Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 23

«U shenjtëroftë emri yt»

«U shenjtëroftë emri yt»

«O Jehova, emri yt do të qëndrojë përgjithmonë!»—PSAL. 135:13.

KËNGA 10 Të lëvdojmë Jehovain, Perëndinë tonë!

PËRMBLEDHJE *

1-2. Cilat çështje kanë rëndësi të madhe për Dëshmitarët e Jehovait?

SOT gjendemi para çështjeve tepër të rëndësishme—shfajësimi i sovranitet të Jehovait dhe shenjtërimi i emrit të tij. Si Dëshmitarë të Jehovait, ndiejmë kënaqësi kur flasim për këto çështje jetësore. Sidoqoftë, për ne sovraniteti i Perëndisë dhe shenjtërimi i emrit të tij nuk janë dy çështje të shkëputura nga njëra-tjetra.

2 Të gjithë e kemi kuptuar se emri i Perëndisë duhet pastruar nga sharjet. Kemi mësuar edhe se çdo njeri duhet ta dijë se mënyra si qeveris Jehovai është më e mira. Pra, të dyja këto çështje meritojnë respektin dhe vëmendjen tonë.

3. Çfarë përfshin emri i Jehovait?

3 Në të vërtetë, emri i Jehovait nënkupton çdo gjë që ka të bëjë me Perëndinë tonë, duke përfshirë mënyrën si qeveris. Pra, kur themi se pastrimi i emrit të Jehovait nga çdo sharje është çështja më e rëndësishme, po themi edhe se të gjithë duhet ta dinë që mënyra si qeveris ai është më e mira. Emri i Jehovait lidhet ngushtë me mënyrën si qeveris ai si Sovrani i plotfuqishëm.—Shih kutinë « Aspekte të një çështjeje jetësore».

4. Çfarë thotë Psalmi 135:13 për emrin e Perëndisë, dhe cilat pyetje do të marrim përgjigje në këtë artikull?

4 Emri i Jehovait është unik. (Lexo Psalmin 135:13.) Pse është kaq i rëndësishëm emri i Perëndisë? Cila ishte shpifja e parë kundër emrit të tij? Si e shenjtëron Perëndia emrin e vet? Dhe si mund të bëjmë pjesën tonë për ta mbrojtur emrin e Perëndisë? Le t’u përgjigjemi një nga një këtyre pyetjeve.

RËNDËSIA QË KA NJË EMËR

5. Cila pyetje mund të na lindë kur flitet për shenjtërimin e emrit të Perëndisë?

5 «U shenjtëroftë emri yt!» (Mat. 6:9) Jezui tha se kjo duhet të jetë një nga kërkesat më të rëndësishme në lutjet tona. Por, çfarë kuptimi kanë fjalët e Jezuit? Të shenjtërosh diçka do të thotë ta bësh të shenjtë ose të pastër. Mirëpo disa mund të pyesin: «Përderisa emri i Jehovait është i shenjtë dhe i pastër, pse duhet shenjtëruar?» Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të mendojmë se çfarë përfshin një emër.

6. Pse ka vlerë të madhe një emër?

6 Një emër nuk është thjesht një fjalë që shqiptohet ose që shkruhet në letër. Vër re çfarë thotë Bibla: «Më mirë të bësh emër të mirë, se pasuri të madhe.» (Prov. 22:1; Ekl. 7:1) Pse ka kaq shumë vlerë një emër? Sepse emri përfshin reputacionin, çfarë mendojnë të tjerët për personin që mban atë emër. Pra ajo që ka më shumë rëndësi, nuk është mënyra si shkruhet a si shqiptohet një emër; ajo që ka vërtet rëndësi, është kë dhe çfarë paraqet ai emër në mendjet e në zemrat e të tjerëve.

7. Si e kanë sulmuar njerëzit emrin e Perëndisë?

7 Kur njerëzit thonë gënjeshtra për Jehovain, sulmojnë reputacionin e tij. E kur sulmojnë reputacionin e tij, përpiqen të njollosin emrin e tij. Sulmi i parë kundër emrit dhe reputacionit të Perëndisë u bë në fillimet e historisë njerëzore. Le të shohim çfarë mësojmë nga ai sulm.

SHPIFJA E PARË KUNDËR EMRIT TË PERËNDISË

8. Çfarë dinin Adami dhe Eva, dhe cilat pyetje lindin?

8 Adami dhe Eva e dinin se Perëndia e ka emrin Jehova dhe dinin shumë të vërteta jetësore për të. E njihnin si Krijuesi, si Ai që u dha jetën, shtëpinë e bukur parajsore dhe një martesë të përsosur. (Zan. 1:26-28; 2:18) Por a do të vazhdonin ta përdornin mendjen e tyre të përsosur që të meditonin për gjithë sa u kishte dhuruar Jehovai? A do të vazhdonin ta ushqenin dashurinë dhe mirënjohjen për Personin që përfaqëson ky emër? Këto pyetje morën përgjigje kur i sprovoi armiku i Perëndisë.

9. Sipas Zanafillës 2:16, 17 dhe 3:1-5, çfarë urdhri i dha Jehovai çiftit të parë, dhe si e shtrembëroi të vërtetën Satanai?

9 Lexo Zanafillën 2:16, 17 dhe 3:1-5. Satanai përdori një gjarpër për të folur me Evën dhe e pyeti: «Vërtet ka thënë Perëndia që të mos hani nga çdo pemë e kopshtit?» Kjo pyetje përmbante një gënjeshtër tinëzare, si helm i fshehur. Në të vërtetë, Perëndia kishte thënë se ata mund të hanin nga çdo pemë, me përjashtim të njërës. Kushedi nga sa lloje pemësh mund të shijonin Adami dhe Eva—një larmi e pafund. (Zan. 2:9) S’ka asnjë dyshim se Jehovai është bujar. Adami dhe Eva kishin marrë urdhrin të mos hanin vetëm nga një pemë që kishte përcaktuar Ai. Pra, pyetja e Satanait shtrembëroi të vërtetën. Satanai u shpreh në një mënyrë që dukej sikur Perëndia nuk ishte bujar. Kështu Eva mund të ketë pyetur veten: «Mos po më mban ndonjë gjë të mirë Perëndia?»

10. Si shpifi haptas Satanai kundër emrit të Perëndisë, dhe cila ishte pasoja?

10 Në atë moment, Eva e shihte akoma Jehovain si Sovranin e saj. Ajo iu përgjigj Satanait duke përsëritur urdhrin e qartë të Perëndisë dhe shtoi se nuk duhej madje as ta preknin pemën. Eva e dinte paralajmërimin e Perëndisë se mosbindja do t’u sillte vdekjen. Mirëpo Satanai ia ktheu: «Ju s’keni për të vdekur aspak.» (Zan. 3:2-4) Kësaj here gënjeshtra e Satanait nuk ishte tinëzare. Ai shpifi haptas kundër emrit të Perëndisë, duke i thënë me fjalë të tjera Evës se Jehovai është gënjeshtar. Kështu Satanai u bë një djall, domethënë një shpifës. Eva u mashtrua plotësisht dhe i zuri besë Satanait. (1 Tim. 2:14) Ajo i besoi më shumë atij sesa Jehovait. Kjo e çoi drejt vendimit më të keq që mund të merrte: vendosi të mos i bindej Perëndisë. Eva hëngri nga fryti i pemës që Jehovai kishte urdhëruar të mos e hante. Pastaj i dha edhe Adamit.—Zan. 3:6.

11. Si mund të kishin vepruar prindërit tanë të parë, por çfarë nuk bënë ata?

11 Mendo për një çast se çfarë duhej t’i kishte thënë Eva Satanait. Imagjino sikur t’i kishte thënë diçka të tillë: «Ty nuk të njoh kush je, ama Atin tim, Jehovain, e njoh. Dhe e dua e kam besim tek ai. Gjithçka që kemi unë dhe Adami, na e ka dhënë Jehovai. Si guxon të thuash diçka të keqe për të?! Shporru tutje!» Sa do t’ia gëzonin zemrën Jehovait fjalë të tilla që tregonin besnikërinë e një bije të dashur! (Prov. 27:11) Mirëpo Eva nuk kishte dashuri besnike për Jehovain, e as Adami nuk udhëhiqej nga kjo cilësi. Ngaqë nuk kishin një dashuri të tillë për Atin e tyre, Adami dhe Eva nuk e mbrojtën emrin e tij nga shpifjet.

12. Si mbolli dyshime Satanai në mendjen e Evës, dhe çfarë nuk bënë Adami dhe Eva?

12 Siç e pamë, Satanai së pari mbolli dyshime në mendjen e Evës. E shtyu të dyshonte ç’lloj personi është Jehovai. Pas kësaj, Adami dhe Eva nuk e mbrojtën emrin dhe reputacionin e Jehovait. Kështu u bënë pre e lehtë e intrigës së Satanait që sugjeroi të rebeloheshin kundër Atit të tyre. Sot Satanai përdor taktika të ngjashme. Ai sulmon emrin e Jehovait duke shpifur për të. Kur njerëzit i besojnë gënjeshtrat e Satanait, është më e lehtë ta hedhin poshtë qeverisjen e drejtë të Jehovait.

JEHOVAI E SHENJTËRON EMRIN E TIJ

13. Si del në pah tek Ezekieli 36:23 mesazhi kryesor i Biblës?

13 A i toleron Jehovai këto shpifje pa bërë asgjë që të mbrohet? Aspak! Krejt Bibla përqendrohet tek ajo që ka bërë Jehovai për ta pastruar emrin e vet nga akuzat e hedhura kundër tij në Eden. (Zan. 3:15) Në fakt, mesazhi kryesor i Biblës mund të përmblidhet kështu: Jehovai e shenjtëron emrin e tij dhe rivendos drejtësinë e paqen në tokë nëpërmjet Mbretërisë së drejtuar nga Biri i tij. Bibla përmban informacione që na ndihmojnë të kuptojmë çfarë bën Jehovai për ta shenjtëruar emrin e tij.—Lexo Ezekielin 36:23.

14. Si është shenjtëruar emri i Jehovait nga mënyra si ka reaguar Ai ndaj rebelimit në Eden?

14 Satanai s’ka lënë gur pa luajtur që ta pengojë Jehovain të realizojë qëllimin e Tij. Megjithatë, Satanai ka dështuar pareshtur. Shkrimet tregojnë si ka vepruar Jehovai dhe japin prova se ai është Sovrani dhe Ati më i shkëlqyer. Vërtet, rebelimi i Satanait dhe i gjithë atyre që marrin anën e tij, i ka sjellë shumë dhimbje Jehovait. (Psal. 78:40) Gjithsesi, ai e ka përballuar këtë sulm kundër emrit të tij me mençuri, durim dhe drejtësi. Gjithashtu ka treguar në sa e sa mënyra se ka fuqi të pakufishme. Mbi të gjitha, çdo gjë që bën Jehovai rrezaton dashuri. (1 Gjon. 4:8) Jehovai ka punuar pa pushim për ta shenjtëruar emrin e tij.

Satana Djalli i tha Evës një gënjeshtër për Jehovain, dhe gjatë shekujve ka vazhduar të shpifë kundër Perëndisë (Shih paragrafët 9-10, 15) *

15. Si e përlyen me shpifje Satanai emrin e Perëndisë, dhe çfarë pasojash sjell kjo?

15 Satanai vazhdon ta përlyejë me shpifje emrin e Perëndisë. Me dredhi, u ngjall njerëzve dyshime nëse Perëndia është vërtet i fuqishëm, i drejtë, i mençur dhe i dashur. Për shembull, Satanai përpiqet t’u mbushë mendjen se Jehovai nuk është Krijuesi. E kur ata besojnë se ka Perëndi, përpiqet t’i bindë se Perëndia është i padrejtë dhe ka standarde tepër kufizuese. Satanai madje mëson se Jehovai është një Perëndi i pashpirt dhe mizor që i djeg njerëzit në një ferr të zjarrtë. Kur i besojnë këto shpifje, ka më shumë gjasa të bëjnë hapin tjetër—ta hedhin poshtë qeverisjen e drejtë të Jehovait. Derisa të shfaroset, Satanai do ta vazhdojë fushatën e shpifjeve, e do të të vërë në shënjestër edhe ty. A do t’ia dalë të të largojë nga Jehovai?

ROLI YT NË ÇËSHTJEN JETËSORE

16. Cilën gjë që nuk bënë Adami dhe Eva mund të bësh ti?

16 Jehovai u jep mundësi njerëzve të papërsosur të ndihmojnë në shenjtërimin e emrit të tij. Ti, pra, mund të bësh atë që nuk bënë Adami dhe Eva. Ndonëse je i rrethuar nga njerëz që blasfemojnë e shpifin kundër emrit të Jehovait, ke mundësinë të mbrosh të vërtetën—domethënë që Jehovai është i shenjtë, i drejtë, i mirë dhe i dashur. (Isa. 29:23) Ti mund të tregosh se dëshiron që Ai të jetë Sovrani yt. Mund t’i ndihmosh të tjerët të kuptojnë se vetëm mënyra si qeveris Jehovai është plotësisht e drejtë dhe vetëm ajo do të sjellë paqe e lumturi për gjithë krijesat.—Psal. 37:9, 37; 146:5, 6, 10.

17. Si e bëri të njohur Jezui emrin e Atit të tij?

17 Kur mbrojmë emrin e Jehovait, imitojmë shembullin e Jezu Krishtit. (Gjoni 17:26) Jezui e bëri të njohur emrin e Atit të tij jo vetëm duke e përdorur atë emër, por edhe duke mbrojtur reputacionin e Jehovait. Për shembull, ai tregoi sa gabim e kishin farisenjtë që, në lloj-lloj mënyrash, e paraqitnin Jehovain si një person që zor se kënaqet, të ashpër, të ftohtë e të pamëshirshëm. Jezui i ndihmoi njerëzit ta shihnin Atin e tij siç është vërtet: i duruar, i arsyeshëm, i dashur e i gatshëm të falë. Gjithashtu i ndihmoi ta njihnin Jehovain duke pasqyruar në mënyrë të përsosur cilësitë e Atit të tij në jetën e përditshme.—Gjoni 14:9.

18. Si mund t’i hedhim poshtë gënjeshtrat dhe shpifjet për Jehovain?

18 Ashtu si Jezui, mund t’u tregojmë të tjerëve ato që dimë për Jehovain dhe t’u mësojmë çfarë Perëndie i dashur e i mirë është. Kur e bëjmë këtë, hedhim poshtë gënjeshtrat dhe shpifjet për Jehovain. E shenjtërojmë emrin e Jehovait duke i ndihmuar njerëzit ta kenë të shenjtë këtë emër në mendje e në zemër. Veç kësaj, ne mund të imitojmë Atin tonë. Kjo është e mundur edhe pse jemi të papërsosur. (Efes. 5:1, 2) Kur fjalët dhe veprimet tona u tregojnë të tjerëve si është në të vërtetë Jehovai, po bëjmë pjesën tonë që të shenjtërohet emri i tij. E shfajësojmë këtë emër duke i ndihmuar njerëzit të heqin idetë e gabuara që mund të kenë për të. * E shenjtërojmë emrin e Jehovait edhe kur mbajmë integritetin ndonëse jemi të papërsosur.—Jobi 27:5.

Duam t’i ndihmojmë studentët e Biblës të kuptojnë sa i mirë dhe i dashur është Jehovai (Shih paragrafët 18-19) *

19. Si e nxjerr në pah Isaia 63:7 synimin kryesor që duhet të kemi kur mësojmë të tjerët?

19 Ka edhe diçka tjetër që mund të bëjmë për të shenjtëruar emrin e Jehovait. Kur u mësojmë të tjerëve të vërtetat e Biblës, shpesh e vëmë theksin te sovraniteti i Perëndisë, pra që Jehovai ka të drejtën të qeverisë universin, e kjo është absolutisht e vërtetë. Por, edhe pse është e rëndësishme t’u mësojmë ligjet e Perëndisë, synimi ynë kryesor është t’i ndihmojmë të duan Atin tonë, Jehovain, dhe të jenë besnikë ndaj tij. Prandaj duhet t’ua drejtojmë vëmendjen te cilësitë tërheqëse të Atij që mban këtë emër, duke theksuar ç’lloj personi është. (Lexo Isainë 63:7.) Kur i mësojmë njerëzit në këtë mënyrë, i ndihmojmë ta duan Jehovain dhe t’i binden ngaqë kanë dëshirë të jenë besnikë ndaj tij.

20. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

20 Por, si të sigurohemi që sjellja jonë dhe mënyra si mësojmë, po japin dëshmi të mirë për emrin e Jehovait dhe po i afrojnë njerëzit me të? Përgjigjen e kësaj pyetjeje do ta shqyrtojmë në artikullin tjetër.

KËNGA 2 Emri yt është Jehova

^ par. 5 Cila çështje ka një rëndësi jetësore për gjithë njerëzit dhe engjëjt? Pse është kaq e rëndësishme kjo çështje, dhe çfarë roli luajmë ne në zgjidhjen e saj? Ndërsa kuptojmë përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe të të tjerave që lidhen me to, do të na forcohet miqësia me Jehovain.

^ par. 18 Në disa raste, botimet tona kanë shpjeguar se emri i Jehovait nuk ka nevojë të shfajësohet, sepse askush nuk e ka vënë në dyshim të drejtën e tij për ta mbajtur këtë emër. Por në mbledhjen vjetore të vitit 2017 u tregua se kuptueshmëria jonë është qartësuar. Drejtuesi tha: «E thënë thjesht, nuk është e gabuar të themi se lutemi për shfajësimin e emrit të Jehovait, sepse pa dyshim reputacioni i tij ka nevojë të shfajësohet.»—Shih programin e janarit 2018 në jw.org®. Shko te BIBLIOTEKË > JW BROADCASTING®.

^ par. 62 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Djalli shpifi për Perëndinë, duke i thënë Evës se Perëndia është gënjeshtar. Gjatë shekujve, Satanai ka nxitur ide të rreme, si për shembull mësimin se Perëndia është mizor dhe se njerëzit nuk janë krijuar nga Ai.

^ par. 64 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Ndërsa drejton një studim, një vëlla e vë theksin te personaliteti i Perëndisë.