Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ai mund të kish gëzuar miratimin e Perëndisë

Ai mund të kish gëzuar miratimin e Perëndisë

NE I shërbejmë Jehovait dhe duam miratimin e tij, apo jo? Por kujt ia jep Perëndia miratimin dhe bekimet e tij? Disa në kohët biblike gëzuan miratimin e tij edhe pse kishin kryer më parë mëkate të rënda. Të tjerë që kishin cilësi për t’u admiruar nuk e fituan miratimin e Perëndisë. Prandaj ndoshta pyesim: «Çfarë kërkon Jehovai para së gjithash te secili nga ne?» Shembulli i Rehoboamit, mbretit të Judës, mund të na ndihmojë të gjejmë përgjigjen.

NJË FILLIM I DOBËT

Babai i Rehoboamit ishte Solomoni, që mbretëroi 40 vjet në Izrael. (1 Mbret. 11:42) Solomoni vdiq në vitin 997 p.e.s. Pas kësaj Rehoboami udhëtoi për në veri, nga Jerusalemi në Sikem, që të mirosej mbret. (2 Kron. 10:1) Mos vallë ishte në merak nëse do të ecte dot në gjurmët e Solomonit, që njihej për mençurinë e pashoqe? Ndoshta Rehoboamit as i shkonte ndër mend se aftësia e tij për të zgjidhur çështje të koklavitura do të vihej në provë pas pak.

Rehoboami duhet të ketë vërejtur se atmosfera në Izrael ishte tepër e tensionuar. Më pas, disa përfaqësues të popullit shkuan tek ai dhe ia thanë shkoqur hallin që i mundonte: «Ati yt na vuri një zgjedhë të rëndë. Ti tani na e lehtëso punën e rëndë që na ngarkoi ai dhe zgjedhën e rëndë që na vuri, e ne do të të shërbejmë.»​—2 Kron. 10:3, 4.

Rehoboami mund të jetë ndier ngushtë, si në një udhë pa krye. Po t’i plotësonte kërkesat e popullit, atëherë ai, familja dhe oborrtarët e tij duhej të shkurtonin shpenzimet për ca gjëra luksi e të kërkonin më pak nga populli. Nga ana tjetër, po të refuzonte, populli mund të rebelohej. Ç’do të bënte? Mbreti i ri u këshillua në fillim me pleqtë që kishin qenë këshilltarët e Solomonit. Mirëpo pastaj Rehoboami kërkoi këshilla nga më të rinjtë, nga ata të moshës së tij. Duke ndjekur këshillën e tyre, Rehoboami vendosi ta trajtonte ashpër popullin. Ai dha këtë përgjigje: «Unë do ta bëj zgjedhën tuaj më të rëndë dhe do ta rëndoj edhe më shumë. Im atë ju ndëshkoi me fshikull, kurse unë do t’ju ndëshkoj me kamxhik.»​—2 Kron. 10:6-14.

A dallon te kjo histori një mësim për ne sot? S’ka dyshim se shpesh është e mençur t’ua vëmë veshin më të moshuarve që kanë fituar pjekuri në udhën e së vërtetës. Me përvojën që kanë mbi supe, ata mund të dallojnë rezultatin e mundshëm të një vendimi, e kështu të na japin këshilla të mira.​—Jobi 12:12.

«ATA IU BINDËN FJALËS SË JEHOVAIT»

Në përgjigje të revoltës, Rehoboami mobilizoi ushtrinë e tij. Mirëpo Jehovai ndërhyri nëpërmjet profetit Shemajah dhe u tha: «Mos dilni të luftoni kundër vëllezërve tuaj, bijve të Izraelit. Secili të kthehet në shtëpinë e vet, sepse këtë gjë e kam bërë unë.»​—1 Mbret. 12:21-24. *

Pra, të mos kundërpërgjigjej fare?! Mund ta imagjinojmë sa shumë do ta ketë trazuar kjo Rehoboamin! Ç’do të mendonte populli për një mbret që kërcënonte t’i ndëshkonte nënshtetasit e vet «me kamxhik», por pak më vonë dorëzohej para rebelimit të tyre flagrant? (Krahaso 2 Kronikave 13:7.) Gjithsesi, mbreti dhe ushtria e tij «iu bindën fjalës së Jehovait dhe u kthyen në shtëpi ashtu siç u kishte thënë Jehovai».

Çfarë mësimi nxjerrim ne sot? Është gjë e mençur t’i bindemi Perëndisë, edhe sikur të tjerët të na tallin për këtë. Bindja ndaj Perëndisë sjell miratimin e tij dhe bekime.​—Ligj. 28:2.

Cili qe rezultati në rastin e Rehoboamit? Pasi u bind duke hequr dorë nga plani për të luftuar kundër kombit të sapoformuar, ai u përqendrua te ndërtimi i qyteteve në territoret e fisit të Judës dhe të Beniaminit, mbi të cilat mbretëronte ende. Gjithashtu, përforcoi «shumë» një numër të madh qytetesh. (2 Kron. 11:5-12) Ç’është më e rëndësishmja, ndoqi me besnikëri për njëfarë kohe ligjet e Jehovait. Teksa mbretëria 10-fisëshe e Izraelit me mbret Jeroboamin fundosej në idhujtari, shumë veta nga ajo mbretëri «mbështetnin Rehoboamin», duke udhëtuar për në Jerusalem që të merrnin anën e adhurimit të vërtetë. (2 Kron. 11:16, 17) Kështu, bindja e Rehoboamit e forcoi mbretërinë e tij.

MËKATI​—DHE NJËFARË PENDIMI

Mirëpo, kur mbretëria e tij ishte bërë e patundur, Rehoboami bëri diçka befasuese. Braktisi ligjin e Jehovait për të përkrahur adhurimin pagan! Po përse? Mos ndoshta u ndikua nga e ëma, që ishte amonite? (1 Mbret. 14:21) Cilatdo qofshin arsyet, kombi në tërësi ndoqi gjurmët e tij. Si pasojë, Jehovai lejoi që mbreti i Egjiptit, Shishaku, të zaptonte shumë qytete të Judës, edhe pse Rehoboami i kishte fortifikuar!​—1 Mbret. 14:22-24; 2 Kron. 12:1-4.

Situata arriti në një pikë kritike kur Shishaku mbërriti në Jerusalem, ku mbretëronte Rehoboami. Në atë moment, profeti Shemajah u dha këtë mesazh nga Perëndia Rehoboamit dhe princave të tij: «Ju më keni lënë mua, prandaj edhe unë ju kam lënë ju në dorë të Shishakut.» Si reagoi Rehoboami ndaj këtij mesazhi disiplinues? Në një mënyrë që meriton të lavdërohet! Bibla thotë: «Princat e Izraelit dhe mbreti u përulën dhe thanë: ‘Jehovai është i drejtë.’» Si rrjedhojë, Jehovai i shpëtoi nga shkatërrimi Rehoboamin dhe Jerusalemin.​—2 Kron. 12:5-7, 12.

Pas kësaj, Rehoboami vazhdoi të qeveriste mbi mbretërinë jugore. Para se të vdiste, ai u dha bujarisht dhurata bijve të tij të shumtë, me sa duket për t’i prerë rrugën ndonjë revolte kundër Abijahut, që ishte vëllai i tyre dhe pasuesi i tij në fron. (2 Kron. 11:21-23) Me këtë veprim, Rehoboami tregoi deri diku një mençuri që nuk e kishte shfaqur më parë.

SHEMBULL I MIRË APO I KEQ?

Pavarësisht nga meritat që kishte, Rehoboami nuk e fitoi miratimin e Perëndisë. Bibla e përmbledh me këto fjalë mbretërimin e tij: «Ai bëri atë që ishte e keqe.» Pse? Sepse «nuk ishte plotësisht i vendosur në zemër për të kërkuar Jehovain».​—2 Kron. 12:14.

Ndryshe nga mbreti David, Rehoboami nuk kultivoi një lidhje të ngushtë me Jehovain

Mendo pak çfarë nënkuptonte kjo: Rehoboami iu bind disa herë Perëndisë. Gjithashtu, bëri disa gjëra të mira për kombin e Jehovait. Ama, nuk kultivoi një lidhje të ngushtë me Jehovain ose një dëshirë të zjarrtë për ta kënaqur. Si pasojë, kreu mëkate dhe ra në kurthin e adhurimit të rremë. Ndoshta pyesim veten: «Në rastet kur Rehoboami reagoi mirë ndaj ndreqjes hyjnore, a e nxiti vërtet pendimi i sinqertë dhe dëshira për të kënaqur Perëndinë? Apo veproi kryesisht i ndikuar nga të tjerët?» (2 Kron. 11:3, 4; 12:6) Më vonë gjatë jetës, Rehoboami iu kthye rrugës së keqe. Sa shumë ndryshonte nga gjyshi i tij, mbreti David! Vërtet, Davidi bëri gabime, por jeta e tij u karakterizua nga dashuria për Jehovain, nga përkushtimi ndaj adhurimit të vërtetë dhe nga pendimi me gjithë zemër për mëkatet e tij.​—1 Mbret. 14:8; Psal. 51:1, 17; 63:1.

Pa dyshim që mund të nxjerrim një mësim nga shembulli i Rehoboamit. Është diçka e lavdërueshme të plotësojmë nevojat materiale të familjes dhe të përpiqemi të realizojmë gjëra me vlerë. Ama, për të gëzuar miratimin e Perëndisë, duhet që mbi gjithçka të mbështetim adhurimin e vërtetë dhe të qëndrojmë të patundur në të.

Që ta arrijmë këtë, duhet të bëjmë çmos të ushqejmë pareshtur një dashuri të thellë për Jehovain. Ashtu siç e mbajmë ndezur zjarrin duke i hedhur dru, duhet ta mbajmë ndezur dashurinë për Perëndinë me anë të studimit të rregullt të Fjalës së tij, meditimit për atë që lexojmë dhe lutjeve ngulmuese. (Psal. 1:2; Rom. 12:12) Pastaj dashuria për Jehovain do të na ngjallë dëshirën ta kënaqim në çdo gjë që bëjmë. Ajo do të na nxitë që​—po të jetë hera-herës e nevojshme—​të pendohemi me gjithë zemër. Ndryshe nga Rehoboami, ne do të qëndrojmë të palëkundur në adhurimin e vërtetë.​—Jud. 20, 21.

^ par. 9 Për shkak të jobesnikërisë së Solomonit, Perëndia kishte treguar tashmë se mbretëria do të ndahej.​—1 Mbret. 11:31.