Pyetje nga lexuesit
Çfarë donte të thoshte apostulli Pavël me fjalët: «Ngaqë ndoqa ligjin, unë vdiqa për sa i përket ligjit.»—Gal. 2:19.
Pavli shkroi: «Ngaqë ndoqa ligjin, unë vdiqa për sa i përket ligjit, që të bëhem i gjallë për Perëndinë.»—Gal. 2:19.
Ajo që shkroi Pavli lidhej me një pikë të rëndësishme që po u theksonte kongregacioneve në provincën romake të Galatisë. Disa të krishterë po ndikoheshin nga mësuesit e rremë. Ata u mësonin se kush donte të shpëtonte, duhej të zbatonte kërkesat e Ligjit të Moisiut, në veçanti kërkesën e rrethprerjes. Por Pavli e dinte se Perëndia nuk kërkonte më që adhuruesit e tij të rrethpriteshin. Me një arsyetim të fuqishëm, ai i hodhi poshtë mësimet e rreme dhe u forcoi vëllezërve besimin te flijimi shpërblyes i Jezu Krishtit.—Gal. 2:4; 5:2.
Bibla thotë qartë se pasi vdes, njeriu nuk është më i vetëdijshëm ose nuk ndikohet më nga ajo që ndodh përreth tij. (Ekl. 9:5) Kështu, kur Pavli shkroi «unë vdiqa për sa i përket ligjit», me fjalë të tjera po thoshte se nuk ishte më nën autoritetin e Ligjit të Moisiut. Tani, falë besimit te flijimi shpërblyes i Jezuit, Pavli ishte i sigurt se ishte bërë «i gjallë për Perëndinë».
Situata e Pavlit ndryshoi ‘ngaqë ndoqi ligjin’. Ç’do të thoshte kjo? Ai sapo kishte shpjeguar se «njeriu shpallet i drejtë, jo falë veprave që kërkon ligji, por vetëm nëpërmjet besimit te Jezu Krishti». (Gal. 2:16) S’ka dyshim se Ligji kishte luajtur një rol të rëndësishëm. Pavli u shpjegoi galatasve për Ligjin: «Ai u shtua për të bërë të qarta shkeljet, derisa të vinte pasardhësi, të cilit i ishte bërë premtimi.» (Gal. 3:19) Pra, Ligji e bëri të qartë se njerëzit e papërsosur e mëkatarë nuk mund t’i bindeshin përsosmërisht Ligjit dhe se kishin nevojë për një flijim të përsosur përfundimtar. Kështu Ligji i drejtonte njerëzit te «pasardhësi», Krishti. Kush tregonte besim te Jezu Krishti, mund të shpallej i drejtë nga Perëndia. (Gal. 3:24) Pavli u shpall i drejtë sepse, falë Ligjit, kishte pranuar se Jezui ishte Mesia dhe kishte treguar besim tek ai. Si rrjedhojë, Pavli ‘vdiq për sa i përket ligjit’ dhe u bë «i gjallë për Perëndinë». Ai nuk ishte më nën autoritetin e Ligjit, por të Perëndisë.
Në letrën që u shkroi romakëve, Pavli shprehu një mendim të ngjashëm. Ai tha: «Vëllezërit e mi, nëpërmjet flijimit të Krishtit, edhe ju vdiqët për sa i përket Ligjit . . . Jemi çliruar nga Ligji, sepse kemi vdekur për sa i përket atij që na mbante nën vargonj.» (Rom. 7:4, 6) Këto vargje dhe Galatasve 2:19, tregojnë qartë se Pavli nuk po thoshte që kishte vdekur si mëkatar i dënuar nga Ligji. Përkundrazi, po theksonte se ishte çliruar nga Ligji. Ligji nuk kishte më asnjë pushtet te Pavli dhe te të krishterë të tjerë që, si ai, ishin çliruar falë besimit te shpërblesa e Krishtit.