Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 25

«Unë vetë do t’i kërkoj delet e mia»

«Unë vetë do t’i kërkoj delet e mia»

«Unë vetë do t’i kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to.»—EZEK. 34:11.

KËNGA 105 «Perëndia është dashuri»

PËRMBLEDHJE *

1. Pse Jehovai e krahasoi veten me një nënë që mban në gji foshnjën?

«A MUND ta harrojë një grua foshnjën e gjirit?» Këtë pyetje Jehovai e bëri në ditët e profetit Isaia. «Edhe sikur ato [gra] të harrojnë, unë nuk do të të harroj kurrë»,—i tha Perëndia popullit të tij. (Isa. 49:15) Jehovai rrallëherë e krahason veten me një nënë. Por në atë rast e bëri këtë krahasim dhe përdori lidhjen mes nënës dhe fëmijës për të treguar sa e thellë është dashuria për shërbëtorët e tij. Shumica e nënave ndihen njësoj si një motër që quhet Jasmina. Ajo thotë: «Kur mban në gji fëmijën tënd, krijohet një lidhje shumë e veçantë që zgjat për tërë jetën.»

2. Si ndihet Jehovai kur një nga fëmijët e tij largohet nga ai?

2 Jehovai e vëren kur qoftë edhe një nga fëmijët e tij nuk shoqërohet më me kongregacionin dhe nuk merr pjesë më në veprën e predikimit. Imagjino atëherë sa dhembje duhet të ndiejë kur sheh mijëra shërbëtorë të tij që bëhen joaktivë * çdo vit.

3. Çfarë dëshiron Jehovai?

3 Shumë nga këta vëllezër e motra të shtrenjtë që bëhen joaktivë, kthehen përsëri në kongregacion, ku i presim krahëhapur! Jehovai dëshiron që të gjithë ata që janë bërë joaktivë të kthehen, e të njëjtën gjë duam edhe ne. (1 Pjet. 2:25) Atëherë, si mund t’i ndihmojmë të kthehen? Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, është mirë të kuptojmë pse disa nuk i ndjekin më mbledhjet dhe nuk dalin më në shërbim.

PSE DISA NUK I SHËRBEJNË MË JEHOVAIT?

4. Çfarë ndikimi mund të ketë puna te disa?

4 Disa jepen kokë e këmbë pas punës. Hang, * një vëlla që jeton në Azinë Juglindore, pranon: «Lejova të jepesha tepër pas punës. Më gënjeu mendja dhe besova se po të kisha më shumë para, do të arrija t’i shërbeja më shumë Jehovait. Prandaj punoja me orar të zgjatur. Fillova të humbja gjithnjë e më shumë mbledhje derisa nuk i ndiqja më fare si përfundim. Duket se bota është bërë në mënyrë të tillë që t’i largojë njerëzit nga Perëndia pak nga pak.»

5. Si ndikuan te një motër një varg problemesh që i ranë?

5 Disa vëllezër e motra ndihen sikur u zënë frymën problemet. Ana nga Britania, që ka pesë fëmijë, tregon: «Një nga fëmijët lindi me probleme të rënda fizike. Me kohë, një nga vajzat u përjashtua dhe një djalë m’u diagnostikua me një sëmundje mendore. Rashë në depresion dhe nuk merrja më pjesë në mbledhje e në shërbim. Si përfundim u bëra joaktive.» Na pikon në zemër për Anën e familjen e saj dhe për të tjerë që përballojnë sfida të ngjashme!

6. Pse mund të largohet dikush nga populli i Jehovait nëse nuk zbaton Kolosianëve 3:13?

6 Lexo Kolosianëve 3:13. Disa shërbëtorë të Jehovait janë lënduar thellë nga një bashkëbesimtar. Apostulli Pavël pranoi se ndonjëherë mund të kemi me të drejtë «arsye për t’u ankuar kundër» një vëllai a motre. Madje mund të na kenë trajtuar padrejtësisht. Nëse nuk bëjmë kujdes, mund të mbushemi me mllef. Mëria dalëngadalë mund ta shtyjë dikë të largohet nga populli i Jehovait. Të mendojmë për rastin e Pablos, një vëlla në Amerikën e Jugut. Atë e akuzuan pa të drejtë se kishte bërë diçka të gabuar dhe, si pasojë, humbi një privilegj shërbimi në kongregacion. Si reagoi ai? «U mbusha me zemërim,—thotë Pablo,—dhe dalëngadalë u largova nga kongregacioni.»

7. Si mund të ndikojnë ndjenjat e fajit te dikush?

7 Veç kësaj, dikë që ka bërë një mëkat të rëndë në të kaluarën, mund ta torturojnë ndjenjat e fajit dhe mund të ndihet sikur nuk e meriton më dashurinë e Perëndisë. Edhe nëse u pendua dhe iu tregua mëshirë, prapë mund të ndihet i padenjë për të qenë shërbëtor i Perëndisë. Kështu ndihej një vëlla me emrin Françesko. Ai thotë: «Më korrigjuan se kisha kryer imoralitet seksual. Edhe pse në fillim vazhdova t’i ndiqja mbledhjet, rashë në dëshpërim dhe ndihesha i padenjë për të qenë mes popullit të Jehovait. Më brenin akoma ndjenjat e fajit dhe isha i bindur se Jehovai nuk më kishte falur. Me kalimin e kohës, u shkëputa fare nga kongregacioni.» Si ndihesh për vëllezërit e motrat që përballojnë situata si këto që kemi përmendur? A ndien empati për ta? Dhe ç’është më e rëndësishmja, si ndihet Jehovai për ta?

JEHOVAI I DO DELET E TIJ

Një bari izraelit merakosej thellë për një dele të humbur (Shih paragrafët 8-9) *

8. A i harron Jehovai ata që i kanë shërbyer më parë? Shpjegoni.

8 Jehovai nuk i harron ata që i kanë shërbyer më parë, por që përkohësisht nuk shoqërohen më me popullin e tij; nuk harron as çfarë kanë bërë në shërbim të tij. (Hebr. 6:10) Për të treguar si kujdeset Jehovai për popullin e tij, profeti Isaia shkroi këtë ilustrim të bukur: «Ai do të kujdeset për kopenë e tij si një bari. Do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij e do t’i mbajë në gji.» (Isa. 40:11) Si ndihet Bariu i Madh kur një nga delet e tij humb rrugën dhe largohet nga kopeja? Jezui tregoi si ndihet Jehovai kur pyeti dishepujt e tij: «Si mendoni? Nëse një njeri ka 100 dele dhe njëra humb rrugën, a nuk do t’i lërë ai 99 në male, që të shkojë të kërkojë atë që ka humbur rrugën? Ja ku po jua them: po ta gjejë, ai do të gëzojë më shumë për të, se për ato 99 që nuk e kanë humbur rrugën.»—Mat. 18:12, 13.

9. Si i trajtonte në kohët e lashta një bari i mirë delet e veta? (Shih figurën e kopertinës.)

9 Pse është me vend që Jehovai të krahasohet me një bari? Sepse një bari i mirë në kohët e lashta kishte merak të madh për delet e tij. Davidi, për shembull, luftoi me një luan dhe një ari për të mbrojtur kopenë e vet. (1 Sam. 17:34, 35) Pa dyshim që një bari i mirë e vinte re nëse i mungonte qoftë edhe një dele. (Gjoni 10:3, 14) Ai bari i fuste në vathë 99 delet e tjera ose ia linte nën kujdes barinjve të tjerë që të ishin të mbrojtura, dhe shkonte të kërkonte delen e humbur. Me anë të këtij ilustrimi, Jezui na mësoi këtë të vërtetë të rëndësishme: «Ati im që është në qiell, nuk dëshiron që asnjë nga këta të vegjlit të marrë fund.»—Mat. 18:14.

Një bari në Izraelin e lashtë kujdeset për një dele të humbur (Shih paragrafin 9)

JEHOVAI I KËRKON DELET E TIJ

10. Sipas Ezekielit 34:11-16, çfarë premtoi të bënte Jehovai për delet e tij të humbura?

10 Jehovai e do secilin prej nesh, përfshirë edhe «të vegjlit» që janë endur larg kopesë së tij. Me anë të profetit Ezekiel, Perëndia premtoi se do t’i kërkonte delet e tij të humbura dhe do t’i ndihmonte të kishin përsëri një marrëdhënie të mirë me të. Gjithashtu tregoi çfarë hapash do të bënte për t’i shpëtuar, tamam si hapat që bënte një bari në Izrael po t’i mungonte një dele. (Lexo Ezekielin 34:11-16.) Së pari, bariu e kërkonte delen, dhe për këtë mund t’i duhej shumë kohë dhe përpjekje. Pastaj, me ta gjetur, bariu e kthente delen e humbur te kopeja. Përveç kësaj, nëse ajo ishte e plagosur ose e uritur, bariu e ndihmonte me dashuri delen e dobët duke ia fashuar plagët, duke e mbajtur në krahë dhe duke e ushqyer. Pleqtë, barinjtë e ‘kopesë së Perëndisë’, duhet të bëjnë të njëjtët hapa për të ndihmuar dikë që ka humbur rrugën e është larguar nga kongregacioni. (1 Pjet. 5:2, 3) Pleqtë e kërkojnë, e ndihmojnë të kthehet te kopeja dhe i tregojnë dashuri duke i siguruar ndihmën e nevojshme që të bëhet prapë mik me Jehovain. *

11. Çfarë mbante parasysh një bari i mirë?

11 Një bari i mirë mbante parasysh se një dele mund të humbte. Dhe nëse një dele ikte larg kopesë, bariu nuk e trajtonte ashpër. Të shqyrtojmë shembullin e Jehovait kur ndihmoi disa shërbëtorë të tij, që përkohësisht e humbën rrugën.

12. Si e trajtoi Jehovai Jonain?

12 Profeti Jona ia mbathi nga caktimi i tij. Prapëseprapë, Jehovai nuk hoqi dorë shpejt nga ai. Si një bari i mirë, Jehovai e shpëtoi dhe e ndihmoi të merrte forcën që i nevojitej për të plotësuar caktimin e tij. (Jon. 2:7; 3:1, 2) Më vonë, Perëndia përdori një bimë kungullujësi që ta ndihmonte Jonain të kuptonte sa vlerë ka edhe jeta e një njeriu të vetëm. (Jon. 4:10, 11) Çfarë mësimi nxjerrim? Pleqtë nuk duhet të heqin dorë shpejt nga ata që bëhen joaktivë. Në vend të kësaj, ata përpiqen të kuptojnë arsyen pse një dele u largua nga kopeja. Dhe kur kthehet te Jehovai, pleqtë vazhdojnë të interesohen e të tregojnë dashuri për të.

13. Çfarë mund të mësojmë nga mënyra si reagoi Jehovai ndaj shkrimtarit të Psalmit 73?

13 Shkrimtari i Psalmit 73 u shkurajua kur pa se të ligjve dukej sikur u vente mbarë gjithmonë. Ai filloi të dyshonte nëse ia vlente të bënte vullnetin e Perëndisë. (Psal. 73:12, 13, 16) Si reagoi Jehovai? Ai nuk e dënoi. Madje i ruajti fjalët e psalmistit në Bibël. Me kalimin e kohës, psalmisti kuptoi se nuk ka gjë më të bukur në jetë se të jesh mik i Jehovait. (Psal. 73:23, 24, 26, 28) Çfarë mësimi nxjerrim? Pleqtë nuk duhet të nxitohen ta gjykojnë dikë që fillon të dyshojë nëse ia vlen t’i shërbesh Jehovait. Në vend të kësaj, ata duhet të përpiqen të kuptojnë pse flet e vepron në atë mënyrë. Vetëm atëherë, pleqtë mund t’i përdorin Shkrimet për t’i dhënë inkurajimin që i nevojitet.

14. Pse Elija kishte nevojë për ndihmë, dhe si e ndihmoi Jehovai?

14 Profeti Elija ia mbathi nga mbretëresha Jezebelë. (1 Mbret. 19:1-3) Ai mendonte se asnjë tjetër nuk po i shërbente Jehovait si profet dhe se puna e tij kishte shkuar dëm. Elija u dëshpërua aq shumë sa donte të vdiste. (1 Mbret. 19:4, 10) Jehovai nuk e qortoi, por e siguroi Elijan se nuk ishte vetëm, se mund të kishte besim te fuqia e Perëndisë dhe se kishte akoma shumë punë për të bërë. Jehovai dëgjoi me dashuri çdo merak të Elijas dhe i dha caktime të reja. (1 Mbret. 19:11-16, 18) Çfarë mësimi nxjerrim? Të gjithë ne, e sidomos pleqtë, duhet t’i trajtojmë me dashuri delet e Jehovait. Edhe nëse dikush shfren mllefin ose ndihet i padenjë për mëshirën e Jehovait, pleqtë do ta dëgjojnë ndërsa u zbraz zemrën. Pastaj do të përpiqen ta sigurojnë delen e humbur se Jehovai e do.

SI DUHET TË NDIHEMI PËR DELET E HUMBURA TË PERËNDISË?

15. Sipas Gjonit 6:39, si ndihej Jezui për delet e Atit të tij?

15 Si do Jehovai të ndihemi për delet e tij të humbura? Jezui na la shembullin. Ai e dinte se për Jehovain çdo dele e Tij është e çmuar, prandaj bëri çmos t’i ndihmonte «delet e humbura të shtëpisë së Izraelit» të ktheheshin te Jehovai. (Mat. 15:24; Luka 19:9, 10) Veç kësaj, si bariu i shkëlqyer, Jezui bëri gjithë sa mundej që të mos humbte asnjë dele të Jehovait.—Lexo Gjonin 6:39.

16-17. Si duhet të ndihen pleqtë kur bëhet fjalë për të ndihmuar ata që kanë humbur rrugën? (Shih kutinë « Si mund të ndihet një dele e humbur».)

16 Apostulli Pavël i nxiti pleqtë e kongregacionit të Efesit të imitonin shembullin e Jezuit. Ai u tha: «Duhet të ndihmoni të dobëtit dhe të mbani mend fjalët e Zotërisë Jezu: ‘Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.’» (Vep. 20:17, 35) Është e qartë se pleqtë sot kanë një përgjegjësi të veçantë në këtë drejtim. Salvadori, një plak në Spanjë, thotë: «Kur mendoj sa shumë kujdeset Jehovai për delet e tij të humbura, zemra më shtyn të bëj gjithë sa mundem që t’i ndihmoj. Si bari në kongregacion, jam i sigurt se Jehovai do që të kujdesem për to.»

17 Të gjithë vëllezërit e motrat e përmendur në këtë artikull që ishin larguar nga Jehovai, morën ndihmë dhe u kthyen tek ai. Në këtë moment, shumë të tjerë që kanë humbur rrugën, duan të kthehen te Jehovai. Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë më me hollësi si mund t’i ndihmojmë të kthehen.

KËNGA 139 Përfytyro agimin e jetës së re

^ par. 5 Pse disa që i kanë shërbyer me besnikëri Jehovait për vite largohen dalëngadalë nga kongregacioni? Si ndihet Perëndia për ta? Ky artikull shqyrton përgjigjet e këtyre pyetjeve. Ai tregon edhe çfarë mund të mësojmë nga mënyra si i ndihmoi Jehovai në lashtësi disa që u larguan përkohësisht prej tij.

^ par. 2 SHPJEGIMI I FJALËS: Lajmëtar joaktiv është dikush që nuk ka raportuar asnjë aktivitet në veprën e predikimit dhe të bërjes së dishepujve për gjashtë muaj a më shumë. Prapëseprapë, joaktivët janë akoma vëllezërit e motrat tona dhe ne i kemi për zemër.

^ par. 4 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 10 Në artikullin tjetër do të diskutojmë mënyra specifike si mund t’i bëjnë këta hapa pleqtë.

^ par. 60 PËRSHKRIMI I FIGURËS: I merakosur për një dele të humbur, një bari izraelit e kërkonte dhe e ndihmonte të kthehej te kopeja. Barinjtë e krishterë sot bëjnë të njëjtën gjë.

^ par. 64 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Ndërsa pret të niset autobusi, një motër joaktive sheh me vëmendje dy Dëshmitarë që marrin pjesë me gëzim në dëshminë publike.