Si të mbrohemi nga një kurth satanik
NDËRSA izraelitët e lashtë gatiteshin të kalonin lumin Jordan dhe të hynin në tokën që u kishte premtuar Perëndia, ia behën disa vizitore. Ishin gra të huaja që i ftuan burrat në një gosti. Mbase kjo dukej si një mundësi e rrallë. Të zije miq të rinj, të kërceje dhe të haje ushqime të shijshme mund të ishte goxha tërheqëse. Ndonëse zakonet dhe vlerat morale të atyre grave nuk ishin siç e udhëzonte Ligji i Perëndisë Izraelin, disa burra izraelitë mund të kenë menduar: «Nuk do të na gjejë gjë. Do të tregohemi të kujdesshëm.»
Si rrodhën ngjarjet? Shkrimet e frymëzuara thonë: «Populli filloi të kurvërohej me bijat e Moabit.» Ato gra në realitet donin që burrat izraelitë të adhuronin perënditë e rreme. Dhe ashtu ndodhi! Me të drejtë, «Jehovait iu ndez zemërimi kundër Izraelit».—Ata izraelitë e thyen Ligjin e Perëndisë në dy mënyra: u përkulën para idhujve dhe bënë imoralitet seksual. Mijëra veta vdiqën si pasojë e mosbindjes. (Dal. 20:4, 5, 14; Ligj. 13:6-9) Çfarë e bëri akoma më të dhimbshme atë tragjedi? Koha kur ndodhi. Sikur ata burra të mos e kishin thyer Ligjin e Perëndisë, mijëra izraelitët që vdiqën do ta kishin kaluar pas pak Jordanin e do të kishin hyrë në Tokën e Premtuar.—Num. 25:5, 9.
Apostulli Pavël shkroi për ato ngjarje: «Këto gjëra u ndodhnin atyre si shembuj dhe u shkruan si një paralajmërim për ne, mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve.» (1 Kor. 10:7-11) Pa dyshim, Satanai u kënaq sa s’ka që disa izraelitë kryen mëkat të rëndë, e si pasojë nuk u lejuan të hynin në Tokën e Premtuar. Sa e mençur është ta marrim seriozisht këtë paralajmërim, pasi e dimë se ajo që do ta kënaqte mbi gjithçka Satanain është të na pengojë të hyjmë në botën e re të Perëndisë!
NJË KURTH I RREZIKSHËM
Satanai orvatet t’i zërë pre shërbëtorët e Perëndisë me anë të taktikave që e di se kanë funksionuar me shumë veta. Siç e pamë më sipër, me izraelitët përdori marrëdhëniet imorale. Në kohën tonë, imoraliteti mbetet një kurth i rrezikshëm. Një taktikë e fuqishme që mund të na futë në grackën e imoralitetit është pornografia.
Sot pornografia shpesh mund të shihet pa e marrë vesh të tjerët. Dekada më parë, dikujt që donte të shihte pornografi mund t’i duhej të shkonte në kinema për të parë filma të papërshtatshëm ose në një librari vetëm për të rritur që të blinte materiale pornografike. Ka shumë të ngjarë që mjaft veta rrinin larg këtyre vendeve nga turpi se mos i shihte njeri. Kurse sot dikush që ka Internet mund të shohë pornografi në punë ose edhe në një makinë të parkuar. E në shumë vende, një burrë a një grua mund të shohë pornografi pa dalë fare nga shtëpia.
Dhe nuk mbaron me kaq. Pajisjet elektronike ua kanë bërë më të lehtë njerëzve të shohin pornografi. Ndërsa ecin rrugës ose udhëtojnë me autobusë a trena, ata mund të shohin pamje imorale në ekranin e një pajisjeje elektronike.
Tani që dikush e ka më kollaj të shohë pornografi dhe ta fshehë këtë fakt, pornografia po dëmton shumë më tepër njerëz se dikur. Sa e sa shikues të pornografisë dëmtojnë martesën, dinjitetin dhe ndërgjegjen e tyre. E ç’është më e keqja, rrezikojnë të shkatërrojnë miqësinë me Perëndinë. S’ka pikë dyshimi se pornografia i dëmton ata që e shohin. Në shumë raste, ajo hap plagë të thella emocionale. Këto plagë mund të shërohen dalëngadalë, ama ndonjëherë lënë vraga që nuk hiqen.
Por të mos harrojmë se Jehovai na siguron mbrojtje nga ky kurth satanik. Që të kemi mbrojtjen e Jehovait, duhet të bëjmë atë që nuk bënë burrat izraelitë në lashtësi—‘t’i bindemi pikë për pikë’ atij. (Dal. 19:5) Duhet të mbajmë në mendje se Perëndia e urren thellësisht pornografinë. Pse e themi këtë?
URREJE—SIÇ E URREN JEHOVAI
Mendo pak për këtë: në botën e lashtë, ligjet që i dha Perëndia kombit të Izraelit ishin unike. Ashtu si një mur, ato mund të shërbenin për ta ndarë Izraelin nga popujt përreth e nga praktikat e tyre të fëlliqura. (Ligj. 4:6-8) Ato ligje bënë të qartë një të vërtetë shumë të rëndësishme: Jehovai e urren imoralitetin seksual.
Kur renditi gjërat e degjeneruara që bënin kombet fqinje, Jehovai u tha izraelitëve: «Mos bëni siç bëjnë në Kanaan, ku po ju çoj. . . . Vendi është i papastër, dhe unë do ta ndëshkoj për fajin e tij.» Për Perëndinë e shenjtë të Izraelit, jeta e kananitëve ishte aq e ndyrë, sa vendi ku jetonin ishte bërë i papastër, i ndotur.—Edhe pse Jehovai i ndëshkoi kananitët, kishte të tjerë që vazhduan të praktikonin imoralitetin seksual. Mbi 1.500 vjet më vonë, Pavli tha se kombet ku jetonin të krishterët nuk kishin më «asnjë ndjesi morale». Në fakt, «ata u dhanë pas sjelljes së shthurur [të pacipë] për të bërë me lakmi ndyrësi të çdo lloji». (Efes. 4:17-19) Edhe sot shumë njerëz bëjnë imoralitet në mënyrë të pacipë. Adhuruesit e vërtetë duhet të shmangin sa më shumë të jetë e mundur shikimin e veprimeve imorale të njerëzve të botës.
Pornografia është një mungesë skandaloze respekti ndaj Perëndisë. Ai i krijoi njerëzit sipas shëmbëlltyrës së tij, në ngjashmëri me të, e u dha një ndjenjë të brendshme se çfarë është e hijshme e çfarë jo. Me mençuri, Perëndia vuri kufij të arsyeshëm për marrëdhëniet seksuale. Ai donte që ato të kishin një rol të dobishëm e të kënaqshëm në martesë. (Zan. 1:26-28; Prov. 5:18, 19) Por, çfarë bëjnë ata që prodhojnë dhe nxitin shikimin e pornografisë? Shpërfillin hapur normat morale të Perëndisë. Po, njerëzit që përhapin e nxitin pornografinë e fyejnë rëndë Jehovain. Perëndia do t’i gjykojë ata që i shpërfillin normat e tij duke prodhuar e nxitur shikimin e materialeve imorale.—Rom. 1:24-27.
Po ata që lexojnë ose shohin me dashje pornografi? Disa ndoshta mendojnë se është zbavitje e padëmshme. Por në realitet po mbështetin ata që shpërfillin normat e Jehovait. Ndoshta s’kishin këtë qëllim kur nisën të shihnin pornografi. Ama, Shkrimet e bëjnë të qartë se adhuruesit e Perëndisë së vërtetë duhet ta urrejnë thellësisht pornografinë. Bibla nxit: «Ju që doni Jehovain, urreni të keqen.»—Psal. 97:10.
Jer. 17:9) Sidoqoftë, shumë veta që janë bërë shërbëtorë të Perëndisë e kanë fituar këtë betejë. Ky fakt mund të të japë zemër nëse po bën një luftë të ngjashme. Shiko si mund të të ndihmojë Fjala e Perëndisë të shmangësh pornografinë, këtë kurth të Satanait.
Por, edhe ata që duan ta shmangin shikimin e pornografisë, mund ta kenë të vështirë këtë. Jemi të papërsosur dhe mund të na duhet të luftojmë për t’u rezistuar dëshirave seksuale të papastra. Veç kësaj, zemra jonë e papërsosur mund të orvatet të gjejë ndonjë mënyrë për t’i bërë bisht ligjit të Perëndisë. (MOS I USHQE DËSHIRAT IMORALE
Siç u përmend më sipër, shumë izraelitë lejuan që dëshirat e gabuara t’i çonin drejt katastrofës. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe sot. Ja si e përshkroi këtë rrezik Jakovi, gjysmëvëllai i Jezuit: ‘Secili . . . tërhiqet dhe joshet nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin.’ (Jak. 1:14, 15) Pasi një dëshirë e paligjshme rritet deri në njëfarë pike brenda zemrës, ka shumë gjasa që ai person do të mëkatojë. Prandaj duhet t’i flakim tej mendimet imorale, nuk duhet t’i bluajmë në mendje.
Nëse të joshin mendime të papastra, vepro në çast. Jezui tha: «Nëse dora ose këmba po të bëhet pengesë, prite dhe flake tej. . . . Gjithashtu, nëse syri po të bëhet pengesë, hiqe dhe flake tej.» (Mat. 18:8, 9) Jezui nuk po thoshte se duhet të dëmtojmë veten fizikisht. Ai po ilustronte sa e nevojshme është të heqim shkakun e mendimeve të gabuara—shpejt dhe me vendosmëri. Si ta zbatojmë këtë këshillë kur është fjala për pornografinë?
Nëse ndesh befas materiale pornografike, mos mendo: «Nuk do të më gjejë gjë.» Largoji sytë menjëherë. Fike televizorin në çast. Mbylle kompjuterin ose pajisjen elektronike në moment. Përqendrohu te gjëra të pastra. Duke vepruar kështu do t’i kesh nën kontroll mendimet e tua, në vend se të lejosh të të kenë nën kontroll dëshirat e gabuara.
PO KUJTIMET E MBETURA NGA ZBAVITJET IMORALE?
Po nëse ia ke dalë mbanë të mos shohësh më pornografi, por herë pas here të kujtohen disa pamje që ke parë? Imazhet ose mendimet pornografike mund të ngelen në mendje për një kohë të gjatë. Ato mund të rishfaqen befas. Nëse ndodh kështu, mund të ndiesh impulsin të bësh diçka të papastër, si për shembull t’i dorëzohesh vesit të masturbimit. Prandaj, mbaje parasysh se mendime të tilla mund të kthehen papritur dhe ji i përgatitur t’i luftosh.
Forco vendosmërinë që t’i vësh në harmoni mendimet dhe veprimet e tua me vullnetin e Perëndisë. Imito apostullin Pavël, që ishte i gatshëm ‘ta rrihte me grushte trupin e tij dhe ta drejtonte si një skllav’. (1 Kor. 9:27) Mos lejo që dëshirat e papastra të të bëjnë skllavin e tyre. ‘Shndërrohu, duke përtërirë mendjen tënde, që të vërtetosh se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.’ (Rom. 12:2) Mos harro: të mendosh e të veprosh sipas vullnetit të Perëndisë sjell kënaqësi shumë më të thellë sesa t’u bindesh impulseve mëkatare.
Të mendosh e të veprosh sipas vullnetit të Perëndisë sjell kënaqësi shumë më të thellë sesa t’u bindesh impulseve mëkatare
Përpiqu të mësosh përmendsh vargje nga Bibla. Pastaj, kur të të vijnë në mendje mendime të gabuara, detyroje veten të mendosh për ato shkrime. Vargje të tilla, si Psalmi 119:37, Isaia 52:11, Mateu 5:28, Efesianëve 5:3, Kolosianëve 3:5 dhe 1 Selanikasve 4:4-8 do të të ndihmojnë t’i përputhësh mendimet e tua me pikëpamjen e Jehovait për pornografinë dhe me atë që pret nga ti.
Po nëse në ndonjë rast dëshira që të shohësh a të mendosh gjëra imorale bëhet gati e papërballueshme? Ndiq me kujdes gjurmët e Shembullit tonë, Jezuit. (1 Pjet. 2:21) Pasi Jezui u pagëzua, Satanai vazhdoi ta tundonte. Çfarë bëri Jezui? Vazhdoi të rezistonte. Duke përdorur shkrime njëri pas tjetrit, i hodhi poshtë tundimet që i vuri para Satanai. Ai tha: «Ik tutje, Satana!» dhe Satanai u largua prej tij. Ashtu si Jezui që nuk u dorëzua kurrë në luftën kundër Djallit, edhe ti nuk duhet të dorëzohesh. (Mat. 4:1-11) Satanai dhe bota e tij do të vazhdojnë të përpiqen që ta mbushin mendjen tënde me mendime imorale, por mos u dorëzo në këtë luftë. Ti mund ta fitosh betejën kundër pornografisë. Me ndihmën e Jehovait, mund ta mposhtësh armikun tënd.
LUTJU JEHOVAIT, DHE BINDJU ATIJ
Mbështetu pa rezerva te Jehovai me anë të lutjeve. Pavli tha: «Bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja. . . . Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filip. 4:6, 7) Paqja e Perëndisë ta bën më të lehtë luftën kundër mëkatit. Nëse afrohesh me Jehovain, ‘ai do të të afrohet’.—Jak. 4:8.
Mbrojtja më e shkëlqyer nga çdo kërcënim është të kesh pranë Sovranin e universit. Jezui tha: «Sundimtari i kësaj bote [Satanai] po vjen. Ai nuk ka pushtet mbi mua.» (Gjoni 14:30) Pse ishte kaq i sigurt Jezui? Në një rast, ai shpjegoi: «Ai që më dërgoi, është me mua dhe nuk më ka lënë vetëm, sepse bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij.» (Gjoni 8:29) Ndërsa bën edhe ti gjërat që i pëlqejnë Jehovait, ai nuk do të të lërë kurrë vetëm. Shmange kurthin e pornografisë, dhe Satanai nuk do të ketë asnjë pushtet mbi ty.