Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

Jehovai ma bëri të suksesshme jetën në shërbim të tij

Jehovai ma bëri të suksesshme jetën në shërbim të tij

I thashë ushtarit se kisha qenë edhe më parë në burg ngaqë nuk pranoja të luftoja. E pyeta: «Mos do ta përsëritni nga e para gjithë këtë histori?» Kjo ndodhi herën e dytë që më erdhi thirrja për të hyrë në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara.

LINDA në vitin 1926 në fshatin Crooksville të Ohajos, në Shtetet e Bashkuara. Babai dhe mamaja nuk ishin fetarë, por ne tetë fëmijëve na thoshin të shkonim në kishë. Unë veja në kishën metodiste. Kur isha 14 vjeç, pastori më dha një çmim meqë s’kisha munguar një vit të tërë në shërbesat e së dielës.

Margaret Uokeri (motra e dytë nga e majta) më ndihmoi të mësoja të vërtetën

Në atë kohë, mamasë nisi t’i vinte për vizitë një komshie, Margaret Uoker, që ishte Dëshmitare e Jehovait, dhe bënin bashkë biseda për Biblën. Një ditë vendosa të ulesha me to. Mamaja kujtoi se do t’i prishja studimin, prandaj më tha të ikja përjashta. Por unë prapë përpiqesha të dëgjoja bisedat e tyre. Pas nja dy vizitash të tjera, Margareta më pyeti: «A e di si e ka emrin Perëndia?» Ia ktheva: «Këtë e dinë të gjithë​—Perëndi e ka.» Më tha: «Merr Biblën tënde dhe lexo Psalmin 83:18.» Ashtu bëra, dhe zbulova se emri i Perëndisë është Jehova. Ia dhashë vrapit për te shokët e u thashë: «Kur të shkoni në shtëpi sot, lexoni në Bibël Psalmin 83:18 dhe shikoni si e ka emrin Perëndia.» Pra, si të thuash, nisa të jepja dëshmi në çast.

Studiova Biblën dhe u pagëzova në vitin 1941. S’kaloi shumë dhe më caktuan të drejtoja një studim libri në kongregacion. I nxita mamanë, motrat e vëllezërit që të vinin edhe ata, e kështu filluan të merrnin pjesë të gjithë në studimin e librit që drejtoja unë. Kurse babai s’kishte interes.

KUNDËRSHTIMI NË SHTËPI

Me kohë më dhanë më shumë përgjegjësi në kongregacion dhe formova një bibliotekë teokratike. Një ditë im atë më tregoi me gisht librat dhe tha: «I sheh gjithë ato? Të m’i heqësh nga shtëpia dhe shporru bashkë me to.» U transferova dhe mora një dhomë në qytetin fqinj Zanesville, Ohajo, por udhëtoja vajtje-ardhje për t’i dhënë zemër familjes.

Babai u mundua ta pengonte mamanë që të mos ndiqte mbledhjet. Hera-herës, kur mamaja nisej për mbledhje, ai i vihej pas dhe e tërhiqte me zor në shtëpi. Mirëpo ajo dilte me të shpejtë nga dera tjetër dhe shkonte në mbledhje. I thashë mamasë: «Mos ki merak. Do të lodhet e s’do të të ndjekë më nga pas.» Me kalimin e kohës, babai u dorëzua dhe s’u përpoq më ta ndalonte, kështu mamaja i ndiqte mbledhjet pa problem.

Më 1943, në kongregacionin tonë filloi të zhvillohej Shkolla e Shërbimit Teokratik, dhe unë nisa të mbaja fjalime si student. Këshillat që merrja pas pjesëve në shkollë më ndihmonin të përmirësoja aftësitë oratorike.

ASNJANËSIA GJATË LUFTËS

Në atë kohë, kombet po kacafyteshin në Luftën II Botërore. Më 1944 më erdhi thirrja për në ushtri. U paraqita në Fort Hayes në Kolumbus, Ohajo, bëra vizitën e përgjithshme mjekësore dhe plotësova formularët. Gjithashtu, u thashë autoriteteve se nuk do të vishesha ushtar. Më lanë të ikja. Pas ca ditësh më trokiti në derë një polic e më tha: «Koruin Robison, kam një urdhër arresti për ty.»

Dy javë më vonë, kur isha në gjyq, gjykatësi tha: «Të ishte në dorën time, me burgim të përjetshëm do të dënoja. A ke gjë për të thënë?» Iu përgjigja: «I nderuar gjykatës, unë duhej të isha klasifikuar si shërbëtor fetar. Katedra ime është pragu i çdo dere, dhe ua kam predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë shumë njerëzve.» Gjykatësi iu drejtua jurisë: «Këtu nuk jeni për të vendosur nëse ky djalosh është apo jo shërbëtor fetar. Jeni për të vendosur nëse u paraqit që të rekrutohej në ushtri.» Pa kaluar as gjysmë ore, juria u kthye me vendimin​—fajtor. Gjykatësi më dënoi me pesë vjet në burgun federal në Ashland, Kentaki.

JEHOVAI MË MBRON NË BURG

Dy javët e para i kalova në një burg në Kolumbus, Ohajo, dhe ditën e parë ndenja i mbyllur në qeli. Iu luta Jehovait: «Nuk rri dot pesë vjet në një qeli. S’di si t’ia bëj.»

Të nesërmen, rojat më nxorën nga qelia. Vajta afër një burri të gjatë shpatullgjerë, dhe po shihnim me nge nga dritarja. Ai më pyeti: «Për çfarë të kanë rrasur brenda Shkurtabiq?» Ia ktheva: «Jam Dëshmitar i Jehovait.» «Ou?! Atëherë çne që je këtu?»​—më pyeti. «Dëshmitarët e Jehovait nuk shkojnë në luftë dhe nuk vrasin njerëz»,—​iu përgjigja. Ai më tha: «Juve ju futin në burg ngaqë nuk pranoni të vritni. Të tjerë i futin në burg ngaqë vrasin. A ka kuptim kjo?» «Jo, s’ka»,​—ia ktheva.

Atëherë më tha: «Kam qenë 15 vjet në një burg tjetër, dhe atje lexova ca nga botimet tuaja.» U luta me vete: «O Jehova, ndihmomë që ky njeri të më dalë krah.» Në atë çast, Poli (kështu quhej ai burrë) tha: «Po të preku me dorë njeri, vetëm thirr. Ia tregoj unë qejfin pastaj.» Sidoqoftë, nuk pata probleme me 50 të burgosurit në atë pjesë të burgut.

Isha mes Dëshmitarëve të burgosur për asnjanësi në Ashland, Kentaki

Kur autoritetet e burgut më transferuan në Ashland, mora vesh se aty ndodheshin disa vëllezër të pjekur. Shoqëria e tyre më ndihmoi mua dhe të tjerë që ta mbanim të fortë besimin. Ata vëllezër na caktonin çdo javë një pjesë nga Bibla, dhe ne përgatitnim pyetjet e përgjigjet për mbledhjet që i quanim Konkurse Biblike. Ishte caktuar edhe një shërbëtor për territoret. Rrinim në një fjetore të madhe me krevate anash mureve, dhe shërbëtori i territoreve më thoshte: «Robison, ti je përgjegjës për filan krevat. Kush të caktohet te ky krevat, është territori yt. Sigurohu t’i japësh dëshmi para se të largohet.» Ja, kështu predikonim të organizuar.

Ç’MË PRISTE JASHTË BURGUT

Më 1945, Lufta II Botërore mbaroi, por unë mbeta në burg edhe ca kohë. Isha në merak për familjen, se babai më kishte thënë: «Po të hoqa qafe ty, këtyre të tjerëve ua gjej anën.» Pasi u lirova nga burgu, më priste një surprizë e bukur. Me gjithë kundërshtimin e babait, shtatë pjesëtarë të familjes po ndiqnin mbledhjet dhe një nga motrat ishte pagëzuar.

Në shërbim me Demetrius Papageorgen, një vëlla i mirosur që filloi t’i shërbente Jehovait më 1913

Në vitin 1950, kur plasi Lufta e Koresë, më erdhi për herë të dytë thirrja që të hyja në ushtri, dhe u paraqita në Fort Hayes. Pas një testi për të matur aftësitë, një ushtar më tha: «Ti kishe një nga rezultatet më të larta të grupit.» Ia ktheva: «Në rregull, por unë s’do të hyj në ushtri.» I citova 2 Timoteut 2:3 dhe i thashë: «Unë jam tashmë ushtar i Krishtit.» Heshti gjatë, pastaj më tha: «Mund të largohesh.»

Pak kohë më vonë, ndoqa mbledhjen për shërbimin në Bethel në një kongres në Sinsinati, Ohajo. Vëlla Milton Hensheli na tha se në qoftë se një vëlla donte të punonte pa u kursyer për Mbretërinë, organizata mund ta përdorte në Bethel. Bëra kërkesën për të shërbyer në Bethel, më pranuan, dhe, në gusht 1954, u paraqita në Bethelin e Bruklinit. Që nga ajo kohë, jam në Bethel.

Këtu në Bethel s’kam ngelur kurrë pa punë. Për disa vjet, kujdesesha për kaldajat e shtypshkronjës e të kompleksit të zyrave, punoja si mekanik dhe riparoja brava. Veç kësaj, punoja në Sallat e Asambleve në qytetin e Nju-Jorkut.

Kujdesem për kaldajat në kompleksin e zyrave në Bethelin e Bruklinit

Jam mësuar me programin e jetës në Bethel dhe më pëlqen sa s’ka. Ai përfshin adhurimin e mëngjesit, Studimin familjar të Kullës së Rojës dhe shërbimin me kongregacionin. Po ta mendosh, këto aktivitete mund t’i bëjë çdo familje Dëshmitarësh të Jehovait, dhe duhen bërë. Kur prindër e fëmijë diskutojnë bashkë shkrimin e ditës, mbajnë rregullisht Adhurimin Familjar dhe marrin pjesë me gjithë shpirt në mbledhje e në predikimin e lajmit të mirë, ka shumë të ngjarë që tërë familja të ketë besim të fortë.

Në Bethel dhe në kongregacion kam zënë plot miq. Disa ishin të mirosur dhe tani kanë marrë shpërblimin qiellor. Të tjerë nuk ishin të mirosur. Por të gjithë shërbëtorët e Jehovait​—përfshirë edhe bethelitët—​janë të papërsosur. Nëse kam ndonjë fërkim me një vëlla, gjithmonë përpiqem të bëj paqe. Mendoj për Mateun 5:23, 24 dhe për mënyrën si kërkohet t’i zgjidhim mosmarrëveshjet. Vërtet, s’është kollaj të kërkosh falje, por pasi e kam bërë këtë, rrallëherë kam parë të vazhdojnë problemet me një shok.

FRYTE TË MIRA NGA SHËRBIMI

Për shkak të moshës, tani e kam të vështirë të predikoj shtëpi më shtëpi, por s’jam dorëzuar. Kam mësuar pak gjuhën kineze mandarin dhe më pëlqen të flas me kinezët që takoj në rrugë. Ka mëngjese kur u jap 30 a 40 revista të interesuarve.

Duke u predikuar kinezëve në Bruklin, Nju-Jork

Madje kam bërë edhe një rivizitë në Kinë! Një ditë, një vajzë e shkathët që shpërndante reklama për një tezgë frutash më buzëqeshi. I buzëqesha edhe unë e i ofrova Kullën e Rojës dhe Zgjohuni! në gjuhën kineze. I mori revistat dhe më tha se quhej Keti. Pas kësaj, sa herë më shihte, Keti afrohej të bisedonte me mua. I mësoja emrat e frutave e të perimeve në anglisht, dhe ajo i përsëriste. Gjithashtu, i shpjegoja vargje nga Bibla, dhe pranoi librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Mirëpo, pas disa javësh u zhduk.

Ca muaj më vonë, një vajzë tjetër që ndante reklama pranoi revistat. Javën vijuese, më zgjati celularin e saj dhe tha: «Ti fol me Kinën.» I thashë: «Po unë s’njoh njeri në Kinë.» Por ajo ngulte këmbë, prandaj e mora telefonin dhe thashë: «Alo, jam Robisoni.» Zëri nga ana tjetër tha: «Robi, jam Keti. Jam kthyer në Kinë.» «Në Kinë?»​—i thashë. «Po,​—m’u përgjigj Keti.—​Robi, e di? Ajo vajza që të dha telefonin është motra ime. Ti më mësove plot gjëra të bukura. Të lutem, mësoje edhe atë siç më mësove mua.» I thashë: «Keti, do të bëj çmos. Faleminderit që më tregove ku je.» Pak kohë më vonë, fola me motrën e Ketit, por pastaj s’e pashë më. Kudo qofshin ato dy vajza, shpresoj të mësojnë më shumë për Jehovain.

Për 73 vjet kam punuar me të gjitha forcat në shërbimin e shenjtë të Jehovait. Jam i lumtur që ai më ndihmoi të qëndroja asnjanës dhe të isha besnik në burg. Veç kësaj, motrat dhe vëllezërit e mi më thonë se morën zemër ngaqë unë u bëra ballë kundërshtimeve të babait pa u dorëzuar. Me kohë, mamaja dhe gjashtë nga motrat e vëllezërit u pagëzuan. Madje edhe qëndrimi i babait u zbut, dhe, para se të vdiste, mori pjesë në disa mbledhje.

Në qoftë vullneti i Perëndisë, familjarët dhe miqtë e mi që kanë vdekur do të kthehen në jetë në botën e re. Imagjinoni ç’gëzim do të ndiejmë ndërsa e adhurojmë Jehovain përgjithmonë, tok me ata që kemi në zemër! *

^ par. 32 Ndërsa ky artikull përgatitej për botim, Koruin Robisoni vdiq besnik ndaj Jehovait.