Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Le të jemi të gjithë një, ashtu si Jehovai dhe Jezui janë një

Le të jemi të gjithë një, ashtu si Jehovai dhe Jezui janë një

«Të lutem . . . që ata të jenë të gjithë një, ashtu si ti, o Atë, je në unitet me mua.»​—GJONI 17:20, 21.

KËNGËT: 24, 99

1, 2. (a) Çfarë kërkoi Jezui në lutjen e tij të fundit me apostujt? (b) Pse Jezui mund të ketë qenë në merak për unitetin?

JEZUI kishte merak për unitetin gjatë darkës së fundit me apostujt e tij. Kur u lut me ta, shprehu dëshirën që të gjithë dishepujt e tij të jenë një, ashtu si ai dhe Ati janë një. (Lexo Gjonin 17:20, 21.) Uniteti mes tyre do të jepte dëshmi të fuqishme, pasi do të ishte një provë e qartë se Jehovai e kishte dërguar Jezuin në tokë për të bërë vullnetin e Perëndisë. Dashuria do të ishte një tipar dallues i dishepujve të vërtetë të Jezuit që do t’i kontribuonte unitetit mes tyre.​—Gjoni 13:34, 35.

2 Është normale që Jezui e vuri theksin tek uniteti. Ai kishte vërejtur një mungesë uniteti ose harmonie mes apostujve, si për shembull gjatë darkës së tij të fundit me ta. Siç kishte ndodhur edhe më parë, lindi një debat se «kush nga ata dukej se ishte më i madhi». (Luka 22:24-27; Mar. 9:33, 34) Në një rast tjetër, Jakovi dhe Gjoni i kërkuan Jezuit t’i ulte në vende të lavdishme përkrah tij në Mbretëri.​—Mar. 10:35-40.

3. Cilët faktorë mund të kenë ndikuar te një mungesë uniteti mes dishepujve të Krishtit, dhe cilat pyetje do të shqyrtojmë?

3 Gjithsesi, dëshira për lavdi nuk ishte i vetmi shkak që mund të kishte cenuar unitetin mes dishepujve të Krishtit. Populli i atij vendi ishte i përçarë nga armiqësitë dhe paragjykimet. Dishepujve të Jezuit do t’u duhej t’i mposhtnin këto ndjenja. Në këtë artikull do të shqyrtojmë pyetjet vijuese: Si reagoi Jezui përballë paragjykimeve? Si i ndihmoi dishepujt e tij të mësonin t’i trajtonin të tjerët me paanshmëri dhe të ishin vërtet të bashkuar? Dhe si do të na ndihmojnë mësimet e tij të ruajmë unitetin?

PARAGJYKIMET QË HASËN JEZUI DHE DISHEPUJT E TIJ

4. Jepni shembuj se si e paragjykuan Jezuin.

4 Vetë Jezui kishte vuajtur nga paragjykimet. Kur Filipi i tha Natanaelit se kishte gjetur Mesinë, Natanaeli ia ktheu: «A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?» (Gjoni 1:46) Me sa duket, Natanaeli e njihte profecinë e Mikesë 5:2 dhe Nazareti i dukej tepër i papërfillshëm për të qenë qyteti i Mesisë. Po kështu, judeas të shquar e përçmonin Jezuin ngaqë ishte galileas. (Gjoni 7:52) Shumë banorë të Judesë i konsideronin inferiorë banorët e Galilesë. Judenj të tjerë u përpoqën ta ofendonin Jezuin duke e quajtur samaritan. (Gjoni 8:48) Samaritanët kishin prejardhje etnike dhe fe të ndryshme nga judenjtë. Judeasit dhe galileasit nuk kishin fort respekt për samaritanët dhe i shmangnin.​—Gjoni 4:9.

5. Çfarë paragjykimesh hasën dishepujt e Jezuit?

5 Po ashtu, krerët judenj shprehnin shpesh përçmim ndaj dishepujve të Jezuit. Për farisenjtë, dishepujt ishin mes ‘njerëzve të mallkuar’. (Gjoni 7:47-49) Ata e konsideronin si njeri të përbuzshëm e të thjeshtë këdo që s’kishte studiuar në shkollat rabinike ose që nuk mbante traditat e tyre. (Vep. 4:13) Paragjykimet nga të cilat vuajtën Jezui dhe dishepujt e tij, e kishin rrënjën te përçarjet fetare, shoqërore dhe etnike. Edhe dishepujt ishin të ndikuar nga paragjykimet. Që të ishin në unitet, ata duhej të ndryshonin mënyrën si mendonin.

6. Jepni disa shembuj që tregojnë si mund të ndikojnë te ne paragjykimet.

6 Sot, shumë prej nesh jemi të rrethuar nga një botë plot paragjykime. Mund të jemi viktima të tyre ose ne vetë mund të kemi disa paragjykime. Një motër që tani është pioniere në Australi shpjegon: «Urrejtja për të bardhët më shtohej teksa përqendrohesha te padrejtësitë që kishin pësuar aborigjenët​—në të kaluarën e në të tashmen. Kjo urrejtje ushqehej edhe nga keqtrajtimet që kisha hequr unë vetë.» Një vëlla kanadez përmendi paragjykimet që kishte dikur lidhur me gjuhën. Ai pranon: «Mendoja se frëngjishtfolësit ishin superiorë. Dhe zhvillova armiqësi ndaj anglishtfolësve.»

7. Si reagoi Jezui përballë paragjykimeve?

7 Paragjykimet në kohën tonë mund të jenë ndjenja të rrënjosura thellë, ashtu siç ishin në ditët e Jezuit. Si reagoi Jezui përballë tyre? Së pari, i hodhi poshtë paragjykimet duke qenë plotësisht i paanshëm. Ai u predikonte të pasurve e të varfërve, farisenjve e samaritanëve, madje edhe taksambledhësve e mëkatarëve. Së dyti, me mësimet dhe me shembullin e tij, Jezui u tregoi dishepujve se duhej të mposhtnin dyshimet ose intolerancën ndaj të tjerëve.

PARAGJYKIMET MPOSHTEN ME DASHURI DHE PËRULËSI

8. Cili parim kryesor qëndron në themel të unitetit të krishterë? Shpjegoni.

8 Jezui u mësoi dishepujve një parim kryesor që qëndron në themel të unitetit mes nesh. Ai tha: «Ju të gjithë jeni vëllezër.» (Lexo Mateun 23:8, 9.) Natyrisht, një kuptim në të cilin jemi «vëllezër», është se të gjithë vijmë nga Adami. (Vep. 17:26) Por jo vetëm kaq. Jezui shpjegoi se dishepujt e tij ishin vëllezër e motra ngaqë kishin pranuar Jehovain si Atin e tyre qiellor. (Mat. 12:50) Veç kësaj, ishin bërë pjesë e një familjeje të madhe adhuruesish, e bashkuar nga dashuria dhe besimi. Ja pse në letrat e tyre, shpesh apostujt i quanin dishepujt e tjerë ‘vëllezër e motra’.​—Rom. 1:13; 1 Pjet. 2:17; 1 Gjon. 3:13. *

9, 10. (a) Pse judenjtë nuk kishin arsye të ndiheshin krenarë për racën e tyre? (b) Si dha Jezui një mësim për të mposhtur paragjykimet raciale? (Shih figurën hapëse.)

9 Pasi e bëri të qartë se duhet ta shohim njëri-tjetrin si vëllezër e motra, Jezui theksoi se na nevojitet përulësi. (Lexo Mateun 23:11, 12.) Siç u përmend, krenaria e pavend e apostujve e prishi deri diku unitetin mes tyre. Edhe krenaria për racën mund të ketë qenë një problem. A kishin arsye judenjtë të ndiheshin krenarë meqë ishin pasardhës të Abrahamit? Shumë judenj e kishin këtë bindje të ngulitur thellë. Por Gjon Pagëzori u tha: «Perëndia ka fuqi t’i japë Abrahamit fëmijë edhe nga këta gurë.»​—Luka 3:8.

10 Jezui e dënoi krenarinë për racën. Ai shfrytëzoi rastin ta bënte këtë kur një skrib e pyeti: «Kush është në të vërtetë i afërmi im?» Jezui iu përgjigj me anë të ilustrimit për një samaritan që u kujdes me dashamirësi për një udhëtar​—një jude—​të cilin e kishin rrahur hajdutët. Judenjtë që kaluan andej e shpërfillën atë burrë në pikë të hallit, kurse samaritani ndjeu keqardhje për të. Në fund të tregimit, Jezui i tha skribit të imitonte samaritanin. (Luka 10:25-37) Jezui tregoi se një samaritan mund t’u mësonte judenjve se ç’do të thoshte dashuri e vërtetë për të tjerët.

11. Pse dishepujt e Krishtit duhej t’i shihnin me paanshmëri të huajt, dhe si i ndihmoi Jezui ta kuptonin këtë?

11 Që të përmbushnin detyrën që u ishte ngarkuar, dishepujt e Jezuit duhej të mundnin krenarinë dhe paragjykimet e tyre. Para se të ngjitej në qiell, ai i caktoi të jepnin dëshmi «në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës». (Vep. 1:8) Jezui i kishte përgatitur që më parë për këtë caktim me shtrirje kaq të gjerë, duke u drejtuar vëmendjen te cilësitë e mira të të huajve. Ai lavdëroi një oficer të huaj për besimin e tij të jashtëzakonshëm. (Mat. 8:5-10) Në qytetin e tij, në Nazaret, Jezui tregoi se si Jehovai u kishte shfaqur dashamirësi disa të huajve, si vejushës fenikase nga Zarefati dhe Naamanit, një të lebrosuri nga Siria. (Luka 4:25-27) E përveçse i predikoi një gruaje samaritane, Jezui kaloi dy ditë në një qytet të Samarisë, sepse banorët treguan interes për mesazhin e tij.​—Gjoni 4:21-24, 40.

SI I LUFTUAN PARAGJYKIMET NË SHEKULLIN E PARË

12, 13. (a) Si reaguan apostujt kur Jezui mësoi një grua samaritane? (Shih figurën hapëse.) (b) Ç’gjë tregon se Jakovi dhe Gjoni nuk e kapën plotësisht mësimin?

12 Gjithsesi, apostujt nuk e kishin të lehtë t’i flaknin tej paragjykimet. Ata u çuditën kur panë se Jezui ishte i gatshëm të mësonte një grua samaritane. (Gjoni 4:9, 27) Krerët fetarë judenj nuk i flitnin një gruaje në publik, lëre pastaj një gruaje samaritane me reputacion të dyshimtë. Apostujt e nxitën Jezuin të hante. Por përgjigjja që u dha, tregoi se e kishte përpirë aq shumë ajo bisedë për besimin, sa uria e tij nuk kishte edhe aq rëndësi. Vullneti i Atit të tij ishte të predikonte​—qoftë edhe një gruaje samaritane—​dhe për Jezuin ishte si ushqim të bënte vullnetin e Atit.​—Gjoni 4:31-34.

13 Jakovi dhe Gjoni nuk e kapën këtë mësim. Kur po udhëtonin me Jezuin përmes Samarisë, dishepujt kërkuan të kalonin natën në një fshat samaritan. Samaritanët nuk donin t’i mikpritnin, ndaj Jakovi dhe Gjoni plot zemërim sugjeruan të zbriste zjarr nga qielli që ta shfaroste krejt fshatin. Jezui i qortoi prerazi. (Luka 9:51-56) Kushedi nëse Jakovi dhe Gjoni do të kishin reaguar po njësoj sikur fshati jomikpritës të ndodhej në krahinën e tyre, në Galile. Ka shumë të ngjarë që kjo armiqësi të ishte ushqyer nga paragjykimet. Mbase apostullit Gjon i erdhi turp për atë shpërthim zemërimi kur më vonë u kënaq gjatë një fushate të suksesshme predikimi mes samaritanëve.​—Vep. 8:14, 25.

14. Si iu dha zgjidhje një problemi që ndoshta lidhej me gjuhën?

14 Pak kohë pas festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., lindi një problem që lidhej me diskriminimin. Kur u shpërndahej ushqim vejushave nevojtare, vejushat që flitnin greqisht po liheshin pas dore. (Vep. 6:1) Një faktor mund të ketë qenë paragjykimi për gjuhën. Apostujt i ndreqën gjërat pa vonesë duke emëruar burra të kualifikuar që të merreshin me shpërndarjen e ushqimit. Të gjithë këta burra të kualifikuar kishin emra grekë. Kështu mund të ishin më të mirëpritur nga vejushat e ofenduara.

15. Si përparoi Pjetri në shfaqjen e paanshmërisë ndaj kujtdo? (Shih figurën hapëse.)

15 Në vitin 36 të e.s., vepra e bërjes së dishepujve mori përmasa shumë më ndërkombëtare. Apostulli Pjetër e kishte zakon të shoqërohej vetëm me judenjtë. Por pasi Perëndia e bëri të qartë se të krishterët nuk duhet të jenë të anshëm, Pjetri i predikoi Kornelit, një ushtari romak. (Lexo Veprat 10:28, 34, 35.) Pas kësaj, Pjetri hante dhe shoqërohej me kënaqësi me besimtarët jojudenj. Mirëpo vite më vonë, në qytetin e Antiokisë, Pjetri u distancua nga të krishterët jojudenj dhe nuk hante më me ta. (Gal. 2:11-14) Në atë rast, Pavli i dha një qortim me vend, që me sa duket Pjetri e pranoi. Kur u shkroi letrën e tij të parë të krishterëve judenj dhe jojudenj në Azinë e Vogël, Pjetri foli me përzemërsi për gjithë vëllazërinë.​—1 Pjet. 1:1; 2:17.

16. Çfarë reputacioni fituan të krishterët e hershëm?

16 Është e qartë se falë shembullit të Jezuit, apostujt mësuan të donin «njerëz të çdo lloji». (Gjoni 12:32; 1 Tim. 4:10) Edhe pse u desh kohë, ata e ndreqën mënyrën si mendonin. Të krishterët e hershëm fituan reputacionin se kishin dashuri për njëri-tjetrin. Tertuliani, një shkrimtar i shekullit të dytë, citoi fjalët që thoshin jo të krishterët për ta: «Ata e duan njëri-tjetrin . . . Madje janë gati të vdesin për njëri-tjetrin.» Ngaqë veshën «personalitetin e ri», të krishterët e hershëm mësuan t’i shihnin të gjithë njerëzit si të barabartë në sytë e Perëndisë.​—Kolos. 3:10, 11.

17. Si mund t’i çrrënjosim nga zemra paragjykimet? Jepni shembuj.

17 Sot, edhe neve mund të na duhet kohë për të çrrënjosur nga zemra paragjykimet. Një motër në Francë përshkruan betejën e saj: «Jehovai më ka mësuar ç’do të thotë të kesh dashuri për të tjerët, të japësh nga vetja, të duash njerëz të çdo lloji. Por, akoma po mësoj të mposht paragjykimet ndaj të tjerëve, dhe kjo nuk është gjithmonë e lehtë. Ja pse vazhdoj të lutem për këtë.» Një motër në Spanjë ka një betejë të ngjashme: «Ndonjëherë luftoj me ndjenjat e armiqësisë kundrejt një grupi etnik, e në shumicën e rasteve ia dal mbanë. Ama e di se duhet të vazhdoj të luftoj. Falë Jehovait, jam e lumtur që i përkas një familjeje të bashkuar.» Secili prej nesh mund ta analizojë me ndershmëri veten. Mos ndoshta personalisht kemi nevojë t’i luftojmë ca paragjykime, ashtu si këto dy motra?

KUR DASHURIA LULËZON, PARAGJYKIMET VYSHKEN

18, 19. (a) Çfarë arsyesh kemi për të mikpritur këdo? (b) Si mund ta bëjmë këtë në mënyra praktike?

18 Është mirë të kujtojmë se dikur ne të gjithë ishim «të huaj», të largët me Perëndinë. (Efes. 2:12) Por Jehovai na tërhoqi pranë tij «me kordonët e dashurisë». (Hoz. 11:4; Gjoni 6:44) Dhe Krishti na mirëpriti. Ai, si të thuash, na hapi derën që të bëheshim pjesë e familjes së Perëndisë. (Lexo Romakëve 15:7.) Përderisa Jezui na ka pranuar me dashamirësi ndonëse jemi të papërsosur, as duhet të na shkojë ndër mend të hedhim poshtë një njeri tjetër!

Shërbëtorët e Jehovait kërkojnë mençurinë nga lart dhe janë të bashkuar nga dashuria (Shih paragrafin 19.)

19 Ndërsa i afrohemi fundit të këtij sistemi të lig, me siguri përçarjet, paragjykimet dhe armiqësitë në botë do të shtohen. (Gal. 5:19-21; 2 Tim. 3:13) Por ne si shërbëtorë të Jehovait, kërkojmë mençurinë nga lart që nuk mban anë dhe nxit paqen. (Jak. 3:17, 18) Gëzojmë teksa ndërtojmë miqësi me njerëz nga vende të tjera, duke pranuar ndryshimet kulturore e mbase edhe duke mësuar gjuhën e të tjerëve. Kur veprojmë kështu, paqja rrjedh si një lumë dhe drejtësia si valët e detit.​—Isa. 48:17, 18.

20. Çfarë ndodh kur dashuria na modelon mendjen dhe zemrën?

20 Motra australiane e përmendur më sipër thotë: «Para meje u hapën pragjet e njohurisë së vërtetë.» Pastaj tregon si ndikoi tek ajo studimi i Biblës: «U modelova dhe kisha një zemër e një mendje të re. Kështu, krejt paragjykimet dhe urrejtja e ngulitur thellë u fshinë dalëngadalë.» Gjithashtu, vëllai kanadez thotë që tani e kupton se «shpesh padija është nëna e racizmit dhe se cilësitë e njerëzve nuk varen nga vendi ku kanë lindur». Në fakt, ai u martua me një motër anglishtfolëse! Këto ndryshime në qëndrim janë një dëshmi se dashuria e krishterë mund të mposhtë paragjykimet dhe i mposht vërtet. Ajo na bashkon me një lidhje të pathyeshme.​—Kolos. 3:14.

^ par. 8 Termi «vëllezër» mund të përfshijë edhe pjesëtaret femra të kongregacionit. Pavli ua drejtoi letrën e tij ‘vëllezërve’ në Romë. Shihet qartë se aty përfshiheshin edhe motrat, disa nga të cilat ai i përmendi me emër. (Rom. 16:3, 6, 12) Prej kohësh, Kulla e Rojës i ka quajtur të krishterët ‘vëllezër e motra’.