Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lejoji ligjet dhe parimet e Perëndisë të stërvitin ndërgjegjen tënde

Lejoji ligjet dhe parimet e Perëndisë të stërvitin ndërgjegjen tënde

«E mbaj mendjen te përkujtuesit e tu.»​—PSAL. 119:99.

KËNGËT: 127, 88

1. Cila është një gjë që i bën njerëzit më superiorë se kafshët?

NJË gjë që i bën njerëzit më superiorë se kafshët është fakti që janë pajisur me një ndërgjegje. Ka qenë kështu që në zanafillën e historisë njerëzore. Pasi thyen ligjin e Jehovait, Adami dhe Eva u fshehën. Kjo tregon se ndërgjegjja po i trazonte.

2. Në ç’kuptim ngjan me një busull ndërgjegjja jonë? (Shih figurën hapëse.)

2 Kush nuk e ka ndërgjegjen të stërvitur mirë, mund të krahasohet me një anije në lundrim që drejtohet nga një busull me defekte. Të nisesh për udhëtim pa një busull të saktë mund të jetë goxha e rrezikshme. Era dhe rrymat e oqeanit fare lehtë mund ta devijojnë anijen nga kursi. Një busull e kalibruar siç duhet, mund ta ndihmojë kapitenin ta mbajë anijen në kursin e duhur. Ndërgjegjja jonë mund të krahasohet me një busull morale. Ajo është një ndjenjë e brendshme për të drejtën ose të gabuarën, që mund të na udhëheqë në drejtimin e duhur. Por, që të jetë një udhërrëfyese e efektshme, ndërgjegjja duhet rregulluar, ose kalibruar, siç duhet.

3. Ç’mund të ndodhë nëse ndërgjegjja nuk është stërvitur siç duhet?

3 Nëse nuk e kemi ndërgjegjen të stërvitur siç duhet, ajo nuk na frenon që të mos bëjmë diçka të gabuar. (1 Tim. 4:1, 2) Madje një ndërgjegje e tillë mund të na bindë se «e keqja është e mirë». (Isa. 5:20) Jezui i paralajmëroi dishepujt e tij: «Po vjen ora kur ata që do t’ju vrasin, do të kujtojnë se i kanë bërë shërbim të shenjtë Perëndisë.» (Gjoni 16:2) Kështu ndodhi në rastin e atyre që vranë dishepullin Stefan, si edhe me të tjerë si puna e tyre. (Vep. 6:8, 12; 7:54-60) Sa ironike që, duke kryer krime të tilla të liga si vrasja, fanatikët fetarë shkelin pikërisht ligjet e Atij që pohojnë se adhurojnë! (Dal. 20:13) Pa dyshim që ndërgjegjja e tyre është një udhërrëfyese e pabesë!

4. Si ta parandalojmë rrezikun që ndërgjegjja jonë të bëhet e paefektshme?

4 Si ta parandalojmë rrezikun që ndërgjegjja jonë të bëhet e paefektshme? Ligjet dhe parimet që përmban Fjala e Perëndisë janë ‘të dobishme për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi’. (2 Tim. 3:16) Pra, duke studiuar seriozisht Biblën, duke medituar për atë që thotë dhe duke e zbatuar në jetë, mund ta stërvitim ndërgjegjen që të jetë më e ndjeshme ndaj mënyrës si mendon Perëndia. Kështu ajo mund të na shërbejë si udhërrëfyese e besueshme. Le të shqyrtojmë si mund të na ndihmojnë ligjet dhe parimet e Jehovait që të stërvitim ndërgjegjen.

LEJO TË TË STËRVITIN LIGJET E PERËNDISË

5, 6. Si nxjerrim dobi kur zbatojmë ligjet e Perëndisë?

5 Për të nxjerrë dobi nga ligjet e Perëndisë, nuk mjafton thjesht t’i lexojmë ose t’i njohim. Duhet të mësojmë t’i duam e t’i respektojmë. Fjala e Perëndisë thotë: «Urreni të keqen, doni të mirën.» (Amo. 5:15) Por si mund ta bëjmë këtë? Një çelës është të mësojmë t’i shohim gjërat ashtu siç i sheh Jehovai. Ta ilustrojmë: imagjino sikur ke probleme me gjumin. Mjeku të rekomandon një program që përfshin dietën, ushtrimet dhe ndryshime në mënyrën e jetesës. Pasi e ndjek këtë program, vëren se bën punë! Patjetër i je shumë mirënjohës mjekut që të ndihmoi të bësh një jetë më të mirë.

6 Në mënyrë të ngjashme, Krijuesi ynë na ka dhënë ligje që na mbrojnë nga ndikimi i dëmshëm i mëkatit, e kështu na ndihmojnë të bëjmë një jetë më të mirë. Mendo pak për dobitë që nxjerrim kur zbatojmë ligjet e Biblës për gënjeshtrën, intrigat, vjedhjen, imoralitetin seksual, dhunën dhe spiritizmin. (Lexo Proverbat 6:16-19; Zbul. 21:8) Teksa provon shpërblimet e pasura që vijnë kur i bën gjërat sipas mënyrës së Jehovait, natyrshëm të thellohet në zemër dashuria dhe çmueshmëria për Jehovain e për ligjet e tij.

7. Për çfarë na ndihmon leximi dhe meditimi për historitë reale nga Bibla?

7 Sa mirë që, për të nxjerrë mësime me vlerë, s’ka pse t’i heqim në kurriz pasojat që sjell shkelja e ligjeve të Perëndisë! Ne mund të mësojmë nga gabimet ose mëkatet e të tjerëve që janë dokumentuar në Fjalën e Perëndisë. Te Proverbat 1:5 thuhet: «Njeriu i mençur do të dëgjojë e do të marrë më shumë mësim.» Vërtet, ne marrim nga Perëndia mësimet ose arsimimin më të shkëlqyer, si për shembull kur lexojmë e meditojmë për histori reale nga Bibla. Mund të mendojmë, për shembull, për dhembjen që provoi mbreti David pasi nuk iu bind urdhrit të Jehovait dhe kreu kurorëshkelje me Betshebën. (2 Sam. 12:7-14) Ndërsa lexojmë e meditojmë për këtë histori, mund të pyesim veten: «Si mund t’i kishte shmangur mbreti David plagët e dhimbshme që iu hapën nga kurorëshkelja me Betshebën? Po të hasja një tundim të ngjashëm, a do të kisha forcë t’i ktheja shpinën? A do të rendja larg si Jozefi apo do të dorëzohesha si Davidi?» (Zan. 39:11-15) Duke reflektuar për pasojat e këqija të mëkatit, mund ta bëjmë më të vendosur zemrën tonë që ‘të urrejë të keqen’.

8, 9. (a) Për çfarë qëllimi na shërben ndërgjegjja? (b) Si bashkëveprojnë parimet e Jehovait me ndërgjegjen tonë?

8 Patjetër, ne rrimë larg praktikave që Perëndia i urren. Por ka edhe aktivitete ose aspekte të tjera të jetës për të cilat Shkrimet nuk japin ndonjë urdhër specifik. Si mund ta përcaktojmë në raste të tilla se çfarë pranon ose pëlqen Perëndia? Pikërisht këtu hyn në lojë ndërgjegjja jonë e stërvitur sipas Biblës.

9 Jehovai na ka dhënë me dashuri parime që veprojnë bashkë me ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës. Ai vetë thotë: «Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete, Ai që të vë të ecësh nëpër udhën nga duhet të shkosh.» (Isa. 48:17, 18) Kur arsyetojmë rreth parimeve të Biblës duke vënë në punë mendjen e zemrën, ne ndreqim, drejtojmë dhe modelojmë ndërgjegjen tonë. Kjo si rezultat na ndihmon të marrim vendime të mençura.

LEJO TË TË UDHËHEQIN PARIMET E PERËNDISË

10. Çfarë janë parimet, dhe si i përdori me efektshmëri Jezui?

10 Një parim është një e vërtetë ose doktrinë themelore, që përdoret si bazë për të arsyetuar ose për të vepruar. Të kuptosh një parim përfshin të kuptosh mënyrën si mendon Ligjdhënësi dhe arsyet pse ka dhënë ligje specifike. Gjatë gjithë shërbimit të tij, Jezui mësoi të vërteta bazë për t’i ndihmuar dishepujt të dallonin pasojat që kanë qëndrime dhe veprime të caktuara. Për shembull, ai mësoi se mllefi mund të çojë në dhunë dhe se epshi mund të çojë në kurorëshkelje. (Mat. 5:21, 22, 27, 28) Që të kemi një ndërgjegje të stërvitur siç duhet, ne duhet të lejojmë që të na udhëheqin parimet hyjnore, e kështu t’i japim lavdi Perëndisë.​—1 Kor. 10:31.

Një i krishterë i pjekur është i ndjeshëm ndaj ndërgjegjes së të tjerëve (Shih paragrafët 11, 12.)

11. Si mund të ndryshojë ndërgjegjja e njërit nga ajo e tjetrit?

11 Dy të krishterë me ndërgjegje të stërvitur sipas Biblës, mund të nxjerrin përfundime krejt të ndryshme për disa çështje. Të marrim përdorimin e pijeve alkoolike. Bibla nuk e dënon përdorimin me masë të alkoolit. Por ama na paralajmëron kundër pirjes me tepri të alkoolit dhe kundër dehjes. (Prov. 20:1; 1 Tim. 3:8) A do të thotë kjo se, për sa kohë që pi me masë alkool, një i krishterë nuk duhet të mbajë parasysh asnjë faktor tjetër? Jo. Ndonëse vetë mund ta ketë ndërgjegjen të qetë, ai duhet të mbajë parasysh edhe ndërgjegjen e të tjerëve.

12. Si mund të na nxitin fjalët e Romakëve 14:21 që të respektojmë ndërgjegjen e të tjerëve?

12 Pavli tregoi sa e nevojshme është që një i krishterë të jetë i ndjeshëm ndaj ndërgjegjes së të tjerëve, kur shkroi: «Është mirë të mos hash mish, të mos pish verë a të mos bësh asgjë, për të cilën yt vëlla pengohet.» (Rom. 14:21) A do të ishe i gatshëm të hiqje dorë nga disa gjëra që janë e drejta jote, në mënyrë që të mos pengosh një vëlla që ka ndërgjegje të ndryshme nga e jotja? Pa dyshim që po. Para se të njihnin të vërtetën, disa nga vëllezërit tanë abuzonin me alkoolin, por tani janë të vendosur të mos vënë asnjë pikë në gojë. Sigurisht, askush nga ne nuk do të donte ta shtynte një vëlla të binte prapë në një ves që do ta dëmtonte rëndë! (1 Kor. 6:9, 10) Prandaj, një mikpritës nuk do të tregonte dashuri nëse një vëlla e ka refuzuar pijen alkoolike dhe ai i bën presion të pijë.

13. Si la një shembull të mirë Timoteu duke çuar para veprën e Mbretërisë?

13 Nga fundi i adoleshencës ose në fillim të të 20-ave, Timoteu i ri pranoi të bënte rrethprerjen e dhimbshme, për të mos penguar judenjtë të cilëve do t’u predikonte. Qëndrimi i tij ishte i ngjashëm me atë të apostullit Pavël. (Vep. 16:3; 1 Kor. 9:19-23) A je edhe ti i gatshëm si Timoteu të bësh sakrifica personale për të mirën e të tjerëve?

‘SULU DREJT PJEKURISË’

14, 15. (a) Ç’duhet të bëjmë që të përparojmë në pjekuri? (b) Si lidhet shfaqja e dashurisë për të tjerët me pjekurinë e krishterë?

14 Të gjithë të krishterët duhet të dëshirojnë ‘të lënë prapa doktrinën fillestare lidhur me Krishtin’ dhe ‘të sulen drejt pjekurisë’. (Hebr. 6:1) Kjo nuk ndodh automatikisht. Duhet ‘të sulemi’ drejt saj, domethënë të vazhdojmë të punojmë për këtë. Të përparojmë në pjekuri përfshin të rritemi pareshtur në njohuri dhe gjykim të thellë. Ja pse kemi marrë shpesh inkurajimin që të lexojmë çdo ditë një fragment nga Bibla. (Psal. 1:1-3) A ia ke vënë këtë synim vetes? Falë këtij leximi, mund të fitosh gjykim më të thellë për ligjet dhe parimet e Jehovait e ta kuptosh akoma më thellë Fjalën e Perëndisë.

15 Ligji më i rëndësishëm për të krishterët është ligji i dashurisë. Jezui u tha dishepujve të tij: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Jakovi, gjysmëvëllai i Jezuit, e quajti dashurinë ‘ligji mbretëror’. (Jak. 2:8) Pavli tha: «Dashuria është përmbushja e ligjit.» (Rom. 13:10) Nuk çuditemi që vihet kaq shumë theksi te dashuria, sepse Bibla thotë se «Perëndia është dashuri». (1 Gjon. 4:8) Dashuria e Perëndisë nuk pasqyrohet thjesht te ndjenjat. Gjoni shkroi: «Perëndia e shfaqi dashurinë e tij ndaj nesh, duke dërguar Birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të fitonim jetën nëpërmjet tij.» (1 Gjon. 4:9) Po, dashuria e motivoi Perëndinë të vepronte. Kur e tregojmë me vepra dashurinë për Jehovain dhe Birin e tij, për vëllezërit tanë, si edhe për të tjerët, japim prova të pjekurisë së krishterë.​—Mat. 22:37-39.

Ndërsa arsyetojmë për parimet hyjnore, ndërgjegjja jonë bëhet një busull më e besueshme (Shih paragrafin 16.)

16. Pse parimet marrin më shumë rëndësi për ne ndërsa përparojmë në pjekurinë e krishterë?

16 Dora-dorës që përparon në pjekurinë e krishterë, do të vëresh se parimet marrin më shumë rëndësi për ty. Ndodh kështu ngaqë ligjet mund të zbatohen për një situatë specifike, kurse parimet gjejnë zbatim shumë më të gjerë. Për shembull, një fëmijë i vogël nuk i kupton rreziqet e shoqërisë së keqe, prandaj prindi me aftësi dalluese vë rregulla për ta mbrojtur. (1 Kor. 15:33) Por kur fëmija fillon të piqet, aftësia e tij për të menduar zhvillohet dhe është në gjendje të arsyetojë për parimet e bazuara në Bibël. Kështu mund të marrë vendime gjithnjë e më të mençura për zgjedhjen e shoqërisë. (Lexo 1 Korintasve 13:11; 14:20.) Kur arsyetojmë për parimet hyjnore, ndërgjegjja jonë bëhet një busull gjithnjë e më e besueshme, e sinkronizuar me mënyrën si mendon Perëndia.

17. Pse mund të themi se kemi atë që na nevojitet për të marrë vendime të mençura?

17 A kemi gjithçka që na nevojitet për të marrë vendime të mençura që e kënaqin Jehovain? Po. Duke i përdorur me mjeshtëri ligjet dhe parimet që përmban Fjala e Perëndisë, do të jemi ‘krejtësisht të zotë, plotësisht të pajisur për çdo vepër të mirë’. (2 Tim. 3:16, 17) Ndaj përpiqu të gjesh parimet biblike, me qëllim që ‘të dallosh se cili është vullneti i Jehovait’. (Efes. 5:17) Shfrytëzoji mirë mjetet për studim që janë siguruar me anë të kongregacionit të krishterë, si Treguesi i Botimeve Watch Tower, Mjet kërkimesh në botimet e Dëshmitarëve të Jehovait, Biblioteka Watchtower, BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower dhe aplikacioni JW Library. Këto mjete janë bërë enkas për të na ndihmuar të nxjerrim sa më shumë dobi nga studimi personal dhe familjar.

NDËRGJEGJJA E STËRVITUR SIPAS BIBLËS SJELL BEKIME

18. Çfarë bekimesh vijnë kur veprojmë sipas ligjeve dhe parimeve të Jehovait?

18 Kur ndjekim parimet dhe ligjet e Jehovait shijojmë bekime, siç tregon Psalmi 119:97-100: «Oh, sa e dua ligjin tënd! Gjithë ditën e mbaj mendjen atje. Urdhërimet e tua më bëjnë më të mençur se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua. Kam fituar gjykim të thellë më shumë se tërë mësuesit e mi, ngaqë e mbaj mendjen te përkujtuesit e tu. Sillem më me mend se të moshuarit, se zbatoj urdhrat e tu.» Nëse lëmë kohë të bluajmë ose ‘të mbajmë në mendje’ ligjet dhe parimet e Perëndisë, veprimet tona mund të pasqyrojnë gjithnjë e më shumë mençuri, gjykim të thellë dhe kuptueshmëri. Me përpjekje të zellshme, ne mund të arrijmë «masën e shtatit të plotë të Krishtit» ndërsa lejojmë që ndërgjegjja jonë të stërvitet nga ligjet dhe parimet e Perëndisë.​—Efes. 4:13.