Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Imito miqtë e ngushtë të Jehovait

Imito miqtë e ngushtë të Jehovait

«Ata që i frikësohen Jehovait, gëzojnë një miqësi të ngushtë me të.»​—PSAL. 25:14.

KËNGËT: 106, 118

1-3. (a) Pse jemi të sigurt se mund të bëhemi miq të Perëndisë? (b) Te cilët shembuj do të ndalemi te ky artikull?

BIBLA thotë se Abrahami ishte miku i Perëndisë. (Isa. 41:8; Jak. 2:23) Ç’është e vërteta, ai është i vetmi besnik që quhet kështu në Bibël. Atëherë, a duhet të nxjerrim përfundimin se Abrahami ishte i vetmi njeri në histori që u bë mik i Jehovait? Jo, sepse Bibla tregon se çdonjëri nga ne mund të lidhë miqësi me Perëndinë.

2 Fjala e Perëndisë është plot e përplot me tregime për gra dhe burra besnikë që iu frikësuan Jehovait, që treguan besim tek ai dhe u bënë miq të ngushtë me të. (Lexo Psalmin 25:14.) Apostulli Pavël shkroi për ‘një re të madhe dëshmitarësh’, që pa diskutim ishin të gjithë miq të Perëndisë. (Hebr. 12:1) Çfarë larmie të bukur gjen mes tyre!

3 Le të njihemi nga afër me tre miq të ngushtë të Jehovait për të cilët flet Bibla. Do të ndalemi te shembulli (1) i Ruthës, e veja e re besnike nga Moabi; (2) i Hezekisë, një mbret i drejtë i Judës dhe (3) i Marisë, nëna e përulur e Jezuit. Ç’mund të mësojmë nga mënyra si e kultivoi secili prej tyre miqësinë me Perëndinë?

AJO TREGOI DASHURI BESNIKE

4, 5. Çfarë vendimi të vështirë duhej të merrte Rutha? Pse ishte aq i vështirë ai vendim? (Shih figurën hapëse.)

4 Përfytyro tri vejusha që ua rreh rrobat era teksa udhëtojnë përmes rrafshinave të Moabit. Është Naomi me nuset e djemve, Ruthën dhe Orpën. Shohim Orpën tek largohet, pasi e ndan mendjen të kthehet në shtëpinë e saj në Moab. Naomi është e vendosur të vazhdojë rrugën për në atdhe, Izrael. Me të është Rutha, që duhet të marrë ndoshta vendimin më me peshë në jetën e saj: ose të kthehet te populli i vet në Moab, ose të qëndrojë me të vjehrrën, Naomin, e të udhëtojë për në Betlehem.​—Rutha 1:1-8, 14.

5 Fare kollaj Rutha mund të arsyetonte se në Moab kishte familjen​—nënën dhe të afërm të tjerë që do ta pritnin derëhapur vejushën e re dhe do të kujdeseshin për të. Moabi ishte vendlindja e saj. Atje ishin populli, kultura dhe gjuha e saj. Naomi nuk mund t’i premtonte asgjë të tillë në Betlehem. Në të vërtetë, ajo e këshilloi Ruthën të rrinte në Moab. Naomi shprehu merakun se nuk do t’u gjente dot nuseve as burrë, as shtëpi. Ç’do të bënte Rutha? Shiko pak dallimin mes saj dhe Orpës, e cila «u kthye te populli dhe te perënditë e saj». (Rutha 1:9-15) A donte Rutha të kthehej te perënditë e rreme të popullit të saj? Jo, aspak.

6. (a) Cilën zgjedhje të mençur bëri Rutha? (b) Ç’kuptim kishin fjalët e Boazit se Rutha kërkoi strehë nën krahët e Jehovait?

6 Rutha duket se kishte njohuri për Perëndinë Jehova, ndoshta nëpërmjet të shoqit ose Naomit. Jehovai nuk ishte si perënditë e Moabit. Rutha e dinte mirë se Ai meritonte dashurinë dhe adhurimin e saj. Por nuk mjaftonte thjesht t’i dinte këto. Rutha duhej të merrte një vendim. A do të zgjidhte Jehovain si Perëndinë e saj? Rutha bëri zgjedhjen e mençur. Ajo i tha Naomit: «Populli yt do të jetë populli im dhe Perëndia yt, Perëndia im.» (Rutha 1:16) Të ngrohet zemra kur mendon sa e donte Rutha Naomin, por shumë më e rëndësishme ishte dashuria që ndiente ajo për Jehovain. Më vonë Boazi, një pronar toke, e lavdëroi Ruthën që kërkoi strehë nën krahët e Jehovait. (Lexo Ruthën 2:12.) Këto fjalë mund të na sjellin ndër mend një zog të vockël i cili gjen strehë nën krahët e prindit të fuqishëm që e mbron. (Psal. 36:7; 91:1-4) Një prind i tillë u bë Jehovai për Ruthën. Ai e shpërbleu për besimin e saj, dhe ajo nuk pati kurrë arsye të bëhej pishman për vendimin që mori.

7. Çfarë mund t’i ndihmojë ata që ngurrojnë t’i kushtojnë jetën Jehovait?

7 Shumë veta mësojnë për Jehovain, por ngurrojnë të gjejnë strehë tek ai. Stepen të bëhen shërbëtorë të tij të kushtuar e të pagëzuar. Nëse edhe ti ngurron t’i kushtohesh Jehovait, a je ndalur të pyesësh veten përse? Çdo njeri në tokë i shërben një perëndie a një tjetri. (Jos. 24:15) Pse të mos gjesh strehë tek i vetmi Perëndi që ia vlen t’i shërbesh? T’i kushtosh jetën Jehovait është një mënyrë e shkëlqyer për të treguar besim tek ai. Perëndia do të të ndihmojë të jetosh sipas atij vendimi e t’i bësh ballë çfarëdo vështirësie që mund të lindë, tamam siç bëri për Ruthën.

«QËNDROI I LIDHUR NGUSHTË ME JEHOVAIN», PAVARËSISHT NGA E KALUARA

8. Përshkruani ambientin ku u rrit Hezekia.

8 Ndryshe nga Rutha, Hezekia lindi në një komb të kushtuar ndaj Jehovait. Ama jo të gjithë izraelitët jetonin në lartësinë e atij kushtimi. Një shembull tipik ishte i ati, mbreti Akaz. Ai njeri i lig e çoi në idhujtari mbretërinë e Judës, e madje përdhosi tempullin e Jehovait në Jerusalem. Është e vështirë ta përfytyrojmë fëmijërinë e Hezekisë, pasi disa nga vëllezërit e tij pësuan vdekje të llahtarshme: u dogjën të gjallë si kurban për një perëndi të rreme.​—2 Mbret. 16:2-4, 10-17; 2 Kron. 28:1-3.

9, 10. (a) Pse ishte e lehtë që Hezekia të mbushej me vrer kur të rritej? (b) Pse s’duhet të mbushemi me vrer kundër Perëndisë? (c) Pse nuk duhet të mendojmë se e kaluara përcakton ç’njerëz do të bëhemi?

9 Kur u rrit, Hezekia fare lehtë mund të ishte mbushur me vrer e mllef dhe të kthehej kundër Perëndisë. Disa që kanë duruar shumë më pak vështirësi mendonin se ishin të justifikuar ‘të tërboheshin kundër Jehovait’ ose të mbusheshin me vrer kundër organizatës së tij. (Prov. 19:3) Të tjerë janë të bindur se, ngaqë vijnë nga familje jo e mirë, janë të destinuar të bëjnë një jetë të keqe, e ndoshta të përsëritin gabimet e prindërve. (Ezek. 18:2, 3) A qëndrojnë këto mendime?

10 Historia e jetës së Hezekisë na përgjigjet qartë: absolutisht jo. Nuk kemi kurrë justifikim ose arsye të vlefshme që të mbushemi me vrer kundër Jehovait, sepse nuk është ai burimi i të këqijave që u bien njerëzve në këtë botë të ligë. (Jobi 34:10) Dihet, prindërit mund të ndikojnë goxha te fëmijët, për mirë a për keq. (Prov. 22:6; Kolos. 3:21) Por kjo s’do të thotë se e kaluara e dikujt përcakton çfarë rruge do të marrë jeta e tij. Përkundrazi, Jehovai na ka bërë të gjithëve një dhuratë të çmuar​—aftësinë që të zgjedhim çfarë do të bëjmë dhe cilët do të jemi. (Ligj. 30:19) Si e përdori Hezekia këtë dhuratë?

Shumë të rinj e përqafojnë të vërtetën, pavarësisht nga e kaluara e tyre (Shih paragrafët 9, 10.)

11. Pse Hezekia u bë një nga mbretërit më të mirë të Judës?

11 Ndonëse ishte biri i njërit prej mbretërve më të ligj të Judës, kur u rrit, Hezekia u bë një nga më të mirët. (Lexo 2 Mbretërve 18:5, 6.) Vërtet, i ati ishte një ndikim i tmerrshëm, por ai mund të zgjidhte të brumosej nga shembuj të tjerë. Në atë kohë shërbenin si profetë Isaia, Mikea dhe Hozea. Mund ta përfytyrojmë mbretin Hezekia të kredhur plotësisht te fjalët e frymëzuara të atyre burrave besnikë, tek i lejonte këshillat dhe qortimet nga Jehovai t’i depërtonin deri në skutat më të thella të zemrës. Si rrjedhojë, Hezekia iu përvesh punës për të ndrequr të zezat që kishte bërë i ati. Ai pastroi tempullin, shleu mëkatet e popullit dhe bëri një fushatë të gjerë e të vrullshme për të shkatërruar idhujt paganë. (2 Kron. 29:1-11, 18-24; 31:1) Kur u përball me probleme të rënda, siç ishte kërcënimi i mbretit të Asirisë, Senakeribit, që të sulmonte Jerusalemin, Hezekia tregoi guxim dhe besim të paparë. U mbështet te Perëndia, i sigurt se Ai do t’i shpëtonte, e i dha forcë popullit me fjalët dhe me shembullin e tij. (2 Kron. 32:7, 8) Më vonë, kur pati nevojë për korrigjim ngaqë shfaqi qëndrim fodull, Hezekia u përul dhe u pendua. (2 Kron. 32:24-26) Është e qartë se ai nuk lejoi që e kaluara t’i shkatërronte të tashmen ose t’i grabiste të ardhmen. Në vend të kësaj, tregoi se ishte mik i Jehovait dhe një shembull i shkëlqyer që ia vlen ta imitojmë.

12. Ashtu si Hezekia, si kanë treguar shumë veta sot se janë miq të Jehovait?

12 Përderisa jetojmë në një botë të vrazhdë e të ftohtë, s’është çudi që shumë fëmijë rriten pa prindër të dashur që t’i mbrojnë. (2 Tim. 3:1-5) Mjaft shërbëtorë të sotëm të Perëndisë kanë pasur fëmijëri të dhimbshme, por prapë kanë ndërtuar miqësi të ngushtë me Jehovain. Ashtu si Hezekia, ata janë shembull i gjallë se e kaluara nuk ka pse të na përcaktojë të ardhmen. Perëndia na ka dhënë dinjitet duke na dhuruar vullnet të lirë. Është privilegji ynë ta përdorim këtë dhuratë që të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Jehovain dhe që ta nderojmë e t’i japim lavdi, siç bëri Hezekia.

AJO THA: «JA, SKLLAVJA E JEHOVAIT!»

13, 14. Pse caktimi i Marisë mund të dukej tepër i vështirë, por si iu përgjigj ajo Gabrielit?

13 Shekuj pas Hezekisë, një e re judeje e përulur nga Nazareti zhvilloi një miqësi unike me Jehovain. Asnjë njeri në botë s’ka marrë ndonjëherë një caktim të tillë. Ajo duhej të ngjizte, të lindte e të rriste Birin e vetëmlindur të Perëndisë. Përfytyro sa besim duhet të ketë pasur Jehovai te Maria, vajza e Helit, që t’i jepte këtë caktim. Por, si mund të jetë ndier në fillim Maria kur iu besua ai caktim?

«Ja, skllavja e Jehovait!» (Shih paragrafët 13, 14.)

14 Është e lehtë të mendojmë vetëm për privilegjin e mrekullueshëm të Marisë dhe t’i lëmë në harresë disa gjëra që e merakosën e ndoshta iu dukën si pengesa të pakapërcyeshme. Engjëlli i Perëndisë, Gabrieli, i tha se do të mbetej shtatzënë me anë të një mrekullie​—pa pasur marrëdhënie me një burrë. Gabrieli nuk tha gjë se do të shkonte te familja dhe te komshinjtë e Marisë për t’u shpjeguar shkakun e shtatzënisë. Ç’do të mendonin ata? Maria duhet të ketë qenë në merak për të fejuarin, Jozefin. Si do t’ia mbushte mendjen që, edhe pse ishte shtatzënë, i kish qëndruar besnike? Për më tepër, çfarë përgjegjësie do të ishte të rriste Birin e vetëmlindur të Më të Lartit, të kujdesej për të e ta edukonte! Nuk ka si t’i dimë të gjitha shqetësimet që mund t’i kenë kaluar nëpër mend Marisë kur i foli Gabrieli. Ama e dimë se përgjigjja e saj ishte kjo: «Ja, skllavja e Jehovait! Le të më ndodhë sipas fjalës sate.»​—Luka 1:26-38.

15. Pse na lë mbresa besimi i Marisë?

15 A nuk është mbresëlënës besimi i Marisë? Një skllave ishte në dorë të zotërisë së saj. Kështu, me besim Maria i la në dorë të Zotërisë së vet, Jehovait, shqetësimet dhe zgjedhjet e saj. Donte t’i shërbente në çfarëdo mënyre që ta shihte të udhës ai. Nga buronte besimi i Marisë? Besimi nuk lind bashkë me njeriun. Ai është fryt i përpjekjeve tona dhe i bekimit të Perëndisë. (Gal. 5:22; Efes. 2:8) A ka prova se Maria bëri përpjekje që ta forconte besimin? Po, ka. Të mendojmë pak për mënyrën si dëgjonte e si fliste ajo.

16. Nga e dimë se Maria ishte dëgjuese e mirë?

16 Si dëgjonte Maria. Bibla na këshillon ‘të jemi të shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohemi në të folur’. (Jak. 1:19) A ishte dëgjuese e mirë Maria? Me sa duket, po. Në Ungjillin e Lukës përmenden dy raste kur ajo dëgjoi tërë sy e veshë të vërteta të thella nga Jehovai e më vonë la kohë që t’i bluante në mend ato fjalë. Kur lindi Jezui, disa barinj të thjeshtë i treguan Marisë një mesazh që ua dhanë engjëjt. Afro 12 vjet më pas, Jezui tha diçka me domethënie të madhe, edhe pse ishte ende djalosh. Të dyja herët, Maria dëgjoi me vëmendje, i vuri vath në vesh fjalët që dëgjoi dhe mendoi mirë për to.​—Lexo Lukën 2:16-19, 49, 51.

17. Ç’mund të mësojmë nga mënyra si fliste Maria?

17 Si fliste Maria. Në Bibël nuk janë dokumentuar shumë fjalë të saj. Rasti kur foli më gjatë gjendet te Luka 1:46-55. Ato fjalë nxjerrin në pah se Maria i njihte në majë të gishtave Shkrimet e frymëzuara. Duket se fjalët e Marisë pasqyronin disa nga ndjenjat që shprehu në lutje Hana, nëna e profetit Samuel. (1 Sam. 2:1-10) Në atë rast, Maria citoi rreth 20 herë nga Shkrimet. Është e qartë se ajo ishte një grua që fliste haptas e me kënaqësi për të vërtetat nga Fjala e Jehovait. Maria ishte bujare me thesarin që kishte në zemër​—një bagazh i pasur me të vërteta të çmuara që kishte mësuar nga Miku i saj më i madh, Perëndia Jehova.

18. Në ç’mënyra mund ta imitojmë besimin e Marisë?

18 Ashtu si Maria, hera-herës disa caktime që na jep Jehovai mund të na duken sfiduese. Njësoj si ajo, le ta lëmë veten me përulësi në duart e Jehovait, plot besim se ai do të veprojë për të mirën tonë. Mund ta imitojmë besimin e Marisë duke i dëgjuar me vëmendje gjërat që mësojmë për Jehovain e për qëllimet e tij, duke i bluar në mend këto të vërteta dhe duke ua treguar me entuziazëm të tjerëve.​—Psal. 77:11, 12; Luka 8:18; Rom. 10:15.

19. Për çfarë mund të jemi të sigurt ndërsa imitojmë shembujt e shkëlqyer biblikë të besimit?

19 E kush mund ta vërë në dyshim se Rutha, Hezekia dhe Maria ishin miq të Jehovait, tamam si Abrahami para tyre? Tok me të gjithë ata që përbëjnë ‘renë e madhe të dëshmitarëve’ dhe me shumë besnikë të tjerë në rrjedhën e historisë, ata kanë pasur privilegjin e mrekullueshëm të ishin miq të Perëndisë. Le të vazhdojmë t’i imitojmë këta shembuj besimi! (Hebr. 6:11, 12) Atëherë mund të jemi të sigurt për një shpërblim të pashoq​—të jemi miq të ngushtë të Jehovait jetë e mot!