1 Sam. 3:10-14) Me kohë, pasardhësit e tij nuk do të lejoheshin të shërbenin si kryepriftërinj. Po të jetoje në ditët e Eliut, si do të reagoje përballë faktit që ai toleronte mëkatet e të bijve? A do të lejoje që kjo të të pengonte deri aty sa të mos i shërbeje më Perëndisë?

7. Ç’mëkate të rënda kreu Davidi, dhe si veproi Perëndia?

7 Jehovai vërejti se Davidi ishte një njeri ‘siç ia donte zemra’ dhe e donte shumë. (1 Sam. 13:13, 14; Vep. 13:22) Por, më vonë Davidi kreu kurorëshkelje me Betshebën, dhe ajo mbeti shtatzënë. Kjo ndodhi ndërsa burri i saj, Uriahu, luftonte diku larg në radhët e ushtrisë. Kur u kthye përkohësisht në shtëpi, Davidi u mundua t’ia mbushte mendjen që të kryente marrëdhënie me Betshebën, që pastaj të dukej sikur fëmija ishte i Uriahut. Uriahu nuk pranoi ta bënte atë që sugjeroi mbreti, prandaj Davidi e rregulloi punën që ai të vritej në betejë. Davidi e pagoi shtrenjtë atë krim, pasi mbi të dhe familjen e tij ranë disa gjëma. (2 Sam. 12:9-12) Megjithatë, Jehovai i tregoi mëshirë Davidit që, në tërësi, eci para Tij «me një zemër me integritet». (1 Mbret. 9:4) Po të jetoje atëherë mes popullit të Perëndisë, si do të reagoje? A do të pengoheshe nga sjellja e gabuar e Davidit?

8. (a) Në ç’mënyrë nuk e mbajti fjalën apostulli Pjetër? (b) Pse Jehovai vazhdoi ta përdorte Pjetrin pasi gaboi?

8 Një shembull tjetër nga Bibla është ai i apostullit Pjetër. Jezui e kishte zgjedhur si një nga apostujt; por hera-herës Pjetri fliste ose vepronte në një mënyrë që më vonë bëhej pishman. Për shembull, apostujt e braktisën Jezuin në një çast kritik. Më parë Pjetri kishte thënë se edhe sikur të tjerët ta braktisnin, ai nuk do ta bënte këtë. (Mar. 14:27-31, 50) Ama, kur Jezuin e arrestuan, të gjithë apostujt e braktisën​—edhe Pjetri. Madje ai e mohoi disa herë se e njihte Jezuin. (Mar. 14:53, 54, 66-72) Sidoqoftë, Pjetri tregoi se e brente ndërgjegjja, dhe Jehovai vazhdoi ta përdorte. Sikur të ishe dishepull në atë kohë, a do të kishin ndikuar veprimet e Pjetrit te besnikëria jote ndaj Jehovait?

9. Pse ke besim të plotë se Perëndia është gjithmonë i drejtë?

9 Këta janë vetëm disa shembuj të atyre që i lënduan të tjerët me çka bënë. Mund të përmendim plot raste të tjera nga shekujt e kaluar dhe nga kohët tona, kur disa që i shërbenin Jehovait vepruan keq dhe i lënduan të tjerët. Po çështja është: si do të reagosh ti? A do të lejosh që gabimet e të tjerëve të të pengojnë, e kështu të braktisësh Jehovain dhe popullin e tij, duke përfshirë edhe kongregacionin tënd? Apo do të pranosh se Jehovai mund të lërë kohë që fajtorët të pendohen dhe se përfundimisht do t’i ndreqë me drejtësi ato të këqija? Nga ana tjetër, ata që kryejnë mëkate të rënda, nganjëherë e hedhin poshtë mëshirën e Jehovait dhe nuk pendohen. A do të kesh besim të plotë në situata të tilla se me kohë Jehovai do t’i gjykojë këta keqbërës, ndoshta duke i hequr nga kongregacioni?

TË RUAJMË BESNIKËRINË

10. Çfarë kuptoi Jezui për gabimet e Judë Iskariotit dhe të Pjetrit?

10 Në Bibël gjejmë tregime për shërbëtorë të Jehovait që i ndenjën besnikë atij dhe popullit të tij, me gjithë gabimet e rënda të të tjerëve përreth. Për shembull, pasi iu lut një natë të tërë Atit të tij, Jezui zgjodhi 12 apostujt. Njëri prej tyre ishte Judë Iskarioti. Më vonë Juda e tradhtoi, por Jezu Krishti nuk lejoi që kjo tradhti t’i dëmtonte marrëdhënien me Atin e tij, Jehovain; as kur e mohoi Pjetri nuk lejoi të ndodhte kjo. (Luka 6:12-16; 22:2-6, 31, 32) Jezui e dinte se për ato veprime nuk e kishin fajin Jehovai ose populli i tij në përgjithësi. Jezui e vazhdoi veprën e tij të jashtëzakonshme, pavarësisht nga zhgënjimi që i shkaktuan disa nga dishepujt e tij. Jehovai e shpërbleu duke e ringjallur, e kështu bëri të mundur që ai të ishte më pas Mbret i Mbretërisë qiellore.​—Mat. 28:7, 18-20.

11. Çfarë parathoshte Bibla për shërbëtorët e Jehovait në ditët tona?

11 Besimi i Jezuit te Jehovai dhe te populli i tij kishte baza të forta, e kështu është akoma. Vërtet, kur mendojmë për gjërat që po kryen Jehovai në këto ditë të fundit nëpërmjet shërbëtorëve të tij, mbetemi pa fjalë. Asnjë grup tjetër nuk predikon të vërtetën në shkallë botërore, sepse atyre nuk u prin Jehovai, siç i prin sot kongregacionit të tij të bashkuar. Ja si përshkruhet gjendja e popullit të Perëndisë tek Isaia 65:14: «Shërbëtorët e mi do të lëshojnë britma gëzimi për gjendjen e mirë të zemrës.»

12. Si duhet t’i shohim gabimet e të tjerëve?

12 Shërbëtorëve të Jehovait u gëzon zemra për gjërat e mira që arrijnë të bëjnë ngaqë u prin Ai. Në kontrast me këtë, bota që është nën ndikimin e Satanait vajton, si të thuash, ndërsa kushtet keqësohen. Sa e pamend dhe e gabuar do të ishte t’ia hidhnim fajin Jehovait ose kongregacionit të tij për gabimet e relativisht pak shërbëtorëve të Perëndisë! Duhet të qëndrojmë besnikë ndaj Jehovait e ndaj masave të tij dhe të mësojmë si t’i shohim gabimet e të tjerëve ose si të reagojmë ndaj tyre.

SI TË REAGOJMË NDAJ GABIMEVE

13, 14. (a) Pse duhet të jemi të duruar me njëri-tjetrin? (b) Cilin premtim duam të sjellim ndër mend?

13 Atëherë, si mund të veprojmë kur ndonjë nga shërbëtorët e Perëndisë thotë a bën diçka që na lëndon? Një parim i shkëlqyer biblik është ky: «Mos u fyej shpejt, sepse fyerja prehet në gji të budallenjve.» (Ekl. 7:9) Duhet të mbajmë parasysh se të gjithë jemi rreth 6.000 vjet larg përsosmërisë njerëzore që ekzistonte në Eden. Njerëzit e papërsosur kanë prirjen të gabojnë. Ndaj është mirë të mos presim tepër nga bashkëbesimtarët dhe të mos lejojmë që gabimet e tyre të na grabitin gëzimin që vjen ngaqë jemi pjesë e popullit të Perëndisë në këto të ditë të fundit. Akoma më keq do të ishte të lejonim që gabimet e të tjerëve të na pengonin dhe të na largonin nga organizata e Jehovait. Kështu do të humbnim jo vetëm privilegjin që të bëjmë vullnetin e Perëndisë, por edhe shpresën që të jetojmë në botën e re.

14 Që të mos na shuhet gëzimi i thellë dhe shpresa e patundur, duam të mbajmë të qartë në mendje këtë premtim të Jehovait që na ngroh zemrën: «Unë po krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re. Gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër.» (Isa. 65:17; 2 Pjet. 3:13) Mos lejo që gabimet e të tjerëve të të pengojnë t’i marrësh bekime të tilla!

15. Sipas fjalëve të Jezuit, ç’duhet të bëjmë kur të tjerët gabojnë?

15 Por, meqë nuk jemi akoma në botën e re, duhet të meditojmë se si do Perëndia që të veprojmë kur të tjerët thonë ose bëjnë gjëra që na lëndojnë. Për shembull, një parim që duhet të kujtojmë është ky që dha Jezui: «Po t’ua falni njerëzve shkeljet, edhe Ati juaj qiellor do t’ju falë ju, por, po të mos ua falni njerëzve shkeljet, as Ati juaj qiellor nuk do t’i falë shkeljet tuaja.» Të kujtojmë edhe se, kur Pjetri e pyeti nëse duhet të falim «shtatë herë», Jezui ia ktheu: «Unë po të them: jo shtatë herë, por shtatëdhjetë e shtatë herë.» Është e qartë se Jezui donte të thoshte se duhet të jemi gjithnjë të gatshëm të falim. Ky duhet të jetë reagimi i parë dhe prirja jonë mbizotëruese.​—Mat. 6:14, 15; 18:21, 22.

16. Çfarë shembulli të bukur na la Jozefi?

16 Një shembull të bukur se si të reagojmë ndaj gabimeve të të tjerëve na e la Jozefi, i pari nga dy djemtë që i lindi Rakela Jakobit. Dhjetë gjysmëvëllezërit e Jozefit ishin xhelozë për të, ngaqë babai e donte më shumë se të tjerët. Ata e shitën Jozefin si skllav. Pas shumë vjetësh, si rezultat i punës së mirë që bëri në Egjipt, Jozefin e caktuan të dytin pas sundimtarit të atij vendi. Kur atë rajon e goditi një zi buke, vëllezërit e Jozefit vajtën në Egjipt për të blerë ushqime, por nuk e njohën. Jozefi mund ta kishte përdorur autoritetin e tij që të hakmerrej për mënyrën e tmerrshme si e kishin trajtuar vëllezërit. Në vend të kësaj, i vuri në provë për të kuptuar nëse kishin ndryshuar qëndrim. Kur pa se kishin ndryshuar vërtet, Jozefi u zbuloi se kush ishte. Kohë më vonë u tha: «Mos kini frikë. Unë do të vazhdoj t’ju mbaj me bukë, ju dhe fëmijët tuaj.» Pastaj Bibla shton: «Kështu, ai i ngushëlloi dhe u dha siguri.»​—Zan. 50:21.

17. Si duhet të veprosh kur të tjerët gabojnë?

17 Gjithashtu është e mençur të mbajmë parasysh se, meqë të gjithë gabojmë, edhe ne mund t’i fyejmë të tjerët. Nëse kuptojmë se kemi fyer dikë, drejtimi që jep Bibla është të shkojmë tek ai dhe të përpiqemi t’i ndreqim gjërat. (Lexo Mateun 5:23, 24.) E vlerësojmë kur të tjerët i hedhin pas shpine gabimet tona, prandaj duhet të bëjmë të njëjtën gjë ndaj tyre. Kolosianëve 3:13 na nxit: «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju.» Siç thuhet te 1 Korintasve 13:5, dashuria e krishterë «nuk e mban llogari të keqen». Nëse e bëjmë zakon të falim, edhe Jehovai do të na falë. Po, kur vjen puna te gabimet e të tjerëve, duhet të imitojmë Atin tonë, i cili na trajton plot mëshirë kur gabojmë.​—Lexo Psalmin 103:12-14.