Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Le të ndriçojë drita juaj» për t’i dhënë lavdi Jehovait

«Le të ndriçojë drita juaj» për t’i dhënë lavdi Jehovait

«Le të ndriçojë drita juaj para njerëzve, që . . . t’i japin lavdi Atit tuaj.»​—MAT. 5:16.

KËNGËT: 77, 59

1. Cilën arsye të fortë kemi për të gëzuar?

SA DRITHËRUESE është kur dëgjon për rritjen që ndodh mes popullit të Jehovait! Vitin e kaluar u drejtuan rregullisht mbi 10.000.000 studime biblike. Kjo tregon pa pikë dyshimi se shërbëtorët e Perëndisë po e lënë dritën e tyre të ndriçojë! Mendo edhe për miliona të interesuar që mirëpritëm në Përkujtim. Ata patën mundësi të mësonin për dashurinë që shfaqi Perëndia kur siguroi shpërblesën.​—1 Gjon. 4:9.

2, 3. (a) Cili hendek nuk na pengon ‘të shkëlqejmë si ndriçues’? (b) Në harmoni me fjalët e Jezuit te Mateu 5:14-16, çfarë do të shqyrtojmë?

2 Anë e kënd botës, shërbëtorët e Jehovait flasin shumë gjuhë të ndryshme. Megjithatë, kjo nuk na pengon ta lëvdojmë në unitet Atin tonë, Jehovain. (Zbul. 7:9) Pavarësisht nga gjuha amtare ose nga vendi ku jetojmë, ne mund të shkëlqejmë «si ndriçues në botë».​—Filip. 2:15.

3 Rritja që vërejmë, uniteti që gëzojmë dhe qëndrimi vigjilent që përpiqemi të mbajmë, janë që të gjitha mënyra si i japim lavdi Jehovait. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si ta arrijmë këtë.​—Lexo Mateun 5:14-16.

OFRO FTESËN

4, 5. (a) Përveçse të marrim pjesë në predikim, në ç’mënyrë tjetër mund ta lëmë dritën tonë të ndriçojë? (b) Çfarë dobish mund të vijnë kur sillemi me dashamirësi? (Shih figurën hapëse.)

4 «Askush nuk mund të jetë i besueshëm dhe besnik ndaj Zotërisë në këto ditë që kanë mbetur . . . nëse nuk shfrytëzon mundësinë që ta lërë dritën e vet të ndriçojë.» Ky ishte një koment në artikullin «Dritë në errësirë», i botuar në Kullën e Rojës të 1 qershorit 1925. Më tej artikulli shpjegonte: «Këtë duhet ta bëjë duke u dhënë lajmin e mirë banorëve të tokës dhe duke jetuar në harmoni me udhët e dritës.» Pra, një mënyrë si e lëmë dritën tonë të ndriçojë është duke predikuar lajmin e mirë dhe duke bërë dishepuj. (Mat. 28:19, 20) Veç kësaj, mund t’i japim lavdi Jehovait me sjelljen tonë të krishterë. Njerëzit në territor dhe kalimtarët e vërejnë sjelljen tonë. Buzëqeshja jonë miqësore dhe përshëndetja e ngrohtë, tregojnë shumë se kush jemi dhe ç’lloj Perëndie adhurojmë.

5 Jezui u tha dishepujve të tij: «Kur të hyni në shtëpi, përshëndetini ata të shtëpisë.» (Mat. 10:12) Në zonën ku predikonin shpesh Jezui dhe apostujt, ishte gjë e zakonshme që njerëzit t’i ftonin në shtëpi të panjohurit. Sot në shumë vende nuk është më ky zakon. Gjithsesi, sjellja jote miqësore e pozitive ndërsa i shpjegon të zotit të shtëpisë arsyen pse ke trokitur, shpesh mund t’ia fashitë shqetësimin ose t’ia zbutë acarimin. Një buzëqeshje e ngrohtë shpesh është hyrja më e mirë. Është vërejtur se kjo vlen edhe në rastet kur vëllezërit e motrat marrin pjesë në dëshminë publike me stenda. Teksa merr pjesë në këtë formë shërbimi, mund të vëresh se njerëzit zakonisht reagojnë mirë ndaj një buzëqeshjeje dhe përshëndetjeje të ngrohtë. Kjo mund t’i nxitë të afrohen dhe të marrin një nga botimet tona. Sjellja dashamirëse mund të të ndihmojë edhe të hapësh një bisedë.

6. Si e zgjeruan shërbimin një çift i moshuar?

6 Një çift i moshuar në Angli vuajnë nga probleme shëndetësore që i kufizojnë shumë në shërbimin shtëpi më shtëpi. Kështu, vendosën ta lënë dritën e tyre të ndriçojë pranë shtëpisë. Ata ekspozojnë në një tryezë disa botime biblike në kohën kur prindërit venë të marrin fëmijët në një shkollë aty afër. Shumë vetave u është ngjallur kureshtja dhe kanë marrë librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 1 dhe 2, si edhe disa broshura. Një pioniere nga kongregacioni i tyre u bashkua me ta në këtë iniciativë për të dhënë dëshmi. Sjellja e saj miqësore dhe përpjekjet e sinqerta me gjithë shpirt të çiftit e nxitën një prind të pranonte studim biblik.

7. Si mund t’i ndihmosh të sapoardhurit në zonën tënde?

7 Vitet e fundit, në shumë vende ka pasur një fluks refugjatësh. Ç’mund të bësh që t’i ndihmosh këta refugjatë të njohin Jehovain dhe qëllimin e tij? Si fillim, pse të mos mësosh një përshëndetje në gjuhët që flasin shumë të sapoardhur në zonën tënde? Aplikacioni JW Language është një mjet që mund të të ndihmojë për këtë. Veç kësaj, pse të mos mësosh ca shprehje që mund t’u ngjallin interes? Pastaj mund t’i drejtosh te siti jw.org e t’u tregosh larminë e videove dhe të botimeve në gjuhën e tyre.​—Ligj. 10:19.

8, 9. (a) Çfarë ndihme praktike marrim në mbledhjet e mesjavës? (b) Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që të marrin pjesë në mbledhje?

8 Jehovai na siguron me dashuri mbledhjen Jeta dhe shërbimi, që të bëhemi më të efektshëm në shërbim. Udhëzimet praktike që jepen në këtë mbledhje, ndihmojnë që shumë prej nesh të ndihen më të sigurt kur bëjnë rivizita dhe drejtojnë studime biblike.

9 Shumë të sapoardhurve u ka rënë në sy se fëmijët tanë marrin pjesë në mbledhje. Prindër, ndihmojini fëmijët ta lënë dritën e tyre të ndriçojë duke i mësuar të komentojnë me fjalët e veta. Disa të sapointeresuar e kanë dalluar tingullin e së vërtetës falë komenteve të thjeshta nga zemra të fëmijëve.​—1 Kor. 14:25.

NXIT UNITETIN

10. Si e nxit unitetin adhurimi familjar?

10 Një mënyrë tjetër si ta lësh dritën tënde të ndriçojë, është duke nxitur unitetin në familje dhe në kongregacion. Një ndër mënyrat si mund ta bëjnë prindërit këtë është duke u organizuar që të mbajnë rregullisht Adhurimin Familjar. Shumë familje përfshijnë një ditë gjatë muajit JW Broadcasting. Pasi shihni programin, pse të mos lini kohë për të diskutuar si t’i zbatoni pikat kryesore që u paraqitën? Kur mban adhurimin familjar, prindi duhet të mbajë parasysh se drejtimi që i nevojitet një fëmije ka shumë të ngjarë të jetë i ndryshëm nga ai që i nevojitet një adoleshenti. Si prind, bëji aplikime të përshtatshme materialit të studimit, që të nxjerrë dobi çdo pjesëtar i familjes.​—Psal. 148:12, 13.

Të tregosh interes për të moshuarit është shumë zemërdhënëse (Shih paragrafin 11.)

11-13. Si mund të nxitë secili nga ne unitetin në kongregacion dhe t’i ndihmojë të tjerët ta lënë dritën e tyre të ndriçojë?

11 Nëse je një fëmijë ose i ri i krishterë, si mund të nxitësh unitetin në kongregacion, e kështu t’i inkurajosh të tjerët ta lënë dritën e tyre të ndriçojë? Pse të mos vësh si synim të tregosh interes për të moshuarit? Me respekt mund t’u kërkosh të tregojnë diçka që kanë përballuar gjatë viteve të shërbimit. Kjo do të të japë shumë zemër, dhe qoftë ti qoftë ata do të ndiheni akoma më të motivuar që ta lini dritën e së vërtetës të shkëlqejë. Veç kësaj, secili nga ne mund të bëjë përpjekje të mirëpresë ata që ndjekin mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Kështu do të nxitësh unitetin, dhe vizitorëve mund t’u zgjohet dëshira që edhe ata ta lënë dritën e tyre të ndriçojë. Mund të përpiqesh, për shembull, t’i përshëndetësh vizitorët me një buzëqeshje miqësore, e ndoshta edhe t’i ndihmosh të gjejnë një vend. Mundohu t’i prezantosh me të tjerët e t’i bësh të ndihen si në shtëpi.

12 Nëse je caktuar të drejtosh një mbledhje për shërbim, mund të bësh shumë për t’i ndihmuar të moshuarit të përfshihen në shërbim. A kanë një territor të përshtatshëm? Në disa raste, ndoshta mund t’i caktosh në shërbim me një lajmëtar të ri në moshë që mund t’i mbështetë fizikisht. Gjithashtu, mund të tregohesh mirëkuptues ndaj atyre me probleme shëndetësore dhe me rrethana që i kufizojnë. Konsiderata dhe aftësia jote dalluese mund t’i ndihmojë të gjithë, pavarësisht nga mosha ose nga përvoja në shërbim, që ta predikojnë me zell lajmin e mirë.​—Lev. 19:32.

13 Psalmistit i dolën nga zemra këto fjalë: «Sa mirë dhe sa bukur është që vëllezërit të banojnë së bashku në unitet!» (Lexo Psalmin 133:1, 2.) Kur ishin së bashku, izraelitët nxirrnin shumë dobi nga ndikimi i mirë i të tjerëve që adhuronin Jehovain. Uniteti mes tyre ishte si vaji i mirosjes, me aromë të këndshme dhe freskues. Ndaj, ji i vendosur të kesh ndikim pozitiv te vëllezërit dhe motrat e tua, duke nxitur unitetin mes tyre. Nëse po e bën tashmë këtë, të lumtë! A mund ‘të zgjerohesh’, domethënë të shoqërohesh nga afër me më shumë bashkëbesimtarë e ta bësh këtë më shpesh?​—2 Kor. 6:11-13.

14. Si mund ta lësh dritën tënde të ndriçojë në zonën ku jeton?

14 Ndërkohë, a mund të bësh më shumë përpjekje që të lësh të ndriçojë drita e së vërtetës biblike në zonën ku jeton? Fjalët dhe veprat e tua dashamirëse ka shumë mundësi t’i tërheqin drejt së vërtetës fqinjët e tu. Pyet veten: «Si më shohin fqinjët? A i mbaj të rregullta shtëpinë dhe vendin përreth, duke i dhënë pamje më dinjitoze zonës ku banoj? A marr iniciativën të tregohem i gjindshëm ndaj të tjerëve?» Gjatë bisedave me Dëshmitarë të tjerë, pse të mos i nxitësh me lezet që të tregojnë si ka ndikuar dashamirësia dhe sjellja e tyre e mirë te të afërmit, fqinjët, shokët e punës a të shkollës? Ka shumë të ngjarë të dëgjosh disa histori inkurajuese.​—Efes. 5:9.

QËNDRO VIGJILENT

15. Pse është jetike të qëndrojmë vigjilentë?

15 Qëndrimi ynë del në pah te përpjekjet që bëjmë për ta lënë dritën tonë të shkëlqejë akoma më fort. Jezui i nxiti sa e sa herë dishepujt e tij: «Qëndroni vigjilentë.» (Mat. 24:42; 25:13; 26:41) Natyrisht, nëse mendojmë se ‘shtrëngimi i madh’ është mjaft larg, se do të vijë një ditë por jo gjatë jetës sonë, do të na mungojë ndjenja e urgjencës në veprën e predikimit. (Mat. 24:21) Në vend që drita jonë të shndritë fort në zonën ku jetojmë, ajo do të jetë e mekët, e madje mund të fiket fare.

16, 17. Ç’mund të bësh që të qëndrosh vigjilent?

16 Ndërsa këto kohë kritike sa vijnë e keqësohen, të gjithë kemi nevojë të qëndrojmë vigjilentë. Jehovai do të veprojë tamam në kohën e duhur. Për këtë nuk ka pikë dyshimi. (Mat. 24:42-44) Ndërkohë, trego durim duke qenë gjithmonë syçelë. Lexoje çdo ditë Fjalën e Perëndisë dhe ji vigjilent në lidhje me lutjet. (1 Pjet. 4:7) Kushtoju vëmendje shembujve të shkëlqyer të vëllezërve e motrave, që rrezatojnë gëzim ngaqë po qëndrojnë vigjilentë dhe po e lënë dritën e tyre të ndriçojë. Një shembull i bukur është jetëshkrimi «Shtatëdhjetë vjet që kam kapur cepin e rrobës së një judeu», që doli në Kullën e Rojës të 15 prillit 2012, faqet 18-21.

17 Mbushe jetën tënde me aktivitete dhe shoqëri inkurajuese. Kjo do të bëhet burim i madh gëzimi, dhe do të të duket sikur koha po fluturon. (Efes. 5:16) Një shekull më parë, vëllezërit tanë punuan plot zell dhe arritën të bëjnë shumë. Por ne sot po bëjmë shumë më tepër të udhëhequr nga dora e Jehovait. Po e lëmë dritën tonë të shkëlqejë në një masë që as do ta kishim imagjinuar më parë.

Vizitat baritore na japin mundësinë të kërkojmë mençuri nga Fjala e Perëndisë (Shih paragrafët 18, 19.)

18, 19. Si mund të na ndihmojnë pleqtë e kongregacionit të jemi vigjilentë dhe të zellshëm? Ilustrojeni.

18 Sa na e forcon besimin fakti që papërsosmëria jonë nuk është pengesë që t’i shërbejmë Jehovait në mënyrë të pranueshme! Prandaj duhet t’i çmojmë ‘dhuratat në njerëz’ që ka siguruar Ai, pleqtë e kongregacionit. (Lexo Efesianëve 4:8, 11, 12.) Herën tjetër që do të të vizitojë një plak, shfrytëzoje rastin për të nxjerrë dobi nga mençuria dhe nga këshillat e tij.

19 Dy pleq në Angli shkuan për vizitë te një çift i martuar që kishin probleme dhe që kërkuan ndihmën e tyre. Gruaja ndihej se ishte në një zgjedhë të pabarabartë në adhurimin e Jehovait si çift. Burri pranoi se nuk ishte mësues aq i mirë dhe nuk organizonte një adhurim familjar të rregullt. Pleqtë ia drejtuan vëmendjen çiftit te shembulli i Jezuit. Ai kujdesej për dishepujt e tij dhe mbante parasysh nevojat e tyre. Pleqtë e nxitën burrin të imitonte Jezuin. Ndërsa gruan e inkurajuan të ishte e duruar. Gjithashtu, pleqtë i dhanë çiftit disa sugjerime praktike se si të bashkëpunonin për të bërë adhurimin familjar me dy fëmijët e tyre. (Efes. 5:21-29) Kohë më vonë, pleqtë e lavdëruan burrin për përpjekjet e tij. E inkurajuan të mos hiqte dorë dhe të mbështetej te fryma e shenjtë për ta ndihmuar të bëhej një kryefamiljar që merr drejtimin siç duhet në adhurim. Interesimi dhe mbështetja e tyre e dashur e kanë ndihmuar këtë familje ta lënë dritën e tyre të ndriçojë.

20. Çfarë mund të presësh ndërsa e lë dritën tënde të ndriçojë?

20 «Lum kush i frikësohet Jehovait dhe ecën në udhët e tij!»​—këndoi psalmisti. (Psal. 128:1) Ndërsa e lë dritën tënde të ndriçojë​—duke i ftuar të tjerët t’i shërbejnë Perëndisë, duke u sjellë në një mënyrë që nxit unitetin dhe duke qëndruar vigjilent—​do të provosh më shumë lumturi. Të tjerët do t’i shohin veprat e tua të shkëlqyera, dhe shumë veta do të motivohen t’i japin lavdi Atit tonë.​—Mat. 5:16.