Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një cilësi hyjnore më e vyer se diamantet

Një cilësi hyjnore më e vyer se diamantet

Prej kohësh, diamantet janë vlerësuar si gurë të çmuar. Disa mendohet se vlejnë miliona dollarë. Por, mos ndoshta për Perëndinë ka gjëra më të vyera se diamantet a gurët e tjerë të çmuar?

Hajganusha, një lajmëtare e papagëzuar që jeton në Armeni, gjeti një pasaportë afër shtëpisë së saj. Brenda pasaportës kishte disa karta debiti dhe një shumë të madhe parash. I tregoi për këtë të shoqit, edhe ai lajmëtar i papagëzuar.

Çifti kishte probleme të rënda ekonomike dhe borxhe. Prapëseprapë vendosën t’i çonin paratë tek adresa që tregohej në pasaportë. Burri që kishte humbur pasaportën mbeti pa fjalë, e po ashtu edhe familja e tij. Hajganusha dhe i shoqi u shpjeguan se ndershmëria e tyre vinte si rezultat i asaj që po mësonin nga Bibla. Kjo i nxiti të ishin të ndershëm. E përdorën këtë rast që t’i flitnin familjes për Dëshmitarët e Jehovait dhe t’i linin disa botime.

Si shpërblim, familja donte t’i jepte Hajganushës ca para, por ajo nuk pranoi. Të nesërmen, gruaja i shkoi për vizitë në shtëpi çiftit dhe këmbënguli që Hajganusha të pranonte një unazë me diamant në shenjë vlerësimi.

Ashtu si ajo familje, shumë do të habiteshin nga ndershmëria që shfaqën Hajganusha dhe i shoqi. Por a u habit Jehovai? Si e pa ai ndershmërinë e tyre? A ia vlejti që u treguan të ndershëm?

CILËSI MË TË VYERA SE GJËRAT MATERIALE

Nuk është e vështirë t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve. Pse? Sepse shërbëtorët e Jehovait janë të bindur se kur imitojnë cilësitë e tij, kjo është më e çmuar për të se diamantet, floriri ose gjërat e tjera materiale. Po, pikëpamja e Jehovait për atë që është e çmuar ose jo, ndryshon nga pikëpamja e shumicës së njerëzve. (Isa. 55:8, 9) Për shërbëtorët e tij, përpjekjet që bëjnë për t’i pasqyruar më plotësisht cilësitë e Jehovait s’kanë të çmuar.

Këtë mund ta kuptojmë nga ajo që thotë Bibla për aftësinë dalluese dhe mençurinë. Te Proverbat 3:13-15 lexojmë: «Lum njeriu që ka gjetur mençuri dhe ai që fiton aftësi dalluese, sepse të fitosh mençuri është më mirë se të fitosh argjend dhe fryti i saj është më i mirë se ari. Ajo është më e çmuar se koralet, dhe gjithë kënaqësitë e tua të tjera s’mund të barazohen me të.» Pra, nuk ka dyshim se Jehovai i vlerëson këto cilësi më shumë se çdo gjë të çmuar materiale.

Po ç’të themi për ndershmërinë?

Vetë Jehovai është i ndershëm, «nuk mund të gënjejë». (Titit 1:2) Ai e frymëzoi apostullin Pavël t’u shkruante të krishterëve hebrenj në shekullin e parë: «Vazhdoni të luteni për ne, sepse jemi të bindur që kemi një ndërgjegje të pastër, pasi duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»​—Hebr. 13:18.

E çfarë shembulli të mirë na la Jezu Krishti lidhur me ndershmërinë! Të sjellim ndër mend rastin kur kryeprifti Kajafa i tha: «Po të vë në be për Perëndinë e gjallë, të na thuash nëse je ti Krishti, Biri i Perëndisë!» Me ndershmëri, Jezui tha se ishte Mesia. E pranoi këtë të vërtetë edhe pse kjo mund t’i linte shteg Sinedrit ta shpallte blasfemues dhe mund të çonte në ekzekutimin e tij.​—Mat. 26:63-67.

Po ne, a do të jemi të ndershëm në situatat ku mund të përfitojmë materialisht po të mos përmendim ndonjë informacion të vogël ose po t’i shtrembërojmë disi fjalët?

PSE ËSHTË SFIDË TË JEMI TË NDERSHËM?

S’diskutohet, është e vështirë të jemi të ndershëm në këto ditë të fundit ku shumë veta janë «të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave». (2 Tim. 3:2) Një krizë financiare ose pasiguria për vendin e punës ndikon te ndershmëria. Shumë mendojnë se janë të justifikuar të vjedhin, të mashtrojnë ose të bëjnë gjëra të tjera të pandershme. Ky koncept është kaq i përhapur, sa kur vjen fjala te përfitimi material mjaft veta mendojnë se është e pamundur të jesh i ndershëm. Madje edhe disa të krishterë kanë marrë vendime jo të mençura në këtë drejtim dhe kanë humbur emrin e mirë në kongregacion për ‘fitime të pandershme materiale’.​—1 Tim. 3:8; Titit 1:7.

Megjithatë, shumica e të krishterëve imitojnë Jezuin. E kuptojnë se cilësitë që i pëlqejnë Perëndisë janë më të rëndësishme se çfarëdo pasurie ose përfitimi. Ja pse të rinjtë e krishterë nuk kopjojnë që të marrin nota të mira në shkollë. (Prov. 20:23) Është e vërtetë se ndershmëria nuk sjell gjithmonë shpërblime, si në rastin e Hajganushës. Gjithsesi, të jemi të ndershëm është e drejtë në sytë e Perëndisë, e falë kësaj kemi një ndërgjegje të pastër që është me të vërtetë e çmuar.

Shembulli i Gagikut e tregon më së miri këtë. Ai thotë: «Para se të bëhesha i krishterë, punoja për një kompani të madhe. Pronari u bënte bisht taksave duke raportuar vetëm një pjesë të vogël të përfitimit të kompanisë. Si drejtor administrativ, duhej të bija ‘në ujdi’ me inspektorin e tatimeve duke i dhënë ryshfet, që të mbyllte një sy para mashtrimeve të kompanisë. Për pasojë, njihesha si person i pandershëm. Kur mësova të vërtetën, nuk pranova më ta bëja këtë, edhe pse paguhesha goxha mirë. Hapa biznesin tim, dhe që nga dita e parë e regjistrova ligjërisht kompaninë e pagova të gjitha taksat.»​—2 Kor. 8:21.

Gagiku tregon: «Të ardhurat e mia gati u përgjysmuan, prandaj ishte e vështirë të siguroja gjërat e nevojshme për familjen. Megjithatë, tani jam më i lumtur. Kam ndërgjegje të pastër para Jehovait. Po u lë shembull të mirë dy djemve të mi dhe jam kualifikuar për privilegje në kongregacion. Tani inspektorët e tatimeve dhe të tjerët me të cilët më lidh biznesi më njohin si njeri të ndershëm.»

JEHOVAI ËSHTË BURIM NDIHME PËR NE

Jehovai i do ata që i stolisin mësimet e tij duke shfaqur cilësitë e pashoqe që ka, përfshirë ndershmërinë. (Titit 2:10) Ai e frymëzoi mbretin David të shkruante këto fjalë që na japin siguri: «Isha i ri dhe u plaka, por s’kam parë asnjë të drejtë të braktisur, dhe as pasardhësit e tij të lypin bukë.»​—Psal. 37:25.

Përvoja e Ruthës besnike e vërteton këtë. Ajo qëndroi me vjehrrën e saj, Naomin, dhe nuk e braktisi në moshë të thyer. Rutha u transferua në Izrael, ku mund të adhuronte Perëndinë e vërtetë. (Rutha 1:16, 17) Kur ishte atje, mblodhi me zell prodhimet e mbetura, sipas masës që ishte vendosur në Ligj, e kështu tregoi se ishte e ndershme dhe e papërtuar. Ashtu siç e provoi edhe Davidi më vonë, Jehovai nuk i braktisi Ruthën e Naomin kur ishin në nevojë. (Rutha 2:2-18) Vlen të përmendet se Jehovai nuk i siguroi vetëm gjërat materiale Ruthës. Ai bëri shumë më tepër: e zgjodhi të ishte paraardhëse e mbretit David, e madje e Mesisë së premtuar!​—Rutha 4:13-17; Mat. 1:5, 16.

Mbase disa shërbëtorë të Jehovait gjenden në situata ku duket goxha e vështirë të sigurojnë gjërat e nevojshme. Në vend që të kërkojnë rrugëdaljen më të shkurtër, por të pandershme, përpiqen të punojnë fort e me zell. Kështu tregojnë se, mbi çdo gjë materiale, vlerësojnë cilësitë e pashoqe të Perëndisë, përfshirë ndershmërinë.​—Prov. 12:24; Efes. 4:28.

Ashtu si Rutha e kohëve të lashta, të krishterët kudo në botë kanë treguar se besojnë që Jehovai ka fuqi t’i ndihmojë. Janë mbështetur plotësisht tek Ai që premton në Fjalën e tij: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» (Hebr. 13:5) Jehovai ka treguar vazhdimisht se mund t’i ndihmojë ata që janë në hall e që sillen përherë me ndershmëri, dhe do ta bëjë këtë. Perëndia e ka mbajtur premtimin se do t’u siguronte gjërat e nevojshme.​—Mat. 6:33.

Po, njerëzit mund të vlerësojnë diamantet dhe sende të tjera me vlerë. Por ne mund të jemi të sigurt se për Atin tonë qiellor, ndershmëria dhe cilësitë e tjera hyjnore që shfaqim janë më të vyera, po, ku e ku më të vyera se çdo gur i çmuar!

Kur jemi të ndershëm, mbajmë një ndërgjegje të pastër dhe kemi liri fjale në shërbim