Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 26

‘Kthehu tek unë’

‘Kthehu tek unë’

«Kthehuni tek unë, dhe unë do të kthehem te ju.»—MAL. 3:7.

KËNGA 102 «Ndihmoni të dobëtit»

PËRMBLEDHJE *

1. Si ndihet Jehovai kur një nga delet e tij kthehet tek ai?

SIÇ e pamë në artikullin e kaluar, Jehovai e krahason veten me një bari të mirë që kujdeset me dashuri për secilën nga delet e tij. Veç kësaj kërkon cilëndo që humb rrugën. Jehovai u tha izraelitëve që ishin larguar prej tij: «Kthehuni tek unë, dhe unë do të kthehem te ju.» E dimë se Jehovai ndihet njësoj edhe sot, sepse ai vetë thotë: «Unë nuk ndryshoj.» (Mal. 3:6, 7) Jezui tha se Jehovai dhe engjëjt provojnë gëzim të thellë kur qoftë edhe një nga shërbëtorët e Tij që është larguar, kthehet tek Ai.—Luka 15:10, 32.

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Le të shqyrtojmë tri ilustrime të Jezuit ku gjejmë mësime të rëndësishme si t’i ndihmojmë ata që nuk i shërbejnë më Jehovait. Do të ndalemi te disa cilësi që na nevojiten për t’i ndihmuar delet e humbura të kthehen tek ai. Gjithashtu, do të shohim pse ia vlen çdo përpjekje për t’i ndihmuar ata që janë të dobët.

KËRKOJE MONEDHËN E HUMBUR

3-4. Pse gruaja e përmendur te Luka 15:8-10 e kërkoi me aq kujdes drahmën e saj të humbur?

3 Duhet të përpiqemi me të gjitha forcat për t’i gjetur ata që duan të kthehen te Jehovai. Në një ilustrim që gjendet tek Ungjilli i Lukës, Jezui tregon për një grua, e cila kërkon një monedhë të çmuar që i ka humbur—një drahmë. Ky ilustrim përqendrohet te kërkimi i monedhës.—Lexo Lukën 15:8-10.

4 Jezui përshkruan si ndihet gruaja kur e gjen drahmën e çmuar që i kishte humbur. Me sa duket, në kohën e Jezuit, disa nëna judeje i jepnin vajzës një koleksion prej dhjetë drahmash ditën e dasmës. Ndoshta ajo monedhë ishte pjesë e një koleksioni të tillë. Gruas i shkon mendja se monedha mund të ketë rënë në dysheme. Prandaj ndez një llambë dhe kërkon rreth e rrotull, por nuk sheh gjë. Llamba e saj mbase nuk bën aq dritë sa të dallojë monedhën e vogël prej argjendi. Si përfundim, ajo e fshin me kujdes tërë shtëpinë. Aty, mes pluhurave të mbledhura është drahma e çmuar që rrëzëllen nga drita e llambës. Çfarë lehtësimi! Ajo mbledh shoqet e fqinjat e saj dhe u jep sihariqin.

5. Pse duhen përpjekje të palodhura për t’i gjetur ata që janë larguar nga kongregacioni?

5 Siç e kuptojmë nga ilustrimi i Jezuit, kërkohen përpjekje të palodhura për të gjetur diçka që ka humbur. Po njësoj, mund të na duhet të përpiqemi fort për të gjetur ata që janë larguar nga kongregacioni. Mbase ka vite të tëra që nuk shoqërohen më me ne. Disa edhe mund të jenë transferuar diku tjetër ku vëllezërit nuk i njohin. Gjithsesi, s’ka dyshim se tani disa nga këta joaktivë duan me gjithë shpirt të kthehen te Jehovai. Dëshirojnë t’i shërbejnë Jehovait me familjen e adhuruesve të tij, por kanë nevojë për ndihmën tonë.

6. Si mund të ndihmojnë të gjithë në kongregacion në kërkimin e joaktivëve?

6 Kush mund të ndihmojë në kërkimin e joaktivëve? Të gjithë ne—pleq, pionierë, pjesëtarë të familjes dhe lajmëtarë—mund të ndihmojmë për t’i gjetur. A ke ndonjë shok a të afërm që është bërë joaktiv? A ke takuar ndonjë joaktiv në predikimin shtëpi më shtëpi ose në dëshminë publike? Çfarë duhet të bësh në një rast të tillë? Mund t’i shpjegosh që nëse ka dëshirë t’i bëhet një vizitë, me kënaqësi mund t’u japësh pleqve të kongregacionit adresën ose numrin e tij të telefonit.

7. Çfarë mëson nga ajo që thotë një plak me emrin Tomas?

7 Cilët hapa mund të bëjnë pleqtë në veçanti për të gjetur ata që duan të kthehen te Jehovai? Të shohim çfarë thotë Tomasi, * një plak që jeton në Spanjë. Ai ka ndihmuar më shumë se 40 Dëshmitarë të kthehen në kongregacion. Tomasi tregon: «Në fillim, pyes vëllezër e motra të ndryshëm nëse e dinë se ku jetojnë tani motrat e vëllezërit joaktivë. Ose pyes lajmëtarët nëse u vjen ndër mend dikush që nuk i ndjek më mbledhjet. Shumica në kongregacion ndihmojnë me kënaqësi, sepse ndihen të përfshirë në kërkim. Më vonë, kur u shkoj për vizitë motrave a vëllezërve joaktivë, i pyes për fëmijët dhe të afërmit e tyre. Disa e kishin zakon t’i merrnin fëmijët me vete në mbledhje, dhe këta fëmijë mund të kenë qenë dikur lajmëtarë. Edhe këta mund t’i ndihmojmë të kthehen te Jehovai.»

KTHEJI BIJTË E BIJAT E JEHOVAIT QË KANË HUMBUR

8. Në ilustrimin te Luka 15:17-24 për djalin e humbur, si e trajtoi babai djalin e tij të penduar?

8 Cilat cilësi na nevojiten për të ndihmuar ata që duan të kthehen te Jehovai? Të shohim disa mësime që mund të nxjerrim nga ilustrimi i Jezuit për djalin e humbur që iku nga shtëpia. (Lexo Lukën 15:17-24) Jezui tregon se, si përfundim, djalit i erdhën mendtë dhe vendosi të kthehej në shtëpi. Babai vrapoi ta takonte djalin dhe e përqafoi me ngrohtësi për ta siguruar se e donte. Djalin e trazonte ndërgjegjja dhe ndihej i padenjë të quhej biri i tij. Babai ndjeu empati për të birin që i zbrazi zemrën. Pastaj bëri hapa praktikë që ta siguronte të birin se ishte i mirëpritur në shtëpi, jo si shërbëtor, por si pjesëtar i shtrenjtë i familjes. Si provë të kësaj, babai organizoi një festë dhe i dha rrobat më të mira djalit të penduar.

9. Cilat cilësi duhet të kemi për t’i ndihmuar joaktivët të kthehen te Jehovai? (Shih kutinë « Si t’i ndihmojmë ata që duan të kthehen».)

9 Jehovai është si babai në atë ilustrim. Ai i do motrat dhe vëllezërit tanë joaktivë dhe dëshiron të kthehen tek ai. E ne mund t’i ndihmojmë të kthehen, nëse imitojmë Jehovain. Kjo kërkon të tregojmë durim, empati dhe dashuri. Pse duhet të shfaqim tamam këto cilësi, dhe si mund ta bëjmë këtë?

10. Pse na nevojitet durim për ta ndihmuar dikë të afrohet sërish me Jehovain?

10 Kemi nevojë të jemi të duruar, sepse duhet kohë që dikush të kthehet te Jehovai. Mjaft nga ata që dikur ishin joaktivë, e pranojnë se u deshën shumë vizita nga pleqtë dhe të tjerë në kongregacion që të fillonin t’i shërbenin Jehovait sërish. Nensi, një motër nga Azia Juglindore, shkruan: «Një shoqe e ngushtë në kongregacion më ndihmoi jashtë mase. Më donte si të ishte motra ime e madhe. Më sillte ndër mend kohët e bukura që kishim kaluar bashkë. Më dëgjonte me durim ndërsa i shprehja si ndihesha dhe nuk ngurronte të më jepte këshilla. Ajo tregoi se ishte mike e vërtetë, gati të më ndihmonte në çdo kohë.»

11. Pse nevojitet empati për të qetësuar ndjenjat e lënduara?

11 Empatia është si një balsam qetësues; ajo ka fuqi të shërojë ndjenjat e lënduara. Disa janë bërë joaktivë ngaqë i lëndoi dikush në kongregacion dhe kanë luftuar për vite me ndjenjat e mërisë. Këto ndjenja ia kanë zënë frymën dëshirës për t’u kthyer te Jehovai. Disa mund të mendojnë se i kanë trajtuar padrejtësisht. Ata mund të kenë nevojë për dikë që t’i dëgjojë dhe të kuptojë si ndihen. (Jak. 1:19) Maria, që dikur ishte joaktive, thotë: «Kisha nevojë për një mik që të më dëgjonte me vëmendje, një krah ku të mbështetesha e të derdhja lot dhe një dorë që të më udhëhiqte e të më ndihmonte.»

12. Ilustroni si mund t’i tërheqë dashuria e Jehovait joaktivët që të kthehen te populli i tij.

12 Bibla e krahason dashurinë e Jehovait për shërbëtorët e tij me një kordon ose litar. Në ç’kuptim është si një litar dashuria e Perëndisë? Mendo për këtë ilustrim: imagjino sikur po mbytesh në një det të egërsuar dhe dikush nga një varkë aty pranë të hedh një kamerdare. Pa dyshim që je mirënjohës për këtë ndihmë, sepse ta bën më të lehtë luftën për të qëndruar mbi ujë. Megjithatë, një kamerdare nuk mjafton për të mbijetuar. Uji është akull i ftohtë dhe nuk do t’ia dalësh po të mos arrish te varka. Ke nevojë që dikush të të hedhë një litar e të të tërheqë drejt varkës. Jehovai tha për izraelitët që ishin larguar nga ai: «I tërhiqja . . . me kordonët e dashurisë.» (Hoz. 11:4) Sot Perëndia ndihet njësoj për ata që nuk i shërbejnë më dhe që po mbyten nga hallet dhe ankthi. Ai dëshiron që ta dinë se i do dhe dëshiron t’i tërheqë drejt vetes. E për t’ua shprehur këtë dashuri, Jehovai mund të të përdorë ty.

13. Tregoni një rast që ilustron sa fuqi ka dashuria vëllazërore.

13 Është e rëndësishme t’i sigurojmë joaktivët se Jehovai i ka për zemër e se edhe ne i kemi për zemër. Pablo, që u përmend në artikullin e kaluar, ishte joaktiv për më shumë se 30 vjet. Ai thotë: «Një mëngjes kur po dilja nga shtëpia, më takoi një motër e dashur e moshuar dhe më foli me shumë përzemërsi. Fillova të qaja si fëmijë. M’u duk sikur e kishte dërguar Jehovai të më fliste. Pikërisht në atë moment vendosa të kthehesha te Jehovai.»

NDIHMOJI ME DASHURI TË DOBËTIT

14. Sipas ilustrimit te Luka 15:4, 5, çfarë bën bariu pasi e gjen delen e humbur?

14 Joaktivët kanë nevojë t’i ndihmojmë e t’i inkurajojmë vazhdimisht. Ashtu si djali i humbur në ilustrimin e Jezuit, mund të kenë plagë të thella emocionale. Gjithashtu ka shumë të ngjarë t’u jetë dobësuar marrëdhënia me Jehovain, ngaqë kanë qenë në botën e Satanait. Duhet t’i ndihmojmë që të forcojnë besimin te Jehovai. Në ilustrimin për delen e humbur, Jezui tregon se bariu e vë mbi supe delen dhe e kthen te kopeja. Bariu tashmë ka harxhuar kohë dhe energji për ta gjetur delen e humbur. Por ai e kupton se është e nevojshme edhe ta mbajë mbi supe për ta kthyer te vatha, ngaqë ajo nuk ka fuqi të kthehet vetë.—Lexo Lukën 15:4, 5.

15. Si mund t’i ndihmojmë të dobëtit që duan të kthehen te Jehovai? (Shih kutinë « Një botim i çmuar».)

15 Mund të jetë e nevojshme të shpenzojmë shumë kohë dhe energji për të ndihmuar disa joaktivë të mposhtin dobësitë e tyre. Por me anë të frymës së Jehovait, Fjalës së tij dhe botimeve që siguron organizata, mund t’i ndihmojmë të forcojnë marrëdhënien me Jehovain. (Rom. 15:1) Si mund ta bëjmë këtë? Një plak me përvojë thotë: «Pasi vendosin se duan vërtet të kthehen te Jehovai, shumica e joaktivëve kanë nevojë për një studim të Biblës.» * Në rast se pleqtë të kërkojnë të studiosh me një joaktiv, pranoje me kënaqësi këtë caktim nëse ke mundësi. I njëjti plak shton: «Lajmëtari që drejton studimin duhet të jetë një mik i mirë, me të cilin joaktivi mund të flasë hapur.»

GËZIM NË QIELL DHE GËZIM NË TOKË

16. Nga e dimë se kemi mbështetjen e engjëjve në shërbim?

16 Ka shumë shembuj që tregojnë se engjëjt shërbejnë përkrah nesh për të na ndihmuar të gjejmë joaktivët që duan me gjithë zemër të kthehen te Jehovai. (Zbul. 14:6) Për shembull, Silvio nga Ekuadori po lutej me zjarr për ndihmë që të kthehej në kongregacion. Akoma nuk kishte mbaruar lutjen, kur ra zilja e derës. Ishin dy pleq kongregacioni. Gjatë vizitës ata filluan t’i jepnin me kënaqësi ndihmën që i nevojitej për t’u kthyer te Jehovai.

17. Çfarë shpërblimi marrim kur ndihmojmë joaktivët?

17 Do të gjejmë shumë gëzim ndërsa ndihmojmë joaktivët të kthehen te Jehovai. Ja çfarë thotë Salvadori, një pionier që bën përpjekje të veçanta të ndihmojë joaktivët: «Ka raste që mezi i mbaj lotët e gëzimit. Më bëhet zemra mal kur mendoj se Jehovai shpëtoi një nga delet e tij të shtrenjta nga bota e Satanait dhe se unë pata privilegjin të bashkëpunoja me Të.»—Vep. 20:35.

18. Nëse je joaktiv, për çfarë mund të jesh i sigurt?

18 Nëse nuk shoqërohesh më me popullin e Perëndisë, ji i sigurt se Jehovai akoma të do. Ai dëshiron të kthehesh tek ai. Vërtet, duhet të bësh disa hapa për t’u kthyer. Por si babai në ilustrimin e Jezuit, Jehovai rri syçelë duke pritur të kthehesh dhe do të të mirëpresë krahëhapur në shtëpi.

KËNGA 103 Barinjtë, dhurata në njerëz

^ par. 5 Jehovai dëshiron që ata që nuk shoqërohen më me kongregacionin, të kthehen tek ai. Ne mund të bëjmë shumë për t’i inkurajuar ata që duan ta pranojnë ftesën e Jehovait: ‘Kthehu tek unë.’ Në këtë artikull do të shqyrtojmë si mund t’i ndihmojmë të kthehen.

^ par. 7 Disa emra kanë ndryshuar.

^ par. 15 Për disa joaktivë mund të jetë e dobishme të studiojnë pjesë nga libri ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’, kurse të tjerë kanë nxjerrë dobi duke shqyrtuar disa kapituj nga libri T’i afrohemi Jehovait. Komiteti i Shërbimit i Kongregacionit vendos se kush nga lajmëtarët është më i përshtatshëm për të drejtuar një studim të tillë.

^ par. 68 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Tre vëllezër të ndryshëm ndihmojnë një vëlla që dëshiron të kthehet te Jehovai. E bëjnë këtë duke komunikuar rregullisht me të, duke e siguruar se Jehovai dhe vëllezërit e duan dhe duke e dëgjuar me mirëkuptim.