Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 23

Me Jehovain pranë, nuk je kurrë vetëm

Me Jehovain pranë, nuk je kurrë vetëm

«Jehovai u rri pranë tërë atyre që e thërrasin.»​—PSAL. 145:18.

KËNGA 28 Miqësia me Jehovain​—Gjithçka që zemra do!

PËRMBLEDHJE *

1. Pse mund të ndihen ndonjëherë të vetmuar shërbëtorët e Jehovait?

THUAJSE të gjithë ndihemi të vetmuar hera-herës. Për disa, këto janë ndjenja kalimtare. Të tjerë ka të ngjarë t’i mundojnë për një kohë të gjatë. Mund të ndihemi të vetmuar edhe kur kemi plot njerëz rreth e rrotull. Disa e kanë të vështirë të zënë miq në një kongregacion të ri. Të tjerë që kanë lidhje të forta me pjesëtarët e familjes, ndihen shumë të vetmuar kur transferohen larg tyre. E disa të tjerë i bren malli për një njeri të dashur që nuk jeton më. Kurse disa shërbëtorë të Jehovait, sidomos ata që e kanë njohur të vërtetën nga pak kohë, ndihen të izoluar kur miqtë e dikurshëm dhe familjarët që nuk janë në të vërtetën, i trajtojnë me përbuzje ose i përndjekin.

2. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Jehovai na njeh me imtësi dhe kupton gjithçka që kalojmë. Ai e vëren kur ndihemi të vetmuar dhe dëshiron të na ndihmojë. Po si na ndihmon Jehovai? Çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar veten? Dhe si mund të ndihmojmë të tjerë në kongregacion që ndihen të vetmuar? Le t’i shqyrtojmë përgjigjet e këtyre pyetjeve.

JEHOVAI TË RRI PRANË

Jehovai dërgoi një engjëll që ta siguronte Elijan se nuk ishte vetëm (Shih paragrafin 3)

3. Si e shprehu Jehovai merakun për Elijan?

3 Jehovai merakoset thellë dhe do më të mirën për çdo adhurues të tij. Ai i rri pranë secilit nga ne dhe e vëren kur na mbyt shkurajimi. (Psal. 145:18, 19) Të shohim sa merak kishte Jehovai për profetin e tij, Elija, dhe si e ndihmoi. Ai besnik jetoi në një periudhë të vështirë të historisë së Izraelit. Adhuruesit e Jehovait përndiqeshin egërsisht, dhe Elijan e kishin vënë në shënjestër njerëz me pushtet që ishin armiq të Jehovait. (1 Mbret. 19:1, 2) Veç kësaj, Elija mendonte se kishte mbetur i vetmi profet që i shërbente Jehovait, dhe kjo e shkurajonte akoma më tepër. (1 Mbret. 19:10) Jehovai iu gjend pranë menjëherë Elijas. Ai dërgoi një engjëll që ta siguronte profetin e Tij se nuk ishte vetëm—se kishte ende shumë izraelitë që e nderonin thellësisht Perëndinë!—1 Mbret. 19:5, 18.

4. Si e pasqyron Marku 10:29, 30 merakun e Jehovait për ata që humbin përkrahjen e familjarëve a të miqve?

4 Jehovai e di se kur zgjedhim t’i shërbejmë atij, mund të na duhet të bëjmë shumë sakrifica. Kjo mund të përfshijë të humbim përkrahjen e të afërmve e të miqve që nuk e adhurojnë Jehovain. Ndoshta me një notë meraku në zë, apostulli Pjetër e pyeti një herë Jezuin: «Ne lamë gjithçka dhe të ndoqëm. E ç’do të marrim ne, pra?» (Mat. 19:27) Me ngrohtësi, Jezui i siguroi dishepujt e tij se do të fitonin një familje të madhe në të vërtetën. (Lexo Markun 10:29, 30.) E Jehovai, Ati dhe Kryefamiljari ynë premton se do t’u bëhet krah atyre që duan t’i shërbejnë. (Psal. 9:10) Të shohim disa gjëra që mund të bësh për të pasur mbështetjen e Jehovait ndërsa lufton me ndjenjat e vetmisë.

ÇFARË MUND TË BËSH NËSE NDIHESH I VETMUAR

5. Si nxjerr dobi kur përqendrohesh te mënyrat si të mbështet Jehovai?

5 Përqendrohu te mbështetja që të jep Jehovai. (Psal. 55:22) Kjo do të të ndihmojë ta shohësh me sy të ekuilibruar situatën tënde. Një motër beqare që quhet Karola * e që nuk ka asnjë nga familja në të vërtetën, thotë: «Kur hedh vështrimin pas dhe bluaj në mendje si më ka mbështetur Jehovai përmes sprovave, e ndiej se nuk jam aspak vetëm. Gjithashtu më forcohet siguria se Jehovai do të më gjendet pranë edhe në të ardhmen.»

6. Si mund t’i inkurajojë 1 Pjetrit 5:9, 10 ata që ndihen të vetmuar?

6 Mendo si i ndihmon Jehovai vëllezërit e motrat që ndihen të vetmuar. (Lexo 1 Pjetrit 5:9, 10.) Hiroshi, një vëlla që ka qenë për shumë vjet i vetmi Dëshmitar në familjen e tij, thotë: «Në kongregacion shihet qartë se askush nuk ka rrethana të përsosura. Ne që jemi vetëm në të vërtetën, marrim zemër kur mbajmë parasysh se të gjithë po bëjnë çmos t’i japin më të mirën Jehovait.»

7. Si të ndihmojnë lutjet?

7 Mbaj një program të mirë në adhurim. Kjo përfshin të flasësh hapur me Jehovain për ndjenjat e tua. (1 Pjet. 5:7) Masiela, një motër e re që u ndie e izoluar nga familja pasi vendosi t’i shërbente Jehovait, thotë: «Një ndihmë e madhe që të përballoja vetminë, ishin lutjet e zjarrta. Jehovai ishte për mua një Atë i vërtetë, dhe i lutesha sa e sa herë gjatë ditës për t’i treguar si ndihesha.»

Dëgjimi i regjistrimeve audio të Biblës dhe të botimeve të bazuara tek ajo, mund t’i ndihmojë disa të mos ndihen aq të vetmuar (Shih paragrafin 8) *

8. Si të ndihmon leximi dhe meditimi për Fjalën e Perëndisë?

8 Lexoje rregullisht Fjalën e Perëndisë dhe medito për ngjarje që tregojnë se Jehovai të do. Bianka, një motër që duron komentet shkurajuese të familjarëve, thotë: «Një gjë që më ndihmon sa s’thuhet është të lexoj e të meditoj për tregime nga Bibla e për jetëshkrime të shërbëtorëve të Jehovait që janë gjendur në situata të ngjashme.» Disa mësojnë përmendsh shkrime që të ngrohin e të qetësojnë zemrën, si Psalmi 27:10 dhe Isaia 41:10. Të tjerë dëgjojnë regjistrime audio të materialeve për studim, e kjo i ndihmon të mos ndihen aq të vetmuar kur përgatiten për mbledhjet ose kur lexojnë Biblën.

9. Si nxjerr dobi kur ndjek mbledhjet?

9 Bëj çmos të ndjekësh rregullisht mbledhjet. Kështu do të nxjerrësh dobi nga programi inkurajues e mund t’i njohësh më mirë vëllezërit e motrat. (Hebr. 10:24, 25) Masiela, e përmendur më sipër, thotë: «Ndonëse isha goxha e ndrojtur, isha e vendosur të ndiqja çdo mbledhje dhe të bëja një koment. Kjo më ndihmoi të ndihesha pjesë e kongregacionit.»

10. Pse është e rëndësishme të lidhim miqësi me adhurues besnikë të Jehovait?

10 Lidh miqësi me adhurues besnikë të Jehovait. Përpiqu që në kongregacion të zësh miq nga të cilët mund të mësosh, edhe nëse kanë moshë, prejardhje a formim të ndryshëm nga ti. Bibla na kujton se ‘të moshuarit kanë mençuri’. (Jobi 12:12) Edhe të moshuarit ose më të mëdhenjtë mund të mësojnë goxha nga të rinjtë besnikë. Davidi ishte shumë më i ri se Jonatani, ama kjo nuk i pengoi të bëheshin miq të ngushtë. (1 Sam. 18:1) Davidi dhe Jonatani e ndihmuan shoku-shokun që t’i shërbenin Jehovait edhe mes sprovave të rënda. (1 Sam. 23:16-18) Irina, një motër që është e vetmja Dëshmitare në familje, thotë: «Pjesëtarët e kongregacionit mund të na bëhen vërtet si prindër, vëllezër e motra. Jehovai mund t’i përdorë për të na siguruar ç’na nevojitet.»

11. Çfarë duhet të bëjmë për të lidhur miqësi të ngushta?

11 Të zësh miq të rinj mund të mos jetë e lehtë, sidomos nëse je tip i ndrojtur. Ratna, një motër e ndrojtur që e përqafoi të vërtetën me gjithë kundërshtimet, thotë: «Më duhet ta pranoja se kisha nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e vëllezërve e motrave.» Mund të jetë e vështirë t’i hapesh dikujt e t’i tregosh si ndihesh, por një komunikim i tillë i hapur është themeli i një miqësie të ngushtë. Miqtë e tu duan të të japin zemër e të të mbështetin, ama kanë nevojë t’u tregosh hapur çfarë ndihme të duhet.

12. Si mund të na ndihmojë shërbimi që të zëmë miq të mirë?

12 Një nga mënyrat më të mira për të zënë miq është të dalësh në shërbim me vëllezërit e motrat. Karola, që u përmend më sipër, thotë: «Kam lidhur shumë miqësi të bukura duke kaluar kohë me motrat në shërbim dhe në aktivitete të tjera teokratike. Jehovai më ka mbështetur ndër vite me anë të këtyre mikeve.» Ia vlen çdo përpjekje për të lidhur miqësi me adhurues besnikë të Perëndisë. Jehovai i përdor këto miqësi për të ta ngrohur zemrën kur lufton me shkurajimin ose ndjenjat e vetmisë.—Prov. 17:17.

NDIHMO TË TJERËT TË NDIHEN PJESË E FAMILJES SË JEHOVAIT

13. Çfarë përgjegjësie kemi të gjithë në kongregacion?

13 Të gjithë në kongregacion kemi përgjegjësinë të krijojmë një atmosferë të ngrohtë e paqësore, ku askush nuk ndihet i braktisur. (Gjoni 13:35) Ajo që bëjmë e që themi, mund të jetë burim i madh inkurajimi. Ja çfarë tha një motër: «Kur njoha të vërtetën, kongregacioni u bë familja ime. S’do të isha bërë dot Dëshmitare e Jehovait pa mbështetjen e tyre.» Si mund t’i ndihmosh ata që janë vetëm në të vërtetën ta ndiejnë se janë të shtrenjtë për vëllezërit e motrat?

14. Çfarë mund të bësh për të lidhur miqësi me ata që janë të rinj në kongregacion?

14 Merr iniciativën të miqësohesh me të rinjtë në kongregacion. Duam t’i presim krahëhapur studentët që kanë nisur të ndjekin mbledhjet, ata që janë transferuar në kongregacionin tonë dhe të sapopagëzuarit. (Rom. 15:7) Por nuk duam të mjaftohemi thjesht me një përshëndetje miqësore. Duam të lidhim miqësi të forta me kalimin e kohës. Prandaj trego përzemërsi dhe interes të sinqertë për këta të rinj në kongregacion. Ndërkohë që respekton privatësinë e tyre, përpiqu të kuptosh çfarë problemesh po përballojnë. Disa mund ta kenë të vështirë ta shprehin si ndihen, prandaj mos u bëj presion të flasin. Në vend të kësaj, me dashamirësi bëju pyetje për të cilat ndihen rehat të flasin dhe dëgjoji me durim. Për shembull, mund t’i pyesësh si e njohën të vërtetën.

15. Çfarë mund të bëjnë të krishterët e pjekur për të ndihmuar të tjerët në kongregacion?

15 Të gjithëve në kongregacion na forcohet besimi kur bashkëbesimtarët e pjekur, e sidomos pleqtë, tregojnë interes për ne. Melisa, që u rrit në të vërtetën nga e ëma, thotë: «Më gufon zemra nga mirënjohja për ata vëllezër që ndër vite m’u bënë si baballarë. Më kushtonin kohë dhe merakoseshin me gjithë zemër për mua. Sa herë që ndiej nevojën të flas, kam dikë që më dëgjon.» Mauricio, një vëlla i ri që ndihej i braktisur kur mësuesi i tij i Biblës u largua nga e vërteta, thotë: «Interesimi i sinqertë i pleqve ishte një ndihmë e jashtëzakonshme. Ata bisedonin rregullisht me mua. Dilnin me mua në shërbim, më tregonin xhevahire që kishin gjetur nga studimi personal i Biblës, e madje luanim e zbaviteshim bashkë.» Melisa dhe Mauricio tani i shërbejnë Jehovait në kohë të plotë.

A të vjen ndër mend dikush në kongregacion që do ta çmonte shumë një gjest dashamirës dhe shoqërinë tënde? (Shih paragrafët 16-19) *

16-17. Si mund t’i ndihmojmë të tjerët në mënyra praktike?

16 Ndihmo në mënyra praktike. (Gal. 6:10) «Shpesh ke nevojë thjesht për një gjest dashamirësie në kohën e duhur,—thotë Leo, që shërben si misionar në një shtet larg familjes.—Më kujtohet një ditë kur bëra aksident me makinë. Kur arrita më në fund në shtëpi, isha tepër i stresuar. Por një çift më ftuan në shtëpinë e tyre për një vakt të thjeshtë. Nuk e kujtoj çfarë hëngrëm, ama e kujtoj mirë se më dëgjuan me dashuri. Kur u largova, e kisha zemrën shumë të lehtësuar!»

17 Të gjithë i shijojmë aktivitetet teokratike, si asambletë dhe kongreset, ku mund të rrimë me njëri-tjetrin dhe të bisedojmë për programin. Mirëpo Karola që u përmend më sipër, thotë: «Për mua është goxha e vështirë të jem në asamble dhe kongrese.» Pse? Ajo shpjegon: «Ndonëse jam e rrethuar nga qindra a mijëra vëllezër e motra, thuajse të gjithë rrinë e ulen së bashku si familje. Në këto raste, e ndiej më thellë vetminë.» Të tjerë e kanë të vështirë të ndjekin kongresin ose asamblenë e parë pas vdekjes së burrit a të gruas. A njeh ndonjë që po përballon vështirësi të tilla? Pse të mos e ftosh të shijojë një program teokratik me familjen tënde?

18. Si mund ta zbatojmë 2 Korintasve 6:11-13 kur tregojmë mikpritje?

18 Kalo kohë me vëllezërit e motrat. Përpiqu të shoqërohesh në kohën e lirë me vëllezër e motra të ndryshëm, sidomos me ata që ndoshta ndihen të vetmuar. Veçanërisht ndaj tyre duam ‘t’i hapim plotësisht dyert e zemrës’. (Lexo 2 Korintasve 6:11-13.) Melisa, që u përmend më sipër, kujton: «Për ne ishte gjithmonë një rast i gëzueshëm kur vëllezërit e motrat na ftonin të kalonim ca kohë me ta dhe familjet e tyre ose të shkonim me pushime së bashku.» A të vjen ndër mend dikush në kongregacion që mund t’i tregosh mikpritje?

19. Kur mund të jetë veçanërisht e dobishme të kalojmë kohë me vëllezërit e motrat?

19 Ka raste kur një vëlla a motër do ta çmonte jashtëzakonisht shumë shoqërinë tonë. Për shembull, disa mund ta kenë të vështirë të rrinë me të afërmit jobesimtarë në periudha festash. Për të tjerë mund të jenë mjaft të dhimbshme disa data, si përvjetori i vdekjes së një njeriu të dashur. Kur tregohemi të gatshëm të kalojmë kohë me vëllezër e motra që kalojnë vështirësi të tilla, u tregojmë se ‘kujdesemi sinqerisht’ për ta.—Filip. 2:20.

20. Si na ndihmojnë fjalët e Jezuit te Mateu 12:48-50 kur ndihemi të vetmuar?

20 Ka plot arsye pse një shërbëtor i Perëndisë mund të ndihet hera-herës i vetmuar. Por të mos harrojmë kurrë se Jehovai i mban sytë mbi ne dhe e di mirë si ndihemi. Ai na siguron atë që na nevojitet, shpesh me anë të bashkëbesimtarëve. (Lexo Mateun 12:48-50.) E nga ana jonë, i shprehim mirënjohjen Jehovait për këtë familje të dashur kur bëjmë çmos t’i mbështetim vëllezërit e motrat. Edhe pse mund të ndihemi të vetmuar hera-herës, nuk jemi kurrë fillikat, sepse kemi gjithnjë pranë Jehovain!

KËNGA 46 Të falënderoj, Jehova!

^ par. 5 A të mundojnë ndonjëherë ndjenjat e vetmisë? Nëse po, ji i sigurt se Jehovai e di mirë çfarë po kalon dhe dëshiron të të bëhet krah. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si mund të fitosh mbi ndjenjat e vetmisë. Do të shohim edhe si mund t’u japësh zemër vëllezërve e motrave që ndihen të vetmuar.

^ par. 5 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 60 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla, të cilit i ka vdekur gruaja, ndihet më mirë ndërsa dëgjon regjistrime audio të Biblës dhe të materialeve për studim.

^ par. 62 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla dhe vajza e tij i shkojnë në shtëpi një vëllai të moshuar për t’i treguar se e kanë për zemër.