JETËSHKRIM
E kam lejuar Jehovain të më prijë në çdo hap
ISHTE një mëngjes me diell i vitit 1984. Dola nga shtëpia jonë e rehatshme në një zonë rezidenciale të Karakasit, në Venezuelë, dhe rrugës për në punë po mendoja për një artikull të Kullës së Rojës që kishte dalë kohët e fundit. Ai fliste për mënyrën si na shohin të tjerët. Hodha sytë nga shtëpitë përreth dhe pyeta veten: «A më shohin njerëzit thjesht si një bankier të suksesshëm? Apo më shohin si një shërbëtor të Perëndisë që mban familjen duke punuar në bankë?» Nuk më pëlqeu përgjigjja që i dhashë vetes, prandaj vendosa të bëja ca ndryshime në jetë.
Linda më 19 maj 1940 në qytetin e Amjunit, Liban. Pak vite më vonë, familja jonë u transferua në qytetin e Tripolit. U rrita në një familje të dashur e të lumtur, që e njihte dhe e donte Perëndinë Jehova. Kisha një vëlla e tri motra dhe isha më i vogli nga pesë fëmijët. Gjëja më e rëndësishme për prindërit e mi nuk ishte të fitonin para. Në qendër të jetës sonë ishin studimi i Biblës, mbledhjet dhe shërbimi.
Në kongregacionin tonë, kishim disa të mirosur. Një prej tyre ishte Mishel Abudi, i cili drejtonte atë që atëherë e quanim studimi i librit. Ai ishte i pari që predikoi në Liban në fillim të viteve 20, pasi kishte mësuar të vërtetën në Nju-Jork. Më kujtohet sa i respektueshëm dhe i gjindshëm ishte me dy motra të reja që ishin diplomuar në Shkollën e Galadit, Ana dhe Guen Bivëri. Ato u bënë miket tona të mira. Dekada më vonë, u kënaqa shumë kur takova Anën në Shtetet e Bashkuara. Pas ca kohësh, takova edhe Guenin. Ajo ishte martuar me Uilfred Guçin, dhe shërbenin në Bethelin e Londrës.
VEPRA E PREDIKIMIT NË LIBAN
Kur isha i vogël, në Liban ishim pak Dëshmitarë. Megjithatë, u mësonim plot zell të
tjerëve të vërtetat nga Bibla. Predikonim edhe pse hasnim kundërshtime nga disa udhëheqës fetarë. Ka ca ngjarje që i kujtoj sikur të kishin ndodhur sot.Një ditë kisha dalë në shërbim me motrën time, Sanën. Befas, në katin ku po predikonim, ia behu një prift. Dikush duhet ta kishte njoftuar. Prifti filloi të ofendonte motrën time, madje u bë aq i dhunshëm, saqë e shtyu Sanën poshtë shkallëve, dhe ajo u lëndua. Dikush i telefonoi policisë. Ata erdhën dhe u kujdesën që Sana të merrte ndihmën e nevojshme. Priftin e çuan në rajonin e policisë dhe atje zbuluan se kishte armë me vete. Shefi i policisë e pyeti: «Po çfarë je ti xhanëm?! Udhëheqës fetar apo udhëheqës trazirash?»
Ja edhe një ngjarje tjetër që e kam të gjallë në mendje. Kongregacioni ynë mori me qira një autobus për të shkuar në një qytezë të largët që të predikonim lajmin e mirë. Po kalonim mjaft bukur derisa prifti i qytezës mori vesh çfarë po bënim dhe mblodhi një turmë njerëzish të dhunshëm. Ata na ranë në qafë, e madje na qëlluan me gurë. Babai u plagos, dhe kujtoj fytyrën e tij të mbuluar nga gjaku. Ai u kthye tek autobusi bashkë me mamanë, dhe të gjithë ne e ndoqëm të tronditur. Megjithatë, nuk më harrohen fjalët e mamasë ndërsa po i pastronte plagën: «Jehova, të lutem fali. Nuk e kanë idenë çfarë po bëjnë.»
Në një rast tjetër, shkuam për të vizituar të afërmit në qytetin tonë. Kur arritëm në shtëpinë e gjyshit, gjetëm një peshkop mjaft të njohur. Peshkopi e dinte se prindërit e mi ishin Dëshmitarë të Jehovait. Ai u përpoq të më vinte në siklet edhe pse isha vetëm gjashtë vjeç. «Po ti, pse nuk je pagëzuar?»—më pyeti. Iu përgjigja se isha akoma fëmijë dhe se, që të pagëzohesha, kisha nevojë të mësoja më shumë për Biblën dhe të kisha besim të fortë. Ngaqë nuk i pëlqeu përgjigjja, i tha gjyshit se i kisha folur pa respekt.
Megjithatë, incidente të tilla ishin të pakta. Në përgjithësi, libanezët janë miqësorë dhe mikpritës. Prandaj bënim biseda mjaft të bukura rreth Biblës me ta dhe drejtonim shumë studime.
VENDIMI PËR T’U TRANSFERUAR NË NJË SHTET TJETËR
Kur isha akoma në shkollë, në Liban erdhi një vëlla i ri nga Venezuela. Ai i ndiqte mbledhjet në kongregacionin tonë dhe filloi të njihej me motrën time, Uafën. Pas ca kohësh, ata u martuan dhe shkuan të jetonin në Venezuelë. Në letrat e saj, Uafa e nxiste babanë që të transferoheshim të gjithë si familje në Venezuelë, ngaqë kishte shumë mall për ne. Më në fund, na e mbushi mendjen të transferoheshim.
Mbërritëm në Venezuelë në vitin 1953 dhe gjetëm shtëpi në Karakas, afër pallatit presidencial. Si djalë i ri, mezi prisja të shihja presidentin teksa kalonte me makinën e tij me shofer personal. Por prindërit nuk
e kishin të lehtë të përshtateshin me një vend, gjuhë, kulturë, ushqim dhe klimë të re. Në fakt, sapo filluan të mësoheshin, ndodhi diçka e tmerrshme.TRAGJEDI NË FAMILJE
Babai filloi të binte nga shëndeti. Kjo na dukej shumë e çuditshme, ngaqë kishte qenë gjithnjë i fortë dhe i shëndetshëm. Nuk na kujtohej të ishte sëmurur ndonjëherë. E diagnostikuan me kancer në pankreas, dhe bëri një operacion. Mjerisht, një javë më vonë babai vdiq.
Nuk gjej fjalë ta përshkruaj sa të dërrmuar ndiheshim nga ajo tragjedi. Isha vetëm 13 vjeç. Ishim të shokuar dhe na dukej sikur na u përmbys bota. Për ca kohë, mamaja e kishte të vështirë ta pranonte që babai nuk jetonte më. Mirëpo me kohë, kuptuam se jeta vazhdon, dhe me ndihmën e Jehovait arritëm ta përballonim atë situatë. Kur isha 16 vjeç, mbarova shkollën e mesme në Karakas dhe doja shumë t’i bëhesha krah familjes.
Ndërkohë, motra ime, Sana, u martua me Ruben Arauhon, që ishte diplomuar në Shkollën e Galadit dhe ishte kthyer në Venezuelë. Ata u transferuan në Nju-Jork. Familja vendosi që unë të bëja universitetin, dhe kështu shkova të jetoja me ta në Nju-Jork për të ndjekur studimet. Gjatë asaj kohe, motra dhe kunati më ndihmuan jashtë mase që të lidhesha më fort me Jehovain. Gjithashtu, në kongregacionin tonë të gjuhës spanjolle në Bruklin kishte mjaft vëllezër të pjekur. Dy prej tyre që pata kënaqësinë e madhe t’i njihja, ishin Milton Hensheli dhe Frederik Franci, që shërbenin në Bethelin e Bruklinit.
Kur po përfundoja vitin e parë të universitetit, fillova të vrisja mendjen se çfarë po bëja me jetën time. Kisha lexuar dhe menduar gjerë e gjatë për disa artikuj të Kullës së Rojës që flisnin për synimet teokratike. Shihja sa të lumtur ishin pionierët dhe bethelitët në kongregacionin tonë dhe kisha shumë dëshirë të bëhesha si ata. Megjithatë, nuk isha pagëzuar akoma. S’kaloi shumë dhe kuptova sa rëndësi kishte t’ia kushtoja jetën Jehovait. E bëra atë hap. E më pas, më 30 mars 1957, hodha hapin e rëndësishëm të pagëzimit.
VENDIME TË RËNDËSISHME
Pas atij hapi të rëndësishëm, mendova për një hap tjetër që doja të bëja—të nisja shërbimin në kohë të plotë. Ditë pas dite më shtohej dëshira për këtë lloj shërbimi, por e kisha të qartë se një hap i tillë nuk do të ishte i lehtë. A do t’ia dilja të ndiqja universitetin e njëkohësisht të shërbeja si pionier? Letrat nuk pushonin mes Nju-Jorkut dhe Venezuelës ndërsa i shpjegoja atyre të shtëpisë se kisha vendosur t’i ndërpritja studimet, të kthehesha në Venezuelë e të bëhesha pionier.
U ktheva në Karakas në qershor të vitit 1957. Mirëpo pashë se familja ime ishte keq nga ana ekonomike dhe kishin nevojë për
një rrogë tjetër. Si mund t’i ndihmoja? Më ofruan një punë në bankë, por akoma më qante zemra të bëhesha pionier. Në fund të fundit, kjo ishte arsyeja pse isha kthyer. Isha i vendosur t’i bëja të dyja. Për disa vjet, punova në kohë të plotë në bankë dhe shërbeva si pionier. Nuk kam qenë kurrë aq i ngarkuar por edhe aq i lumtur!Gëzimi im u shtua kur takova Silvian, një motër simpatike gjermane, që e donte jashtë mase Jehovain. Ajo ishte transferuar në Venezuelë me prindërit e saj. U martuam dhe me kohë patëm dy fëmijë, djalin tonë, Mishelin (Majkun), dhe vajzën tonë, Samirën. Gjithashtu, tani kujdesesha edhe për mamanë, e cila erdhi të jetonte me ne. Edhe pse m’u desh ta ndërprisja shërbimin si pionier për hir të detyrimeve familjare, e mbajta gjallë frymën e pionierit. Bashkë me Silvian, shërbenim si pionierë ndihmës sa herë të mundnim gjatë pushimeve.
NJË HAP TJETËR I RËNDËSISHËM
Fëmijët i kishim akoma në shkollë kur fillova t’i bëja vetes pyetjet që përmenda në fillim të artikullit. Më duhet ta pranoj se bënim një jetë shumë të rehatshme, dhe kolegët e punës në bankë më shihnin me respekt. Megjithatë, doja të më shihnin mbi të gjitha si shërbëtor të Jehovait. Prandaj fillova të vrisja mendjen çfarë ndryshimesh mund të bëja. Bashkë me gruan, u ulëm dhe diskutuam për të ardhurat tona. Nëse e lija punën në bankë, do të më jepnin një shumë të madhe parash si shpërblim. Ngaqë nuk kishim borxhe, kuptuam se po ta thjeshtonim jetën, do të kishim para për të jetuar për mjaft kohë.
Nuk ishte e lehtë ta hidhnim atë hap, por gruaja ime e shtrenjtë dhe mamaja më mbështetën plotësisht. Do t’i bashkohesha përsëri radhëve të shërbëtorëve në kohë të plotë. Isha shumë i emocionuar! Tani e kisha rrugën të hapur. Mirëpo, shumë shpejt morëm një lajm që na surprizoi të gjithëve.
NJË SURPRIZË E BUKUR!
Një ditë mjeku ynë na konfirmoi se Silvia ishte shtatzënë. Çfarë surprize! Nuk na mbante vendi nga gëzimi! Por njëherazi mendoja për vendimin tim që të bëhesha pionier. A do t’ia dilja ta hidhja atë hap? Shumë shpejt u përshtatëm mendërisht dhe emocionalisht dhe mezi pritnim t’i uronim mirëseardhjen pjesëtarit të ri të familjes. Por ç’të themi për planet që kishim bërë me aq kujdes?
Pasi biseduam për synimet tona, vendosëm t’i përmbaheshim vendimit që kishim marrë. Djali ynë, Gabrieli, lindi në prill të 1985-s. Por e lashë punën në bankë dhe rifillova shërbimin si pionier i rregullt në qershor të 1985-s. Pas ca kohësh, më ftuan të shërbeja si anëtar i Komitetit të Degës. Por dega nuk ishte në Karakas, prandaj më duhej të udhëtoja rreth 80 kilometra, dy ose tri ditë në javë.
NJË TRANSFERIM TJETËR
Zyra e degës ndodhej në qytetin e La Viktorias, prandaj vendosëm që të transferoheshim atje si familje për të qenë më afër Bethelit. Ky ishte një ndryshim goxha i madh për ne. S’i gjej dot fjalët për të shprehur mirënjohjen dhe admirimin që ndiej për familjen time. Qëndrimi i tyre ka qenë një ndihmë e madhe. Motra ime, Baha, u tregua e gatshme të kujdesej për mamanë. Majku ishte martuar, por Samira dhe Gabrieli jetonin akoma me ne. Për ta, transferimi në La Viktoria do të thoshte të ishin larg miqve të tyre në Karakas. Edhe Silvias sime të shtrenjtë iu desh të përshtatej me jetën në një qytet të vogël pasi kishte jetuar në kryeqytetin plot gjallëri. Dhe të gjithëve ne na u desh të mësoheshim me një shtëpi më të vogël. Po, vendimi për t’u transferuar nga Karakasi në La Viktoria kërkonte goxha përshtatje.
Mirëpo, gjërat ndryshuan përsëri. Gabrieli u martua dhe Samira shkoi të jetonte më vete. Më vonë, në vitin 2007, mua dhe Silvian na ftuan të ishim pjesë e familjes Bethel, një shërbim që po e shijojmë edhe sot e kësaj dite. Majku, djali i madh, është plak dhe shërben si pionier bashkë me gruan, Monikën. Edhe Gabrieli është plak, dhe jeton në Itali me të shoqen, Ambrën. Samira, përveçse shërben si pioniere, punon edhe si vullnetare nga shtëpia për Bethelin.
NUK JAM PISHMAN PËR ASNJË VENDIM
Më është dashur gjatë gjithë jetës të marr vendime të rëndësishme. E nuk jam bërë pishman për asnjë prej tyre. Do të merrja të njëjtat vendime. I çmoj jashtë mase caktimet e shumta teokratike që kam pasur në shërbim të Jehovait. Gjatë viteve, kam mësuar se është jetësore të mbajmë një miqësi të fortë me Jehovain. Në çdo hap që hedhim, qoftë i vogël a i madh, ai mund të na japë paqen që «tejkalon çdo mendim». (Filip. 4:6, 7) Sot unë dhe Silvia vazhdojmë të shijojmë shërbimin e shenjtë në Bethel. Gjatë gjithë jetës kemi ndier bekimin e Jehovait, ngaqë e kemi lejuar të na prijë në çdo hap.