Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

Çfarë taksash duhej të paguanin njerëzit në kohën e Jezuit?

IZRAELITËT e kishin pasur zakon prej shekujsh të jepnin një sasi të caktuar parash për të mbështetur adhurimin e vërtetë. Por në kohën e Jezuit, çështja e taksave u ndërlikua dhe u kthye në një barrë për judenjtë.

Për të mbështetur adhurimin në shenjtëroren e Perëndisë, të gjithë judenjtë e rritur duhej të paguanin një gjysmë sikle (dy drahma). Në shekullin e parë, kjo taksë jepej për të siguruar flijimet dhe për të mirëmbajtur tempullin që ndërtoi Herodi. Disa judenj e pyetën Pjetrin si mendonte Jezui për këtë çështje, dhe Jezui tha se nuk ishte e gabuar të paguhej ajo taksë. Në fakt, ai i tregoi Pjetrit se ku ta gjente monedhën për të paguar taksën.—Mat. 17:24-27.

Në atë kohë, popullit të Perëndisë i kërkohej të paguante edhe të dhjetën, pra të jepte një të dhjetën e të korrave ose të të ardhurave. (Lev. 27:30-32; Num. 18:26-28) Krerët fetarë ishin striktë dhe kërkonin të jepej gjer më një e dhjeta për çdo prodhim të tokës, madje edhe për ‘mendrën, koprën dhe qimnonin’. Jezui nuk ishte kundër pagimit të së dhjetës, por dënoi hipokrizinë e skribëve e të farisenjve për mënyrën si duhej zbatuar ai ligj.—Mat. 23:23.

Veç kësaj, në kohën e Jezuit, judenjtë duhej t’u paguanin shumë taksa romakëve që sundonin mbi ta. Një prej atyre taksave ishte ajo që duhej të jepnin pronarët e tokave, të cilët mund të paguanin me para ose me të mira materiale. Ata jepnin afro 20 deri në 25 për qind të prodhimit të tokës. Gjithashtu, çdo jude duhej të paguante edhe haraç për kokë. Kjo ishte taksa për të cilën e pyetën farisenjtë Jezuin. Ai e përmblodhi pikëpamjen e duhur për taksat me këtë fjali të vetme: «Paguajini, pra, Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë gjërat e Perëndisë.»—Mat. 22:15-22.

Po ashtu, vihej taksë për mallrat që importoheshin a eksportoheshin nga një krahinë në tjetrën. Kjo taksë mblidhej në porte, ura, kryqëzime rrugësh ose në hyrje të qyteteve a të tregjeve.

Barra e gjithë këtyre taksave nën sundimin romak ishte jashtëzakonisht e rëndë. Sipas historianit romak, Tacitit, në periudhën kur Jezui ishte në tokë dhe qeveriste perandori Tiber, «Siria dhe Judea, të dërrmuara nga barra që mbanin, u përgjëruan t’u ulej haraçi».

Barra e taksave bëhej akoma më e rëndë edhe nga mënyra si mblidheshin. Detyra e taksambledhësit caktohej me ankand, dhe atë post e merrte kush paguante më shumë. Ai përfitonte nga taksat dhe punësonte edhe taksambledhës të tjerë, të cilët po njësoj futnin diçka në xhep. Me sa duket, edhe Zakeu ishte një prej atyre që kishin punësuar disa taksambledhës. (Luka 19:1, 2) Prandaj, kuptohet pse njerëzit nuk i duronin dot dhe i shihnin me përbuzje ata që mblidhnin taksat.